Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Namik Selmani: Lumenjtë e fjalës së Sami Sherifit

| E shtune, 30.05.2015, 12:54 PM |


LUMENJTË E FJALËS SË SAMI SHERIFIT

(Duke lexuar librin me poezi “Dridhet fjala si fije bari”)

Nga Namik Selmani

Kur nisa të shkruaj  për poezinë e Sami Sherifit që shpaloset kaq vrullshëm dhe kaq fisnikërisht në librin më të ri poetik “Dridhet fjala fije bari” më shkoi mendje  një fabul jetësore e paharruar. Sa e thashtë aq dhe madhështore.  Ka ndodhur në fshatin Ninat të Sarandës në një prehër malesh ku ka lindur dikur rilindasi i shquar Hasan Tahsini dhe poeti çam zëtragjik Bilal Xhaferri që shkroi aq shumë dhe për Kosovën në SHBA në një mërgim politik të detyruar. Për një rastësi të bukur, në këtë fshat me ullinj të lashtyë dhe me njerëz duarartë në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar kam lindur dhe unë duke pasur me vete kujtimet e jetës së tyre. Pa dyshim dhe modelet e tyre njerëzore dhe të veprave të tyre . E pra, Sami Sherifi, ky ambasador i madh dhe i përjetshëm i kulturës shqiptare të Iliridës, pse jo dhe të kombit shqiptar që prej 33 vitesh ma kujtoi atë fabul shumë të bukur pak të dhimbshme, por dhe krenare për ne dhe për ata që do të ngrejnë në kohëra Ura Shkronjash.

Me qëllimin e madh të mbjelljes së shkronjës shqipe në trojet shqiptare të analfabetizuara Hasan Tahsini kërkonte që të mos kalohej jeta pa gëzimin dhe obligimin ndaj diturisë. Ishtë ai që kishte hapur Universitetin e parë të Stambollit, për të cilin do të fliste dhe Presidenti i Turqisë në një vizitë të tij në Tiranë.  I kërkoi Profesor Hasani bashkëfshatarëve të tij  që të bënin një gjë të veçantë. Të merrnin një thes më farë gruri dhe ta hidhnin në tokën e përgatitur gati për mbjellje. Më tej, të bënin një provë për ta futur përsëri këtë farë gruri në thes. Natyrisht as bujku më i mirë më i zgjedhur e më duarartë nuk mundej që ta bënte këtë gjë me saktësinë  e duhur. Shumë pak do të futej në thes dhe pjesa tjetër do të rrinte në tokë e natyrisht që do të mbinte do të rritej dhe do të frutëzonte, e Hasan Tahsini do ua jepte këshillën më të vyer në jetë bashkëfshastarëve të tij por dhe mbarë shqiptarëve që në vitet që do të vinin të bëheshin bujq të mirë e të papërtuar të shkronjës shqipe. Edhe Sami Sherifi me 7 librat e tij të botuara në vitet e mërgimit është vërë prej kohësh një Bujk i tillë ka të paktën 45 vjet që e bën këtë gjë e bën si jo më mirë e bëj si një maratonomak i fjalës shqipe që nuk ndalet kurrë që nuk ka një stacion mbërritjeje . Një maratonomak shkronjor që ka një ushqim hyjnor të vargut të tij me 3 lumenjtë e tij të vendlindjes me Lepencin me Vardarin dhe me Treskën që më tej i bashkon Drini. Një Drin që ka dy emra i Bardhë dhe i Zi si simbolikë të jetës së shqiptarit në këto gryka

Edhe sot po të shohësh titujt e librave të tij, do ta shohësh këtë hamletizim shqiptar që e shoqëron çdo vëllim të autorëve shqiptarë në këto vite kur jeta e tyre prek sadopak me mërgimin. Madje Sami Sherifi e ka bërë këtë Mbjellëzim edhe në gjuhët italisht, anglisht, frëngjisht dhe rumanisht si jo më mirë duke marrë jo vetëm mirënjohjen e bashkëatdhetarëve të tij, por dhe të bashkëkrahinasve të shumtë që e njohin shpirtin e shqiptarit botën e tij të madhe, dëshirën për mirësi dhe mbarësi, dëshirën për kulturë e begati nga pena e të vyerit Sami Sherifi. E kudo Sami Sherifi është një shkupian i vyer që mban në supet e fjalës  një histori, një dhimbje, një krenari. Ai kudo ka një hap të heshtur që e bën në Çarshi. Si do ta bënte në Çarshi të Gjakovës. Në Çarshi të Krujës në Çarshi të Janinës ku ka patur jo pak zejtarë. Thotë me pasionin e filigramsitit  se poetet e vërtetë (njëri prej tyre është dhe Sami Sherifi) janë filigramistët më të mirë më duarartë që ka bota shqiptare)

E për herë të parë viziton Shkupin

Rrugicat e ngushta të Çarshisë së Vjetër

Ringjallen e mbushen me kalimtarë

Zejtarët bëhen poetë

Në shumë gjuhë të përshëndesin

Të gjithë gëzohen

E te dyert e dyqanit të presin

Shqip të flasin

Me urtësi të falënderohen

E për një çast yjet i zbresin nga qielli

Ka nostalgji kombëtare Samiu në vargun e tij.  E nuk është aspak për t’u çuditur që ai është edhe kritik me veten. Nuk fluturon në shtigjet e mburravecërisë në atë përballje me veten, me të nesërmen, me Evropën që ai  dhe shumë të tjerë si ai e prek e ndien në jetën e përditshme dhe në atë Kod të Bashkimit me shqiptarët dhe me vetë Evropën. Përtej krenarisë ai nuk harron që të tregojë si konician i kohëve moderne dhe ato që i mungojnë  shqiptarit.

Jemi të veçantë ne, shqiptarët,

Popull

I përvuajtur e krenar,

Të robëruar ishim

Të shtypur,

Të ndjekur e të vrarë,

Të përbuzur,

Të shperngulur të asimiluar

E të ndarë

Popull që shekujt i mbartëm mbi shpatulla

Plot ndjenja të thella shpirtërore jemi

Si vetë poezia

Kur i lexova dhe i rilexova në dorëshkrim poezitë e Sami Sherifit që i mban të bashkuar buqeta me titull “Dridhet fjala si fije bari” m’u kujtua riti i pjekjes së bukëve dhe të ushqimeve të tjera në Çamëri dhe në shumë krahina ku gatuhej me furrë... Furrat në kuptmin e parë janë pjesa më simbolike e jetës sociale të një krahine të caktuar. Ato përdoren jo vetëm në krahina ku gëlon jeta vrullshëm, por dhe  pjesë e  një begatie ekonomike të një begatie njerëzore. Ngrohtësia e shija e gjellëve të bëra në furrë është e pazëvendësueshme. Po të shohim kohën e shkrimit të poezive, e shohim se ato janë të një periudhën gati 6 mujore, kanë nisur gati në dhjetor të vitit të kaluar në kapërcyellin e viteve (ka shumë poezi të ngrohta dhe shumë poezi që lidhen e këtë ngjarje jetësore).

Dhe më tej lidhen me këto muaj që kanë patur jo pak ngjarje të vrullshme dhe që do të mbetën gjatë në kujtesë . Nuk mund të rrinte pa e ngjyer vargun të gjaku i derdhur në Kumanovë Sami Sherifi. Është një nga ciklet më të bukura të vëllimit dhe që hap dhe librin. Nëse fjala dridhet si fije bari, në këtë cikël dridhet vetë zemra kur sheh këtë dramë,  këtë dhimje. Është një cikël elegjishë që janë mbase më të spikaturat e poezive që jo pak u shkruan dhe u pasqyruan në rrjetet e shumta sociale. Mjafton që të lexojmë tituj e poezive që të jemi brenda kësaj drame “ Në Kumanovë”, “Dëshpërimi i këtij agu”, “Kali i Trojës në Kumanovë”, ”Këmisha e përgjakur”, “Lotët e gjyshit”. Sami Sherfi ka një stil  të vetin . E ka bërë këtë stil me përvojën e tij poetike. Është një stil rrëfimi i lirshëm. Një varg i lirë i shpenguar.

Poezive të tij nuk u mungon morali. Ato e kanë atë në fabulën e tyre, e kanë në figurat e pasura letrare te gjetjet e shumta befasuese që të jep çdo poezi, te kultura e madhe që rrezaton në çdo varg të tij. Kur e mbaron librin, bashkë me poetin Sami Sherifi “takon” dhe historianin, dhe filozofin, dhe sociologun, dhe mësuesin  dhe arkitektin. Një gjë e tillë ndeshet rrallë në poezinë bashkëkohore shqiptare. Këtë lumturi të prekshme të botimit të një libri  e përjetojmë të gjithë. Dalja e librave të tilllë janë festa të vërteta jo vetëm për një autor, për një krahinë, por dhe për mbarë lexuesin shqiptar të trojeve shqiptare dhe të diasporës. Ndajmë keqardhjen se librat e mirë që dalin nga poetët shqiptarë mbeten shpesh brenda provincializmit për arsye objektive dhe subjektive. Ne ende nuk kemi siguruar mundësinë e qarkullimit të lirshëm të vlerave kulturore, sidomos të librave të shumtë që dalin në trojet shqiptare.

Një nga vlerate e librit për mendimin tij janë dhe titujt e poezive të librit. Të tilla mund të shkëpusim poezitë “Aromë gjethi ka poezia” Gjeth i zverdhur në degë”, “Ftesë”. Ka një dialog të bukur gati dramatik poeti me Evropën. Me ëndrrat e tij dhe të kombit të vet.

Ëndrrat

I mora me vehte

Që Europës t’i rrëfehem

Rrugës

I uritur udhëtova

Kufinjtë e Europës shkela,

Me acar e ngricë

U pështjella

I ngrirë po rikthehem

Që Kosova

Kur mos ta njohë ngricën

E mërgimit

Dhe rrugën e mjerimit

Sami Sherifi e do shumë lexuesin e tij. Ai nuk klithmon, por lutet si në një altar të madh të ndritshëm me shqiptarizmin e tij, me atë botë që ai nuk do kurrsesi që ta ndërrojë . Është një Odise i përjetshëm i trullit që e lindi i atij trualli shqip që e pret kudo krahëhapur. Poezia e tij ka fabula të një profesionisti  që e di se jetëgjatësia në kohën e paskohës së librit tënd nuk të bën vetëm poezia retorike e tribunave, por një poezi e fortë me tharm, me ide me sinqeritet njerëzoren që kurrë nuk të tradhëton në misonin që ti ke për atë që shkruan. Motivi i Lumit  shumë herë e mbart dhe e shoqëron atë si një Kostandin. Bashkmi i lumenjve i krijon poetit idenë e bashkimit të trojeve shqiptare. Kjo simbolikë është shumë e bukur dhe shumë e besueshme. E thotë këtë gjë artistiksht me këto vargje  të marra nga poezia „Vargu pa titull”:

Jua dhashë fjalën

Se shqip do jua shkruaj ftesat

E mbrëmje poetike

Do të mbajmë

Mbi këtë Urë Guri

Mbi Vardar

Me rrjedhën e lumit do t'ju njohim

Do ju flasim edhe për fjalën e pashkruar

Që me vargje t’i lidhim këto dy brigje lumi

Po, libri i Sami Sherifit është një ftesë që lind nga Shkupi nga Kumanova, nga trojet e Iliridës, nga Kosova e nga Çamëria, për të shkuar në çdo vatër shqiptarie. Stacionet e poezisë së tij janë Lezha, Kruja, Prizreni, Dibra, Rozafa, Tomor, Sharri, Poezia e tij ka pasaportën më të saktë në Evropë. Kjo poezi duket si  Prushi i mbuluar i Vatrës së ndezur me yje që ndrijnë tokën e zjarrtë të gadishullit ilirik. Ai është  flaka që u dogj në gadishullin e stërgjyshërve të tij  Që është djegur me hirin e eshtrave të djegura. Me ata pasaportë që është shfaqur  e shfaqet me rënëjt e  civilizimit hyjnor që shumë herë janë  mbuluar me  zjarrin e rindezur. Është Pasaporta që merr dritë në shpirtin  e gadishullit të vjetër që Evropa e ka lënë shpesh në  harresë. Poezia është shpirti  që ngjan si rreze e rilindur  nga përbuzja e shekujve. Kërkon që të sjellë  dritë të re  në pagjakësinë e ëndrrës. Pa shkuar më parë te ky evropianizim i fjalës së tij ai ka shkuar në të gjithë qytetet e krahinat e kombit të vet që i japin poezisë një frymë të ngrohtë kombëtare. Kaq mjafton që poezia e Sami Sherifit të bëhet pronë shpirtërore e lexuesve të të gjithë trojeve tona.  Rrofsh sa fjala e mençur e kombit tonë, miku ynë Sami Sherifi!

(Tiranë, 29 maj 2015)