E enjte, 25.04.2024, 12:10 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Profili kriminal i Karaxhiçit, njeriut që urdheroi vrasjen e 8 mijë boshnjakëve

E enjte, 24.07.2008, 05:27 PM


Shkruar nga Etleva Delia 

Vetëm pak minuta pasi Thaçi dhe Sejdiu shtrënguan duart me Presidentin Bush, një lajm nga Beogradi sikur e "zbehu" atë takim që deri në ato momente ishte lajmi numër një. Në fakt nuk e zbehu, por e ndriçoi edhe më shumë, pasi ishte një devizë historike. Serbia po shkon drejt BE-së, Kosova është një shtet i pavarur dhe Ballkani është integruar duke rënë në "qetësi". Njeriu, për kokën e të cilit ishin dhënë 5 milionë dollarë, tashmë ishte arrestuar. Pas 12 vitesh në ilegalitet, më në fund ish-udhëheqësi serb, Radovan Karaxhiç, kishte përfunduar në pranga.
Kohët e fundit ai njihej me Dragan Dadiç dhe askush nuk e dinte identitetin e tij të vërtetë, as në ambulancën privatë pranë Beogradit ku ai punonte si mjek. 63-vjeçari i shumëkërkuar nga Tribunali i Hagës, për krime kundër njerëzimit, kryesisht për masakrën e Srebrenicës, ku urdhëroi vrasjen e 8 mijë myslimanëve. Për këtë akuzë ai rrezikon të dënohet me 101 vjet burg.

Kush ishte Karaxhiç

Bashkë me Ratko Mlladiç, ai është paditur për gjenocid, për krime kundër njerëzimit dhe për krime lufte, për masakrën më të rëndë të kryer në Evropë që pas Luftës së Dytë Botërore në korrik 1995. Ai ndiqej gjithashtu për rolin e tij në rrethimin e Sarajevës, që zgjati 43 muaj dhe gjatë të cilit u vranë më shumë se 10 mijë civilë. Trupmadh e me flokët e thinjur, Karaxhiç nuk ishte parë më në publik që pas arratisë së tij në vitin 1996. I konsideruar si një monstër nga kroatët dhe myslimanët e Bosnjës, ai mbetet për një numër të madh serbësh si heroi i luftës që shkatërroi Bosnjën nga 1992-1995, pas shpalljes së pavarësisë së saj. I lindur më 19 qershor 1945 në fshatin Petnjica në Mal të Zi, Karaxhiç e kaloi fëmijërinë në Nikshiç, pranë kufirit me Bosnjën. Që në moshë të re ai shkruante poema, një hobi që do ta ruante së bashku me shkrimin e pjesëve teatrale apo muzikës popullore. Psikiatër në Sarajevë në vitet '60, Radovan Karaxhiç e filloi karrierën politike vetëm në vitet 1990, duke pasur si idhull Sllobodan Millosheviçin, burrin e fortë të Jugosllavisë, që vdiq në mars 2006 në burgun e TPI-së në Hagë përpara përfundimit të procesit ndaj tij.

Festë në Sarajevë, protesta në Beograd

Asambleja e Enklavës Serbe të Bosnjës ndërpreu sesionin e saj të radhës në shenjë proteste ndaj politikanëve të Sarajevës, të cilët festonin arrestimin e Radovan Karaxhiç. Protesta të vogla në Beograd kanë shoqëruar arrestimin e Karaxhiç. Mbrëmjen e dy ditëve më parë, policia pa përdorur dhunën, ka mundur të largojë grupin e aktivistëve të Lëvizjes Ultranacionaliste "Obraz" para ndërtesës së Gjykatës Speciale në Beograd, ku ndodhej i shumëkërkuari i arrestuar. Grupi i përbërë kryesisht nga të rinj është mbledhur para gjykatës menjëherë pasi është dhënë lajmi për prangosjen e akuzuarit të Hagës, Radovan Karaxhiç. Ata nuk kanë bërë incidente, por vetëm sa kanë brohoritur emrin "Radovan Karaxhiç" dhe kanë kënduar himnin e Serbisë "Bozhe pravde".

Veprimtaria e Karaxhiç

•    Nga 29 shkurti deri më 1 mars 1992 myslimanët dhe kroatët e Bosnjës votojnë për pavarësi në referendumin e bojkotuar nga serbët.

•    Në prill të këtij viti BE njeh pavarësinë e Bosnjës. Fillon lufta dhe serbët nën drejtimin e Radovan Karaxhiçit rrethojnë kryeqytetin Sarajevë. Ata pushtojnë 70 për qind të vendit, duke vrarë dhe përndjekur myslimanët dhe kroatët për të krijuar një Republikë Serbe.

•    Dy muaj më pas, OKB-ja vendos sanksione kundër Serbisë, pasi kjo e fundit mbështet rebelët serbë në Kroaci dhe Bosnjë.

•    Në fillim të vitit 1993 dështojnë përpjekjet për paqe në Bosnjë, shpërthen lufta midis myslimanëve dhe kroatëve, të cilët më parë ishin aleatë kundër serbëve.

•    Në mars 1994, SHBA-ja ndërmjetëson një marrëveshje që i jep fund luftës myslimano-kroate dhe krijon një federatë myslimano-kroate.

•    Një vit më pas, presidenti i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, urdhëron që Srebrenica dhe Zepa të izolohen plotësisht dhe që autokolonat të mos lejohen të arrijnë në qytete.

•    Më 9 korrik 1995, Karaxhiç nxjerr një urdhër për të pushtuar Srebrenicën.

•    Dy ditë më pas trupat serbe të Bosnjës, nën komandën e gjeneralit Ratko Mlladiç, pushtojnë enklavën lindore dhe "zonën e sigurt" të OKB-së, Srebrenicën, duke vrarë 8 mijë myslimanë. Gjykata e OKB-së për Krime Lufte me seli në Hagë akuzon Karaxhiçin dhe Mlladiçin për gjenocid, për rrethimin e Sarajevës.

•    Në gusht NATO-ja fillon sulmet ajrore kundër trupave serbe të Bosnjës.

•    Pas sulmeve të NATO-s kundër serbëve të Bosnjës, presidenti mysliman i Bosnjës, Alija Izetbegovic, presidenti kroat, Franjo Tugjman dhe presidenti serb, Sllobodan Millosheviç, bien dakord lidhur me një marrëveshje paqeje e ndërmjetësuar nga SHBA-ja në Dayton, Ohajo.

•    Në dhjetor të po këtij viti, tre liderët nënshkruajnë Marrëveshjen e Paqes së Dajetonit në Paris, duke i hapur rrugën mbërritjes së 66 mijë paqeruajtësve të NATO-s (IFOR) në Bosnje. Komuniteti Ndërkombëtar krijon një prani të përhershme në vend nëpërmjet zyrës së një vëzhguesi ndërkombëtar të paqes.

•    Në korrik të vitit 1996, Perëndimi detyron Karaxhiçin të japë dorëheqjen si president i serbëve të Bosnjës dhe në shtator partitë nacionaliste fitojnë zgjedhjet pas luftës, duke konfirmuar ndarjen etnike të Bosnjës.

•    Në vitin 1997, pasi humbet pushtetin, Radovan Karaxhiç fshihet.

•    Më 11 qershor 2004, pas një mohimi të vazhdueshëm dhe nën presionin e fortë të ndërkombëtarëve, qeveria serbe e Bosnjës bën një pranim historik, se serbët kanë masakruar mijëra myslimanë në Srebrenicë me urdhrin e Karaxhiçit.

•    Mbrëmjen e 21 korrikut 2008, një operacion i forcave serbe arrestojnë presidentin e kohës së luftës të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, një nga personat më të kërkuar në botë për planifikimin dhe dhënien e urdhrit për gjenocid.

Si u arrestua në Beograd ish-udhëheqësi serb i Bosnjës

Mëngjesin e djeshëm zyra e Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, njoftoi arrestimin e ish-udhëheqësit serb të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, një ndër personat më të kërkuar në botë. Karaxhiç, i cili ka qenë në arrati prej më shumë se 12 vjetësh, kërkohej nga Gjykata e Hagës me akuzat për gjenocid. Ish-udhëheqës i serbëve të Bosnjës gjatë luftës së viteve '90 akuzohej për vrasjen e mijëra civilëve. Këtu përfshihen edhe mbi 8 mijë viktimat e masakrës së Srebrenicës, të vrarë nga forcat serbe të Bosnjës. Radovan Karaxhiç ishte një ndër 4 udhëheqësit e periudhës së luftërave ballkanike që kërkoheshin nga Gjykata e Hagës. Ish-komandanti ushtarak i serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiç dhe ish-udhëheqësi i serbëve të Kroacisë, Goran Haxhiç, ende nuk janë kapur. Policia serbe arrestoi ish-komandantin e policisë serbe të Bosnjës, Stojan Zhupljanin, muajin e kaluar.
Arrestimi
Ish-udhëheqësi serb i Bosnjës, Radovan Karaxhiç, u arrestua të hënën në mbrëmje gjatë një operacioni të forcave serbe të Sigurimit. Zyrtarët thonë se Karaxhiçi u dërgua më pas para një gjykatësi hetimor të Gjykatës Serbe të Krimeve të Luftës në Beograd. Prokurorët e Gjykatës së Hagës e kanë akuzuar Karaxhiçin për gjenocid dhe krime njerëzimit gjatë konfliktit në Bosnjë. Ai akuzohet se ka qenë ideatori i vrasjes së mbi 8 mijë burrave dhe djemve myslimanë në qytetin boshnjak të Srebrenicës. Në Shtetet e Bashkuara, Shtëpia e Bardhë e përshëndeti arrestimin e Karaxhiçit dhe tha se ky fakt është një shpagim për viktimat e krimeve të luftës. Komandanti ushtarak i serbëve të Bosnjës gjatë konfliktit, Ratko Mlladiç, një ndër personat më të kërkuar nga Gjykata e Hagës, ende ndodhet në arrati.
Karaxhiçi në arrati
Në fund të luftës së Bosnjës, Radovan Karaxhiç u shpall zyrtarisht i kërkuar. Në të vërtetë nga viti 1995 e deri në 1997 vazhdoi të qëndronte i qetë e i patrazuar në shtëpinë e tij në Pale, pa u shqetësuar nga ushtarët italianë të ngarkuar për të kërkuar në atë zonë. Dragan Bjiç, duke ndjerë kohët që po ndryshonin nuk ka më besim se Pale është vendi më i mirë dhe më i sigurt për qëndrimin e Karaxhiçit. Kështu, nga viti 1997 e deri në vitin 1999 gjen një strehë më të sigurt në Skolovac, një periferi e Republikës Serbska, e cila banohet në shumicë prej nacionalistëve serbë, për të cilët Karaxhiç është një mit e një hero. Nga viti 1999 e deri në vitin 2003, Kraxhiç nis të lëvizë i shoqëruar vetëm nga një person. Gjatë këtyre viteve ai bëri shumë lëvizje të padukshme në kufijtë mes Bosnjës, Serbisë dhe Malit të Zi. Shpesh lëvizjet ishin të tilla sa atë nuk e zinte nata dy herë në të njëjtin vend. Nga viti 2003 Kisha Ortodokse ka luajtur rolin mbështetëses së Karaxhiçit. Ka prova për biseda mes autoriteteve dhe kishës, për biseda ku pak a shumë kisha u thotë autoriteteve: "Sot e mbrapa harrojeni se Karaxhiçi ekziston. Do ta mbrojmë ne në manastiret tona, deri në vdekje. Më pas do t'i ngremë një mauzoleum, ku njerëzit mund të vijnë e të nderojnë një hero të popullit serb". Së fundmi ai punonte si mjek në një ambulancë, shumë afër Beogradit dhe askush nuk kishte arritur të merrte vesh identitetin e tij të vërtetë. 

1997-1999
Nga viti 1997 e deri në vitin 1999 gjen një strehë më të sigurt në Skolovac, një periferi e Republikës Serbska, e cila banohet në shumicë prej nacionalistëve serbë, për të cilët Karaxhiç është një mit e një hero.

1999-2003
Karaxhiç nis të lëvizë i shoqëruar vetëm nga një person. Gjatë këtyre viteve ai bëri shumë lëvizje të padukshme në kufijtë mes Bosnjës, Serbisë dhe Malit të Zi. Shpesh lëvizjet ishin të tilla sa atë nuk e zinte nata dy herë në të njëjtin vend.

2003-2007
Kisha ortodokse ka luajtur rolin mbështetës të Karaxhiçit. Ka prova për biseda mes autoriteteve dhe kishës, për biseda ku pak a shumë kisha u thotë autoriteteve: "Sot e mbrapa harrojeni se Karaxhiçi ekziston. Do ta mbrojmë ne në manastiret tona, deri në vdekje.

2007-2008
Ish-lideri serbo-boshnjak, Radovan Karaxhiç, jetonte me një identitet të ri fals, atë të Dragan Dadiç, dhe kohët e fundit punonte si mjek në një ambulancë private në periferi të Beogradit, por askush s'kishte njohur identitetin e tij të vërtetë.

GRUEVSKI
"Kjo tregon se ka kaluar koha dhe dekada tragjike ballkanike e viteve '90 të shekullit të kaluar dhe këtë t`ia lëmë shkencës së historisë, ndërsa vendet e rajonit të përkushtohen në ndërtimin e përbashkët të së ardhmes evropiane në gjithë Ballkanin".

THAÇI
"Arrestimi i Karaxhiç është një lajm i mirë për të gjithë. Ky është një zhvillim pozitiv edhe për Serbinë, për paqen dhe stabilitetin në rajon, por edhe gjithë investimet e ndërkombëtarëve në rajon. Me këtë arrestim, Serbia i dërgoi një sinjal pozitiv botës".

BAN KI-MUN
"Është një moment historik për viktimat, të cilat kanë pritur 13 vjet që Karaxhiçi të nxirret para drejtësisë. Që mosndëshkimi të marrë fund, ky është një element thelbësor për paqen dhe drejtësinë në atë rajon".

CVETKOVIÇ
"Serbia ka bërë hapa të mëdha përpara dhe unë i bëj thirrje Mladiç dhe Hadziç, dy kriminelëve të luftës, ende në kërkim, që të dorëzohen vullnetarisht. Kjo do të ishte shumë mirë për ta dhe për të gjithë popullin serb".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora