E premte, 19.04.2024, 08:15 PM (GMT+1)

Kulturë

Albana M. Lifschin: ”Acari i dashurisë”

E shtune, 13.06.2015, 05:34 PM


”Acari i dashurisë”

-Duke lexuar librin  më të fundit    Mjeshtrit  të Madh, Miho Gjinit-

Mbresa

Nga Albana M. Lifschin

Pas vëllimit me tregime “Vdekja e Artistit”dhe romanit “Letra nga Spanja”, “Acari i dashurisë’ është i treti libër dhuratë nga Mjeshtri i Madh, Miho Gjini, që nderon biblotekën time.

Autori në këtë libër  sjell jetën në art nga një këndvështrim i veçantë ; ai i  akumulimit të një eksperience të bollshme brenda dhe përtej kufirit, nën dritën një botkuptimi të emancipuar bashkëkohor.

Që në tregimin e parë Adoleshenti, humba në lexim. Mu bë se pashë veten time fëmijë në rrugicat lagjes ku u rrita, që nga pallati në formë L-je ku banonim, ( E quanim” pallati i Petro Markos”) e deri tek kinema 17 Nëntori, ku mbanim frymën përçdo film të ri që dilte në kryeqytet. Rruga “Bardhok Biba” na nxirrte Broduejn shqiptar, prej nga pasditeve rinia derdhej në shesh e niste atë shëtitjen e paharruar në bulevardin e madh. Hollësitë “radhiten” njera pas tjetrës nga pena e autorit, sikurse kubikët e një mozaiku që me vendosjen e copëzës së fundit shfaqet tabloja e plotë. Me vërtetësinë e figurës dhe gjallërinë e ngjyrave zgjohet një kujtesë vizive e freskët e vendit dhe atmosferës së shoqërisë së asaj kohe. Ngjarja zë fill pikërisht aty tek Hotel Vjosa përballë pastiçerisë e cila s’është më. Në qendër të tregimit janë dy adoleshentë provincialë të mbyllur me çelës nga jashtë nga baballarët në dy dhoma hoteli që i ndante një mur, por i bashkonte një ballkon. I kishin mbyllur me shkakun e thjeshtë se mos humbisnin në Tiranën e madhe, ndërkohë që po trokisnin zyrave për të zgjidhur hallin e të drejtave të studimit për ta. Merret me mend që këtu zë fill një aventurë  dashurie adoleshentësh me tërheqjet e zbrapsjet e saj.

Portreti real i një kohe të shkuar të ndjek nga tregimi në tregim. Një vërtetësi skrupuloze përçon mendjen e  ngacmon ndjenjat e lexuesit në ngjarjet brenda dhe jashtë kufirit. Gjithësesi në mbarim të librit mendimi im  mbeti ‘keq’ tek dy novelat “Acari i dashurisë” dhe “Shembja e kështjellës”, e tërhequr nga tema dhe pesha e tyre shoqërore. Janë dy novela të ralla, që lenë mbresë të thellë tek lexuesi i sotëm si dikur tek ne novelat më të mira të Cvajgut.

Shumëkush sot flet për një ‘moshë të tretë’, duke nënkuptuar periudhën  e një jete në shuarje. I gjej të pasakta këto definicione kategorike dhe njëkohësisht njerëzisht të padrejta. Përcaktime që i tregojnë apo diktojnë njeriut, kur është i ri, kur është “i vjetër” dhe  madje  edhe se kur duhet të vdesë. Benxhamin Franklin thosh: “Disa njerëz vdesin që kur janë 25 vjeç, por varrosen  kur bëhen  75. Maja Anxhelo (Maya Angelou) personalitete e njohur e shoqërisë dhe letrave amerikane, citohet shpesh për mënçurinë e saj. “ Dashuria është si virusi, ajo zë këdo dhe në çdo moshë” thotë ajo.  Në mentalitetin shqiptar vihen re dy qëndrime. I pari e mohon tërësisht këtë botkuptim dhe i dyti qeshet me të-në fakt tallet me vetveten.

Pata publikuar para disa kohësh në facebook fotografinë e një amerikani  tek të 70-tat,  ulur në sedilen e trenit, në metro, me një tufë të vogël lulesh në duar. Diçitura thosh se ky burrë  ka 45 vjet që  çdo të hënë i sjell lule gruas së tij. Një lexues bëri shpenguar komentin: “Ky qënka i rrjedhur”.  Koment pa të keq.  E megjithatë sa ashpërsi, sa brutalitet ,  por edhe sa humbje nga jeta! Dashuria ushqehet gjithë jetën.Periudha prej 22 vjetësh  në Nju Jork,  më ka ndihmuar të krijoj një botkuptim tjetër,shumë më të gjerë e  më realist se ai me të cilin erdha nga atdheu. Nuk  çuditem më kur në autobuza apo trena shikojçifte të moshuar që i zgjasnin  buzët njeri- tjetrit.  Në asnjë rast nuk  më është dukur “i shëmtuar” ky gjest . Kam parë një dokumentar televiziv për dy  të rinj të dashuruar që në shkollë të mesme,shokë klase, por që i ndau lufta, dhe e rigjetën njeri -tjetrin në moshën 75 vjeçare kur të dy bashkëshortët u kishin vdekur.  Në Ditën e Shën Valentinit  kamera qe fokusuar tek ata. Atë ditë ata festonin 15 vjetorin e martesës. Ishin 90 vjeç.  Shpirti i njeriut ka një energji të jashtëzakonshme, sfidon numrat, vitet, moshën dhe ruan thellë  e në përjetësi dashurinë njerëzore. Hiqi jetës dashurinë  dhe e ke vdekur. Më kujtohet Mori, personazhi i  gazetarit dhe shkrimtarit  të njohur amerikan Mitch Albom , i cili u bë i famshëm me botimin e librit  “Të martat me Morin”,(Tuesday with Morrie) Kur në një nga intervistat e pyetën nëse i  kish zili të rinjtë   në moshë u përgjigj:” E di sa sa të rinj apo të reja kanë ardhur tek unë e më janë ankuar, që ndihen të palumtur? Ankohen për kotësinë  e jetës, madje shkojnë deri në vetëvrasje? Sepse nuk dijnë të  vlerësojnë jetën, u mungon experienca e saj.”

Ndaj e gjeta kaq të vërtetë novelën lirike dramatike Acari i Dashurisë, dhe e përshëndes ngrohtësisht  autorin  për mesazhin frymëzues, optimist, që jep nëpërmjet saj.

Çifti në qendër të novelës autori, është i moshës për të cilën po flasim, ndoshta më përtej. "Ajo jo më shumë se 70 vjeç dhe ai jo më pak se 80".  U dashuruan gjithë jetën, por nuk u martuan  dot kurrë për shkak të  besimeve të ndryshme. Ajo  zonjë aristokrate ortodokse greke dhe  ai një  zotëri pasanik musliman, turk. Por dashuria e tyre ishte gjithçka. “Bota jashtë dashurisë së tyre  ishte si një lëvozhgë e zbrazur” shkruan autori. “Ajo mbytej në pikturat e saj, ai në bixhoz deri sa u rrënua fare… I kishin mbetur vetëm çelsat e një  makinë të vjetër fole dashurie…”

Shoqërimi i tyre i hapur në publik, në raste ceremonish apo ditë krejt të rëndomta, ishte sfida ndaj ligjeve fetare  e opiniomit shoqëror.  Ata kishin një folezë dashurie tek një Ford i vjetër, dikur i zotërisë në fjalë, të cilit i kishin dalë e dhe disqet. Makina e braktisur qe ‘maskuar’ nga gjethet e çkishte mundur të hidhte koha e natyra mbi të.  Kjo fole u trondit një herë të vetme, kur protagonist i novelës duke luajtur me një boçe pishe e gjuajti atë si top, e ai fluturoi e ra në xhamin e saj. “Papritur të dy qëniet lëvizën pas xhamit të makinës, u shkëputën nga ai përqafim, por duart u mbetën të bashkuara…  Dhe kjo pamje e jashtëzakonshme do të  linte gjurmë në shpirtin e autorit..  “Ky gjest i pakujdesshëm    rëndoi si një gur në ndërgjegje”.   Ai nuk dinte ku të fshihej nga krimi që kishte bërë. Ndoshta dy adoleshentë do të habiteshin me këtë çift të vjetër që përqafoheshin në një makinë të shkatëruar, por jo protagonistin tonë. Kishte vajtur në atë vend për t’u ndodhur në pagëzimin e nipçes, një eveniment të rëndësishëm familjar,që  nuk e gëzoi dot  për shkak të këtij faji të pafaj, dhe zuri  të fshihej pas shtyllave të kishës  nga turpi për të mos u parë  nga “Romeo e Xhuljeta” të cilët ndodhi të ishin miqtë  më të ngushtë të të bijës…

Tek Shembja e Kështjellës- autori nxjerr në sipërfaqe një fenomen të shëmtuar, të cilin shoqëria  ka më shumë tendencë ta fshehë, se  ta zbulojë, ndonëse është një nga krimet më të mëdha që  ndodhin sot .

Lexuesi njihet  me dy personazhet që dalin nga shoqëria virtuale e internetit.Të dy komunikojnë në facebook dhe siçpritet kureshtja i shtyn që një ditë të shihen me njeri tjetrit në dritën e Diellit. Zhgënjimi qe total. Ajo përpara saj kishte një burrë në moshën e babait, ndërsa  ai burrë i pjekur 50 vjeçar që priste  të takohej me një grua pak a shumë moshatare me të, përballej me  një vajzë  në moshë  fare të re.

Momenti i parë i  sikletshëm i kësaj të papriture injektoi tek të dy mendimin e ikjes. Ikjes së menjëhershme, pas mbarimit të minutave formale të mirësjelljes. Kthimit të secilit në vendin e vet, pa  u përzier. Por kjo nuk ndodhi. Vajza  duket përplëlitej në  nevojën për të ndarë  me dikë sekretin e saj të madh që e mundonte prej vitesh. Ky sekret nuk mund t’i besohej kujdo. Ajo kish nevojë për mirëkuptim. Dhe ja tek është ky burrë i pjekur, me kulturë, i mënçur, biseda me të cilin e pat tërhequr në fb.  Ndoshta ai mund ta kuptonte, mund ta lehtësonte gjendjen e saj, ndoshta do të qe një sup ku ajo “mund të mbështetej”. Ndoshta…

Mirëpo rinia e çiltërsia e saj në krahun tjetër, këto takime të çudiçme të mbështjella me romantikën e ditëve me shi tek një vend gati misterioz të quajtur”Kështjella e Mbretëreshës”, tërheqjet e sprapsjet e saj të rrëmbyera, e konfuzuan  partnerin saj. Vajza  irritohej shpejt, zëmërohej lehtë, trembej qoftë edhe nga  një prekje miqsore e dorës. Kjo e  largon atë papritur, por  dhe e kthen sërish. Dukej hapur që i pëlqen kuvendimi me një njeri më të pjekur se vetja, madje një moment  mirënjohje për mirëkuptimin që ai i fal, shkëputet nga karrigia e saj dhe e përqafon, pa menduar se këto sjellje provokojnë ndjenja mashkulli tek miku i saj. Pavarësisht nga  këto janë sjellje të pakuptushme, të çudiçme,  ai gradualisht bie keq në dashuri  vajzën, por ai përmbahet duke respektuar betimin që i ka dhënë vetes për të mos e prekur. Eshtë e qartë që ajo i trembet intimitetit.  Cili qe sekreti i saj?

“Shembja e Kështjellës” është historia e një vajze  të re, të traumatizuar nga përdhunimi që i ka bërë i jati që në moshë të njomë. Ajo u arratis  nga ai, por nuk arratiset dot  nga kujtimi i asaj që i ka ndodhur. Ajo përjeton atë që shkenca e psikologjise e quan’ Post traumatic stress disorder’ -Çrregullim psiqik,emocional, stresi i vazhdushëm që vjen pas kalimit të një traume. Impakti tek viktima është  i fuqishëm. Përfshin ndërprerje të veprimit normal psikologjik emocional në mardhëniet  me njerëzit, kryesisht me meshkuj. Paaftesi për të përjetuar emocione positive. Gjithmonë vigjilente në ruajtje të vetvetes. Shpërthime të zëmërimit dhe agresivitet të papritur. Për shkak të traumës që ka pësuar, viktima  i urren të gjithë meshkujt  duke vënë shënjen e barazisë tek ata. Ndërkohë jeta shket para syve të saj dhe ajo kërkon të lidhë fijet me të, nuk mund të rrijë  gjatë jashtë saj. Nuk mund të durojë më ndjenjën e një  femre të bërë pis, e  të padenjë për shoqërinë. Gjithësesi, lidhjen e  fijeve vajza e gjen shumë të vështirë. Së pari ajo ka nevojshme ta kuptojnë dramën e saj, lëngimin e saj. Eshtë përpjekur e vetme të kapërxejë këtë situatë depresive për një kohë të gjatë e  të dalë mbi të, por vetmia s’e ndihmon. Prandaj i është futur  studimit të psikologjisë duke kërkuar tek ajo rrugëdaljen.  Përdhunimi i të miturve, duke i konsideruar si lojra seksi  e  në rastin më të keq edhe nga prindër monstra, i gjymton ata psiqikisht e shpirtërisht,  u heq aftësinë për të jetuar e shijuar jetën si të gjithë të tjerët.

” Ç’rëndësi ka se kur më kanë përdhunuar? Disa vjet apo disa muaj më parë, apo nëntë minuta më parë. Ka kaluar kohë thoni ju? Po si ndodh atëhere që unë nuk duroj do të më prekë njeri me dorë? Ç’e kam këtë ngasje të parezistueshme për të vrarë këdo që më prek papritur? Më thuaj si mund ta fal, e le pastaj ta harroj diçka që ndodhë e vazhdon të ndodhë, sërish e sërish? Si mundem?? Shprehet një viktimë e përdhunimit seksual( Andrew Ashling, Bonds of Hate)

Një tjetër :“Do doja të bija në gjumë. Koma do te ishte më mirë. Ndoshta amnezhia. Çdo gjë vetëm t’i hiqja këto mendime që  më ngacmojnë trurin . Mos më ka përdhunuar edhe trurin?”

Rruga drejt shërimit nuk është e ajo e fshehjes, por e deklarimit të asaj që ka ndodhur e ngritjes mbi këtë dramë. Kujtoni Oprah Uinfrin , mogulen e medias amerikane, një nga grate më të fuqishme në botë që u përdhunua nga kushëriri i saj në moshen 9 vjeç, për një akullore. Ajo nuk e fshehu këtë fakt, por i kushtoi këtij  problemi  qindra emisione televizive, duke futur pas hekurave të burgut  kriminelët e duke rritur vigjilencën duke  bërë shoqërinë të ndërgjegjshme.

Trauma që ka kaluar  protagonistja e novelës sonë e ka bërë të paaftë për të dashuruar. Vajza i  trembet mardhënies imtime. Ajo që i ka ndodhur në të kaluarën rikthehet në kujtesën e saj. Largimi nga miku i saj, IKJA e saj e fundit  bëhet pikërisht me afrimin e një momenti  të tillë. Ajo shkëputet  papritur nga ai e vrapon  nëpër shi, përfundimisht për të mos u kthyer më. Duket se vajza ka humbur betejën me të shkuarën. Ai me dhimbje e përkujdesje i thërret : -Ku shkon? Do të lagesh! -Le të lagem, i përgjigjet  ajo. “Pse më solle këtu? Për këtë? Ashtu bëni të gjithë ju burrat! Ndaj ju urrej, ju urrej të gjithëve!

Largimi vajzës nëpër shi për të mos u kthyer më tek miku i saj është një klithje e thellë dëshpërimi. Është këmbana për shoqërinë që fle gjumin e madh. Kurt Kobejn është shprehur “Përdhunimi është një nga krimet më të tmershme që ndodhin në botë . Problemi është që njerëzit përpiqen të edukojnë gruan se si t’i ruhet përdhunimit, kur në fakt duhet të edukojnë burrat që të mos përdhunojne gratë”.

Gjatë leximit  të novelës më është kujtuar disa here Virxhinia Woolf, që pas përdhunimit nga gjysmë-vëllezërit e saj kaloi në një gjendje stresi me të cilin luftoi gjithë jetën dhe doli e humbur. Mbushi xhepat me gurë dhe u mbyt në lumë.

Sa me vend është fjala e një gruaje australiane  kur thotë: Mënyra më efektive për të shkatërruar integritetin e një kulture apo race e njerëzore është që t’i përdhunosh grate” .



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora