E marte, 21.09.2021, 01:14 PM (GMT+1)

Kulturë

Albert Vataj: Walt Whitman, poeti "shenjtor"

E diele, 31.05.2015, 12:50 PM


Walt Whitman, poeti "shenjtor" që shëlbeu shpirtrat e drobitur

Nga Albert Vataj

Sot 196 vite më parë, më 31 maj 1819, lindi poeti Walt Whitman.

Ai beh papritmas dhe në koherencë si një vullnet i epërm, me hovet e gjallimit të një ngulmi përtëritës. Erdhi në atëkohjen kur kremtohej pavarësia amerikane. Erdhi si një kumtues i një vepre që lartësonte shpirtin e atij populli, asaj njerëzie që rrëmon ngadhnjyeshëm mes rrënojave të luftës, kujtesës së britmave dhe apoteozës së dhimbjes, shpresën shpëtimtare.

Ai do të vinte me një mision të shenjtë. Jo medoemos si një dishepull, as si një apostull, por një rrëzëllimë drite që feks befas në qiejt e ngrysur prej reve të luftës, në tokën e mbjellë me varre e në shtatin e drobitur, e përplot vrragë të një shoqërie.

Jo rastësisht, për vite të tëra vepra e Walt Whitman është konsideruar si Bibla e demokracisë amerikane, shpirti i shpresës, emblema e një shteti në rritje, simboli forcës që lind nga mundi dhe nga puna, nga nevoja e dëshirimit të jetës. Në poezinë e tij, individi shndërrohet në komb. Poezitë e tij erdhën si lajmi i mirë i ngjalljes së shpresës. Nevoja e këtij shpirti për të kënduar, jetësoi kësodore shprehinë demokratike të miliona amerikanëve dhe jo vetëm. Me një gjuhë të përzier e krejtësisht personale, poeti në lirikat e tij kompozon një himn të pasionuar të mundësive ideale të individit dhe të botës, duke lartësuar dhe stërpikur me puhiza të hyjshme, natyrën njerëzore dhe mrekullinë e realitetit të përditshëm. Ai ishte i njimendtë si një vullnesë e shenjtë, kjo ndoshta edhe për vetë shpirtin e atij populli që hapi kanatat dhe e mishëroi atë si një fluturim parajsor.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora