E premte, 29.03.2024, 07:23 AM (GMT)

Kulturë

Remzi Limani: Lulet e fustanit

E premte, 12.06.2015, 06:33 PM


Remzi Limani

LULET E FUSTANIT

(poemë)

1

Desha ta shoh stuhinë e natës në Ty

T'i dëgjoj britmat e gjokseve të natës

Të më rrëmbesh mes gishtërinjve

Dorëzuar flokut tënd të shprishur

2

I dehur këmbë e kokë

Në kërkim të klithjes sate

Në këtë natë shtrydhur shirash

Do të kalëroja çdo gjë në ty

3

Uroj të këtë zënë nata të shpërthekuar

Zogu i mëngjesit të merr këngën për ty

Me qemane dashurie të nis dita

Një baladë për Kalanë e pushtuar

4

Të dëshiroj një natë syprushtë

Një tufë rrufesh puthjesh mbi ty

Të vritësh këndshëm mbi kërthizë

Të bësh paqe me syrin t`im

5

Ky mëngjes me sy pranvere

I veshur me fustanin prej lulesh

Të rrin bukur marroqja ime

Gjithë trupin ta nusëron

6

Uroj hënën të pikë mbi trupin tënd

Të rrudh dritën mbi kërthizë

Ta pushtojë trupin e shkopsuar

Nata ime të të shtrydhesh në gji

7

Një zog nate i pranguar

Në krahët e këngës i plagosur

I harruar nga sytë e Evës

Rreth hënes shfleton kujtimet për ty

8

Një kujtim i trisht pa bëza më vret

Për mollën herake ikur nga yrti im

I lidhur zinxhir qeni

Hijen tënde s'mund ta kafshoj

9

Mbi trupin tënd push kadifeje

Dora tinëzare hiqet mbi ty

Flakat diskrete të marrin ngrykas

S'lënë vend të paputhur në ty

10

Eja t'i promovojmë puthjet tona

Nuk i dua të më vijnë nga buzët tjera

Në fund të seancës dashurore

Të thejmë akullin e pikëllimit

11

Ti nuk je larg meje e dashur

Me një vrap pele do të merrja në përqafim

Nën qemerët e vetullave

Do t'i puthja sytë e mëngjesit

12

Kjo terrinë me pallto të shqyer

Nëpër xhepa nate fsheh flokun tënd

Hije njerëzish më ngushëllojnë

Për mortin e dashurisë së ikur

13

Në sy mëngjesi rodhi loti i parë

Një nga një rrokullisur porsi margaritarë

Të vakët morën udhën e flokut

Pa nxjerrë fjalë i mori Vala e dhembjes

14

Mbi flokun tënd të shprishur

Nata shtatzënë bie klloçkë

Mbi kërthizë merr kllapinë

Për t'u zgjuar mbi gjokset e bardha

15

Sa shumë dimër ngujuar në mua

Mëngjesi i pranverës vjen zog i mërdhirë

Të lutem e dashur më ndihmo

Dua të mbulohem me hijen tënde

16

Një biçim zemre nën gju këmbe ta venerova

Nishan i ngjizur nga puthjet mbetur

Zemra yte më robëroi shpirtin dhe syrin

Nën gju këmbe të xhamtë më verboi

17

Një valë ere e fortë

Sillej rrotull mendjes së kafshuar

Nuk e di, nëse vjen nga klithjet e mia

Apo nga shfaqja e zjarrtë përtej meje?

18

Mëngjesi i veshur me fustan të verdhë

Me flokun grunaja të krehura mbi sype

Kepucët e lyera me buzëkuqin e kafshuar

Shpalosi aromën e qafës në mesditë

19

Në shtratin e natës i mërdhirë

Dëgjoj frymëmarrjet tua të vakëta

Në sfondin e dhembjes mungon një Lule

Unë i mbullur në guacën e natës shurdhe

20

Kjo natë resh shtëllunga mendimesh

Ma ndërmendin gruan me fustan të verdhë

Siç ecën e ngulur mbi takat e kuqe

Me tundime vithesh luhatej në sy

21

Në buzët e trëndafilta puthet mëngjesi

Rrethbelit tënd me zambakë përqark

Fluturimi i zogjve thur kurorën e unazës

Unë e Ti ndaras frymojmë

22

Do t'i përthekoja gjithë drithërimat e trupit

Mirëpo, rretherrotull rreth teje

Nata mbi sfondin e kërthizëz zambake

Në dritë hëne ngriti baladën e murimit

23

I gëzuar se ti ende e kreh syrin e mendjes

Ëndrra mëngjesore mbështeti kokën në gji

Pastaj shtroi kafjallin mbi fustanin e verdhë

Kulaç i grunjtë i gatuar me qumësht Zanash

24

Heshtja Yte s'flet as sonte

Unë me trishtimin dashurisë sate

Para mortit parajsën e pash në Ty

I vdekur prehem në prehërin Tënd

25

Me qejf do ta krehja mëngjesin në ty

Të çelë udhën time nëpër flokun Tënd

Deri tek portat e bardha ku zbrazën ofshamat

Që fshehin çelësin pas guacës së veshit tënd

26

Sonte përbirohem nëpër belin e orës së zallit

Me kujtimet zbrazem nëpër fytin e ngushtë

Në fundin e orës shndërrohem në dunë

Etja për dashuri digjet në shkretëtirë

27

Të lutem, merre etjen time në sqep zogu

Zhvishe nusërinë e mbetur në Ty

Etja e do syrin e qeshur

Nuk i do mërrolat e shtruara mbi ballë

28

Asnjëherë pa menduar se mund te jesh dreqe

Syveshur në prehërin e djallit e zhvesh natën

Pabesinë e fsheh nën flokun e territ

Mos t'i sheh askush gërshetat e shprishura

29

Mëngjesi i pagjumë në heshtje rënkon

Çdo gjë e ndryrë rrin paluar pa thënë fjalë

Loti i vetmuar merr udhën e kujtimeve

Në trinë dore pikon i vakët

30

Nata eshkë kallet në majë floku

Tërë prushin e nxjerrë në sytë e Tu

Pa asnjë fjalë shtrydh djersën e nuses

Mbi trupin e kallur vdesin gjithë fjalët

31

Nuk e di, nëse është zgjuar Shën Maria

T'i shpëlajë sytë e mëngjesit e pa gjumë

Apo, akoma rrah trupin e mëkatuar

Dhe lutej për gjinjtë e shtrydhur...

32

Posa çelë mëngjesi, syri yt më vjen i qeshur

Gjithnjë me mall kryqëzojohen shikimet

Pa u parë puthemi në mugëtirë pasqyreje

Dhe, si zakonisht zhdukesh me vesën e parë

33

Posa çelë mëngjesi, syri yt më vjen i qeshur

Me pamjen tënde i shpëlaj sytë e mallit

Pa u parë puthemi në mugëtirë pasqyreje

Dhe, si zakonisht zhdukesh me vesën e parë

34

Gjithë dritat e natës hënore

Lëshuan perdet në sytë e mi

Mos ta sheh sy njeriu

Bardhësinë qumështore në Ty

35

Mbi flokët e mëngjesit shtruar

Petalet vishen me bulëza vese argjendi

Porsi trupi yt i puthur në sy vere

Vërshuar shtratit me rruaza djerse

36

Deri tek drita e syrit tim errësira pikon e gjatë

Përtej ghithë udhëve shtrihej dashuria për ty

Nga shëmtia ime pasqyrat lëshojnë mërrolat

Ti, aq e bukur shtrydhesh mes gishtërinjve të natës

37

Nata e puthjeve sapo hoqi duvakun e shqyer

Buzëkuqi kishte shkri në dritë hëne

Sytë e nusërisë rrahën qerpikët e mëngjesit

Çdo gjë veshi dita me nusërinë tënde

38

Këto hije nate thyer mbi kulme

Më bëhen hije fustani në përqafim

Dua t'i ndaloj t'i zbres nga qielli

T'i mbuloj ethet me fustanin Tënd prej lulesh

39

Në sy mëngjesi shuhen gjithë ulurimat

Qentë e lodhur nga kafshimet e natës

Kanë zënë bishtin nën bythë

Sërish presin t'i shtrijnë ulurimat drejt teje

40

Në sytë e tu e pashë Perëndeshën

Ndaj, mashtrimi im ishte shumë njerëzor

Pa e ditur, se hyra në sytë e magjistares

Që shkrin plumb mbi kërthizë

41

Së bashku me rrezet e para mëngjesore

Një fllad më vjen nga floku yt krehur në erë

Çuditërisht në ty e pashë Pentesilenë

Lakuriq të varur në krahët e Akilit

42

Ti Valë e dalë nga deti Jon

E shtrirë në sy dielli shpalosur

Një copë qiell qepur mbi trupin tënd

Të të shoh të kaltër të digjem nga malli

43

Nudon tënde, me flokun e derdhur supeve

Do ta skalitja në murin e Katedralës

Para teje të përtokën gjithë mëkatarët

Me buzët tua të këndojnë lutjet e mëngjesit

44

Kur sytë e natës përtokën të lodhur

Ethet e mia vishen me pallton e dimrit

Sa herë e kujtoj virgjërinë tënde

Hapej qielli dhe kredhem në qenien tënde

45

Kur i njoha sytë e Tu mëngjesor

E njoha edhe brengën time fshehur në Ty

Pastaj filluan sëmbimet e zemrës

Thirrmat e dashurisë që s'i ndjeve kurrë

46

Mes kërkimeve i humbur mendsh

Nëpër gjurmë nate kërkoj sytë e Tu

Aromën e trupit tënd të lagur e ndjej

Interesant, pa ty rrugët nuk më njohin

47

I zgjuar përtej syrit të mëngjesit

Kërkoj shtegun e flokut tënd

Flokun e shtrirë grunaja mbi visore

Më mall dua ta kreh flokun Tënd

48

Në mes lulesh krenare rri e qeshur

Asnjë petale s'ta zhveshen lutjet e mia

As era e vjeshtës s't'i shkundi lulet e fustanit

Mbete lule, një gotë çaji i gjelbër mëngjesi

49

Midis dy reve shkreptin bukuria jote

Mbi fytyrën tënde Perëndeshë

Mbi format tua të zhveshura

Gjithë vetëtimat ranë mbi gjokset e bardha

50

Ti e dashur syverë

Thikë e mallit kalon nëpër trupin tim

Sikur një peizazh humbur në sytë e tu

Nuk e vëren as plagën as gjëmën time

51

Bukuritë e stinëve të pjekura në Ty

Më ikën pa ua shijuar ëmbëlsitë

Nuk i putha as qershitë binjake

As trupin e mollëve nuk e preka

52

Pse vallë nuk i shtrydhëm buzët e etura

Ta vënim kurorën mbi vetullat e natës

Të merrnim udhë drejt shtratit prej kallami

Edhe ashtu, nata të pret kërthizë shpalosur

53

Si çdo lumëditë edhe sot

Portat e mëngjesit hapen me sytë e Ty

Dritaret e shtëpive hapin perdet e flokut

Kujtimet shkundin mallin për Ty

54

Të lutem ruaje flokun e krehur

Nuk dua ta prek kush pos dorës sime

Mos e shprish, pa ta shprish unë

Nga xhelozia digjet flakë një mëhallë

55

Mbi çarçafin e natës vizatohen vithet tua

Floku i mëngjesit kruan syrin e përgjumur

Ngadalë mbledh fragmentet e trupit muzikal

E tëra ngritesh në majë qerpiku

56

Ti vajzë nuse, nënë krenare

Plot sevda e shkrirë në gji

Trëndafile syhënë drite

Ëndrrën time e kreh me sy

57

Të kërkoj nëpër vesë mëngjesi

Plagën time ta lidhi me flokun tënd

Ta puthi egërsinë e buzëve tua

Trupin tënd të zhvoshkur ta përqafoj

58

Edhe sonte, nata shtrihej pa sytë e Tu

Nëpër brazdat e kujtimeve kullon e njejta plagë

Kur era t'i shpalosë gërshetat e grurit

Flladi më vjen nga majat e flokut tënd

59

Për mua, mos nxjerr zë loti e dashur

Mos të lutem, fshi lotët e mëngjesit

Lotët dhe mërrolat nuk të kanë hije

Lermi mua, unë di të qaj për Ty

60

Ti zonjë e fshehur pas yjeve

Shndërruar në lot dashurie

Kur do të vishesh me gjakun tim

Çmendia ime të ngjizet kërthizës sate

61

Ti, rrezja e parë e dritës sime

Pa Ty vaji derdh lumin e etur

Lulet e lagura fryjnë lot malli

Sa trishtim, të vishem me erën e lotve

62

Çdo natë i zë fluturat e kujtimeve

Emri yt me emrin e lumit rrjedh

Me copëza dashurie e shtroj natën

Mbuluar me hijen tënde vdes loti im

63

Eh, sa bukur shpaloset jeleku i kujtimeve

Era mëngjesore tjerr flokun tënd e dashur

Ah, sikur ta gjeja dike që ngjan me Ty

Do t'ia veja emrin e lumit të etur

64

E dashur, po deshe ik nga mjerimi im

Trupin e kafshuar merre me veti

Vetëm të qeshurat m'i lërë mua

Të vetëvritem me buzëqeshjen tënde

65

Tani, sikur ka diçka gërryese në Ty...

Diçka e zhubrosur mbyllur brenda teje

S'të lë të nxjerrësh frymën e robëruar

T'i hapësh gjokset e mollëve të myshkëta

66

Thanë, se të është përtokur gjethi i Evës

Pastaj ta kanë puthur mrekullinë...

Ku do t'i gjesh lutjet e mëngjesit tim

Gjithë këngët i shqeve në gojë qenërie

67

Në sytë e mi, mbete një copëz hënë

Dritë e derdhur terrinës sime

Asnjëherë pa u shqitur nga mendja ime

Bëhesh zë ëndrre thërret emrin tim

68

Mbase, një ditë do të dëshirosh

T'i shqyesh perdet në sytë mi

Të m'i falesh sytë e verës në Ty

Natës t'ia zhveshësh fustanin me lule

69

Të lutem, mos ia prej udhën dhembjes

Edhe loti e ka udhën e vet

Lëre le të rrokulliset faqeve të kallura

Ta hetosh zjarminë time në agoni

70

Lulekuqen tënd shpërthyer në zemër

Të zhvirgjëruar në sy mëngjesi

Bërë duvak petalesh të vrara

Falma mua ta vajtoj të gjakosur

71

Nata shtrinë patericat e ditës së lodhur

Pa Ty çdo gjë ngujohet ngrirë në sy

Ç'të bën nata e verbër pa sy njeriu?

Pa flokun e derdhur mbi supe nuk kam gjumë

72

Edhe sot, mëngjesi brofi nga gjokset Tua

Ende të vakëta marrin ngryk

Asnjëherë të prekura nga gojëqentë

Himnizojnë eten e bardhësive në Ty

73

Nata vuan për fjalën tënde vdes

Nga goja jote të ngopet mall

Onufri kallet me të kuqen e dheut

Etjen e luleve e pikturon mbi fustanin tënd

74

Tani, edhe qyqet i këndojnë të bukurës

S'i unë, majë dege të thyer

Fshi lotët me fustanin e luleve

Shikoj udhët e zbrazura, Ti nuk vjen

75

Në vargun e qendisur me këngë zogjsh

Dua ta vjel vjeshtën e pjekur në Ty

Gjithë rrush, mollë dardhë e fik

Të ngopem me Ty dehuri

76

Nga portat e gjokseve tua

Mëngjesi nuse syqeshur vjen

Pra, krehi flokët dil pa u vonuar

Ta kallësh ditën me një buzëqeshje

77

Desha ta kam parajsën nën kokë

Të rrëmbehem nga flladi i flokun tënd

Gjithë trupin kafshimesh të ta stolisja

Sytë bojëverë të pikojnë mbi mua

78

Tashmë mbetur peng në sytë e Ty

Kredhur brenda gjokseve mëngjesore

Pyes, çfarë fytyre do të kishte lumturia

Të mos ishte e dalë nga Ti

79

Të lutem më prek me një puthje

Gonxhet e buzëve t'i shijoj

Ta hetoj gjallërinë e trupit të natës

Gjithë aromë të shpërthesh në sy

80

Më fal ori Valë e Detit

Nuk doja të të bezdis

Por dallgët tua më vijnë pranë

Që ta shkund merzinë e thinjur

81

Vëshrirë t'i ngjyrosësh ditët në vetmi

Nëpër labirintet e mendjes së hidhur

Vetëm tubat e të zezës shtrydhen

Me majë peneli pikturojnë trishtimin tim

82

Në heshtim shtrydhen perdet e lotit

Ikjen tënde vajtojnë sytë plot uri

Asnjëherë, asnjë të vetmen herë

Nuk e bëre hapin drejt pushtimit tim

83

Ti këngë zogu mbushur vajë e mall

Veshur bukur me trishtim bukurie

Ndalo në dorën time shtrirë për ty

Mbledhi ca troha dashurie

84

Udha e dashurisë nëpër shtegun e flokut

Një krah lule bartë me vete

Gjithë ngjyrat e kallura lulevere

Do t'i qepja mbi fustanin e mbushur plot vithe

85

Nga kreshta e flokut Tënd

Parfumin e flladit e sjell Valbona

Nga lumi i mbytur në sy vere

Në gji gruaje vërshon malli im

86

Unë dhe drithërimat e gjetheve të zverdhura

Në kornizën e fytyrës sate rënkojmë

Aty shkrihen gjithë puthjet e mia

Ti luan me qiellin dhe nuk më sheh

87

Sytë e tu nuk e shohin hijen time

Të më pyesje cila është ëndrra ime

Do të thoja me gjithë frymën e sosur

Në prekjet tua shtrihet jeta ime

88

Nga shikimi yt thyen gjithë pasqyrat

Ku t'i numëroj thinjat e vjeshtës

Fytyrën time mund ta shoh në rrasht shurre

Por, pa sytë tu plagët mbesin të malcuara

89

Ndaj, si ta parandaloj vrasjen e këngës?

Të vras hijen tënde, apo qenien time?

Ku ta gjej tërbimin e demit?

T'i shqyej gjithë kumashet e nuseve

90

Sikur t'ishe e shtrirë prehërit tim

Deri në shpërthim rrufesh do të çoja

Do t'i numëroja çdo fije floku

Deri në të gdhirë në sy mëngjesi

91

Asnjëherë s'e takova dalldinë tënde

As sytë e përgjakur në ty

Ta zheshësh lëkurën qumështore

T'i shpërthesh gjokset e azdisura

92

Mendoja të të dashuroj deri në dhembje

Deri tek rrënja e kërthizës së lules

Gjithë aromën ta thithi në ty

I dehur t'i puthi lulet mbi fustan

93

Më trego e dashur, ku fshehej dashuria në ty?

Mos vallë, diku mes luleve të fustanit?

Apo, nën qemerët e vetullave lozonjare?

Mbase, diku në bishtin e syrit të djallit?

94

Në ëndrrën time të robit të lumtur

Kërthiza të kishte çelë lule manjole

Ndaj, harrova t'i këndoj lutjet e mëngjesit

Të thyhem në gjunjë i përtokur për Ty

95

Së bashku me fytyrën e puthur nga Zotat

I dua sytë e tu që më vrasin këndshëm

Me kurmin tënd veshur bojë kërmezi

Hyjnia yte prej kadifeje vdes në mua

96

Mengjesi zë këngën në buzët tua

Puhizë e lehtë fryn zjarrit tim

Flladnajë floku më vjen nga Ti

Dehurinë për Ty ma nxjerrë në sy

97

Heshtja jote do të flas në fund të rrugës

Atëherë kur sytë e mi nuk do të njohin

Buzëgazi do të vdes pa e njohur dashurinë

Pa e kuptuar këngën e lotit

98

Të luta ta shtrydhësh pakëz jetë në sytë e mi

Ta rindërtosh muranë e rrënuar në mua

Por, bishtsyri yt i kallur digjej gjithë ditën

Për ta puthur natën e fshehur në Ty

99

Desha ta përkundja ëndrrën time

Ti ike pa i shtruar lulet e fustanit

Më thoje je shtatzënë me kohën

Në sy nate kalëroje me djallin larg meje

100

Tani, me ngadalë do të shuhen yjet mbi ty

Nga gjokset e varura do të rrëshqet hëna

Imazhet e humbura do t'i tjerrësh në vetmi

Nga mëria do të vyshken lulet e fustanit



(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora