E premte, 29.03.2024, 12:36 PM (GMT)

Mendime

Dukagjin Hata: Politika nuk e do disidencën

E diele, 31.05.2015, 02:09 PM


Politika nuk e do disidencën estetike dhe disidentët e vërtetë

Nga Dukagjin HATA

Aty nga mesi i viteve 90, kur isha redaktor në gazetën “Rilindja demokratike”, tentova t’i merrja një intervistë shkrimtarit disident Kasem Trebeshina, megjithëse e dija një lloj “alergjie” të tij ndaj gazetave dhe gazetarëve, që jo rrallë  ia kishin sjellë në majë të hundës me zullumet e tyre. Nejse, e takova dhe teksa po pinim kafe në një nga kafenetë e qendrës së Tiranës, ia parashtrova kërkesën për intervistë. “Do të ta japë, më tha pak a shumë, por dua që ta dishë se politikës nuk i interson disidenca. Politikës, e çfarëdolloj krahu e ngjyre qoftë,  i interesn konformizmi, servilizmi, fshehja dhe manipulmi i të vërtetave”.  Sot, pas njëzet vitesh, mendoj se ai kishte të drejtë, pasi nëse kemi arritur njëfarë zhvillimi ekonomik, falë konkurencës së lirë, nëse hamë diçka më më mirë e vishemi më mirë, shpirti ynë është varfëruar shumë dhe politika është shkaktarja e madhe e kësaj.

Disidenca po bëhet një fantazëm që vërtitet tutje-tëhu sa në faqet e gazetave, në studio televizive, aq në podumet politike, por nuk po kuptohet kush është shenjti e kush dreqi, kush ka qenë dissident e kush persekutor. Më së shumti ulërijnë në kor ata që kanë qenë censorë, që për shkak të militantizmit të tyre politik të sëmurë, përgjonin deri dhe jetën intime të shkrimtarëve dhe artistëve,  iu bllokonin botimet dhe iu censuronin veprat.

E vërteta është se Shqipërisë nuk i kanë munguar rastet ekstreme të persekutimit për shkak të krijimtarisë artistike, (letërsi, pikturë, muzikë…) aq sa shumë shkrimtarë, artistë, kulturologë ose janë detyruar të heshtin dhe të punojnë jashtë fushës ku ndiheshin në tokën e tyre, në sistemin e dhuntive dhe përgatitjes akademike e estetike, ose kanë guxuar të shkruajnë, pikturojnë, kompozojnë ndryshe dhe kanë paguar një çmim të rëndë në jetën e tyre artistike e njerëzore.

Në saj të aplikimit të metodës së realizmit socialist, arti, kultura dhe letërsia shqipe kishin pësuar një atak të rëndë dhe të pariparueshëm, ku qenë rrafshuar individualitetet, nxituir mediokriteti e skematizmi dhe  kufizuar e ndëshkuar ata që krijonin, shkruanin, kompozonin, pikturonin ndryshe nga parimet bazë të sanksionuara me ligj të manifestit të metodës famëkeqe. Në këtë mënyrë, shkrimtarët e shquar të traditës sonë letrare, që kishin bërë epokë me kualitetet e larta estetike, para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, figura të tilla emblematike si Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Petro Marko e të tjerë u lanë në hije, u rrethuan me heshtje e keqkuptime të qëllimshme, për të ngritur në piedestal shkrimtarë të panjohur, pa biografi letrare, mediokër që shquheshin vetëm për zbatimin me rigorozitet të direktivave të PPSH-së.

Ish partizanët dhe komandantët e luftës që kishin bërë epokë me aktet e tyre idealiste dhe që tentonin të shkruanin të vërtetën, si shkrimtari Kasem Trebeshina, poeti Pano Taçi etj u ndaluan, burgosën e persekutuan. Të tjerë patën një fat akoma më të keq, u pushkatuan për një shkrim, për një poezi, për një akt letrar të spërkatur me pluhur mospajtimi me regjimin, siç ishte rasti i Genc Lekës e Vilson Blloshmit etj.

Në Shqipërinë e pasluftës, me plagë e dhimbje, me dyzim e vetmi, një nga fushat më të goditura nga mekanizmat diabolikë të regjimit komunist ishte letërsia dhe shkrimtarët qenë ata që e pësuan më shumë në kurriz kamxhikun ndëshkues të klikës komuniste, për shkak të cilësisë së veprës së tyre, që dilte jashtë rrethit të shtampave deklarative të agjipropit të kuq.

Nisi kështu një kalvar biblik, i pashmebullt në gjithë perandorinë komunsite, “gjuetia e shtrigave”, djegia dhe bërja karton e librave të padëshirueshëm, përgjimi, dëbimi, internimi, burgosja e vrasja e shkrimtarëve dhe poetëve; revolucioni kulturor lejfenist shqiptar goditi në çdo qelizë letërsinë dhe artin e shëndetshëm, shkrimtarët dhe artistët që krijuan vepra dinjitoze, jashtë formulave të thata dhe marrsheve demagogjike të kohës.

Në moshën 82 vjeçare futet në burg e torturohet autori i romanit të parë shqiptar Dom Ndoc Nikaj; i konsideruar si kundërshtar i regjimit, ai vdiq po në burg pas 5 vjetësh, i torturuar, i vetmuar, i pangrënë, I ndëshkuar më kot dhe në mënyrën më mizore të mundshme. Ethem Haxhiademin e helmuan një javë para lirimit, ndërkohë që dramturgu tjetër Krist Maloku vdes në burg, nga torturat. Kundërshtimet e mëdha, ndarjet, disidenca, martirizimet, revoltat e qëndrestarëve, deri dhe te viktimat, jo vetëm që meritojnë nderim, por shërbejnë dhe si mësim i mekanizmit të madhërishëm të kundërveprimit ndaj makinerisë së përbindshme të dhunës dhe tjetërsimit çnjerëzor.

Të parën grua shkrimtare, Musine Kokalarin, e lauruar në Romë, disidenten e parë femër në të gjithë perandorinë e ish Lindjes komuniste, atë që themeloi një parti demokratike, e internuan, e burgosën, më pas punoi si punëtore në ndërtim dhe vdiq në vetmi të plotë, pa funeral, e varrosur nga punëtorët e komunales, në gropën e hapur për të. Janë me dhjetëra ata shkrimtarë që projektuan dhe realizuan disidencën estetike, në një realitet klithës, ku nuk dëgjohej asnjë zë, përveç kukuvajkave të socrealizmit, që iu dukej se këndonin si lauersha (të paktën kështu thuhej dhe besohej).

Para disa ditësh po bisedoja me njërin prej tyre, Sali Leka quhet, me origjinë nga fshati Selbë i Tiranës, një burrë fisnik rreth të shtatëdhejtave, që u ndëshkua me burg politik për shkak të veprave të tij që nuk çonin ujë në mullirin e soc-realizmit, nuk i përgjigjeshin frymës së kohës, që presupozonte t’i bëje jehonë një revolucioni kulturor lejfenist e denigrues deri në absurditet. Megjithëse Sali Leka paraqiti për botim në entet shtetërore të botimit të kohës 85 vepra letrare, tregime, poezi, romane, asnjërën prej tyre nuk ia botuan, duke ia refuzuar botimin për shkak se ato, sipas redaktorëve dhe çensorëve, kishin frymë erotike dhe moderniste, nuk përçonin frymën e kohës dhe parimet e realizmit socialist. Sali Leka po më thoshte se kishte tentuar disa herë të fliste në ndonjë studio televizive, të ngrente zërin për disidencën e vërtetë dhe disidentët realë, por ia kishin mbyllur derën, ashtu si shokëve të tij, disa nga të cilët vdiqën në heshtje e të vetmuar, pa ua hapur kush derën për të dëshmuar të vërtetat e tyre dhe të bashkëdisidentëve. Ky rrethim me heshtje, pohon Sali Leka, është një çesnurë e re, më mizore dhe më e kamufluar se ajo e diktaturës komuniste dhe një nga shkaktarët e këtij devijimi të madh janë mediat e korruptuara dhe me komplekse ndaj të kaluarës diktatoriale. .

Iluzioni i disa kritikëve por dhe i kulturologëve dhe menaxhuesve të artit se në diktaturë, me mungesë totale lirie, mund të bëheshin vepra të mëdha, është një absurditet dhe një reminishencë e ekskatedrës. Kjo psikozë vazhdon të mbajë në kuotën e majës më të lartë vepra dhe autorë të socrealizmit, duke nxitur dhe sponsorizmin e botimit të veprës së tyre të partishme, ndërkohë që vepra e shkrimtarëve të mirëfilltë disidentë, jo vetëm që nuk botohet, por vazhdon të sulmohet e të anatemohet.

Nuk mund të krahasohet asnjë vepër e krijuar në Diktaturë, qofshin dhe ato që kanë bërë emër, falë propogandës më të ethshme komuniste të kohës, me veprat monumentale të krijuara në demokraci të At Zef Pllumit e Amik Kasoruhos, Fatos Lubonjës e Marsen Bungos, Kasem trebeshinës e Lekë Pervizit, Pjetër Arbnorit e Agim Mustës, Engjëll Çobës e Spartak Ngjelës, Jorgo Bllacit e Pano Taçit, Sali Lekës, Petrit Kalakulës e Zyhdi Moravës, Mhill Gjinajt e Kurt Kolës, Ahmet Kolgjinit e Ylber Merdanit, Frederik Rreshpjes e Eugjen Mërlikës etj etj.

Vitet e fundit ka nisur të rritet numri i atyre intelektualëve të epokës së Diktaturës të cilët nga ekrani magjik pohojnë se kanë qenë disidentë në kohë të regjimit, se në një formë apo një tjetër kanë kërkuar apo edhe kanë ndihmuar në rënien e tij. Në aradhën e atyre që janë vetëshpallur apo janë deklaruar prej të tjerëve si disidentë kanë filluar të hyjnë mjaft figura të reja, të cilët, të veshur me mantelin e katedrave  të universitetookracisë dhe të ekranokracisë, mbajnë fjalime sa pompoze aq edhe groteske, ndërkohë që jo shumë kohë më parë qenë dishepuj shpirtpërvëluar, për të çuar gjithnjë e më lart vijën e partisë. E gjitha kjo duket një farsë në sytë tanë, por nuk është e thënë të jetë kështu në sytë e një adoleshenti, që nuk ka përjetuar thuajse asgjë nga ajo kohë. Dikush mund të tregohet mosbesues, por mjaft të themi se ideja e rinisë shqiptare gjatë periudhës komuniste është formuar në bazë të asaj çfarë ka paraqitur kinematografia e realizmit socialist, dhe nuk është vështirë të pohojmë të njëjtën gjë edhe për rininë e sotme, në raport me periudhën komuniste. Pra këto impostime nga pozicione të shtirura antiregjim deformojnë idenë e të rinjve mbi diktaturën.

Thënë më hapur, e gjithë kjo dëshirë për t’u shfaqur disident vjen nga nevoja për të pastruar veten nga përgjegjësia, apo, shpesh edhe nga ligësia që, shumë prej protagonistëve të tillë, i ka rrethuar a shoqëruar në atë regjim. Me apo pa dëshirë, shkrimtarët dhe, në përgjithësi inteklektulët e socio-realizmit, i kanë shërbyer regjimit, duke e ndihmuar atë në një prej krimeve më të rënda, atë të përpjekjes për të shkatërruar shpirtin edhe natyrën njerëzore, duke tentuar të imponojnë idetë marksiste-leniniste. Askush tjetër përpos artistëve dhe shkrimtarëve nuk mund ta bënte këtë.  Prandaj duket e çuditshme kur sheh shkrimtarë të mëdhenj të periudhës komuniste të shfaqen befas si disidentë, ndërkohë, kanë qenë pikërisht këta që i kanë thurur himne partisë dhe udhëheqësit e saj.

Kasem Trebeshina kishte të drejtë: politika nuk e do disidencën, nuk i do shkrimtarët dhe artistët disidentë, sepse nuk do që të prishet shëmbëllimi i saj ikonak nga shkëlqimi dhe kthjelltësia e aktit të tyre qëndrestar deri në madhështi; më së shumti ajo ka nevojë për ca “disidentë të komanduar”, që t’i katapultojë sa herë që të jetë e nevojshme, për të dëshmuar “virgjërinë” e saj, megjithëse ka fjetur me një mijë e një jaranë...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora