E merkure, 24.04.2024, 07:37 PM (GMT+1)

Kulturë

Meri Lalaj: Vogëlushja dhe kali

E premte, 29.05.2015, 07:55 PM


Vogëlushja dhe kali

(Kushtuar mbesës sime, më të dashurës, Vanessa Enz)

Tregim nga Meri Lalaj

Vanessa jeton në qytetin Kaiserslautern të Gjermanisë. Mami i saj është shqiptare, ndërsa babi është gjerman. Vitin e kaluar, Vanessa ndiqte mësimet në klasën e katërt, por një ditë në javë Vanessa ushtrohej në balet dhe një ditë tjetër të javës për të ngarë kalin.

Gjatë pushimeve verore, Vanessa vinte tok me mamin dhe babin për të kaluar pushimet tek nëna në Tiranë. Kështu bënë edhe këtij viti. Ditët ishin të nxehta dhe ata shkonin në plazhin e Durrësit për t‘u freskuar. Atje buzë detit kënaqeshin duke u nxirë në diell dhe duke notuar nëpër dallgët e detit. Ditët e verës po kalonin me shpejtësi njëra pas tjetrës dhe ja erdhi dita e fundit.

Atë mëngjes gushti, Vanessa, mami dhe babi vajtën në breg të detit më herët se sa ditët e tjera. Ndërsa po rrinin shtrirë nëpër ndenjëset lëkundëse poshtë çadrave që i mbronin nga dielli përvëlues, panë se aty tek rruga ndaloi një karrocë, të cilën e tërhiqte një kalë kuqalosh. I zoti i karrocës shiste rrush. Vanessa bashkë me mamin iu afruan karrocës për të blerë rrush. Vogëlushja Vanessa iu afrua kalit dhe po e ledhatonte duke i thënë:

-O kali i bukur, o kali i mirë, të dua shumë!

Karrocieri e pa dhe e pyeti:

-Ke qejf të shëtisësh me karrocë?

-Po, po, të lutem... – i tha Vanessa.

-Do të presësh pak sa ta mbaroj së shituri rrushin.

Pas ndonjë gjysmë ore Vanessa tok me mamin hipën në karrocë. Zotëria tërhoqi frerët dhe kali filloi të ecë duke përplasur thundrat trak e truk. Pasi bënë një shëtitje përgjatë rrugës, karrocieri e çmbrehu kalin nga karroca dhe i tha vogëlushes:

-Tani hip në kalë!

Vanessa u gëzua shumë dhe posi ndonjë flutur u hodh vrik e mbi kurrizin e kalit, përkuli paksa trupin, u kap pas jeleve të tij dhe filloi të kalërojë trokthi buzës së detit. Lart në qiellin shqiptar dielli rrezear i shkeli vogëlushes syrin posi çapkënët. Vanessa kalëronte e lumtur, sytë e kaltër i shkëlqenin. Puhiza, që frynte nga deti, ia krihte flokët e gjatë ngjyrë lajthie dhe ajo gjithë gëzim ia nisi asaj këngës, që kishte dëgjuar në kasetë: „S’trembemi nga bora, / s’trembemi nga shiu, / jemi racë e fortë,  / racë arixhiu...“ Edhe kali i kuq me jelet e zeza ecte krenar sikur të ndihej i gëzuar për këtë vajzë të vogël, që kishte ardhur nga larg në dheun e nënës dhe mamit të vet. Kur u kthye Vanessa, pasi i ra bregut deri në fund, kali përtheu gjunjët dhe vajza zbriti lehtë e lehtë në tokë. E përqafoi kalin dhe bëri të largohej, por karrocieri tha:

-Kalit i pihet ujë...

-Ne kemi shishe me ujë – tha Vanessa. – Pi kali ujë me gaz?

-Jo, kali nuk e pi ujin me gaz, kali do ujë pa gaz... kali nuk pi nga shishja...

-O bo bo, si t’ia bëjmë hallit?...

Vanessa u mërzit shumë sepse kalit i pihej ujë dhe ato nuk kishin t’i jepnin ujë për të shuar etjen. Si do t’ia bënin? Kali u tregua aq i mirë, i qetë dhe i duruar.

-Mos u mërzit Vanessa, - i tha mami. –Hajde të dalim e të kërkojmë ndonjë çezmë...

Pasi kaluan nja dy hotele befas panë rrëzë një muri një çezmë. Të dyja vajtën me vrap dhe mbushën një qese plastmasi plot me ujë të frekët, mirëpo tani kali me karrocë dhe zotëria e tij ishin larguar, mezi dukeshin sa larg kishin ikur...

-Të shkojmë ta ndjekim kalin, se kali do ujë për të pirë, kali është i mirë. Sa kalë i mirë!

Mami dhe Vanessa ecën dhe ecën derisa arritën tek kali, ia dhanë ujin për të pirë, duke e mbajtur të dyja qesen e plastmasit. Kali u ngop me ujë dhe shkrofëtiu nga kënaqësia. Karrocieri u tha mamit dhe vogëlushes Vanessa që të hipnin në karrocë sërish, ai i mori frerët në duar dhe i foli kalit me përkëdheli.

„Hya! Hya!“ dhe i solli përsëri tek vendi i tyre.

-Ju pres nesër këtu që të hipni prapë në kalë – tha karrocieri.

-Faleminderit! Mirë. Do vijmë prapë.–Tha Vanessa, por mami e kujtoi:

-Nesër ne largohemi nga Shqipëria.

-O bo bo, sa keq! -Tha Vanessa dhe sytë e bukur iu mbushën me lot. Ajo e përqafoi kalin duke i thënë:

-Mirupafshim kali, më prit se do të vij prapë vitin tjetër. Mirë, do të më presësh?

Kali tundi ngadalë krifën e kuqërremtë, sikur donte të thoshte: „Po, po...“

Dielli i madh e ngjyrë portokalli po rrokullisej tutje në det...



(Vota: 2 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora