E premte, 19.04.2024, 11:41 PM (GMT+1)

Faleminderit

Rexhep Krasniqi, lektori shqiptar i universiteteve botërore

E enjte, 24.07.2008, 05:51 PM


Prof. dr. Rexhep Krasniqi lindi në Gjakovë me 1906. Në qytetin e lindjes mbaroi 4 vjet të shkollës fillore dhe dy vitet e fundit në Shkodër. Shkollën e mesme e kreu në “Theresianum” të Vjenës (Austri), e cila ishte dhe vazhdon të jetë një ndër shkollat më të njohura të Europës Qendrore. Me 1934 përfundon studimet universitare duke mbrojtur doktoraturën me temën “Kongresi i Berlinit dhe Verilindja e Shqipnisë”. Për relator kishte prof. dr. Carl Patsch, kryetar i Institutit të Balkanologjisë pranë Universitetit të Vjenës, albanolog dhe historian i mirënjohur. Pas përfundimit të studimeve të larta, dr. Krasniqi kthehet në atdhe dhe fillon punën si profesor i historisë dhe gjeografisë në shkollën qytetare të Gjirokastrës, ku më vonë emërohet edhe si zëvendësdrejtor. Me 1939 ai emërohet drejtor i arsimit dhe më pas kryeinspektor pranë Ministrisë së Arsimit. Më 1941 është komisar i lartë i shkollave shqipe në Kosovë si dhe drejtor i Gjimnazit të gjuhës shqipe në Prishtinë. Me 1943 merr pjesë në qeverinë e Mehdi Frashërit si ministër i Arsimit. Lidhur me shërbimet e tij ndër shkollat shqipe, në Shqipërinë Verilindore, jashtë kufijve politikë të shtetit shqiptar, më 1994, prof. Krasniqi u dekorua prej presidentit të Shqipërisë dr. Sali Berisha me Urdhrin “NAIM FRASHËRI” i Klasit të Parë. Në vitin 1943 zgjidhet kryetar i Kuvendit Kombëtar (Parlamentit), ku për të parën herë morën pjesë përfaqësuesit e zgjedhur me vota të lira (demokratikisht) ndër të gjitha viset shqiptare: nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia (trevat e verilindjes shqiptare).
Në këtë Kuvend shpallet bashkimi i tokave të zaptuara me shtetin shqiptar si dhe pavarësia e neutraliteti i Shqipëisë përkundrejt fuqive ndërluftuse. Dr.Krasniqi u zgjodh dy herë nënkryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit kur ajo drejtohej prej z..Musa Shehu e Xhafer Deva. Me ardhjen e komunizmit në fuqi, i tha lamtumirën atdheut dhe së bashku me grupin kosovar të Lidhjes së Prizrenit, mori rrugët e mërgimit. Qëndroi për një kohë të shkurtër në Siri dhe prej andej emigroi në Australi. Aty, nga fundi i vitit 1956, thirret prej Ministrisë së Jashtme Amerikane me marrë pjesë në riorganizimin e formimit të Komitetit “Shqipëria e Lirë” me qender në Nju Jork dhe zgjidhet kryetar i Komitetit, të cilin e drejtoi për 35 vjet rresht deri në përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri. Dr. Krasniqi është autor i një numri të madh studimesh të botuara në shqip, anglisht dhe gjermanisht. Dr. Rexhep Krasniqi ishte bashkëstudent dhe mik i prof. Eqrem Cabejt. Ai ishte një ndër studiuesit më të njohur të çështjes shqiptare si dhe çështjeve ballkanike në tërësi. Ai ka qenë lektor në shumë universitete të SHBA-së dhe Europës. Janë shumë të njohura konferencat e tij akademike në universitetet e ndryshme të Amerikës e të Europës si dhe shkrimet e botuara në shtypin prestigjioz amerikan dhe sidomos në organin e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, gazetën “Shqiptari i Lirë.”
Prof. dr. Rexhep Krasniqi vdiq me 13 shkurt të vitit 2000 duke i dhuruar Federatës “Vatra” me qendër në SHBA gjithë bibliotekën e tij të pasur si dhe mijëra faqe studime të klasit të parë, kryesisht në fushën e historisë dhe albanologjisë, të cilat presin për t’u botuar. Instituti i Historisë si dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë duhet të interesohet për tërheqjen e këtij korpusi albanologjik, duke siguruar edhe mjetet e nevojshme financiare për publikimin dhe studimin e tij. Me interesimin e miqve të tij pritet të dalë nga shtypi libri i dr.Krasniqit, “Kongresi i Berlinit dhe Verilindja e Shqipnisë.” Shkrimi botohet vetëm pak ditë pas pesëvjetorit të vdekjes së tij. Rexhep Krasniqi do të kujtohet si një patriot i devotshëm dhe një nga zërat mbrojtës të çështjes shqiptare jashtë atdheut.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora