E merkure, 24.04.2024, 12:27 AM (GMT+1)

Mendime

Henri Çili: As fenomen, as precedent, thjesht incident!

E premte, 25.07.2008, 10:55 AM


Henri Çili
As fenomen, as precedent, thjesht incident!

Nga Henri Çili

Deputeti Taulant Balla nuk e kishte llogaritur se, do të ndodhte ai reagim i kryeministrit Berisha, kur në seancën e orës së vonë të së hënës në parlament, “provokoi” ndjeshmërinë e babait Berisha për vajzën Argita. Aq më pak Edi Rama, kryetari i Partisë Socialiste nuk kishte inskenuar një të tillë provokim për t’u “ekzekutuar” me gojën e deputetit Taulant Balla. Ashtu sikurse kryeministri Berisha në një seancë normale, në një moment tjetër, apo me mendje tjetër nuk do të kishte pasur atë reagim, si ai që pati ndaj asaj deklaratës së deputetit opozitar Balla.
Shkurt është një incident, është një provokim normal i një opozitari, një reagim i tepruar i kryeministrit Berisha, por gjithsesi njerëzor. Nga këto në parlamentin shqiptar, në parlamentet e botës, ka pasur dhe do të ketë. Çdo vëmendje e tepruar ndaj këtij incidenti, çdo serial horror, apo çdo arsyetim politik mbi një moment reagimi njerëzor, edhe pse të tepruar, ilustron një kotësi të mjedisit publik shqiptar, një inerci të analizës së medias shqiptare, për të gjetur tek një situatë parlamentare, kuintesencën e politikës shqiptare, parashikimin e të ardhmes sonë të përbashkët, shpjegimin e botës. Aq më tepër, për të kapur tek ky reagim i kryeministrit pikërisht atë shpjegimin e misterit Berisha, të këtij njeriu të cilin kemi 20 vjet që e kemi vërdallë përditë!
Duke thënë sot dhe gjithë ditën, që incidente të tilla është e mira të mos ndodhin, që etika dhe edukata parlamentare duhet të jenë një normë e çdo deputeti, aq më pak e kryeministrit, në rastin e Berishës, është po ashtu koha t’u japim këtyre lloj ngjarjeve, vendin, përmasën dhe statusin që ata kanë realisht. Një hiperbolë e tillë nga një incident parlamentar është thjesht asgjë. Nuk ka as domethënie, nuk ka as paradhënie, nuk ka as pasthënie, nuk ka as të kaluar nuk ka as të ardhme. Nuk është as shpjegim për atë që ka ndodhur në të kaluarën dhe aq më pak nuk është një parashikim për të ardhmen. Sovrani e ka parashikuar parlamentin pikërisht si një aulë, ku përfaqësuesit e popullit nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për atë që thonë, përfshi këtu dhe shkarjen e fjalorit në momente nxehjeje, inati, tërbimi apo dëshpërimi. Parlamenti është vendi ku flitet, është vendi ku thuhet gjithçka. Ky është parlamenti. Por jo vetëm kaq! Për të gjithë ata që kanë një eksperiencë jetësore, është e qartë që në jetën e njeriut ka momente shpërthimi apo dalje jashtë një kontrolli verbal apo etik. Madje, këtë situatë të natyrës njerëzore e merr përsipër ta diferencojë edhe e drejta, ligji përmes kategorive “me paramendim”, “pa paramendim”, “me gjakftohtësi” apo në “gjaknxehtësi e sipër”. Por ky nuk është njeriu, kjo nuk është natyra e njeriut, nuk është identiteti i tij. Është përjashtimi! 
Për simetri nuk mund të formulojmë konkluzione, parashikime, nuk mund të ndërtojmë arketipa të një politikani apo të një tjetri, në rastin konkret lidhur me kryeministrin Berisha, duke u nisur nga një incidenti i tillë, apo duke u nisur nga të tilla situata. Tjetërkund është fusha e analizës, objekti i shqyrtimit, apo pretendimet ndaj një politikani, një lideri apo qoftë dhe ndaj kryeministrit të vendit. Në vend të analizës se si reagon kryeministri kur dikush i përmend vajzën në një kontekst politik, është e rëndësishme të hapim një debat rreth vetë çështjes në fjalë: A është ardhja e vajzës së Sabri Godos, mjekes së mirënjohur Anila Godo në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, hapja e një precedenti në jetën tonë politike, ku politika kalon nga babai tek fëmijët? Çfarë të mirash dhe të këqijash ka kjo, a krijon kjo frymën trashëgimtare të profesionit të politikanit? Apo tjetra: Me çfarë të drejte mund të paragjykojmë avancimin në jetën politike të fëmijëve të kujtdo, të vajzës së Godos sot, të vajzës së Berishës nesër apo të djalit të Ramës pasnesër, kur ata janë qytetarë si gjithë të tjerët? Një debat i tillë do të ishte vërtet me vlerë në vend të një diskutimi shterpë nëse e teproi apo sa e teproi kryeministri Berisha në seancën e së hënës.
Ndaj, ajo që ndodhi natën mes së hënës dhe të martës, në orën 2 e ca të natës, pas nja 6 ore seance, është thjesht një ngjarje për t’u tejkaluar. Eshtë një ngjarje për t’u evituar në të ardhmen. Por është një ngjarje nga ku nuk mund të nxirret asgjë, as konkluzion, as shpjegim, as mund të shërbejë për parashikime aq më pak. Incidenti Berisha-Balla, nuk është as fenomen, as precedent, as paralajmërim. Është thjesht një incident!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora