E enjte, 25.04.2024, 10:33 AM (GMT+1)

Kulturë

Viron Kona: Himn lirie dhe heroizmi

E marte, 09.06.2015, 07:47 PM


Himn lirie dhe heroizmi

(Rreth librit “Gostivari në zemrën time” të Sadulla Zendelit-Daja)

Nga Viron KONA

Pas bindjes së verbër, ka vetëm robëri të plotë.

Cili popull në botë e fitoi prapë lirinë

Nënë përkuljen prej skllavi?”

Uitmen , “Fije bari

Stili origjinal dhe plot gjallëri ndihet në të gjitha veprat në prozë të autorit Sadulla Zendeli-Daja, por në këtë artikull do të ndalem në librin e tij frymëzues “Gostivari në zemrën time”. Autori ia kushton këtë vepër Gostivarit të tij, banorëve  atdhetarë, të thjeshtë, mikpritës dhe të urtë në paqe, por trima të rrallë dhe të guximshëm për mbrojtjen e jetës dhe të lirisë.

Ai ka zgjedhur ta titulloj “Vjeshtë e përgjakur”, pjesën e parë të librit, dhe, në vazhdim:“Gura e Shmilit”,“Drejt Gostivarit”,“Tmerri i Vardarit”1).

..., duke sjellë dëshmi tronditëse të asaj verë të përgjakshme, që ka mbetur jo vetëm në kujtesën e tij, por edhe të mijëra shqiptarëve banorë të fshatrave, krahinës dhe të qytetit të Gostivarit.

Nëpërmjet përshkrimeve të gjalla dhe tablove rrëqethëse, autori  dënon dhe demaskon ashpër pushtuesit e egër serb-malazez-maqedonas, krimet e tyre ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare. Gjithçka përshkruhet dhe shfaqet përpara nesh si në një ekran të madh filmik, ku personazhet janë vetë autori, familjarët, bashkëfshatarët e bashkëkombësit e tij, bijë të truallit shqiptar. Të gjithë njerëz të thjeshtë, të zakonshëm  e paqësor, por që përball armikut dhe dëshirës për liri shndërrohen në luanë. Ashtu siç dinë të përdorin parmendën në kohë paqeje, po aq mirë kur e kërkon nevoja e mbrojtjes dhe e lirisë, ata dinë të përdorin edhe armën kundër pushtuesit.

Kur kanë ndodhur ngjarjet që përshkruhen në libër, autori ishte vetëm 10 vjeç, një moshë ku fëmija shprehet i habitur dhe kureshtar përpara gjithçkaje që ndodh, pa ditur t`i japë dot shpjegim qëndrimeve dhe veprimeve të egra të pushtuesve kundër popullit  paqësor shqiptar, që e do dhe e dashuron jetën më të gjithë fuqinë e shpirtit, që reagon fuqishëm kur dikush e fyen apo e  detyron të ndihet skllav në shtëpinë e vetë: “Si fëmijë, - thotë autori, - isha i preokupuar nga këto ngjarje dhe një gjë më mundonte tmerrësisht. Nuk dija se si e përse bëhen këto krime?”

Paragrafët e kësaj novele, që në thelb përbën farën e një romani madhor, janë mjaft mbresëlënës, të gjallë e tronditës nga përmbajtja, të dallueshëm nga thjeshtësia, fuqia dhe bukuria e të shkruarit.

“Ishte mesnatë kur u dëgjuan krismat e pushkëve.

Babai im Sula  e pyeti nënën:

-Sa pushkë ranë?

-Tri. Te Kitët! - u përgjigj ajo.

-Atëherë do të shkoj edhe unë, - i tha babai”.

Shqiptari nuk ka nguruar asnjëherë, kur ka qenë fjala për mbrojtjen e atdheut, për mbrojtjen e  lirisë, për të qenë gjithnjë zot në vendin e tij. Në kësi rastesh, ai e ka marrë vendimin pa u menduar dy herë. Ka hedhur krahut  armën dhe është nisur atje ku beteja ka qenë më e nxehtë dhe ku dhënia  e jetës ka qenë akti më i madh i respektit dhe nderit, që ai mund t`i bëj lirisë dhe atdheut.

Me një penë të hollë dhe të ndjerë, ashtu si piktori hedh me vrull penelatat në një tablo lufte, Sadulla Zendeli-Daja përshkruan me penën e tij të sprovuar fshatin dhe krahinën, njerëzit e thjeshtë, punëtor e paqedashës që, përballë armikut të egër shndërrohen në luftëtarë të jetës, për mbrojtjen e  trojeve, për t`u dalë zot familjeve, fëmijëve, fshatit, krahinës, atdheut… Lexuesi përfshihet dhe rrëmbehet i tëri, zemërohet dhe shtrëngon grushtet  nga  pamjet tronditëse që i shfaqen në përfytyrim, teksa ndjek me ankth, kureshtje dhe interesim dialogët, bisedat, batutat dhe veprimet e luftëtarëve…

“Katundi po boshatisej, e na dukej sikur askush nuk mbeti më. Mbi shkrepin e Gurës u dëgjua një krismë pushkë-mitralozi dhe një britmë e madhe:

-Me dorë, me dorë, o trima!

Nëna pas kësaj britme u gëzua, sepse e dinte se ky që thërriste ishte Adil Gurra, një bukurosh pikalosh, flokëverdhë dhe trim i rrallë që ruante fshatin. Krismat dëgjoheshin nga të gjitha anët...

Në tërë atë shesh beteje dhe zallamahi që krijonte lufta me pushtuesin, autori, atëherë fëmijë, vijonte të pyeste veten:  “Vallë kush ishin armiqtë? Kush ishin sllavët? Kush ishin partizanët? A ishin shqiptarë ata? A ishin turq, serbë, rusë, bullgarë apo grekë? Këto pyetje, - vijon ai, - i kisha dëgjuar shpesh në odën e burrave. Kisha dëgjuar që sllavët ishin të pashpirt, njerëz mizorë të pamëshirshëm, të pamoral dhe keqbërës dhe, mos o Zot më keq! Po përse kishin ardhur deri në malet tona?

Ata sulmonin vatrat tona dhe bënin kërdinë. Sa frikë i kisha armiqtë! Ata ishin vërtetë njerëz të pashpirt. Kishin ardhur për të na grabitur vatanin? Çudi e madhe! Po përse?... Dhe, kur i pashë armiqtë më dolën të vërteta fjalët që kisha dëgjuar për ta... Dogjën fshatrat e Kërçovës, Gostivarit, Dibrës, Strugës dhe Ohrit. Digjej Pollogu i Iliridës së lashtë...”

Me pak paragrafë Sadulla Zendeli –Daja shpjegon qartësisht se kush ishte armiku dhe cilët përfaqësonte ai, ndërkohë që portretizon mjeshtërisht dhe  me dashuri përfaqësuesit e popullit luftëtar, duke filluar nga nëna dhe babai i tij dhe duke vijuar me bashkëfshatarët  dhe bashkëqytetarët e tij trima dhe të guximshëm. Mbi të gjithë luftëtarët, përshkruhet me ngjyra të ndezura flak, krye luftëtari  dhe heroi i Gostivarit, Xhem Gostivari: “Vëllezër! Kosova është bërë kasaphanë e Serbisë famëkeqe. Trimat luftëtarë shqiptarë luftojnë për vatan dhe janë kundër armikut sllav dhe bashkëpunëtorëve të tyre...Vëllezër, nuk do të dorëzohemi, por do të qëndrojmë deri në fund. Këtë e kemi amanet nga i madhi Skënderbe, nga populli ynë i pafajshëm që ruan trojet e veta ilire shqiptare”...

Kronika e asaj “Vjeshte të përgjakur” është regjistruar në kujtesën dhe retinën e syve të fëmijës, ashtu siç ka ndodhur, me vërtetësi  e realizëm, por  edhe e paraqitur bukur e në mënyrë tërheqëse nëpërmjet fjalëve të figurshme.

Autori i ka analizuar ato ngjarje për një kohë të gjatë në “laboratorin” e tij krijues. Siç shprehet: Sikur e shihja këtë dramë, sikur kishte ardhur pas meje në mërgim”. Ai i përshkruan ngjarjet bindshëm dhe me një stil të thjeshtë, duke ia arritur që në çdo fjalë  e fjali, në çdo faqe dhe në të tërë kapitullin, lexuesi të ndjejë dhe të përjetojë thellë dramën tronditëse të një populli që s`kërkon asgjë më shumë se ç`kërkojnë të tjerët:lirinë. Është kjo arsyeja që ajo “Vjeshtë e përgjakur” mbetet e gdhendur thellë në kujtesë, duke u shndërruar në një basoreliev memorial bronzi që të rrëqeth, të mbush me zemërim e urrejtje të thellë ndaj veprimeve kriminale e ç`njerëzore që janë kryer ndaj popullit shqiptar. Janë skena që nuk mund t`i mbash për vete, por të rrëmben dëshira t`i rrëfesh, t`i shkruash në një banderolë të madhe dhe t`ia tregosh botës me piskamë që ajo të tronditet nga përgjumja, të mos bëj të paditurin për atë që ndodh, të mos qëndroj i indiferente, por të mbaj qëndrim dhe të ngrihet me forcë ndaj të keqes së zezë.

“Vjeshta e përgjakur” sjell mesazhin se, shqiptarët, ky popull i ndarë dhe i copëtuar padrejtësisht nga Fuqitë e Mëdha, i lënë prej tyre në mëshirën e fatit, vazhdimisht e ka gjetur mbrojtjen vetëm te forca dhe bashkimi. Në shekuj ai ka kuptuar se vetëm i bashkuar mund t`i bëj  ballë armiqve të shumtë dhe gjakpirës. Popujt ilirë vetëm të bashkuar i bënë ballë fuqisë së Perandorisë Romake dhe asaj Bizantine.

Kjo përvojë vjen edhe nga Epoka e Skënderbeut, kur Heroi ynë Kombëtar, për t`u treguar princave shqiptarë se “bashkimi bën fuqinë”, mori një shigjetë, të cilën duke  e përkulur e theu lehtë, por një tufë shigjetash të bashkuar, as ai që kishte forcë luani, nuk mund t`i thyente dot. Vetëm një Shqipëri natyrale dhe e bashkuar,ashtu siç  e ka “projektuar” Zoti, është në gjendje t`u bëj ballë armiqve shekullorë, të cilët herë tulaten dhe herë buzëqeshin “miqësisht” por, atëherë kur nuk e pret, befasisht dhe tinëzisht, sulen dhe ngrehin shpatat vrastare.

Vijon drama drithëruese edhe në kapitullin “Gura e Shmilit”, ku Sadulla Zendeli-Daja, me përshkrimet që bën i tregon  botës natyrën e egër dhe të pandryshuar në shekuj të pushtuesve sllav, serbë-malazezë-maqedonas,  tregon krimet që ata kanë bërë mbi popullsinë e pafajshme shqiptare. Tmerre pa fund përshkruhen në faqet e këtij kapitulli, tmerre që bota demokratike nuk duhet t`i harrojë kurrë, por t`i ruaj në kujtesë, ashtu siç popujt ruajnë në kujtesë legjendën e lashtë të kuçedrës së cilës edhe kur i pritej njëra kokë, papritmas i dilte një kokë tjetër...

Bëhesh i vetëdijshëm për gjithçka përshkruan autori, kur sjell ndërmend faktin se  krimet e egra të pushtuesve ndaj popullsisë shqiptare, nuk kanë ndodhur  vetëm dekada më parë, në Luftën e  Dytë Botërore, por të atilla krime të lemerishme, kryen edhe pushtuesit serbë kundër shqiptarëve, kroatëve, boshnjakëve pas shpërbërjes së ish Jugosllavisë. Këto krime, i kreu i njëjti armik i egër shekullor mbi Kosovën martire. Ato kulmuan me gjenocidin e vitit 1999, duke tmerruar dhe duke rrëqethur me tmerrin e tyre tërë popujt dhe shtetet e botës. U deshën ato krime të tmerrshme, që Evropa dhe bota të zgjoheshin të lemerisura dhe të kuptonin se çfarë po ndodhte përpara syve të njerëzimit.

SHBA-të merituan edhe një herë tjetër mirënjohjen e popullit shqiptar. Sikurse, edhe Evropa, duke mbështetur UÇK—në shqiptare, korrigjoi pjesërisht gabimin e saj të bërë në Konferencën e  Ambasadorëve në Londër në vitin 1913.

“Vjeshta e përgjakur”, është një mesazh, një kushtrim që nuk duhet të harrohet nga bota demokratike. Kurse,  populli shqiptarë e ka ditur dhe  e di se padrejtësitë digjen e shkatërrohen vetëm në zjarrin e lirisë dhe të pavarësisë. Vijnë këtu të freskëta fjalët e amerikanit të madh Uollt Uitmen, kur te vepra e tij poetike “Fije bari”, ai shprehet me vargjet:

“Pas bindjes së verbër, ka vetëm robëri të plotë.

Cili popull në botë e fitoi prapë lirinë

Nënë përkuljen prej skllavi?”

 

Vend të veçantë i jep autori në libër përshkrimit të luftëtarëve trima. Ata janë të portretizuar ashtu siç shfaqen në jetën e përditshme, në gëzime, lindje dhe dasma, por, po me atë bukuri, freski dhe zhdërvjelltësi ata shfaqen edhe si luftëtarë, kur vishen e përgatiten për të mbrojtur atdheun.

Ja se si  i përshkruan dhe i portretizon këta njerëz të guximshëm Sadulla Zendeli-Daja në veprën e tij: “Fytyrat e tyre ndriçonin si rreze dielli kur dilnin në mëngjesin e kaltër mbi shkrepin e Gurës, aty ku unë e kisha shtëpinë. Të gjithë  ishin me tesha të bardha, veshje kombëtare e fshatrave tanë. Këmisha të qëndisura me shqiponjën kuqezi dhe emblemën e Skënderbeut, çorape me lule, opinga me gjalma katërkëndësh, ecnin me vëmendje mbi bar dhe mbi gjethet, që në vjeshtë ishin shkundur nga drunjtë. I shikoja me vëmendje dhe më mbetën sytë në ta. Pamje mahnitëse. Për një çast m`u bë se u rrita, u burrërova, u trimërova nga gjëma që na kishte rënë...Desha të jem mes tyre, të ruaj vatanin, të ruaj fshatin...”

Teksa në vazhdim shfaqet karakteri i nënës Kadë, të mirës dhe të urtës, mikpritëse dhe të dashur, e cila dinte më mirë se kushdo zakonin e djemve dhe burrave të Ilirisë:

-Ec, or bir i nënës, të pastë nëna, se ata nuk kthehen prapa. Kështu janë trimat tanë! E pastaj thellë nga zemra i dilte lutja:-“O Zot, ruaji nga dora e zezë e armikut gjakatar!”

Kumbon në shkrim meraku-amanet  i Dajës:“Populli shqiptar duhet të mbaj mend Xhem Hasën si një legjendë të dalë-zotësisë së popullit të tij...Xhema është një emër i ndritur në piedestalin e lirisë...”

 

Në karakterin e shqiptarit bashkohen ngushtësisht legjenda dhe realiteti, vetitë që edhe shkrimtarëve dhe poetëve  më të mëdhenj të botës u ka tërhequr vëmendjen dhe ata e kanë përshkruar me respekt dhe dashuri në veprat e tyre. E përshkruajnë atdhetarizmin dhe  bukurinë shqiptare piktori Eduart Lir, Veroneze, K.Koro, L.Zherom, N.Pusen, A.Durer, Delakrua...

Kurse, Bajroni, veç që i ka vlerësuar shqiptarët duke e veshur edhe vetë kostumin kombëtar shqiptar, ai, te vepra “Shtegtimi i Çajld Haroldit”, i ka kushtuar trimërisë shqiptare vargje të rrallë dhe me një nivel të mrekullueshëm artistik. Veçoj për të mbështetur këtë koment vjershën e njohur “Tamburxhiu”:

 

Tamburxhi!Tamburxhi!thirrja jote ushton,

U ngjall trimave shpresën,për luftë na fton,

Gjithë djemt` e malësisë i thërret anembanë,

Himarjotët,Ilirët,Suljotët zeshkanë.

 

Silihtar! zhvishe kordhën e të Parit tonë,

Tamburxhi, kushtrimi ne shpresën na shton;

Ju male,që shihni si zbresin në zall,

Ja kthehemi mundës,ja nuk vijmë gjallë. 1).1).Përkthimi i Skënder Luarasit

Vijon libri i Dajës me kapitullin “Drejt Gostivarit”, e më pas “Tmerri i Vardarit”:   “Një grumbull i madh njerëzish, gra, burra, të moshuar, fëmijë, ecnin duke brohoritur: “Na lironi urën!” Disa u kthyen mbrapa, në drejtim të fshatrave të tyre, andej nga kishin ardhur. Papritur njëri nga rojet gjuajti me mitraloz drejt popullatës shqiptare, duke vrarë dhe plagosur shumë syresh, si të gjuante mbi një trumbë me zogj të pambrojtur...

Ata që u vranë dhe u plagosën nga pushkët e rojeve, u hodhën në ujin e turbullt të Vardarit...Njëra nga nënat shqiptare bërtiti: “Vëllezër, më mirë të mbytem në ujin tonë se sa të na e marrë shpirtin pushka e shkinisë!”  U kapëm dorë më dorë me njëri-tjetrin. Nëna Kadë na shtrëngoi fort për duarsh mua dhe Xhonin dhe na tha: “Bijtë e nënës, ose do të dalim gjallë që të katër, ose do të mbytemi në lumë. Mos e lëshoni njëri-tjetrin”.

Rrallë në veprat artistike dhe historike janë dhënë mesazhe kaq të forta, tronditëse dhe me vërtetësi kaq të madhe, sikurse skena tragjike dhe rrëqethëse që përshkruhen me realizëm deri në detaj.

I ndihemi mirënjohës penës së mprehtë të Sadulla Zendeli-Dajës, i cili duke na risjellë me vërtetësi të plotë  sakrificat e mëdha që i janë dashur të bëj për liri e pavarësi popullit shqiptar,  dënon dhe demaskon me rreptësi të madhe krimet gjakatare të kryera nga  fuqitë pushtuese në shekuj dhe i vë ata në bankën e të akuzuarve për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Duke lexuar këtë libër, ku personazhe janë shqiptarët në trojet e tyre, në Republikën e Maqedonisë, na duket se lexojmë fatin e keq që kanë përjetuar  shqiptarët në Kosovë, në Mal të Zi e Çamëri. Apeli i shkrimtarit është i fuqishëm dhe tronditës, ai është një kushtrim dhe paralajmërim se ndaj të keqes askush nuk ka imunitet. “Të mëdhenjtë” duhet ta shmangin nga vetja megalomaninë dhe fudullëkun, t`i dalin vazhdimisht në mbrojtje jo thjesht të fuqishme sepse janë të atillë nga territori dhe forca ushtarake, por t`i dalin në mbrojtje të drejtës dhe të vërtetës e cila është fuqia më e madhe  dhe  e përjetshme. Atë që ata duan për vete, duhet ta duan edhe për të tjerët. Vetëm e drejta dhe e vërteta nuk të lënë në baltë. Përndryshe, e keqja që i ndodh njërit, mund t`i ndodh edhe tjetrit. Ajo vjen papritmas dhe pa e ftuar. Kurse, ajo  që duhet ftuar me mirësi është paqja. Ajo vjen ngadalë, me çap të lehtë dhe të  sigurt, si një pëllumb i bardhë, që pa hyrë në konflikt me askënd, zë vendin në pjesën e tokës dhe të diellit që i takon...“Jepi Cezarit atë që i takon Cezarit, Zotit atë që i takon Zotit”.

Vepra e fuqishme   “Gostivari në zemrën time” me mesazhet e forta dhe aktuale që përcjell, me ndjenjat e thella të humanizmit, të dashurisë për atdheun, lirinë, pavarësinë dhe për bashkëkombësit shqiptarë, me mjeshtërinë dhe vërtetësinë e të shkruarit, me stilin e ngrohtë dhe tërheqës, mund të themi se përbënë një himn të vërtetë lirie dhe heroizmi popullor.

1). Lumi Vardar  është lumi më i madh dhe më i gjatë në Maqedoni, buron pranë fshatit Vërtok afër Gostivarit  dhe  përshkon tërë Maqedoninë, kalon nëpër mes të kryeqytetit të Maqedonisë, Shkupit, pastaj në Veles pranë Gjevgjelisë e kalon kufirin e Maqedonisë dhe kalon në territorin grek. Derdhet në Detin Egje në perëndim të Selanikut.

Shënim i S.Z.Dajës pasi ka lexuar këtë artikull:

“Lexova recensionin me vëmendje. Mu kujtuan ngjarjet që i kam përjetuar si fëmijë. Po ta shihni të arsyeshme do ta dërgoj edhe foton time fëmijë 12 deri 15 vjeç.

Duke lexuar nuk munda t`i mbaj lotët-sikur e shihja këtë dramë, sikur kishte ardhur pas meje në mërgim...”



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora