E premte, 19.04.2024, 03:51 PM (GMT+1)

Kulturë

Meri Lalaj: Kalon... nuk kalon...

E enjte, 11.06.2015, 08:03 PM


Kalon...  nuk kalon... dhe mbledhja vazhdon...

Tregim nga Meri Lalaj

Pesëmbëdhjetë vite punova në atë shkollë, që e ndiqnin nxënësit më të dobët të qytetit.  Shkollë me shumë halle. Çdo semestër, çdo fund viti ne i kushtonim një pjesë të mirë të diskutimeve në këshillin pedagogjik, kujt thoni ju? Vetëm  Linos. Nxënësit problematik. Ai ishte një fëmijë që ta mbushte syrin në të parë, por me mangësi krahasuar me fëmijët e tjerë. Që në klasën e parë, mësuesja e tij Dudia, ngrihej e diskutonte e alarmuar:

-Nga më ra ky nxënës mua? Ai mezi i njeh shkronjat... Unë bëj punë të pavarur me të, por më duket humbje kohe... Çfarë të bëj unë e shkreta!?

Kështu Lino mbeti në klasën e parë. E njëjta mësuese e shoqëroi deri në mbarim të klasës së katërt e pothuaj në çdo klasë ishte nxënës mbetës dhe përsëritës. Kur Lino erdhi në klasën e pestë ai ishte alamet djali katërmbëdhjetë vjeç, ndërsa shokët e tij imcakë njëmbëdhjetë vjeçarë dukeshin si xhuxha para tij, aq më keq vajzat.

Unë jepja anglisht dhe Linos i qëlloi të binte në grupin tim (të gjithë nxënësit sherranjosë unë i merrja në grup, por Lino ishte i qetë vetëm se nuk i hynte mësimi në kokë). Në orën e mësimit Lino rrinte pa ndonjë shok në bankën e fundit. Kur hyra për të bërë orën e parë të mësimit, një vogëlushe e bankës së mesit ngriti dorën e më tha:

-Me lejë mësuese, Lino po ha bukë...

-Nuk ka gjë – u përgjigja. –Le të hajë.

Kështu në orën time Lino nxirrte rehat rehat copën e madhe të bukës së zezë dyzetëlekëshe lyer me gjizë dhe ndojë domate apo disa kokrra ullinj. Hante më nge tërë oreks. Kur e shihja se kishte mbaruar së ngrëni unë i afrohesha, i hapja librin dhe i jepja për të kopjuar vetëm dy rreshta.  Pastaj i thoja: -Shumë mirë!

Patjetër do t’i vija Linos një pesë sa për ta kaluar, por ah, sikur të mund t’i mësoja si të thoshte në anglisht ato dy parrullat: “Rroftë Partia e punës së Shqipërisë!” Dhe “Rroftë shoku Enver Hoxha!” me siguri do t’i vija shtatë. Nuk i humbja shpresat, e pyesja herë pas here. Dikush duhej t’i kishte thënë babait të Linos për mua sepse një ditë, ai doli nga furra ku piqte bukët më shtrëngoi dorën me dorën e tij të nxirë e më tha:

-Mirë vete Lino, mirë, o mësuese!

Ne bënim ca mbledhje të gjata të këshillit pedagogjik që aman, o Zot dhe gjithnjë diskutohej për Linon. Qëllonte të hynim në mbledhje kur koha ishte me diell dhe kur dilnim shihnim se kishte rënë një pah dëbore. Kështu ndodhi edhe në dhjetor kur duhej të nxirrnim notat e semestrit. Lino në klasë të pestë dhe tani na u ngrit mësuesja e gjeografisë duke diskutuar me zërin deri në tavan:

-Unë nuk e kaloj Linon, ai nuk di të orientohet në hartë ngatërron lindjen me perëndimin.

Kaq u desh, mësuesja e leximit tha se Lino nuk e kish mësuar vjershën përmendësh. Ajo e biologjisë se në vend të herbariumit i kishte sjellë në klasë akuariumin e kështu vijonin diskutimet. Në këshill pedagogjik bëheshim gjithsej tridhjetë mësuese përveç drejtoreshës dhe nëndrejtoreshës dhe vetëm tre mësues burra. Të gjorët ata se çfarë u dëgjonin veshët. Jashtë binte shi i zgjatur litar. Unë durova sa durova dhe më në fund e kërkova fjalën.

-E dimë mirëfilli, por dua të bëj me dije këshillin pedagogjik se arsimi tetëvjeçar është i detyruar dhe duam apo nuk duam ne, Lino do kalojë dhe do ta mbarojë shkollën tetëvjeçare. Më vonë ai do ndjekë gjimnazin  me kohë të shkurtuar domethënë natën, pastaj më vonë do ndjekë me korrespondencë ndonjë institut dyvjeçar dhe do të diplomohet mësues. Kushedi si rrotullohen punët dhe Lino emërohet drejtor pikërisht në këtë shkollë, po për fat të mirë deri atëherë unë do të kem dalë në pension. Juve do ta keni prapë në kurriz. Prandaj kalojeni Linon që të mos u torturojë me mbledhje të gjata...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora