E premte, 29.03.2024, 08:37 AM (GMT)

Kulturë

Adem Zaplluzha: Ky testament

E diele, 07.06.2015, 01:10 PM


Adem Zaplluzha

 

Pesë poezi nga libri “Një shi prej bryme”

 

KY TESTAMENT

 

Në një fushë të vogël

Mbuluar me mjegull prej gjaku

Po ia lë peng kohës

Këtë testament të gurtë

 

Një zog prej argjile

Dhe një korb i verbër si nata

Në një qivur të shimshirit

I kërkojnë galopet e kalorësve Dardan

 

Nën një hënë që shndrin

E nuk është në gjendje ta ngrohë

As ashtin e vet të thyer

Çfarë mund të pret një poet si unë

 

Ky testament i gurtë

Nga mermerët e kuq të Kosovës

Paska mbetur peng i shekujve

Dhe sot po qan me ngashërim si një kalam

 

 

ERDHËN EDHE SHIRAT E BRYMTA

 

Në këtë fushë të gjorë

Nuk paska mbetur asnjë mëllenjë

Kush i vrau fluturat e verdha

Kur deshën atë ditë qershori

Të identifikohen me flakën e zjarrit të verdhë

 

Një gjëmë e nëndheshme

Për herë të parë i zgjoi

Kalorësit e gurtë të baladave

Erdhën edhe shirat e brymta

Nga ajo tjetër pjesë e botës

 

I tërë Adi i shkuli flokët e erës

Një botë e huaj qante me hidhërim

Në sqepat e mëllenjave

Dielli për herë të fundit lindi

Pas atyre maleve që u konvertuan në djaj

 

Eolin e çmendur gjatë tërë shekujve

Nuk e zuri gjumi

S’fjetën as lisat e shkulur

Fluturimet e mëllenjave ëndërrojnë

Tokën e premtuar prej Hyjit

 

 

KALI IM I BARDHË

 

Vetëm ti kali im i verbër

Nuk je duke shkelur në këtë fushë

Mbi kufoma njerëzish

Sa i bukur je kur galopon

Nëpër mjegullat e kohës

E cila i vrau gjyshërit e mi

 

Kali im i bardhë

Shpirti im i verbër prej kristali

Asnjëherë nuk deshe

Ta ndalësh vrapin

Por në secilin varr të bardhë

Mbolle nga një lule prej dhembjeje

 

Kali im i bardhë

Kali im i zi

Akoma vrapon si era

Nëpër sqepin e plagosur

Të mëllenjës nënë

 

kali im i bardhë

Kali im i zi dhe i verbër

Vrapo e mos u ndalë askurrë

Nëpër Dardani

Kali im i bardhë kali im i zi

 

 

NUK NGJAJNË ME ASNJË STACION

 

Rrugët dhe trotuaret

Gjarpërojnë deri në pafundësi

Nuk ngjajnë me asnjë stacion

Të autobusëve të qytetit tim

Paskan emra qesharak

Si të klounëve

 

Ndonjëherë

Më duken të zbrazëta

Si kungujt e papjekur

Vitrinat zbukurohen me kukulla të gjalla

Që mbajnë dhëmbë artificial prej fildishi

 

Djemtë nuk duken si në qytetin tim

Pak janë të zbehtë

Ngjajnë kukullave prej dylli

Dhe mbajnë syze

Me dioptri të madhe dhe të pabesueshme

 

Edhe fushat në këtë vend

Dallojnë shumë

Nuk kanë kurrfarë ngjashmërie

Me ato të atdheut tim

Ku mbinë fasulja

Edhe nëpër shpirtrat e manaferrave

 

Vetëm diçka dallon në këtë fushë

Gjërat më duken tepër qesharake

Dhe njëkohësisht bonjake

Sepse këto fusha të braktisura

Nuk përkundin asnjëherë varre



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora