E shtune, 20.04.2024, 11:48 AM (GMT+1)

Kulturë

Cigareshitësi që u bë gjeni

E enjte, 24.07.2008, 07:48 PM


Agron Alija
Spektatori u mësua ta njohë si baletmaestrin e krijimit të një repertori të pasur koreografik, në qendër të të cilit zbërthehet tematika kombëtare

Shqipton Agron Alija dhe ke prekur majën e koreografisë shqiptare. Për atë që i ka dhënë artit dhe kulturës shqiptare, të duket sikur të gjithë ne, i kemi diçka borxh këtij njeriu. Gëzohesh kur e sheh që gëzon shëndet por dëshpërohesh tek ndjen që ai nuk është shumë i qetë... Kur ende shpirti i artistit rreh dhe do të punojë për artin, i ngjan se pak kush i hedh sytë tani nga ai. Më shumë i vjen keq, për atë çka mund të japë, se sa të përfitojë... Dhe të mos harrojmë, se kemi të bëjmë me një gjeni në fushën e vet. Mjafton të përmëndim fjalët e Dritëro Agollit se Agron Aliaj është "njeri me një kulturë të gjerë të përgjithshme dhe profesioniste, përherë në kërkim dhe përherë i shqetësuar, të mahnit me mbajtjen gjallë të kuriozitetit dhe sensit të së resë. Gjithmonë kthen vështrimin nga e reja, siç kthen fytyrën luledielli nga dielli."

Por ja që artisti i madh, has vetëm në shurdhëri e verbëri...

U lodh aq shumë vjet, për të vënë në skenë baletin "Lotus" bashkë me kompozitorin Aleksandër Peçi. Por shfaqja u dha vetëm një herë. A thua se vepra ishte pa vlerë dhe ata që e realizuan amatorë? As kasetën e rregjistrimit të saj nuk ia dhanë... Bëhet shkak tregimi i kësaj ndodhie që të shpërthejë në vazhdimësi, shqetësimin se sot në institucionet kryesore, nuk ka një repertor të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm. Çdo vepër artistike përcjell mesazhe edukuese dhe kulture. Çka do të thotë, kontribut për emancipimin dhe qytetërimin e shoqërisë. Askush tjetër, më shumë se sa ne, në këtë kohë tranzicioni ka nevojë të kontaktojë me këtë vlerë. Por a mund të arrihet kjo, kur nuk i krijon mundësinë qytetarit të ulet para skenës, çdo ditë?

Jashtë natyrës së vet, një ditë i zbrazi "dufe" edhe Vera Grabockës, tek shkëmbeheshin në shëtitjen e mëngjesit, në Kodrat e Liqenit Artificial. Sa e pa, u zu ngushtë regjisorja e spektaklit që dha shpërblimin prej 10 000 eurosh për disa artistë. Në atë listë mungonte edhe emri i Agronit.

"Nuk më erdhi keq që nuk përfitova atë çek, për të cilën edhe kisha shumë nevojë, por për faktin se u harrova me gjallje...".

E vret shumë kjo harresë artistin që ka bërë epokë. Para disa kohësh, tregon ai, - më thirrën sa për të më patur në sallë, në përvjetorin e një shkolle të cilën e krijova vet. Kur mirëpret ta ftojnë për të vënë në skenë krijimet e tija, sjellin artistë "të shquar" nga jashte duke i paguar deri 15 mijë euro...

Me dhjetra janë nxënësit e tij që shkëlqejnë në metropolet e botës. Në shënjë mirënjohje por edhe krenarie i lindi ideja për të organizuar një spektakël në Tiranë me të gjitha këta yje. Trokiti edhe lart. Diku, i thanë se të sigurojmë vetëm Sallën e Kongreseve... A thua se kërkonte diçka për vete, apo që të sillte në sytë e shikuesit, vlerat e bijëve të tyre artistë që e përfaqësojnë me dinjitet në kulturën botërore. E për të shpëtuar nga ky "ngërç" që gati i zë frymën, po vetë sajon edhe shtegun duke thënë se "gjithësesi kjo gjëndje është e përkohshme".

Natyra e butë, gjelbërimi dhe fluksi i madh i dritës në çdo stinë të vitit i japin një pamje mjaft tërheqëse Delvinës. Në shekuj, në këtë rajon ka mbizotëruar harmonia, mirëkuptimi dhe marrëdhëniet e ngrohta ndërnjerëzore. Në këtë ambient, formohej e rritej edhe familja Aliaj. Më 30 tetor 1933, do të shikonte dritën e diellit edhe fëmija i katërt, Agroni. Me rastin e lindjes së fëmijës, sipas zakonit u bë një darkë e madhe ku morën pjesë të afërm, miq e dashmirës delvinjotë të familjes Aliaj. Atë mbrëmje të gëzueshme ajo krijesë e brishtë, s'pushonte së qari. Nuk e qetësonte asgjë. Por nën tingujt e muzikës së sazexhinjve delvinjotë, pak verë në lugë, kishte pasur efekt të çuditshëm qetësues. Kjo dozë e vogël vere, do ta pushonte së qari këtë fëmijë, edhe më pas…

Kur fëmija i mbushi të pesë vitet dhe kishte arritur të kuptonte diçka nga bota që e rrethonte, tek prindërit e tij nuk qe e nevojshme që të hulumtonin shumë për të zbuluar prirjet për muzikën. Agroni i vogël, shend e verë, nxitonte drejt radios dhe me ato doçkat e vogla përkëdhelte aparatin, nga dilte ai zë që e bënte për vehte. Qëndronte ashtu e nuk shqitej, për minuta të tëra. Shkollën e ndiqte me interes të veçantë. Poemën e Naim Frashërit Bagëti e Bujqësi e kishte mësuar përmendësh qysh i vogël fare e aso kohe i pëlqente së tepërmi t'ua recitonte vogëlushëve të tjerë. Por sigurisht, prirjet e tija për muzikën, në një mënyrë të pakuptueshme sikur i jepnin krahë dhe e bënin që të mbërrinte ndër të parët atje, nga ku dëgjoheshin tingujt dhe meloditë e muzikës popullore. Origjinaliteti i sazexhinjve e mbushte zemrën e tij të vogël. E pastaj karnevalet që zhvilloheshin në vendin e lindjes, do t'i mbeteshin të fiksuara në memorie. Edhe sot e kësaj dite ndokush ia kujton, sesi duke e ndjekur ngado këtë ceremoni shumëngjyrëshe, ai për orë të tëra harronte të shkonte në shtëpi. Duke i parë nga afër ato maska të karnevaleve që shprehnin, veç të tjerave, personazhet e ditës, imagjinata e tij fëminore i tejkalonte caqet e miturisë. Imitimi i lëvizjeve të komplikuara të valltarëve të veshur me kostumet e karnevaleve dhe ndjekja e tyre nga pas, ishin elemente që hynin duke lënë gjurmë në jetën e tij. Momenti më interesant në këtë festë, sigurisht ashtu si edhe për fëmijët e tjerë ishte djegja e Babos që personifikonte të keqen. Kur tymi e flakët merrnin drejtimin e qiellit, Agroni bashkohej në thirrje me grupin e fëmijëve të tjerë "…e hoqëm të keqen… e hoqëm të keqen". Pas këtij momenti mjaft domethënës, dëgjohej melodia, ritmika e së cilës kalonte në ato valle në vargje të gjata që shtriheshin e shtoheshin duke u zgjatur nëpër të gjitha rrugicat e qytetit. E në njërin prej atyre viteve të fëmijërisë, mësuesi i kish folur për Babon, duke u përpjekur të shpjegonte kategorinë estetike të së mirës dhe së keqes, gjithmonë në marxhinaturat e botës së tyre fëminore. Qe bërë shkak pyetja e Agronit: "Përse djegia e Babos, është djegia e së keqes?!". Ndërsa mësuesi lëmonte flokët e Agronit dhe fliste mbi të keqen, u dëgjua uturima e avionëve ushtarakë, që fluturonin mbi dritaret e shkollës...

Pushtimi fashist i kishte shtrirë kthetrat edhe tek ata. Agroni i vogël çuditej ndërsa shikonte atë demonstrim armatimesh. Me puplat e mëdha jeshile, në kokat e fshehura brenda metalit e duke lëshuar një uturimë të zhurmshme, motoçikletat e ushtarëve italianë lëviznin në të dy anët e rrugës, si shpendët grabitqarë të inatosur që nuk gjejnë asgjë për të gllabëruar…

Ishte një pushtim që nisi drejtpërsëdrejti me të servirurit e kulturës. Por në çfarë mënyre? Filluan kinematë, me një dyndje filmash artistikë, për herë të parë u hapën dyert e cirkut për qytetin e vogël e një sërë veprimesh të tjera që do të përfundonin me vendosjen e disa familjeve italiane mes shqiptarëve. Kështu në shtëpinë Aliajve, rasti solli që të vendosej një çift italian. I patën liruar katin e dytë të shtëpisë. Mario dhe Maria quheshin. Kjo e fundit, thuhej se rridhte nga një familje shumë e fisme në qytetin e Barit. E në njërën prej atyre ditëve të para të vendosjes së familjes italiane, ndërsa Agroni ishte në oborr dhe kundronte me ëndje kurorën e bardhë të lulëzimit në pemët e portokallit, nga kati i dytë vinin të dobët e mezi dëgjoheshin tingujt e një kënge mjaft tërheqëse. Pa e kuptuar as vetë sesi, Agroni i ktheu shpinën bardhësisë që reflektonte me aq hijeshi rrezatimin e diellit pranveror dhe nxitoi për në korridorin e katit të dytë nga ku mund të dëgjohej më mirë muzika e gramafonit. Kjo ndodhte shpesh me këtë fëmijë të apasionuar: para magjepsjes së tingujve muzikorë, të gjitha dëshirat e tjera zvetnoheshin. Zonja italiane, e cila i dëgjoi hapat në korridor, nxori kokën në derë dhe buzëqeshi kur pa Agronin e vogël. E pikasi menjëherë, se aty e kishte sjellë veçse muzika. Iu afrua duke ia përkëdhelur flokët. Ajo fytyrë e pafajshme fëminore shkëlqente me një fluks drite jo të zakontë. E mori përdore në dhomën ku ishte gramafoni. Pyetja e parë që i bëri fëmijës, ishte nëse i pëlqente muzika. Agroni i vogël, ndonëse nuk kuptonte aspak italisht, në mënyrë intuitive duke dëgjuar fjalën "muzika", dha një përgjigje të thatë "Po", duke u kthyer sërish nga zëri që vinte prej pllakës së zezë në rrotullim. Në sytë e tij të bukur ajo shquante përqëndrimin e plotë. Fëmija ishte i zhytur totalisht në rrymën e vrullshme të tingujve, që dilnin nga hinka e gramafonit dhe përplaseshin në veshin e tij të kujdesur. Pasioni i flaktë dhe përshkues, ndjehej i gjallë, tek lëvrinte në çdo qelizë të trupit të tij. Kur gjilpëra e gramafonit së bashku me pllakën pushuan lëvizjen e përbashkët, zonja Maria vendosi një pllakë tjetër me zërin e Beniamino Xhilit të famshëm. Ishte kënga O sole mio! Pastaj me gjeste dhe gishtrinj e duke folur italisht, ajo u mundua të shpjegonte tekstin e këngës. I thonte se i këndohet diellit, duke drejtuar gishtin tregues nga dielli, që me rrezet e tij hynte në dritare; i këndohej pikërisht bukurisë së atij dielli që shndriste në fytyrën dhe zemrën e Agronit të vogël.

Me familjen italiane u miqësuan shpejt. Mario ishte një intelektual dhe zyrtar shumë i rregullt. Ishte i përpiktë në gjithçka. Kur ndesheshin në oborrin e shtëpisë, asnjëherë nuk mungonte të përshëndeste i pari me atë buzëqeshje krejt të natyrshme.

Maria e mbante shumë pranë Agronin e vogël. E donte si të ishte fëmija e saj. I bënte përshtypje ndjeshmëria ndaj muzikës dhe ngarkesa shpirtërore e Agronit. Shpesh ajo i thonte komshinjve se ky fëmijë do të bëhet diçka…

Pas njëzet vitesh, më 1962, artisti Aliaj së bashku me balerinën Zoica Haxho, u ndodhën në qytetin e Barit, për të marrë pjesë në një koncert me rastin e hapjes së pavionit shqiptar në Fiera di Levante. Çifti shqiptar me mjaft sukses interpretoi pas de deux nga baleti Don Kishot dhe Flakët e Parisit.

Maria, që dikur kishte banuar në familjen Aliaj, në Delvinë dhe tani vazhdonte të jetonte në qytetin e saj të lindjes, në një gazetë lokale, mori vesh se në Fiera di Levante, ishte edhe një pavion shqiptar e madje kjo nismë shoqërohej nga një grup artistësh të shquar. Kujtimet e së kaluarës për Shqipërinë e sidomos bujaria e përzemërsia që kishte gjetur në qytetin e Delvinës, i kishin lënë mbresa të pashlyeshme. Shkoi në pavionin Albania, për të ripërtërirë sado pak ato mbresa të bukura të krijuara shumë vite më parë në anën tjetër të Adriatikut; e në të vërtetë me të parë specifikën e kostumeve popullore të pasura në dekoracione, iu kujtua vallja delvinjote nën ritmin e sazexhinjve të qytetit. Interpretimi i pas de deux nga Flakët e Parisit e la pa mend Marien. Dy balerinët ishin të mrekullueshëm. Talenti i tyre ishte i padiskutueshëm. Duke lexuar, ndoshta pa shumë interes programin, i ra në sy emri i Agron Aliaj-t. "O Zot përshpëriti me vete… të jetë Agroni, ai fëmija, në shtëpinë e të cilit u vendosëm në Delvinë! Ndoshta, ndoshta…". Me të mbaruar koncerti, nuk e bëri të gjatë dhe me një shprehje padurimi të dukshëm, iu drejtua artistëve që ishin ende në skenë. Pasi uroi për lojën e mrekullueshme, duke parë drejt në sy Agronin dhe duke e dalluar atë ç'ka ruhej prej tipareve të fëmisë që kish njohur shumë mirë në Delvinë, me një notë nostalgjie që e bënte t'i dridhej zëri tha: "Jeni Agroni i familjes Aliaj…" U përqafuan me shumë mall. Nuk i besohej as njërit e as tjetrit. Një interesim reciprok për të ditur se si kishin rrjedhur vitet për të dyja familjet, bëri që biseda të zgjatej shumë. Herë pas here Maria pëshpërinte: "O Zot! O Zot, sa lumturi që më dhè sonte!"…

Ishin vite lufte. U hap lajmi se greku do të sulmonte kufinjtë shqiptarë. Historikisht familja Aliaj e kishte pësuar nga nacional-shovinizmi grek. Braktisin Delvinën, gjithçka për të shpëtuar jetën. Ishte një udhëtim i gjatë, me destinacion të papërcaktuar...Në Vlorë nuk gjetën strehim. Iu drejtuan Lushnjes, ku qëndruan për disa muaj. Më së fundi, u stabilizuan përfundimisht në Tiranë.

Agroni i vogël, u përball me shumë ambiente e situata të reja. Shtëpia e Delvinës, tokat e Mesopotamit dhe shumë pasuri të tjera që i trashëgonin, duke i lënë në mëshirën e fatit, i kishin kthyer në një familje me ekonomi të rrënuar. Familja u detyrua që ta nxirrte Agronin për të shitur cigare "Tatlisertë" e "Diamant" nëpër lokalet e Tiranës.

Në një mbrëmje, nga biseda e disa kalimtarëve, dëgjoi se, tek Fusha e Futbollit të Shallvareve, po përgatitej të fillonte një shfaqje. Ishin mjaft njerëz që nxitonin për të parë artistët e ardhur nga Italia. Ishte një mundësi e mirë edhe për të shitur... Me kutinë e cigareve në dorë, vrapoi për të mos humbur fillimin e shfaqjes. Me të mbërritur u befasua nga skena. Harroi qëllimin që e kishte shtyrë për të ardhur këtu dhe zuri vend përpara një çifti të veshur me elegancë. Mbeti si i ngrirë qysh në prezantimin me tingujt e hapjes së Madam Baterflajt të Puçinit. Ishte hera e parë që rastiste të shikonte një opera. Tërë kohën thuajse nuk merrte frymë. U trondit shumë gjatë skenës së fundit, kur madam Batërflaj vrau veten dhe fëmija vrapoi e ra përmbys mbi trupin e pajetë të nënës. I rridhnin lotët çurkë mbi kutinë që e shtërngonte në ato doçkat e vogla. Atë natë nuk e zinte gjumi…

Në vitin 1945, kur Aliaj nuk i kish mbushur ende të dymbëdhjetat dhe rastësisht po kalonte në rrugën e Elbasanit, pikërisht atje ku sot ndodhet Kuvendi Popullor, po jepej një koncert me këngë e valle popullore tiranase. Ktheu rrugë e mbeti i shtangur nga vallja karakteristike e zileve, që bazohej në shtatë melodi. Nga dita në ditë, ai ishte i etur për të hyrë në teknikat e ndryshme të kërcimit.

Motra e madhe e Agronit, duke studiuar me disa shoqe për provimet e semimaturës, në një çast pushimi, u tregoi atyre mbi talentin e të vëllait. Njëra nga shoqet i tha: "A e di…! Kam dëgjuar se në kinema "Ideal" ka një grup që praktikohet me vallen. Dërgoje atje vëllanë dhe do ta shohësh se ka për ta gjetur vetveten…". Iu duk një ide për të qenë dhe bashkë me të vëllanë, në njërë prej atyre ditëve, morën rrugën e Elbasanit. Me të hyrë brenda, tingujt e muzikës Danza d'oro depërtuan plotësisht qenin e tij, ndërsa një grup vajzash vallzonin aq lehtësisht. Kur mbaroi kërcimi, një person rreth të njëzetave, i veshur elegant, me një të qeshur karakteristik iu afrua. E quanin Panajot Kanaçi. Pas prezantimit të shpejtë mjeshtri Kanaçi i tha:

- Çfarë di të kërcesh?

Pa u menduar gjatë: - Çfarë të doni ju,- iu përgjigj.

- Atëherë unë do të vë një muzikë që quhet "Lakuriqi i Natës" e kompozuar prej Shtrausit. Ti, me siguri i ke parë lakuriqët e natës në fluturim. Mundohu të imitosh fluturimin e tyre….

Maestroja vuri pllakën e gramafonit dhe Agroni që i përshtatej ritmit, filloi kërcimin duke luajtur krahët si një shpend në fluturim. Hidhej e rrotullohej me intuitën e tij fëminore të zhvilluar para kohe. Në momente të caktuara, me lëvizjen e kokës maestroja jepte edhe ndonjë aprovim. Kur muzika mbaroi, maestroja iu afrua duke i thënë:-Po ti more djalosh, vallzoke bukur dhe qënke i gatshëm për të dalë në skenë para spektatorit.

Të nesërmen, maestroja i bëri modifikimet e nevojshme të lëvizjes së duarve dhe ndërhyri në një impostim më të qartë të interpretimit të valsit. Në kompleks maestroja, qysh në fillim synonte ta vinte djaloshin në volum të plotë pune, drejt një harmonizimi të përbashkët interpretativ. Si veshje, i sollën një parashutë nga ato të luftës, duke e ngjyrosur në ngjyrat e lakuriqit të natës e në përmasat e fizikut të Agronit.


****************

Mbas mbarimit të shkollës së dancit, pranë Balshoj Teatër të Moskës në vitin 1956, grupi i të pestëve A. Aliaj, P.Vorpsi, G. Vendresha, Z. Haxho dhe Xh. Simixhiu, do të krijonin shkollën e parë koreografike në Shqipëri. Nga kjo shkollë do të dilnin balerinët e parë për të plotësuar trupën e baletit. Në këto përpjekje u formuan edhe solistët e parë. Në vitin 1976, u ndërtua shkolla koreografike, e cila i plotësonte rregullisht të gjitha kushtet. Dëshira e pedagogut Aliaj, ishte që në formimin e shkollës koreografike, të jepte të gjithë eksperiencën e tij, atyre nxënësve të parë që punonin me shumë dëshirë e vullnet.

Ndër nxënëset nëpër vite, do të kujtonim shumë balerina të afirmuara si Mukades Erebara (Artiste e Merituar), Aishe Toto (Vaso) , Fatbardha Bengo (Shaqiri), Keti Trojani . Më vonë do të dilte Albana Sulejmani (Artiste e Merituar), Rumena Drishti, Ambeta Toromani soliste e baletit me të dhëna mjaft profesionale pranë Canale 5 në Romë. Kjo shkollë nxori edhe Ilir Kernin, Ludmill Çakallin, Leonard Xhokaxhiun, Remis Kacelin, Resmi Malkon, Gentian Doda, Ilir Shaqirin, Enada Hoxhën, Gerti Vason e shumë e shumë solistë që nderuan ngjyrat e baletit shqiptar.

Agron Aliaj, është njëri nga mishëruesit e artit koreografik shqiptar. Si një artist i madh, ai lëvroi lëmin e të kërcyerit duke startuar në fillimet e karrierës së tij artistike, me veshjen e solistit të Teatrit të Operas dhe të Baletit. Bëhet fjalë pra, qysh nga viti 1957, kur ai menjëherë nisi të linte atë gjurmë të thellë, në memorien e spektatorit shqiptar. Gama interpretative apo pasuria e roleve që ai krijoi, duke hyrë në brendësinë e studimit të çdo detaji koreografik, u mirëprit me ovacionet e duartrokitjet e ngrohta të një spektatori që nuk i mungonte logjika e diferencimit artistik. Si në skenat e Teatër Balshoj, Sallën Çajkovskij…, por edhe jashtë Moskës, në Leningrad, pastaj në vendet balltike si Letoni, Lituani, Estoni e gjetkë, në sytë e spektatorit ai do të dallonte ato ndjenja që të bëjnë të thuash "puna ime qenka e frytshme…". Si student i rrallë, me tërë ato të dhëna premtuese, Agroni nuk mund ta imagjinonte kurrë, që në akordimin e diplomës shkëlqyeshëm, të asistohej edhe me firmosjen e dokumentit prej njërës nga balerinat më të mëdha ruse të asaj kohe, e të paarritshmes Galina Ullanova.

Por njëherësh spektatori u mësua ta njohë Agronin edhe si baletmaestrin e krijimit të një repertori të pasur koreografik, në qendër të të cilit zbërthehet tematika kombëtare. Agroni do të debutonte një sërë rrolesh madhore, të cilat lanë gjurmë të thella tek ai spektator, që e ndoqi përherë me shumë admirim. Ai është autor i vënies në skenë të baleteve kombëtare, si Cuca e Maleve, Plaga e Dhjetë e Gjergj Elez Alisë dhe e shumë e shumë të tjerave. Në të njëjtën rrjedhë krijimtarie, do të afirmohej edhe si një pedagog, që në saje të përkushtimit e pa asnjë rezervë, bën që kolegët të gjejnë njërën nga pikat mbështetëse të formimit të shkollës klasike për baletin shqiptar. Në pozicionin e pedagogut, me seriozitetin e kërkesave formative, për vite e vite me radhë, Agroni nxorri pothuajse të gjithë interpretuesit, që veçanërisht nëpër skenat e ndryshme të Shqipërisë do të përçonin zellin e punës së tij: "Kam përgatitur balerinë që janë rritur dhe e kanë mbyllur karrierën e tyre në skenë. Pas 20 vitesh, kam përgatitur përsëri fëmijët e tyre për të debutuar e për të provuar suksesin e baletit…" thotë mjeshtri.

Studentët e tij, sot debutojnë me sukses nëpër skenat e ndryshme të botës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora