Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhelal Zejneli: Lidhja e Prizrenit - burim frymëzimi

| E premte, 12.06.2015, 08:31 PM |


LIDHJA E PRIZRENIT – BURIM FRYMËZIMI PËR BREZAT

Nga Xhelal Zejneli

Shqiptarët kanë dy periudha të rëndësishme në historinë e tyre kombëtare:

- Epokën e Gjergj Kastriotit, në shekullin XV, dhe

- Periudhën e Rilindjes Kombëtare, në shekullin XIX.

Një prej ngjarjeve më të rëndësishme të Periudhës së Rilindjes Kombëtare është Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878).

Epoka e Gjergj Kastriotit, periudha e Rilindjes Kombëtare dhe shpallja e pavarësisë në Vlorë (1912), janë tri hallka të mëdha të të njëjtit zinxhir historik.

Në një trajtesë përgjithësuese që botoi më 1968, Prof. Stefanaq Pollo (1923-1997) e kundroi Lidhjen e Prizrenit si një “nyjë lidhëse” midis epokës heroike të Skënderbeut (shek. XV) dhe shpalljes së pavarësisë kombëtare të Shqipërisë (1912).

Periudha e tretë e rëndësishme e historisë kombëtare shqiptare është qëndresa shekullore e shqiptarëve për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë, që arriti kulmin me luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitet 1998-1999. Kjo qëndresë popullore dhe kjo luftë e UÇK-së, me ndihmën e aleatëve amerikanë, rezultoi me çlirimin e Kosovës.

Lidhja e Prizrenit, gjatë gjithë historisë politike të kohës më të re, ka shërbyer si burim frymëzimi për të gjithë brezat e ri.

Derisa epoka e Gjergj Kastriotit dëshmoi para botës se shqiptarët janë popull historik, Lidhja e Prizrenit dëshmoi para Fuqive të Mëdha të Evropës, se shqiptarët janë popull politik.

Fati i shqiptarëve në historinë politike të kohës më të re kaloi nëpër tri forume ndërkombëtare, siç janë: Kongresi i Berlinit (1878), Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1912-1913) dhe Konferenca e Paqes në Paris (1919).

Grabitja e tokave shqiptare nga malazezët fillon qysh në vitin 1858. Për qëndresën heroike të shqiptarëve ndaj hienave serbo-malazeze, flet edhe epi fishtian.

Në kohën e Krizës lindore (1877), Serbia ndoqi ndaj shqiptarëve politikën e tokës së djegur, duke kryer në rajone të caktuara shqiptare pastrim etnik. Me një fjalë, Serbia i dëboi me dhunë shqiptarët nga rajoni i Toplicës, i Prokuples, i Kurshumlisë, i Leskovcit, i Vranjës, i Nishit etj. Sipas historianit anglez Noel Malkolm, në vitet 1877-1878, Serbia ka dëbuar nga këto troje shqiptare rreth 100.000 shqiptarë, ndërsa sipas disa historianëve shqiptarë, bëhet fjalë për dëbimin e rreth 200.000 shqiptarëve.

Pushtimi i tokave shqiptare nga Bullgaria, parashikohej edhe me Traktatin e Shën Stefanit (1878), të nënshkruar midis Rusisë dhe Perandorisë Osmane në Shën Stefan (Ye?ilköy) në perëndim të Stambollit.

Pjesë të caktuara të trojeve etnike shqiptare, Kongresi i Berlinit ia dhuroi Greqisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Me gërshërët e ambasadorëve të Konferencës së Londrës, më tepër se gjysma e trojeve etnike shqiptare, mbetën jashtë Shqipërisë. Po të mos ishte presidenti amerikan Vudro Uillson, në Konferencën e Paqes në Paris do të rrezikoheshin edhe kufijtë e Shqipërisë londineze.

Në Kongresin e Berlinit, Shqipëria u trajtua si term gjeografik, ndërsa në Konferencën e Ambasadorëve në Londër – si mbetje turke në Ballkan.

Si pasojë e vendimeve të shtatë fuqive të mëdha të kohës, trojet historike shqiptare u copëtuan në katër pjesë: Shqipëria e cunguar; trojet shqiptare të pushtuara nga Serbia, përfshi dhe Kosovën; trojet shqiptare të pushtuara nga Mali i Zi dhe trojet shqiptare të pushtuara nga Greqia. Më vonë pasoi edhe një ricopëtim i trojeve shqiptare. Me fjalë të tjera, me krijimin në Mbledhjen II të KAÇKJ-së (AVNOJ), në Jajce të Bosnës dhe Hercegovinës më 1943, të krijesës artificiale serbo-komuniste dhe kominterniste – Maqedonisë, pjesë të caktuara të trojeve etnike shqiptare iu morën Serbisë dhe iu dhanë Maqedonisë. Ndërkaq, pas vitit 1945, me marrëveshjet sekrete midis Beogradit dhe Shkupit, Lugina e Preshevës iu la Serbisë.

Si rrjedhojë e politikës së shtatë fuqive të mëdha të kohës: Anglisë, Francës, Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Italisë, Rusisë dhe Turqisë, si dhe e synimeve grabitqare të Serbisë, të Greqisë, të Malit të Zi dhe të Bullgarisë, përkatësisht të sllavo-maqedonasve, sot trojet shqiptare në Ballkan janë të copëtuara në gjashtë pjesë. Ky është rast i rrallë, në mos dhe i vetëm, në historinë e botës. Asnjë popull në botë nuk e ka jashtë trungut të tij, më se gjysmën e territorit të vet.

Po të mos ishin Gjermania, Austro-Hungaria dhe Italia, Shqipëria londineze do të kishte qenë akoma më e vogël.

* * *

A janë shqiptarët popull i vonuar? Fqinjët e shqiptarëve, si Greqia, Rumania, Serbia, Mali i Zi dhe Bullgaria i krijuan shtetet e veta kombëtare apo fituan autonomi nga Porta e Lartë, qysh në shekullin XIX. Shqipëria ndërkaq, e fiton pavarësinë në fillim të dhjetëvjeçarit të dytë të shek. XX. Madje jo krejt Shqipëria, por më pak se gjysma e saj.

Përse shqiptarët nuk ia dolën të fitojnë pavarësinë nga Perandoria Osmane në shekullin e kombeve, sikur fqinjët e tyre ballkanikë?

Kur në vitin 1844 Naum Veqiharxhi e botoi Ëvetarin, me 8 faqe, po atë vit, kryeministri serb Ilija Garashanin boton në Beograd Naçertanien, pra projektin kombëtar serb, me të cilin parashikohej krijimi i një Serbie të madhe, si ajo e Car Dushanit. Po këtë vit, ministri  jashtëm grek Jan Koletis, hartoi projektin e Megali Idesë, me të cilin parashikohej rimëkëmbja e perandorisë bizantine.

Shqiptarët sot e kësaj dite e festojnë me entuziazëm 7 Marsin, Ditën e Mësuesit, për të përkujtuar hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçën e vitit 1887. Mirëpo, nuk duhet harruar se në kohën kur u hap shkolla e parë shqipe në Korçë, fqinjët ballkanikë të shqiptarëve – grekët, rumunët, serbët, bullgarët, kroatët etj., kishin sistemet e veta të shkollimit dhe të arsimimit. Disa prej fqinjve, kshin edhe universitete, akademi shkencash, biblioteka kombëtare, shtëpi botuese, gazeta ditore, revista shkencore etj.

Shqipëria, sipas historianit Stefanaq Pollo, në shekullin XIX ishte një vend i prapambetur nga ana ekonomike, shoqërore, kulturore dhe kjo prapambetje ndikoi në vonesën relative të zgjimit kombëtar në Shqipëri dhe në ritmet e ngadalshme që pati lëvizja kombëtare shqiptare.

Janë disa arsye të tragjizmit shqiptar:

- Shqiptarët janë popull i veçantë. Duke qenë të tillë, janë edhe të vetmuar;

- Në shekullin XIX, shqiptarët nuk ishin faktor politik dhe ushtarak i rëndësishëm. Si të tillë, nuk paraqitnin interes për ndonjërën nga Fuqitë e Mëdha të kohës;

- Duke mos qenë faktor politik dhe ushtarak relevant, shqiptarët nuk kishin se si të përfshiheshin në interesat strategjikë të kancelarive evropiane;

- Duke qenë pjesë e Perandorisë Osmane, shqiptarët nuk mund të trajtoheshin nga Fuqitë e Mëdha të kohës si çështje gjeopolitike;

- Duke qenë të integruar në sistemin politik dhe ushtarak të Perandorisë Osmane, shqiptarët trajtoheshin si pjesë e pandarë e saj;

- Më shumë se gjysma e popullsisë shqiptare ishin islamizuar. Të islamizuar dhe me pozitë gjeografike në një rajon popujsh të krishterë, Evropa e krishterë nuk ishte e gatshme t’i mbështesë apo t’i mbrojë shqiptarët;

- Shtresa e lartë e shoqërisë shqiptare që ishte e integruar në strukturat politike, ushtarake, administrative dhe ekonomike të Portës së Lartë, synonte të ruajë pozitat dhe privilegjet e veta, në kuadër të sistemit perandorak dhe jo të luftonte për lirinë dhe pavarësinë e popullit të vet;

- Një pjesë e madhe e klerit islamik shqiptar, fatin e shqiptarëve e lidhte me Portën e Lartë, madje edhe atëherë kur Turqia u quajt e sëmura e Bosforit;

- Shqiptarët vazhdojnë të jenë të integruar në strukturat politike dhe ushtarake të Portës së Lartë, edhe pas dështimit të Lidhjes së Prizrenit;

- Shqiptarët vazhdojnë të jenë luajalë ndaj Portës së Lartë edhe pas shuarjes me luftë të Lidhjes së Prizrenit;

- Të integruar në strukturat politike dhe ushtarake turke, shqiptarët nuk mund të përfshiheshin në sferën e interesit apo në zonën e ndikimit, të ndonjë fuqie evropiane;

- Shqiptarët rrethohen nga popuj sllavë dhe ortodoksë si: serbët, bullgarët (sllavo-maqedonasit) dhe malazeztë si dhe nga grekët ortodoksë;

- Popujt sllavo-ortodoksë nga të cilët rrethohen shqiptarët, përbëjnë një familje popujsh. Ata kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë mbështetjen e Rusisë së madhe - sllave dhe ortodokse;

- Duke qenë popull i veçantë, gjatë historisë politike të kohës më të re, shqiptarët kanë qenë të vetmuar. Me një fjalë, s’ka pasur kusht t’u dalë zot;

- Shqiptarët në Ballkan janë një ishull etnik josllav, i rrethuar nga popujt sllavë dhe ortodoksë;

- Duke qenë më shumë se gjysma me fe islame, në rajonin e krishterë, shqiptarët nuk mund të përfshihen lehtë në hapësirën shpirtërore të kontinentit të vjetër;

- Duke i konsideruar shqiptarët si mbetje turke në gadishull, kancelaritë evropiane ia vunë gërshërët hartës së Shqipërisë;

- Rusia dhe sateliti politik i përhershëm i saj – Serbia, bashkë me Greqinë, sot e kësaj dite i paraqesin shqiptarët para qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtonit, Berlinit, Londrës, Parisit dhe Romës, si përçues të interesit turk, arab dhe persian në Ballkan dhe në Evropë;

- Rusia, Serbia dhe Greqia vazhdimisht u thonë perëndimorëve se shqiptarët janë popull që funksionojnë me sistem joperëndimor të vlerave;

- Shqiptarët i ndan nga Perëndimi – deti Adriatik dhe deti Jon, d.m.th. nuk kanë lidhshmëri tokësore me të;

- Konstelacioni rajonal dhe raporti i forcave në gadishull është skajshmërisht i rëndë dhe tragjik për shqiptarët.

* * *

Nga fundi i shekullit XX, në Evropë ndodhën ndryshime historike dhe epokale, të favorshme për shqiptarët:

- muri i Berlinit u shemb;

- Gjermania u ribashkua;

- perandoria bolshevike dhe bizantine sovjetike u shpërbë;

- Traktati i Varshavës u zhbë;

- Jugosllavia e AVNOJ-it u rrënua;

- SHBA-ja doli si fuqi globale e vetme;

- faktor proshqiptar i natyrshëm - Gjermania - u forcua;

- fuqitë historike të Evropës, kundërthëniet midis tyre i kapërcejnë nëpërmjet një simetrie të interesave, në kuadër të BE-së;

Në rrethana të sipërthëna, u krijua një konstelacion i ri – rajonal, evropian dhe në planin global, i favorshëm për shqiptarët dhe i disfavorshëm për popujt sllavë të gadishullit.

Në kuadër të rrethanave të lartpërmendura, faktori politik shqiptar dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e ndihmuar nga ShBA-ja, e çliroi Kosovën nga kolonialistët serbë. Çlirimi i saj paraqet një hap drejt realizimit të aspiratave të rilindësve, historikisht të drejta, për krijimin e Shqipërisë etnike.

Po qe se shqiptarët sot, do të shmangeshin nga rruga properëndimore, historia do të përsëritej, do t’i pësonin dhe do t’i përjetonin tragjeditë e së shkuarës.

Për dallim nga shek. XIX, shqiptarët sot nuk janë të vetmuar. Janë populli më proamerikanë në botë.