Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Doli nga shtypi libri “A di Zoti shqip” i Gani Mehmetajt

| E diele, 31.05.2015, 02:35 PM |


Fragment

...Pinjolli i fisit të Kelmendit, Gjergj Pjetri (turqisht Karagjorgji, serbisht Gjorgje Petroviq) udhëhoqi kryengritjen e të krishterëve kundër Perandorisë Osmane në territorin e sotëm të Serbisë. Për ta ndëshkuar kryeneçësinë e tij, pushtuesit turq bënë hakmarrje të tmerrshme kundër shqiptarëve ortodoksë, kreu i të cilëve e udhëhoqi këtë kryengritje, ndërsa bajraktari serb, Milosh Obrenoviqi, një fshatar i pagdhendur që u pasurua në kohën e Turqisë, u lidh me turq dhe ua ofroi kokën e Gjergj Pjetrit, për ta qetësuar zemërimin e Perandorisë Osmane. M. Obrenoviqi me serbët e vet vranë në pabesi pinjollin e fisit të Kelmendit, kokën e të cilit ua dorëzuan turqve dhe e hapën rrugën për autonomi, duke u pavarësuar shkallë-shkallë...

...“Gjuha shqipe është gjuhë e Perëndisë”, shkruanin të mrekulluar rilindësit e mëdhenj, ndërsa përpiqeshin të shkëputeshin nga robëria pesëqindvjeçare osmane.  Por, hoxhallarët, Bashkësia Islame e Kosovës, me bashkësitë simotra në Shqipëri, Maqedoni e Kosovën Lindore duan të na bindin se Zoti nuk di shqip. Sipas tyre, Perëndia e kupton vetëm gjuhën arabe, prandaj të gjitha lutjet, ritualet dhe ceremonitë mortore bëhen në gjuhën arabe. Kundër bindjeve të ngulitura thellë në etnopsikologjinë shqiptare se filani është i biri i filanit, hoxhallarët ditën e varrimit të vdekurin e thërrasin në emër të nënës, duke ia vënë në dyshim atësinë! Emërtimet e festave fetare janë në gjuhën turke, por kurrsesi në gjuhën shqipe. Kështu Festës së Flijimit ata i thonë turqisht Kurban Bajram, ndërsa të gjithë shqiptarët besimtarë e jobesimtarë e përsërisin me papagalli në të njëjtën mënyrë.