E marte, 16.04.2024, 09:46 PM (GMT+1)

Kulturë

James Belushi

E hene, 20.06.2005, 08:17 PM


Jim Belushi

James Belushi ka lindur ne 15 Qershor 1954 ne Chicago. Jimi eshte lindur nga prinder shqiptar; i jati, Adem, emigroi ne USA kur ishte 16 vjec, ndersa e jema, Anjeza, ka lindur ne USA nga prinder shqiptar. Nje nga mesuesit e tij ne shkollen e mesme i beri pershtypje aftesia e Jim per te improvizuar ne prezantimet e ndryshme qe beheshin ne klase. Ai e bindi Jimin qe te merrte pjese ne grupin e teatrit te shkolles. Sot, nese dikush e pyet Jimin se si vendosi te futej ne rrugen e artit, ai duke qeshur thote: "Per shkak te vajzave. Ne grupin e teatrit te shkolles ishin 20 vajza dhe vetem 6 djem. Dhe e njejta gje ishte edhe per korin e shkolles....me shume vajza!"

Pasi mbaroi studimet ne Southern Illinois University ai mori diplomen per aktor dhe u vendos ne Chicago. Ne 1979, producentin dhe shkrimtarin Garry Marshal e terhoqi loja e Jim ne shfaqje dhe organizoi vajtjen e tij ne Hollywood ku edhe luajti ne serialin "Who's Watching the Kids" e financuar nga Studio Paramount, dhe me pas per nje rol tjeter ne shfaqjen televizive "Working Stiffs" (se bashku me Michael Keaton). Nga viti 1983, per 2 vjet rresht, ai beri pjese ne stafin e shfaqjes "Saturday Night Live".

Jim terhoqi vemendjen e publikut te gjere me rolin e ti ne filmin "About Last Night" ne krah te aktoreve Rob Lowe dhe Demi Moore. Ai me pas ka luajtur shume role te tjere duke portretizuar karaktere te ndryshme si ne "Homer and Eddie" , "The Principal", "Takin' Care of Business" , "Gang Related","Red Heat", "K-9". Ne 2000 Belushi luajti tek "Return to Me" dhe "Who Killed Atlanta's Children?". Popullariteti i tij ka ardhur duke u rritur, ashtu sic ka qene e dhe lista e filmave dhe e shfaqjeve ku ai ka marr pjese.

Jim Belushi se bashku me familjen e tij (gruan - Jennifer; dy djemte Robert, Jared dhe nje vajze - Jamison) jeton ne Los Angeles. Nje hob i tij eshte edhe muzika. Ai merr pjese ne banden "Sacred Hearts". Ne kujtim te vellait te tij, aktorit te njohur John Belushi, ai ka ndihmuar dhe merr pjese ne drejtimin e fondacionit John Belushi, qe ofron bursa per student qe duan te vazhdojne ne fushen e artit.

Per here te pare James Belushi e vizitoi Shqiperine ne vitin 1995.


Flet regjisori Ibrahim Muçaj

“Si e prita Xhejms Belushin para 10 vjetësh”

Blerina Goce

Para plot dhjetë vjetësh ai shkeli për herë të parë në vendin e origjinës së tij. Shumë prej nesh, deri pak vite më parë nuk e dinim se aktori Xhejms Belushi është shqiptar, por vizita e tij në Shqipëri, si dhe fjalët "jam shqiptar" duket se na bindën, madje na bënë edhe të ndiheshim krenarë për këtë. "E pritëm siç mund të pritet një aktor që ka një famë, ka një emër. Ai ishte një takim midis miqsh, mes aktorësh dhe në përgjithësi aktorët nuk janë aq të vështirë sa duken", thotë një nga personat që ka pritur në Tiranë aktorin Xhejms Belushi, regjisori Ibrahim Muçaj, në një intervistë për "Tirana Observer". "Ai nuk dinte asgjë për Shqipërinë. Por kishte një mall dhe dëshirë të vizitonte fshatin e prindërve të tij, si dhe të mësonte për Shqipërinë", tregon Muçaj, teksa rrëfen për takimin me Belushin.
Çfarë mund të na thoni për ardhjen e Xhejms Belushit në Shqipëri para dhjetë vjetëve dhe çfarë kujtoni nga takimi i parë me të?
Kur erdhi Xhejms Belushi ne u caktuam tre veta që ta prisnim dhe e pritëm në aeroportin e Rinasit. E pritëm siç mund të pritet një aktor që ka një famë, ka një emër. U organizuan disa takime në Kinostudio. Gjithë punonjësit, kineastët në përgjithësi prisnin ta takonin, ta njihnin e t'i merrnin një autograf. Ai ishte një takim midis miqsh, mes aktorësh dhe në përgjithësi aktorët nuk janë aq të vështirë sa duken. Janë njerëzorë, pa komplekse me njëri-tjetrin. Në përgjithësi bisedat dhe takimet me të ishin fare të natyrshme.
Cila ishte arsyeja e ardhjes së Xhejms Belushit në Shqipëri dhe sa e njihte ai Shqipërinë?
Ai kishte një kuriozitet dhe një dëshirë për të parë vendin e tij, të shkonte në fshatin e vet, në Arrëz të Korçës, ku e shoqëroi aktori i njohur, Timo Flloko. Këtu në Tiranë, përveç takimeve, organizuam dhe një drekë. Duhet kuptuar një gjë: ai nuk dinte asgjë për Shqipërinë dhe ky nuk ishte faji i tij. Ne vendet e vogla në përgjithësi kemi më tepër interesa për të parë, për të vizituar. Me sa e kuptova unë ai erdhi në Shqipëri me mendimin që të bënte diçka ballkanike. Dhe një nga shembujt që ai e përmendte shpesh ishte një film që kishte parë dikur. Ai tregonte për një personazh të një filmi, që ishte nga Italia e Jugut, por që ishte bërë njeri i dëgjuar në Amerikë. Shkon të bëjë pushimet bashkë me gruan në vendlindjen e tij dhe kur shkon atje dikush dashurohet, ka një dert me gruan e tij dhe ai e vret, edhe pse kishte jetuar në Amerikë. Pra, atij prapë i lind diçka që lidhet me psikologjinë e vendit të tij, instinkti i hakmarrjes. Ishte një shembull që ai e thoshte për të treguar psikologjinë e veçantë të çdo populli. Pra, ideja e tij ishte të bënte diçka të veçantë dhe kjo është në përgjithësi dëshirë e artistëve të vërtetë, sepse çdo popull ka veçantitë e veta, biografinë dhe historinë e tij.
Dinte të fliste shqip Belushi?
Kishte mësuar disa fjalë në shqip e madje edhe në kronikat televizive të atyre ditëve ai thoshte gjithmonë: "Jam shqiptar".
Ai na fliste për gjyshen e tij, e cila i kishte mësuar disa fjalë shqip në Amerikë, ashtu siç ndodh me të gjithë njerëzit në botë që përpiqen të mos harrojnë gjuhën dhe origjinën e tyre.
Ju keni biseduar në atë kohë edhe për një film që do të bënit mbi jetën e Xhejms Belushit. Pse nuk u bë ai film dhe a do të realizohet në të ardhmen?
Ishte një subjekt që unë i tregova dhe natyrisht as ai dhe as unë nuk arritëm të lidheshim. Ishin ngjarjet e '97-ës dhe nuk patëm më vullnetin për ta ndjekur më këtë gjë. Ne e harruam dhe ai natyrisht e harroi këtë gjë.

Kur Belushët ikën nga Arrëza e Korçës

I lindur në Nju Jork nga prindër korçarë, Xhejms Belushi është përfaqësues i fëmijëve të brezit të vjetër, shumica e të cilëve e kanë Shqipërinë më shumë një amanet familjar se sa një shqetësim real. Aktor i njohur në botë, vëllai i një aktori tjetër po kaq të njohur, Xhon Belushi, ai ka pak ose aspak lidhje me komunitetin shqiptar. Më 8 qershor 1995 ai erdhi për herë të parë në Shqipëri dhe po atë vit, gjatë një vizite zyrtare në SHBA takoi presidentin Berisha. Babai i tij, Adem Belushi, ka qenë deri në fund aktiv në komunitetin shqiptar.

PASAPORTA

Emri: Xhejms
Mbiemri: Belushi
Ditëlindja: 15 qershor 1954
Vendlindja: Çikago
Vendi i origjinës: Shqipëri
Fëmija i tretë i katër fëmijëve, ai u rrit në Wheaton, Illinois. Ishte një mësues ai që vërejti tek Xhimi aftësitë improvizuese dhe më pas u bë pjesë e klubit të dramës në shkollë. Në 1979-ën Garry Marshall pa Xhimin duke interpretuar për "Second City" dhe bëri të mundur që Belushi të shkojë në Hollivud dhe të interpretojë në filmin "Who's watching the kids" (1978) për "Paramount", dhe më pas disa role televizive. Në 1983-shin, ai iu bashkua kastit të aktorëve të "Saturday Night Live" (1975) për 2 vjet. 1979: "Perversitet seksual në Çikago", në teatrin "Apollo" të Çikagos; 1981 "Piratët e Penzance"; 1984: "Perëndimi i vërtetë", 1986: Bashkautor dhe aktor në komedinë e tij të parë televizive "Xhim Belushi-ditëlindja e djalit". 1986 "Perversitet seksual në Çikago" baza e filmit të ardhshëm "Nata e fundit", "Parimi". 1993 kthehet në Broaduej me dramën "Bashkëbisedim me babain tim"; "Palmat e egra", 1997: "Siguri totale" etj. Aktualisht ai jeton në Los Anxhelos me gruan e tij, Xhenifer dhe vajzën e saj, Jamison dhe me të birin Robert, që e ka nga martesa e tij e parë.

Filmi shqiptar dhe e veçanta që kërkonte Belushi

Edhe sot e kësaj dite regjisori Muçaj e kujton me dashamirësi Xhejms Belushin, teksa sjell ndërmend mënyrën e ngrohtë dhe të thjeshtë se si aktori komunikonte me të gjithë. "Krijohet një imazh, një glorifikim. Me të vërtetë ke emocione kur takon një aktor si Xhejms Belushi, por ai t'i hiqte me dorë ato emocione kur bisedoje dhe komunikoje me të, madje e ndieje veten të barabartë me të, shumë rehat, shumë mirë. Kishte një dëshirë shumë të madhe për të udhëtuar dhe për të mësuar për Shqipërinë. Kuptohet që puna dhe intensiteti i madh i saj nuk e kishin lejuar që të kishte një informacion të plotë, por ai kishte një lloj dëshire për të njohur dhe si të thuash edhe një lloj malli, që vinte mbase edhe nga gjenet e tij shqiptare", thotë regjisori Muçaj. "Dëshironte të takonte shumë njerëz dhe atë ditë kur ai erdhi në Kinostudio, si të thuash krijoi një atmosferë festive. Ai vetë e krijoi këtë atmosferë, sepse kishte ndjesinë e një njeriu që është në vendin e tij, në origjinën e tij, mes njerëzve të tij". Edhe pse aktori Belushi dinte pak, për të mos thënë aspak për kinemanë shqiptare dhe atë ballkanike, dëshira për të sjellë diçka të veçantë dhe për të mësuar nuk mungonte. "Nuk jemi qendër e botës, ndaj ai nuk kishte ndonjë informacion për Shqipërinë, sidomos për kinemanë shqiptare dhe kjo ishte e natyrshme. Ndaj, në mënyrë fare të sinqertë u interesua të dinte: kush ishim, çfarë kishim bërë, çfarë po bënim”.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora