E marte, 23.04.2024, 12:32 PM (GMT+1)

Kulturë

Poezi nga Bilall Maliqi

E merkure, 03.06.2015, 07:11 PM


Bilall Maliqi

HORIZONTET E MËRZISË

Kur njëherë përmendet fjalë e ndarjes
Merr hov posi shigjeta e hedhur nga harku

Maja e saj shpon tej për tej shpirtin
E në shtizë varet dhembja e gjakosur

Nuk ndalen lotët e dalur nga pellgu
Ato pikojnë e lagin cakun e qullur të plagës

Kur shprishet kujtesa e mbledhur ndër mote
Shqetësimet të bartin nëpër horizontet e mërzisë

Brenda rrethit të psherëtimave futet vetmia
Dhe ngritet një ngrehinë e zisë para dashurisë

(22 janar 2015)

 

CA FJALË TË GURTA

M’i zuri veshi ca fjalë
Tek dilnin si nga kazani me ujët e valuar

Të idhëta ishin posi pelimi
Që ma idhëtuan shpirtin e shpirtëruar në ty

M’i shprishën vuajtjet pak të pushuara
E ma ndan zemrën në dysh me ngrehinë harrimi

M’i zuri veshi ca tingëllima
Tek tingëllonin në kokën time të nxehur e hallakatur

Fjalë ndarëse ishin me kufi dëshprimi
Të gurta që u ngulitën në mes dashurisë e bashkimit

(20 janar 2015)

 

PRANË BUZËQESHJES

Para times buzëqeshje 
Qëndron hija jote gatitu

Unë i ngrirë në heshtje

Në mua zhurma e mendimeve
Dëgjohet si në koshere bletësh

Faqeve të lëmuara të gurit 
Shikimi im rrezaton

Për të pikuar pak dritë sy
Sa për ta gjetur tënden fshehtësi

Para times buzëqeshje
Hija jote e tëra u shkri në dashuri

(19 janar 2015)

ROJE HIJA IME

Diku në skaj të portës fshihem
Në krevatin e ëndrrës shtrihem

Loti me lotin përzihet
E në skaj të pellgut fshihet

E shenjta fjalë ndër dhëmbë ngrihet
Me zjarr të dashurisë shkrihet

Tëndes pikturë me plot gëzime
Buzëqeshur i bënë roje hija ime

(17 janar 2015)

 

BESË E PRERË

Besë i zumë kohës
Ajo na futi në labirinth

E na mveshi 
Me këmishë të zezë

Ngeli diku pak bardhësi
E tëra në mjegull u shkri

Kur i zumë besë fjalës
Nga gërklani dilnin klithma

(13 janar 2015)

 

MBULOHET HESHTJA

Me hirin e qetësisë
U mbulua heshtja

Asnjë erë s’e shpaloi
Vetminë e paluar

Gjithçka ngelet 
E ngjyrosur me bojë hiri

Vetëm kujtimet ngjiten
Pas hijeve të ngrira

(10 janar 2015)

 

DO TË KËRKOJ

Valët e parehatuara
Shpalosin dhembjen time
Mbuluar me fije të shpeshta heshtjesh

Ajo qëndron e freskët 
Nga mungesa jote prej kohësh
Murosur në shpirt si ngrehinë e zezë

Ndarë është malli i thinjur 
Me kokë guri në pushimore të shpirtit
E lagur sa me lot gëzimi, sa pikëllimi

Unë do ta mposhti vetminë
Me gjithë mallin e thinjur që kam për ty
E do të kërkoj nëpër shtigje të hapura të ëndrrës

(07 janar 2015 )

 

BRENDA TEJE

Brenda krahëve të tu u futa
Të më shtrëngosh tok me mallin

Copëzat e shikimit
Të m’i futësh në dioptrinë e kujtimit

Të madhen ngrohtësi
Ta kërkosh nëpër hulli të vargjeve të mia

Në tingull violine
Ta gjesh vajin e mbërthyer nga kohë çmendurie

U futa brenda teje
Ta mbushi boshtësinë time me ngrohtësi dashurie

(05 janar 2015)

 

UDHËS SË MOÇME

Udhës së moçme më pëcillje heshtas
Dhe u fshehe rrethë trupit të lisit plak

Nëpër çdo gjeth degash nga një emocion
Që ndezë tënden fytyrë gati të kuqëluar

S’e pritja dot ardhjen tënde tani të vonuar
As buzëqeshjen e tretur e moti të harruar

E ti rrugëtove shtigjeve me borë mbuluar
Për të më takuar e gëzuar në cakun e lumnuar

Udhës së moçme i mas hapat e kthimit
Nëpër degë lisi kacaviren dëshirat e bashkimit

(02 janar 2015)

 

NJË BARDHËSI

Kujtimet u rrokullisen
Poshtë ngrehinës së mallit

Plot gëzime e urime
U ndeshën 
Me të gotave cakërrime

Shumë dëshira u fshehën
Kthinave të ëndrrës

Për t’mu shfaqur 
Çasteve të lodhura vetmitare

Mandej e tërë nata u gjumos 
Dhe u shkri në qetësi

M’u në mes të moteve 
U puç një bardhësi me dashuri

(01 janar 2015)

 

PAPRITUR

Në arkën time palova një kohë 
E zura në të ikur 
Papritur

Nga ai cak
I korsisë së hapur
Nis një fillim i ri

Papritur
Brenda meje seç u shkri
Një dashuri

(07 dhjetor 2014)

 

 

 

HESHTJA

Nganjëherë është e dendur heshtja
Sikur mjegulla në Luginë

Shtrihet në shtratin e vikendit
Nën mbulesën e motit të pist

Netëve të pagjumta fryhet
Agimeve të kuqërremta shfryhet

Varet nëpër maje fijesh të thinjura
E thepave të kohës shpesh vritet

(23 nëntor 2014)

 

BIBLIOGRAFI

 

Bilall Maliqi është shkrimtar, poet dhe publicist. U  lind më 8 prill 1969 në fshatin ElezBali, komuna e Preshevës. Shkruan poezi dhe prozë për fëmijë e të rritur. Merret edhe me kritikë letrare. Bibliografi letrare: Poezi për të rritur: 1.“Rrugëtimi’, 2004, 2.“Rrugëtim përjetësie”, 2005, 3.“Perëndim i varur”, 2006, 4.“Vula e kohëzezës”, 2007, 5.“Gërfyejt e shpresës”, 2008, 6.“Lutje të lagura”, 2009, 7.“Nën strehën e kujtimeve (Sotto la gronda dei ricordi), 2012., 8. “Në thellësi të ëndrrës”, 2012, 9. “I kthehemi ëndrrës” (poemë), 2013, 10. “Sheshi i fjalëve” (poema), 2014, 11. “Rrugët e shikimit” (Paths of vision”), poezi, 2014. Poezi për fëmijë: 1. “I lutemi Zotit (poezi fetare), 2006, 2.”Kodra e luleve”, 2007, 3. “Hëna flet me lule”, 2010. Prozë për fëmijë: 1.“Gëzim dhe drojë”, 2005, 2.”Shtëpia afër pyllit”, 2008. Publicistikë: “Ide të trazuara”, 2009. Aforizma: “Aforizma”, 2013. Vështrime kritike: 1.”Mbresa vrojtuese”, 2010, 2. “Hullive artistike”, 2011, 3. “Semantika e shtrirjes krijuese”, 2013.

 

Antologjitë: Në panoramën e krijuesve të Kosovës Juglindore "Psherëtimë për tokën" të shkrimtarit Hysen Këqiku (2004); Në leksikonin "Autorë të letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj 1886-2009” të prof. as. dr. Astrit Bishqemit; Në Antologjinë poetike shqip-suedisht "Baladë e përflakur" (Fllammande ballad) të Sokol Demakut, (2009); Në Antologjinë poetike "Jehona e shekujve" të Sokol Demakut, (2010); Në Antologjinë poetike Ndërkombëtare “Korsi e hapur” (Open lane) e Kristaq Shabanit, (2012); Në Antologjinë poetike të Dr. Fatmir Terziut “Lotët e virgjër” (Virgin Tears), (2012); Në Antologjinë poetike belge frëngisht-shqip “Anthologie de poètes albanophones”, (2012); Në Antologjinë poetike të Luan Malokut “Muza ime”, 2014; Në Antologjinë poetike “çamëri zemra ime” të autorëve Fatime Kulli dhe Kolec Traboini, 2014; Në antologjinë poetike “Jam pjesë e qiellit tënd” nga Baki Ymeri; Në Antologjinë poetike “Fluturim pulëbardhash” Durrës; Në Antologjinë poetike “Nga gjerdani kombëtar” (70 poetë) Prizren. Publicistika: Bashkëpunëtor dhe redaktor i kulturës në të përjavshmen “Nacionali”. Shkruan edhe në gazeta ditore të Kosovës dhe të Maqedonisë si: "Epoka e Re", "Zëri", "Kosova Sot", “Bota Sot”,  “Bota press” "Fakti ditor", "Lajm", “Nacional” etj. Është themelues dhe kryeredaktor  i revistës letrare "Qëndresa" që del në Kosovën Lindore. Ka redaktuar dhjetëra libra të zhanreve të ndryshme, dhe recensentë në libra të shumtë. Është kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve "Feniks" në Preshevë; Është Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës; Anëtar i Ars Club "Beqir Musliu" Gjilan; Anëtar i Bordit drejtues i “Galaktika Atunis”; Kryetar i “Atunis Lugina” me seli në Preshevë. Jeton dhe krijon në Preshevë.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora