Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gorica: Shpella e Pëllumbasit - monument natyror

| E marte, 02.06.2015, 07:20 PM |


Në hyrje të Shpellës së Pëllumbasit

SHPELLA  E  PËLLUMBASIT  NJË  MONUMENT  I  MADH  NATYROR

NGA PËLLUMB GORICA

Shqipërisë natyra i ka dhuruar bollëk bukurish e pasurish, ndaj udhëtimet drejt tyre, në kuptimin më të gjërë, janë dije dhe domosdo një kënaqësi e veçantë. Kjo herë pas here me pasionin e udhëtarit dhe miqtë adhurues me zhvendos. Një nga bukuritë e shumta natyrore është Shpella e Zezë e Pëllumbasit, që ndodhet rreth 25 kilometra nga Tirana, në të majtë të luginës së lumit Erzen. Ajo, vitet e fundit, tek çdokush, po zgjon një kuriozitet të veçantë,  e përherë e më tepër një vëmëndje për t’u vizituar.

Janë orët e para të mëngjesit. Në qiell lodrojnë bashkësi resh puplore si një gdhendje e zakonshme harte. Penelatat e dritës dhe freskia e bëjnë udhëtimin të këndshëm. Të udhëtosh në një ditë të tillë është vërtet kënaqësi, kur kalon edhe përmes një zone të populluar gjatë gjithë gjatësisë së saj, e ku ndihet më shumë dora e ndryshimit, jeta që zien gjallërisht. Këtu ndërtimet e shumta dhe të bukura i kundëron anë e kënd me tërë hollësitë shtrirë tej në hapsirat e ndara të rrugëve, fushave, kodrave. Gurgullima e lumit Erzen të shoqëron kilometra më tej dhe e ndjen thellë kur udhëton këtu. Erzeni është një prej rrjedhave ujore më piktoreske të Shqipërisë së Mesme, që gjatë stinës së përtëritjes vishet me një pamje gjelbërimi të harlisur deri në lartësitë e shpateve malore. Mendja dhe dora e njeriut i kanë zbukuruar edhe më shumë me ndërtime çlodhëse dhe kënaqësitë që pret të shijosh janë të shumta, por edhe njëkohësisht ndrydhje në shpirt për Tiranën e mbuluar nga smogu. Ndaj dhe bukuritë e rralla natyrore që të ofron lugina e Erzenit mbeten përherë potenciale për turizmin.

Udha gëlon nga trafiku i shumtë i makinave me hyrje- daljet për në Tiranë, ndërsa mikrobuzi me të cilin udhëtojmë ne mori kthesën manjtas, duke u ngjitur kodrave drejt Pëllumbasit. Mozaiku i peisazhit të gjelbëruar ndërron pas çdo kthese. S’mund të mos jesh i vëmëndshëm pa i vështruar aq mirë të veçantat e tij, teksa ngjitemi nëpër të përpjetën e një varg kodrinash të cilat ulen para rrjedhës gjithë dredha të Erzenit. Gjarpërimeve të rrugës mespërmes këtij peisazhi të mbuluar nga gjelbërimi natyror u shtohen edhe tokat e mbjella pëllëmbë për pëllëmbë dhe gjithfarë bimësh e drurësh frutorë, që nga ullinjtë me trungje gjithë gunga e kurorë të gjërë, arrat, qershitë, kumbullat e deri tek vreshtat e rinj. Ndërmjet tyre shtrihet vendbanimi i Pëllumbasit në një hapsirë të madhe e tërsisht të hapur nën këmbët e malit të Pashkasheshit, ku ashpërsia shkëmbore e tij i qëndron si mburojë. Jeta rrjedh këtu me gjithë dimesionin e saj edhe pse të shpalos një botë vështirësish me përpjekjet e banorëve për ta përballuar atë me punën në bujqësi e blektori.

Shpella e Zezë e Pëllumbasit, kjo mrekulli natyrore përrallore ndodhet në lartësitë shkëmbore të malit të Pashkasheshit. Le të vazhdojmë udhëtimin tonë drejt saj, duke biseduar, në një udhë këmbësore tepër të ngushtë, që sa vinte bëhej më e pjerrët. E  mbrojtur nga parmakë druri dhe e ngjitshme nëpër disa valëzime shkallaresh, të ndërtuara vitet e fundit hijeshohej nga pylli i dendur i shkozave. Aty këtu stola prej druri të krijojnë mundësinë të qëndrojmë për të bërë pushim e më mirë të themi të çpihemi pakëz nga lodhja e ngjitjes së mundimëshme. Kush ka ardhur këtu e nuk është mrekulluar nga madhështia e maleve të Pashkasheshit, Priskës (Skëterrës), dhe Dajtit përbri, që ngrihen si një gardh madhështor në lindje të Tiranës dhe pellgut të saj. Nga kjo lartësi mbisunduese, pamjet e hapsirave të largëta që sheh syri shfaqen si në pëllëmbë të dorës deri tutje, e të duket vetja sikur do të fluturosh. Tanimë ne jemi afër maleve dhe po udhëtojmë me vështrimin, duke i soditur nën simfoninë e zërave të ndryshëm dhe erës që hedh valle me flatra pëllumbash mbi kokat tona. Mali i Pashkasheshit i veshur me drurë dhe bimësi të shumtë të bën përshtypje me pasurinë e pafundme dhe të shumëllojshme të tyre si: shkozë, frashër, fier, sherbelë etj. E thith ajrin e pastër me rreze dielli bujarisht e ngrohtësisht,  shijon kundërmimin e aromave ndjellëse dhe mbushesh me gjallëri. Këtu duket se merr kuptim edhe fjala: të mbushesh me frymë, sidomos ne që jetojmë në Tiranë. Hapat tanë krijojnë zhurmën kërcitëse nëpër gurë dhe çaste të tilla të rralla janë më frymëzuese. Të mungojnë fjalët për ta përshkruar më shumë, por të duash peisazhet impresionuese jo vetëm fizikisht, edhe me ndjenjat e shpirtit, është më të vërtet një kënaqësi dhe me tepër se kaq. Në pjerrësinë shkëmbore të malit të Pashkasheshit dhe pikërisht atë më të thiktën, që koha i ka dhënë format e saj, është hyrja e shpellës. Duke iu referuar pozicionit gjeografik , Shpella e Zezë e Pëllumbasit ndodhet 350 metra mbi nivelin e detit. Ajo të shfaqet befas e që vjen duke u zgjeruar përherë e më shumë kur i afrohesh. Që në hyrje përfshihesh nga gjithë ato emocione dhe para syve me zemër i mbledh ato. Por, pak përtej pamjes së saj, një farë mërzitie të shkaktohet nga blana ngjyra - ngjyra emrash dhe datash të shkruara prej vizitorësh të papërgjegjshëm. Si kudo në Shqipëri kjo është kthyer në fenomen shqetsues, dhe një realitet i kohës që po jetojmë dhe i shoqërisë e cila fatkeqësisht po vazhdon të dëmtojë të tjera  vlera të papërsëritshme të natyrës. Shpella e Zezë e Pëllumbasit shtrihet në një thellësi prej 300 m (e eksploruar) dhe të tërheq vëmëndjen me formën e saj, por edhe me ndërtimin e brendshëm, si në thellësinë e një galerie të s’tërmadhe miniere. Siç do të shihnim më tutje doemos ajo të fut në një botë misteresh e një ndjesi ndryshe. Në thellësinë e saj heshtja thyhet nga hapat tanë të kujdeshëm, shushurimat e lakuriqëve të natës dhe pikat e ujit më kumbuese që bien nga tavani shkëmbor. Elektrikët e dorës çajnë errësirën dhe ne të zhytur për ta eksploruar ecim lehtë nën impresionet e pamjeve dhe ndjesinë rrënqethëse të freskisë së ajrit të lagësht. Me dëshirën t’i vështrosh gjatë, të mrekullojnë stalagimite gjithfarë formash dhe në dyshemenë e saj stalaktite, dikur të shumta, por sipas banorëve të Pëllumbasit ato janë vjedhur. Interesante janë gropat në dysheme, por edhe tavani i shpellës me togëzimet gëlqerore të gurëzuara dhe me struktura nga më të çuditëshme. Më tej shfaqen si skulptura të gdhendura prej shekujsh, kollonat, ku më shumë e ku më pak janë ruajtur nga dëmtimet. Shpella e Zezë e Pëllumbasit është një ndër gjashtë shpellat më unikale në Europë. Flitet se është e 10 mijë vjetëve më parë, por s’dihet prej sa kohe është zbuluar, veç faktit se studiuesit e fushës speleologjike e kanë zbuluar tepër vonë këtë mrekulli natyrore shqiptare. Vetëm 20 vite më parë janë kryer studime rreth saj, duke përcaktuar disa periudha të zhvillimit njerzor që nga neoliti, e bronxit dhe e hekurit. Nga gjetjet arkeologjike me interes janë zbulimet e disa enëve, kocka të kafshëve e sidomos të arinjëve të shpellave. Kjo shpellë meriton më shumë kujdes dhe studime nga organizmat hulumtuese, për vetë faktin e zbulimeve nga eksplorimet rreth mistereve të saj. Edhe pse është zbuluar vonë ka patur informacione interesante në kuadrin e gjurmëve dhe lashtësisë, sidomos ai i gjuhëtarit elbasanas, Kostandin Kristoforidhi. Jo pak legjenda e bëjnë këtë shpellë vend tepër mistik. Sipas tyre të treguara, dikur këtu jetonte një qënie misterioze që nuk pranonte të hynte askush në shpellë. Ndoshta mund të ketë qënë një e tillë dhe këtë fakt e sjellë historia gojore, sepse për të nuk ka asgjë të shkruar, por kjo bie poshtë po t’i referohemi atyre të thëna kur në vitet e luftës së dytë Botrore është strehuar e gjithë popullsia e krahinës së Bërzhitës.

Nën pushtetin e emocioneve dhe kënaqësisë dalim nga shpella në një peisazh tjetër e shumë të pranueshëm për sytë tanë. Pastaj pa u ndalur morëm rrugën tatpjetë shpatit shkëmbor të mbushur me drurë të dendur, atje ku gurgullon lumi i kaltër i Erzenit. E tatpjeta nuk zgjat më shumë se 20 minuta, por e thepisur dendur. Lumi këtu e ndërpret shpatin shkëmbor në një grykë të ngushtë (Gryka e Skuranës). Rrjedha e ujit në kohëra i ka ronitur shkëmbinjtë,  duke krijuar forma të ndryshme e të çuditëshme: ujvara me lartësi 3-10 m, pellgje pas pellgjesh e po ashtu kanione të vogla. Në të dyja anët një pyll drurësh të shumtë fëshfërin lehtë me freskinë e malit e së bashku me pamjet tërheqëse e tepër piktoreske të dhurojnë kënaqësi. Pas një orë çlodhje nëpër gurë e hijet e pemeve buzë lumit ujëpastër, pikërisht atëherë kur ndenja shpirtërore e përmbushi kënaqësinë e çlodhjes, morëm udhën përposht rrjedhës së Erzenit. Duke kapërcyer nga një gur tek tjetri, tatpjetë një shtegu të ngushtë dredha - dredha, që ndërpritej herë pas here nga një bimësi e harlisur  kaluam ngjitur masive shkëmbore që lartësohen mjaft ashpër. Një udhë, e cila thuajse gjatë gjithë gjatësisë së saj ecën afër lumit, e shëndërrohej në një rrjedhë të vrullshme me brrylime të befta e të papritura. Më pas vazhduam në një pllajë të gjërë me drurë, që nuk janë aq të lartë, por të shumëllojshme dhe të kultivuara nga banorët, i kundërojmë endshëm të përshëndetur nga rrezet e diellit teksa përthyhen në shpatin shkëmbor të malit. Emocionohesh nga bukuria e natyrës, kënaqësia e ecjes dhe pushimit pak çaste këtu në një gjelbërim të tillë me ndjesinë e të qënit mik i saj. Si në çdo rast tjetër kur peisazhet e bukura dhe kjo na e hoqi lodhjen si me dorë. Këto janë disa nga mrekullitë e natyrës këtu, pasi ka dhe shumë të tjera, që përbëjnë pjesën më atraktive jo vetëm për një adhurues të natyrës, por edhe për një vizitor të thjeshtë. Na mbetet vetëm t’i admirojmë e sigurisht t’i fotografojmë.

E kemi shijuar bukurinë e këtyre peisazheve piktoreske, vetëm për pak orë, larg nga pluhuri i Tiranës dhe me vete kemi marrë kënaqësinë e një dite të veçantë. Sa më shumë që largohemi, aq më shumë ndjejmë brenda vetes gjelbërimin, aromën e luleve, gurgullimën e ujrave dhe rrahjen e krahëve të pëllumbave. Enigma e shpellës vazhdon në heshtje ta mbështjellë ende atë. Enigmë me krahë pëllumbash.

Lugina e Erzenit


Malet e Skorranës dhe Pashkasheshit


Rruga e mbrojtur nga parmakë druri


Hyrja e Shpellës së Zezë të Pëllumbasit


Stalagimite të shpellës


Stalaktite në brendësi


Kanioni i Erzenit


Ujvara të vogla


Nga një gur tek tjetri,  shtegut të  ngushtë