E premte, 19.04.2024, 12:39 AM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Një "pakt" që më la pa gjumë

E merkure, 10.06.2015, 05:46 PM


Një "pakt" që më la pa gjumë

"Pakt me të hënën" i Istref Haxhillarit

(ese)

Nga Përparim Hysi

Zakonisht, për çdo mesditë,e marr një sy gjumë. Është bërë stereotip i pandreqshëm ky"sygjumi" im,sa, po  ndodhi që të ma prishë dikush, mos kujtoni se do shpëtojë pa ndonjë mallkim. Se, tek zë e ta shtëlliz më tej këtë lloj çlodhjeje që aq më pëlqen, dua që t'ju them se ka më keq se sa unë. Dhe mjafton të më ndiqni e do shihni mandej: kam apo nuk kam të drejtë në "mallkimin" tim?  Në Tiranë paska qenë një Vasil, i moçëm dhe ky si unë, aty nga shtatëdhjetat që aty nga ora 20 e mbrëmjes binte në gumë dhe, mandej, sikur topat e Allemanjës të binin, nuk çohej deri në mëngjes. Rronte me të shoqen dhe, për pesëdhjetë e kusur vjet , kjo ia kish mësuar huqin dhe kurrë nuk ia prishte ajkën.

Mirëpo shiko seç na ndodh. Ky, Vasili, na paskësh patur një vëlla ikur që në kohë të "merhumit" në Amerikë dhe, kur u hapën "portat" dykanatshe, vëllai lajmëroi që do vinte. Prit e prit dhe duket, kur kaloi ora 20, Vasil "Huqliu" fiu dhe në krevat. Aty nga ora 21 mbrriti, pas tridhjetë vjetësh, kurbetliu, Vangjel.  E shoqja, po kur e quanin dhe atë Vasilika, drejt e tek krevati:- Çohu Vasil, se  erdhi Vangjeli!

-Aha,- tha "Huqliu",- jam në gjumë!!! Nesër,- i thuaj Vangjelit...

*    *    *

E solla këtë përqasje , se dhe mua kështu më ndodhi. Desh e bëra, si Vasili, po të lë Istrefi?! Kur them Istrefi,e kam fjalën për prozatorin e bukur  Istref Haxhillari. Dhe jo vetëm ai, por dhe mikja jonë e përbashkët, MERI LALAJ. Kjo, pasi më dha  dy libra të Istrefit, më mori në telefon dhe më tha:- I ke me kontratë. Romani është për Lidën (Lida Laze)dhe"Pakt me të hënën" është imi. Domethënë, unë qeshë vetëm një "i pajtuar me qera". M'u kujtua kënga e "Qeraxhiut" që aq bukur e këndon e bukura ELI FARA "... qeraxhi të kam vëlla/ ma sill burrin me qera". Pra jam pajtuar me "qera" tek Istref Haxhillari. Dhe si "qeraxhi", po paguaj doganën.

Që është prozator nga më të mirët, Istref Haxhillari, këtë nuk e them vetëm unë, por është dëshmuar me çmime jo vetëm brenda vendit, po dhe jashtë. Unë nuk nisem veç nga këto, por tek mora një "xhiro" me qera "Pakt me të hënën" e përzura dhe atë Vasilin  me gjithë huq. E vetmja që u çudit, në këtë prishje stereotipi, është imeshoqe që më tha:-Ç' të ka gjetur? Ty, dhe kur të vjen çupa me  dhëndërrin nga Shkodra, nuk rri pa e marr atë sygjumë.

Hë,- zë e mbrohem,- më ka  ardhur një "dhëndërr" me një rigë mustaqe që nuk më lë rehat.

-Po pse,- vazhdon ajo,- nuk pret ai.

-Jo,- i them,- jam vonë. Sot është e mërkurë dhe ai "paktin" e ka filluar që të hënën.

*    *    *

Më duket se ia hoqa, sadopak, petët lakrorit. Dhe ky,"lakrori" i Istrefit është jovetëm "petërëndë", por bluar në "mokrra Mokrari", me miell të bardhë nga grurë kuturli. Tek e lexon, herë  ndjen që je nga Pogradeci dhe, ca më shumë, tutje nga Mokrra. Në nuk ke ndjerë deri atëherë për Mokrën, fillo dhe lexo dhe, po nuk u bëre mokrar, unë shpohem në dy sytë. Ka një penë perfide, Istrefi. Tek lexoj faqe pas faqe, zë e meditoj: duket që natyra me larushinë e saj; me  terrenin e thyer malor; me pyjet pa mbarim dhe me atë liqenin mitik që pogradecarët e quajnë"Gjol", sikur kanë një bekim qiellor nga Zoti. Se jo më kot edhe poeti më i bukur, i pavdekshmi Lasgush, por dhe prozatorit më i magjishëm, Mitrushi, kanë "pirë" ujë tek ky"Gjol". Dhe mos kujtoni se këta të dy dhe nuk ka tjetër: për fat të mirë të Letërsisë Mbarëshqiptare, Pogradeci e ka faqen të bardhë: si në prozë,ashtu dhe në poezi.Sikur, për një çast, të sillja para jush vetëm disa prej tyre, nuk kishit si mos më jepnit të drejtë. Istrefi po; Bujar Balliu është i tillë. Kopi  Kyçyku dhe, pema që bie nën pemë, Ardian Kyçyku. Meri Lalaj që lëvron sa prozën,aq dhe poezinë. Veç tjerash, kjo dishepulle  e profesor Skënder Lauarasit na ka dhënë shqip Anna Ahamatovën dhe Sergej Eseninin. Po mund të përmend, Misto Markon dhe poeti që vë" Xhindët të kërcejnë polka" që quhet Dhmitër Pojanaku; po Irini Nanushin e Liri Seitllarin e të tjerë.

*     *     *

"Pakt me të hënën" vërtet që është libër artistik, po, tek e shfleton, duket sikur të bën "pjesëmarrës" në këtë lloj pakti dhe të ndodhë si me atë rrëfenjën e qëmotshme: dha dy groshë e hyri në valle, dha pesëqind e nuk doli dot. Tek "Pakti..." njihesh me ngjarje e figura historike të cilat të bëhen aq të përafërta,sa të vjen keq që të ndahesh me to. Në ndodh kështu, pa dyshim, që merita është e Istref Haxhillari që nuk të lodhë duke zgjatur e stërzgjatur as frazat dhe as faqet. Kur lexon  për Nikolla Naçon, Gjergj Pekmezin, Ali Kuçin, Atë Gjergj Fishtën, figura me një peshë relevante të veçantë, nuk ke se si mos ia dish këtij, Istref Haxhillarit.

Një kapitull më vete, por aq mbresëlënëse, është Mokra me gjithë mokrarët e saj: të nderuar e ballëbardhë ndër luftra, por dhe në vitet e paqes. Aq bukur dhe aq "imtësisht" shkruan për Mokrën, sa ti,sado që nuk ke qenë atyre anëve, tak dhe bëhesh vendali. Mua më duket se jam dhe unë nga Dunica. E sa për ata personazhë aq të gjallë, më duket se, po dhanë ballë këtyre anëve, kam borxh t'u dalë përpara dhe t'ju them:- Ç'kemi andej nga Dunica? Po nga Mokra? Ç' të afërm ka lënë ai Xhaferri i Files? Po Sami Leka? Po Fari Muça? Ai, Flori Slatinja, ç'bën këtej Tiranës apo me trup këtu dhe me shpirt tutje Mokrës?- Ka ardhur ndonjë nga Osnati?

Dhe mund të vazhdoja të pyesja për Trebinjën për Zëmçën, për Llëngën me gjithë Kokoneshë...

Po ku  mbarohen mbresat nga një "Pakt..."  që e mora me "qera". Qeraja qe e rëndë,aq sa më prishi gjumin. Po ç'pate, mor Istref Haxhillari? Sado me"qera", po ia vlejti dhe"dogana". Mokrar, mos t'u ndryshktë pena!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora