E marte, 23.07.2019, 08:23 AM (GMT+1)

Komente

Dardan Islami: Porosia nga shkretëtira

E premte, 05.06.2015, 07:03 PM


Porosia nga shkretëtira

Nga Dardan Islami

Kur të gjithë po besonin se Lavdrim Muhaxheri kishte vdekur, ai u rishfaq i gjallë dhe më i egër se më parë, këtë herë ai e ekzekutoi një fëmijë të lidhur për peme me një granatahedhës antitank.

Në këtë video të ISIS-it, që tani po qarkullon botën duke tmerruar miliona shikues, janë edhe dy shqiptarë të tjerë po ashtu pjesëtarë të ISIS-it.

Se a është kjo një porosi e koduar e ISIS-it për celulat e tyre në Ballkan dhe në Evropë, dhe çka mund të jetë qëllimi dhe porosia e publikimit të saj në këtë kohë, tash për tash atë më së miri mund ta dinë vetë celulat e ISIS-it dhe analistët e shërbimeve të sigurisë.

Javën që lamë pas një shqiptare tjetër me origjinë nga Kosova me banim në Londër la të vdekur 13 dhe plagosi 17 të tjerë në Ramadi të Irakut, gjatë një sulmi vetëvrasës.

Këto fakte na lënë të besojmë se shqiptarët tanimë jo vetëm që e kanë të krijuar rrjetin, por edhe degën e tyre brenda ISIS-it, me çka mund të aktivizohen në çdo kohë në caqe të ndryshme në mbarë globin, por edhe në Kosovë dhe në rajon.

Se ISIS-i është organizatë terroriste e krijuar nga shërbime të ndryshme tanimë nuk është lajm, kur dimë se sikur edhe në të kaluarën fuqitë e mëdha kanë trajnuar dhe armatosur formacione të tilla për qëllime të tyre, ndërkaq pas një kohe ato edhe u kanë dalë nga dora.

SHBA-të mbeten të alarmuara nga rreziku i sulmeve kimike në territorin e tyre, duke vazhduar kontrolle të rrepta në aeroplanët që hyjnë atje.

Mosvotimi i Gjykatës Speciale nga Parlamenti i Kosovës po e kthen Rusinë në lojë, me çka Kosova rrezikon që t’i hyjë një rruge pa kthim, ku mbështetja nga Perëndimi edhe mund të zbehet sidomos tash kur Serbia dhe Maqedonia befasuan me vendimet e tyre të fundit për lejimin e gazsjellësve perëndimorë në territoret e tyre.

Ky vendim sigurisht se do ta nervozojë Putinin tej mase, ku si pasojë mund të pritet rritja e presionit rus dhe ngritja e tensioneve në rajon.

Kosova po kërcënohet nga të katër anët, këtë tash e thonë të gjithë, por klasa politike në vend duket e papjekur për t’u përballur me këto kërcënime, te cilat shumë shpejt mund të dalin nga kontrolli.

Mosvotimi i Gjykatës Speciale dhe moskrijimi i FAK-ut mund ta sjellë një krizë të re parlamentare, të cilën serbët e Kosovës do ta shfrytëzojnë për ndarjen e mundshme të territorit, duke e hapur një konflikt të ri, që në këto rrethana duket se më së paku na konvenon ne.

A do të jetë kjo verë e nxehtë në rajonin e Ballkanit dhe se a do të dimë ta menaxhojmë këtë situatë, kjo do të varet nga temperaturat, por nëse vazhdojmë dhe i injorojmë porositë që po na vijnë nga Lindja, por edhe nga Perëndimi, kësaj radhe mund të dalim edhe të humbur.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT