E shtune, 20.04.2024, 08:06 AM (GMT+1)

Mendime

Ndue Dedaj: Polifoto ministrash në mur

E merkure, 03.06.2015, 07:44 PM


POLIFOTO MINISTRASH NË MUR....

NGA NDUE DEDAJ

Kush ka shkuar në Theth këto kohë ka parë jo veç kullën e ngujimit në shkëmb, unike në krejt malësitë shqiptare, po dhe një obelisk nga më interesantët në gur, kushtuar “Mbretëreshës” së pakurorëzuar të shqiptarëve, Edith Durham. Një reliev që jep e merr njëherësh me shqipet e xhubletat, me historinë e të sotmen. Ndoshta kur zonja angleze shëtiste në këto male nuk e kishte shkuar ndërmend se pasardhësit e atyre njerëzve që e kishin dashur e pritur bujarisht në votrat e tyre do t’i kushtonin një memorial të gurtë rrezë Bjeshkëve të Namuna. Por ky është çmimi i përjetësisë së një vepre të pashoqe humane, që nuk ta jep asnjë protokoll zyrtar. E kush nuk do ta lakmonte që të ngrihej kaq lart në nderimin e një populli? Por ka dhe një stil tjetër përjetësie që vjen nga protokolli i shtetit, jo fiks nga një zyrë e tillë diku në qeveri, por thjeshtë nga të qenit njëherë ministër, qoftë dhe rastësisht; kaq duhet këndej nga ne që befas të të marrë polifotoja e përjetësisë. Ndaj, o njerëz, ju që nuk doni të lodheni me karrierë artistike, shkencore, profesionale gjithë jetën, bëhuni ministra, deputetë, drejtorë të lartë agjencish shtetërore, qoftë dhe një sezon, pak rëndësi ka se sa e si, ama pas kësaj fotoja juaj nuk do t’i mungojë përjetësisë. Apo vetëm përkohshmërisë? Në njërin nga hollet e Ministrisë së Kulturës, te godina e mëparshme te Rruga e Kavajës,  gjendeshin të gjithë portretet e ministrave që kanë drejtuar këtë dikaster që nga fillesa, ku i pari në qeverinë e pas Luftës ka qenë Sejfulla Malëshova. Të kuptohemi, nuk është fjala aspak për zotërinjtë ministra si individë, të cilët gëzojnë gjithë respektin si ish-funksionarë të lartë të shtetit, por te dukuria e afishimit muzeal të tyre për këtë shkak. (Pa thënë se jo pak nga ministrat e Kulturës njihen nga publiku shumë më tepër për qenien e tyre shkrimtar, artistë etj. se sa për detyrën ministrore që kanë kryer.) Duam apo nuk duam ne, për shumëkënd shihet si një normë që në një institucion shtetëror të jenë varur në mur fytyrat e atyre që e kanë drejtuar atë kohë pas kohe, ndaj kjo gjë vërehet dhe në Ministrinë e Jashtme, në Gardën e Republikës, në Arkivin e Shtetit, nëpër bashki, komuna etj. Ti që je ngjitur atje lart e di se vërtet një ditë do të largohesh nga posti shpesh çudibërës, ama fotografia jote do të “ngrijë” në mur përgjithmonë. Duket si një lloji çmimi, medalje, titulli, dekorate që ia kalon çdonjërës nga ato që jep Presidenti i republikës, pasi ti tashmë je aty, në panteonin zyrtar të kulturës, në mur, askush nuk mund të të shkulë më prej andej, edhe nëse nuk ke patur ndonjë shkëlqim kushedi në atë zyrë. Po a është ky panteoni i vërtetë? Në mungesë të një panteoni shqiptar, do të kishe dashur që në vend të ministrave të nderuar për detyrën që kanë kryer, të shihje në muret e Ministrisë ca “ministra” të tjerë të kulturës së vendit tënd, si Gjon Gazulli, Aleksandër Moisiu, Karl Gega, Elena Gjika, Tefta Tashko Koço, Nënë Tereza, Musine Kokalari, Gjon Shllaku, Ismail Kadare, Kadri Roshi, Ibrahim Rugova, Vaçe Zela, Nexhmije Pagarusha, Inva Mula, Aristidh Kola, Françesk Altimari etj. Mirëpo fill do të kundërshtohemi se kjo nuk është një praktikë vetëm e jona, dhe në Shtëpinë e Bardhë janë portretet e presidentëve të Amerikës, se diçka e tillë do parë e lidhur me historinë e institucionit, vlerësimin që publiku ka për qeveritarët e vet etj., kurse ikonat kulturore të kombit kanë tempujt e tyre ku mund të afishohen (katedrat, teatrot, galeritë e artit etj.), logjikë që natyrisht qendron, por jo vetëm në mjediset kulturore, për vetë rrethanat social-kulturore politike që ka kaluar Shqipëria. Na shkruante këto ditë një profesoreshë e Gjuhëve të Huaja nga emigracioni: “Rasti e solli të merrja pjesë në një veprimtari që zhvillohej nga sindikata e arsimit në një shkollë të mesme në Amerikë. Shkolla ishte me një arkitekturë shumë e vjetër dhe ngjante me shkollat në Angli, por ajo që më bëri përshtypje ishin fotografitë e drejtorëve ndër vite në muret e shkollës. Fotografitë mbanin emrat e tyre dhe vitet kur kishin qenë drejtues të saj. Kjo shihet si pjesë e historisë së shkollës dhe arsimit, njihet kontributi i atyre që kanë punuar në këto institucione, por është dhe një kujtesë për të gjithë ata që vijnë në atë post, që të punojnë fort dhe me ndershmëri që puna e tyre të mbahet mend. Kjo më kujtoi një nismë të marrë nga njëri nga ministrat e Arsimit në Shqipëri, i cili kishte vënë në murin e shkallëve të Ministrisë fotografitë e ministrave të Arsimit në vite, që fillonin me Luigj Gurakuqin dhe deri me ata të fundit. Por një ministër që erdhi pas disa vitesh i hoqi ato me pretekstin se aty ishte dhe fotografia e Manush Myftiut, Tefta Camit etj., sigurisht një qendrim i skajshëm i një “nxënësi” të atij regjimi. Historia nuk mund të fshihet dhe aq më pak njerëzit që kanë vënë një tullë në atë godinë të madhe të arsimit, pavarësisht nga koha kur kanë punuar.” Ndodhia është e re, por historia është e vjetër. Ne kemi shtatëdhjetë vjet që heqim dhe vëmë fotografi. Tani e kemi më kollaj, por dikur specialistëve u duhej t’i retushonion për merak fotografitë që iu prishej biografia rrugës. E kjo ka nisur me foton e Enver Hoxhës në 36-n në Shkodër, gjatë ceremonisë së tërheqjes së eshtrave të Çerçiz Topullit e Muço Qullit, pasi në atë fotografi në ato kohë kishte dalë dhe At Anton Harapi e kjo tashmë nuk i shkonte për shtat udhëheqësit komunist, paçka se atëherë kishte folur në ballkonin shkodran si një djalosh gjirokastrit i gjeneratës së re. Përpos klishesë së krijuar për t’i patur portretet ministrore në murin e ministrisë, këtu nis dhe problemi, te retushimi që ne u kemi bërë sistematikisht fotografive historike, përfshi dhe periudhën e tranzicionit. Fundja kjo puna e fotove në mur është një skemë e krijuar nga administrata, pa ndonjë vendim qeverie, thjeshtë titullarët e institucionit e kanë patur në dorë ta ngjisnin portretin e tyre aty dhe e kanë vënë. Kështu kanë bërë dhe kryetarët e bashkive, madje diku dhe i kanë pikturuar portretet e tyre. Me këtë stil bihet deri te përgjegjësit e shërbimeve komunale. Pyetja është e thjeshtë, po kryetarët e kooperativave bujqësore, drejtorët e fermave, të minierave ku i kanë fotografitë e karrierës së tyre shumëvjeçare? Po kryetarët e gjykatave të mbyllura vitet e fundit në disa rrethe? Ku do të venë fotografitë e kryebashkiakëve që iu mbyllën bashkitë me reformën e re territoriale? Po sikur nesër të shkrihet një ministri, ku do të sosin fotografitë e ministrave të “shkrirë”? Konkretisht, ku shkuan fotografitë e kryetarëve të Lidhjes së Shkrimtarëve, kur godina e tyre u bë ministri Kulture? Në rastin më të mirë në depon e godinës, për të mos dalë më prej andej. Kaq shumë pyejte dhe pikëpyetje, sa më mirë do të kishte qenë me heq dorë nga kjo puna e polifotove ministrore. Në një Shqipëri diktatoriale me një të kaluar politike dhe ideologjike të rënduar është mjaft e vështirë për t’u ndarë se cili e meriton “murin” e nderimit e cili jo. Ta zëmë, te “Shtëpia e Gjetheve” të ish-policisë së fshehtë do të vihen fotot e kolonelëve e gjeneralëve të armës së “dashur” represive të Sigurimit, apo ato të goditurve prej saj? Kur sheh fotot e ministrave që vihen e hiqen nga muret e ministrive të vjen ndërmend parada fotografike e Byrosë Politike që dikur shfaqeshin në çdo fasadë publike e deri në galeritë e thella, disa duke rënë e disa të tjerë duke u ngritur, për t’u rrëzuar dhe ata një ditë.

Eh, kjo puna e fotografive, e secilit nga ne. Selfie pa fund. Qytetarë të thjeshtë dhe ministra. Ka përligjien e vet kjo deri sa nuk është kthyer në sindromë. Por krahas fotos sonë vetjake, le të kujtohemi dhe për të tjerët, ata që na bëjnë nder, nganjëherë më shumë si i bëjmë ne vetes, paçka funksioneve që kemi mbajtur. A keni parë ndokund ndonjë kartolinë me portretin e Mbretëreshës Geraldinë, që t’ua dhurojmë të huajve, le pastaj ndonjë shtatore elegante apo memorial kushtuar Saj? Të paktën neve nuk na e ka zënë syri. Mund të ishte në Tiranë në ndonjë rrugë, park, apo te kodrat e liqenit. Mund të ishte kudo në Shqipëri e ndër shqiptarë, si një ikonë e një fisnikërie të urtë të pabjerrë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora