Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kastriot Myftaraj: Ditari i Rexhep Qosjes

| E shtune, 30.05.2015, 02:19 PM |


Përshtypje nga leximi i ditarit të Rexhep Qosjes

Nga Kastriot Myftaraj

Para pak ditëve përfundova së lexuari katër vëllimet, që janë botuar deri më sot, të ditarit me nëntë vëllime të Rexhep Qosjes. Ishte një lexim i gjatë, për të cilin nuk kam ndarë më tepër kohë se një gjysëm ore në ditë, por ishte gjithsesi një lexim i vëmendshëm. Katër vëllimet e para që kam lexuar mbulojnë vitet 1966-1983. Përshtypja më e madhe nga leximi i këtyre librave është se në to gjenden fakte tronditëse që tregojnë se Rexhep Qosjes i mungon erudicioni bazik që duhet të ketë një intelektual. Madje edhe nga letërsia që supozohet të jetë profesioni i tij si studiues, për të cilën ai edhe është shkolluar dhe ka marrë gradat e titujt shkencorë, deri në akademik. Për këtë do të sjell disa shembuj domethënës. Në 24 maj 1969 Qosja shkruan në ditar:

“Redaksia e botimeve e Ndërmarrjes Gazetare dhe Botuese Rilindja ka botuar romanin e madh të shkrimtarit të madh gjerman, Tomas Man, Budenbrokët, në dy vëllime. Më parë ky roman është botuar në Tiranë dhe është kthyer në shqip prej përkthyesit Klio Mulla. As nuk kam dëgjuar kësi emri-Klio, as nuk kam dëgjuar se është përkthyes ai.” (Rexhep Qosja, “Dëshmitar në kohë historike: ditar 1966-1974”, Vëllimi I, Botime “Toena”, Tiranë 2014, f. 154)

Rexhep Qosja mendonte se “Klio” është emër mashkulli. Në të vërtetë, “Klio” është emër femre, dhe Klio Mulla (e mirënjohur si Klio Evangjeli pas martesës), është femër. Rexhep Qosja duhet ta kishte dëgjuar emrin “Klio’ se ai është emri i një nga nëntë muzave mitologjike, që frymëzonin artistët, shkrimtarët, historianët. Klio (“Clio”, si shkruhet në anglisht) ishte muza e historisë dhe e lyra-s, instrumentit më të përdorur muzikor në Greqinë e Vjetër. Çdo njeri që ka një diplomë universitare për letërsi, e di se cila ka qenë Klio, për të mos thënë se e di çdo gjimnazist i mirë. Në 1969, kur shkruante këto rreshta, Qosja 33 vjeçar ishte një diplomant universitar i gjuhës dhe letërsisë, që prej pesë viteve. Në 1969, Qosja ishte prej dy viteve punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku dy vite më pas do të bëhej drejtor. Unë jam i sigurt se nëse Qosja do ta kishte mësuar më vonë se cila ishte Klio, ai me siguri që do ta kishte ndrequr këtë gafë të madhe të tij në 2014, kur u botuan ditarët e tij. Por akademik Qosja nuk e dinte as në 2014 se cila ishte Klio! Fakti që Qosja nuk e di se cila është Klio, njëra nga nëntë muzat, tregon se ai nuk e ka idenë se cilat janë muzat.

Rexhep Qosja në krejt ditarin e tij shfaq një mani intelektuale. Ai kërkon të tregojë se ka lexuar shumë libra. E duke e bërë këtë gjë, ai bën gafa nga më qesharaket. Kështu, në 20 shkurt 1976, Qosja shkruan në ditar:

“E lexoj Manastirin e Parmës të Stendalit, ndoshta për të dytën herë prej se, për herë të parë, e kam lexuar kur isha në vitin e tretë të Normales së Prishtinës. Protagonisti i romanit, Zhylien Soreli, është personazh që nuk harrohet kurrë.” (Rexhep Qosja, “Dëshmitar në kohë historike: ditar 1975-1978”, Vëllimi II, Botime “Toena”, Tiranë 2014, f. 128)

Në të vërtetë, Zhyljen Soreli është protagonisti i romanit tjetër të Stendalit, atij me titull “E kuqja dhe e zeza”. Protagonisti i romanit “Manastiri i Parmës” është Fabrizio Del Dongo. Merret vesh, Qosja as që i ka lexuar këta libra! Në këtë kohë ai ishte prej pesë viteve drejtor i Institutit Albanologjik. Të tjera marrëzi të Qosjes do t’ i ziheshin për të madhe edhe një nxënësi gjimnazi në orën e letërsisë. Kështu, Qosja shkruan në 31 janar 1977:

“Victor Hugo ka krijuar gjedhen e romanit historik romantik.” (Rexhep Qosja, “Dëshmitar në kohë historike: ditar 1975-1978”, Vëllimi II, Botime “Toena”, Tiranë 2014, f. 238)

Në të vërtetë krijuesi i romanit historik romantik ishte skocezi Walter Scott, i cili kishte lindur 31 vite para Hugo-it.

Gafat e Qosjes kur flet për libra janë të pafundme. Kështu ai, në 2 shkurt 1977, shkruan në ditar për:

“romanin e Balzakut, Shkëlqimi dhe mjerimi i prostitutave.” (Rexhep Qosja, “Dëshmitar në kohë historike: ditar 1975-1978”, Vëllimi II, Botime “Toena”, Tiranë 2014, f. 261)

Titulli i romanit të Balzakut është “Splendeurs et miseres des courtisanes”. Balzak përdor fjalën kurtizane (“courtisanes”), jo fjalën “prostituta”. Kurtizane dhe prostitutë nuk është e njëjta gjë. Kurtizanet qenë femra të cilat e shisnin trupin për para, por jo në mënyrë të drejtpërdrejtë si prostitutat. Kurtizanet qenë femra të cilave duhej t’ u bëheshin korte, të flirtohej me to, për të vendosur një marrëdhënie, në dukje dashurore, por që paguhej me dhurata të ndryshme materiale dhe me para. Në shqip romani është përkthyer me titullin “Shkëlqimi dhe mjerimi i kurtizaneve”.

Sa më shumë që Qosja kërkon të tregojë erudicion, aq më shumë gafa bën. Kështu, në 31 dhjetor 1983, ai shkruan në ditar;

“M’ i çel sytë, ma kthjellon mendjen dhe ma largon gjumin mendimi i kryetarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Franklin Delano Ruzvelt, i shqiptuar në fjalimin e tij inaugurues, më 4 mars 1933, në vitin tragjik kur Adolf Hitleri bëhet kancelar i Gjermanisë, me ç’ rast përpos të tjerash, i thekson katër liritë pa të cilat nuk ka kuptim jeta e njeriut e që janë:

Liria e fjalës,

Liria e fesë,

Liria nga frika,

Liria nga varfëria.

Nuk e gëzojmë asnjërën prej tyre. Nuk i kemi gëzuar kurrë.” (Rexhep Qosja, “Dëshmitar në kohë historike: ditar 1982-1983”, Vëllimi IV, Botime “Toena”, Tiranë 2014, f. 439)

Në të vërtetë, Presidenti Roosevelt foli për katër liritë në fjalimin e tij të mbajtur para Kongresit në 6 janar 1941, pak kohë pasi ishte zgjedhur President për herë të tretë rradhazi.

Ironia është se Rexhep Qosja personalisht, në 1983, kur shkruante kështu, i gëzonte të katër liritë. Ai gëzonte lirinë e fjalës, si të drejtën për të shkruar e thënë marrëzira. Ai gëzonte lirinë e fesë. Në xhami mund të shkonte kur të donte dhe sa herë të donte. Edhe lirinë nga frika e gëzonte, se serbët madje edhe pas 24 marsit 1999, kur nisën bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë, e lejuan Qosjen të largohet lirisht nga Prishtina e Kosova dhe të vijë në Tiranë, ku qeveria shqiptare e kohës i dha për banim shtëpinë e Enver Hoxhës. Edhe lirinë nga varfëria Qosja e gëzonte në 1983, si dhe më herët, shumë më tepër se çfarë e meritonte. Ai shpërblehej mirë financiarisht nga shteti jugosllav për marrëzitë që shkruante, a ndoshta pikërisht për këtë arsye.

Në ditarin e vet për Konferencën e Rambouillet për Kosovën, të mbajtur në 1999, ku Qosja ishte anëtar i delegacionit të shqiptarëve të Kosovës, ai shkruan se kur u nis për në Francë, mori me vete dhe disa libra për t’ i lexuar:

“Marr me vete Shoqërinë e hapur dhe armiqtë e saj të Karl Poperit, Demokracinë dhe totalitarizmin të Klod Leforit, Heronjtë dhe varret e Sabatos dhe Rënien e zgjedhjeve, të Preç Zogajt.” (Rexhep Qosja, “Paqja e përgjakshme”, Vepra, vëllimi XIX, Instituti Albanologjik, Prishtinë 2010, f. 14)

Në Rambouillet Qosja do të rrinte 18 ditë, nga 7-25 shkurt 1999. Kjo duhej të ishte kohë e ngarkuar me negociata, me shqyrtim të dokumenteve që do të ofroheshin, të projekt-marrëveshjes dhe anekseve të saj, që përbënte në tërësi një tekst të vëllimshëm. Ku do ta gjente kohën Qosja të lexonte librat që kishte marrë me vete? Qosja po shkonte në kështjellën e Rambouillet si një turist që do të kalonte disa ditë për pushim atje, jo si një pjesëmarrës i angazhuar në një konferencë ku do të vendosej fati i Kosovës. Së paku Qosja të kishte përzgjedhur libra që kishin të bënin me konferenca ndërkombëtare që do të kishin qenë më të përshtatshëm! Qosja nuk thotë se në çfarë gjuhe ishin librat që kishte marrë. Por duke konsideruar se Qosja nuk lexonte në gjuhë tjetër veç shqipes dhe serbokroatishtes (kjo gjuhë nuk ekzistonte më në 1999), mund të thuhet se p.sh., librin e Popper “Shoqëria e Hapur dhe Armiqtë e saj”, që në atë kohë nuk ishte botuar në shqip, Qosja duhet ta kishte në serbisht. Nëse ky libër duhet të ishte botuar në serbisht apo kroatisht që në atë kohë, gjë për të cilën dyshoj shumë. Sa për librin e Lefor “Demokracia dhe Totalitarizmi”, është se sigurt se fjala është për një botim të asaj kohe të Shtëpisë botuese “Dukagjini” në Kosovë, në shqip. Romanin e Sabatos e ka pasur me siguri në serbisht. Nuk merret vesh se përse Qosja e kishte marrë me vete librin e Preç Zogajt “Rënia e zgjedhjeve” që tregonte për zgjedhjet parlamentare të vitit 1996 në Shqipëri. Ndoshta për terapi se Qosja nuk mund të rrinte disa ditë pa lexuar nje tekst ku shahej Sali Berisha.

Dështimi i madh intelektual i Qosjes është se ai nuk arriti që të mësojë anglisht, madje as nuk bëri përpjekje për këtë gjë. Në Rambouillet ai i kërkoi delegacionit shqiptar që të vendosej një rregull që të gjithë anëtarët e delegacionit të flisnin në shqip. Problemi i Qosjes ishte se nuk donte që të të shquheshin anglishtfolësit që bënin pjesë në delegacion. Qosja ka këtë debat me Veton Surroin në konferencë:

“VETON SURROI; Fillon të flasë anglisht!

REXHEP QOSJA: Fol shqip, të lutem!

VETON SURROI: Do të flas anglisht për shkak të nuancave!

REXHEP QOSJA: Jemi marrë vesh që në takime me të huajt të flasim shqip. Ivanovi foli rusisht. Edhe shqipja ka nuanca; mund të përkthehen edhe nuancat!

VETON SURROI, vazhdon, megjithatë, anglisht duke e përkthyer herë pas herë vetveten në shqip.” (Rexhep Qosja, “Paqja e përgjakshme”, Vepra, vëllimi XIX, Instituti Albanologjik, Prishtinë 2010, f. 14)

Nuk ka dyshim se anëtarët e delegacionit shqiptar të Kosovës do të bënin një përshtypje më të mirë në konferencë duke folur anglisht. Duke folur shqip ata vetëm sa do të vështirësonin komunikimin, nuk do të përfitonin ndonjë gjë sa i përket pohimit të identitetit nacional. Tashmë ishte vendosur që shqiptarët e Kosovës të qenë palë në konferencë dhe që dokumentet të përktheheshin në shqip. Kështu që nëse anëtarët e delegacionit shqiptar do të komunikonin në anglisht, me këtë vetëm sa do të rrisnin profilin e tyre. Por problemi i Qosjes ishte se ai vetë nuk mund të komunikonte në anglisht.

Këtu ka një paradoks kuptimplotë. Unë në fëmijërinë dhe rininë time, në qytetin e Korçës, në vitet shtatëdhjetë-tetëdhjetë shikoja kanalet televizive jugosllave për të parë filma amerikanë në anglisht, nga të cilët nisa të mësoj anglishten, duke u ushtruar pas dijeve që mësoja nga metodat fillestare të mësimit të anglishtes që kisha në atë kohë. Qosja me sa duket nuk bënte të njëjtë gjë por e përdorte televizionin për të përkryer njohjen e serbishtes.