Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Vataj: Azem Shkreli, zani kushtrues i poezisë

| E merkure, 27.05.2015, 08:00 PM |


Ndërmëndje për Azem Shkrelin, zanin kushtrues të poezisë

Nga Albert Vataj

Sot 18 vitë të shkuara, shterri shndritjen tokësore për tu rrokaqiell në amshim, jeta dhe pena e një prej parmendave më të rënda të lëvrimit të poezisë shqipe, Azem Shkrelit.

Nga arena e garrametshme e teksteve që rrëmojnë ndjenja të hovshme, prej gjithë sëmbimeve, zgjedh dhe e mbaj dhimbjen që më dhëmb më shumë, të mundshmen e përballjes, nënshtrimin prej një pasioni që m’gëlon s’brendshmi, më thellë. Ajo shklet, beh aty ku më përpush ky çap. Prek, prek aty ku kjo përcikje me pizatë.

Puth, puth në buzët që cyten prej zjarmisë së dëshirës dhe rrënohet në honin i pendimit. E mbaj duke e dëshiruar dhe kumtoj ndër ju si një nxitim për ta lëshuar veten në këto përqafje, në këtë përjetim.

Është poezia e Azem Shkrelit, ajo, ajo që më mbërthen pas një detyrese për ta rijetuar, për ta risjellë nëpërmjet kësaj ndërmëndje si një ngasje në diçka që përjashton gjithçkanë e boshit që na përpin, çdo ditw me mw shumw.

Kjo penë e ngjyme në lot e në gjak, ky shpirt i kalitur në dihamë e vetëtimë, ky zë i shpaluem si gjamë e kushtrim, asht kujë e kujtesë që ndër ne rrëmon, që tashvjen më shumë se ndërmëndje në përvjetorin e vdekjes së poetit, përmendje, shkundullimë prej angështisë që na zbraz prej jetës e na çjerr prej përjetimeve, duke na kthye në vullnesën hekakeqe të një shpirti që heq zvarrë zgripit të jetës një grumbull mishi dhe eshtrash.

Poezi e Shkrelit asht limfë që mend nis të lëviz, pipëtinë së gjalli në cungun e varruar prej rrufeve të panevojës së "modernitetit", për ta ndi jetën në çdo gjë tonën që na rrëthvjen.

Azem Shkreli dhe poezia e tij, janë akti më solemn i krijimit të epërm që prehet në ëndjen e një kushtimi vjershëtor. Kjo qasje e kërshërisë së Azem Shkrelit, gjithqysh e gjen shkasin e cek tue rrëmu si asnjë tjetër parmendë në koren e padurimit për t’u dhënë mish e shpirt. Ai duke u strukur mes emrave dhe librave të pafund, e gjen rrugën dhe qaset për të mbetur tash e gjithherë një zë, pëshpërimë, psherëtimë, kushtrim, dhimbje, plagë, vdekje, vdekje që na e kthen poetin, në çdo fjalë, në çdo varg.

Ardhja e Azem Shkrelit në poezinë shqipe, përpos që përputhej me bëhjen e talenti të fuqishëm, kungon sakaq një tjetërçka në formën shprehëse dhe muzikalitetit, tempit dhe shkulmit zjarmëtar të gjakut dhe limfës. Shpalon një përvojë, një ndryshesë, një vetevete që dilte nga magja e gjenive për të promovuar modernitetin, një shpirt të shpenguar prej normës, një zë që kumton një skizëm nga rregulli dhe akademizmat hijerëndë, frymëmarrja e zorshme dhe myku i trashë i mureve të së kahershmes që gulçonte nën peshën e nevojës për çlirim. Krejt kjo përpjekje ngadhnjimi do të kthente këtë penë në një ngadhnjim spartan, sprova e solemnitetit të fitores do ta kurorëzonte në katet e naltësimitn deri te "Zogj dhe gurë", botuar më 1997, që shënon edhe t'mbramin hap që kredhi në rrugëtimin e tokësores.