Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Përparim Hysi: Kur u kthehem viteve para

| E premte, 29.05.2015, 06:36 PM |


Kur u kthehem viteve para

 

(cikël me poezi)

 

Nga Përparim Hysi

 

1.Ti

 

Ti qe e bukur si një vegim

Fustani mbi trup dedhur si mbi shkumë

Zot, ma tregon dot "magjinë"

Se i mahnitur mbeta unë.

 

Dua të shpengoj imagjinatën time

Se brune me sy të kaltër, rrallë kam parë

Ah, ta dish, moj mikja ime!

Mbeta gojëhapur nga  profili i rrallë.

 

E di që jetëshkurtër  është bukuria

Si të mos e di, tash që jam kokëbardhë?

Por më doli mendja nga burgjia

Më doli dhe mori prrallë.

 

Nuk kish se si?  E humba pusullën

Ashtu si Xhaferri,- thonë,- kur pa simiten

Oh, mend e bëra gjak buzën

Se sikur pashë para meje "xhinden".

 

Pas kësaj "xhindeje" ika, u trallisa

Dhe harrova moshën që kam

Po nëse këto vargje për ty "ujdisa"

Mike, moj, zemra sa nuk bën "bam!"

 


2. Soditje


Trupin tënd lakuriq

Sa e shoh, mendja-eksiq!

Sepse iku dhe kaptoi

Pa më thoni:- Ku qëndroi?

 

Shkoi tek ti, moj mikja ime!

Që më je si një dremitje!

Një dremitje,sa e ëmbël

Dhe më del, përherë, në  ëndërr.

 

Shon në ëndërr gjithë nishanet

Gati që t'më zënë alarmet.

Nga  alarmet, m'u prish gjumi

Nga të pashë, që më marrtë lumi.

 


3.Pa ty

Letër të dashurës

 

Behari pa ty, si dimër!

Dimri? Ca më keq: akullnajë!

E sheh që po të flas çiltër:

-Pa ty, s'e kam kollaj.

 

Në xhep nuk kam një kacidhe

Por shpirtin e kam babaxhan

Do bindesh, o e shtrenjta mike!

Për zemrën time- oqean!

 

Vërtet që kushtet e jetës s'i kam të mira

( Ja kështu  u vërtit rrota e jetës!)

Me ty unë përzë sa e sa dimra

Dhe nuk jam aspak larg të vërtetës.

 


4.ATO...

Çdo emër si një fërgëllimë zemre

Asnjërën prej  tyre nuk veçoj.

Ah, sa e madhe është botë e një femre!

Nuk flas me apriori, por jam unë që dëshmoj.

 

Secila prej tyre kishte sharmin e vetë

Dhe  aromën e vetë kish secila

Me to qe e mbushur e imja jetë

Ndaj flas për to me superlativa.

 

Kështu po bëj, se e meritojnë

Të veçosh qoftë dhe dikë, bën mëkat

Flas për femra që dinë të dashurojnë

Se kurrë dashuri s'kërkova si "mëzat"

 

Diçka në zemër për to kam ndjerë

Dhe ndjenja ka qenë reciproke

Ndaj çdo njërën prej tyre, kujtoj me nder

Dhe nuk ka vend për ekuivoke.

 


5. X...

Tri sërë me urupa, varur mbi jelek

Dua ta pi me kupa, syrin aq m'u tek

Si e "piva" syrin, unë seç bëj më tutje

Zë edhe thith gjirin,se jam mbushur huqe.

 

Kam huqe të rënda, se jam pak "qejfli"

Si të kish bërë nëna, të zhvesha tani.

Bëmë ca" punë të rënda",se qeshë i "uritur"

Mu tek këmbët u shëmba, si bar i kositur.

 

* janë shkruar në shtator 2007

Tiranë, 29 maj 2015