E enjte, 25.04.2024, 03:20 AM (GMT+1)

Faleminderit

Sejdi Veseli: Ylli i pashuar Bajram Bahtiri

E merkure, 23.07.2008, 07:05 PM


YLLI I PASHUAR BAJRAM BAHTIRI

Me rastin e 24 vjetorit të rënjes së dëshmorit Bajram Bahtir

“Biro, Nëna ka pritur që të përcjell dhëndër, por tani po të përcjellë për në Përjetësi. Bajram bir, nëna nuk po derdh lot, sepse Ti e nderove veten, familjen, shokët e idealit dhe kombin që aq shumë e deshe. Hallall të qoftë gjiri që të dhashë!” ( Nënë Nailja )

Shkruan: Sejdi VESELI

Amaneti i yjeve të pashuar - obligim për ne – Ribashkimi i Shqipërisë Natyrale ëshët amaneti i tyre!

Edhe 8 shkurti është njëri prej përvjetorëve të qëndresës dhe heroizmave të Yjeve të Pashuar, në terë hapësirën e Shqipërisë Natyrale, të cilët me shëmbëlltyrën e tyre e pasuruan, e bënë të pakontestueshëm dhe e përjetësuan Kalendarin e krenarisë e të lavdisë tonë njerëzore e kombëtare.

8 shkurti 2008 është njëzet e katër vjetori i rënies heroike, në lulen e rinisë, të njërit nga dëshmorët e shumtë të kombit shqiptar, Bajram Hajrush Bahtiri – Besniku!

Njëzet e katër vjet më parë, në Kodrën e Trimave të Prishtinës, ende pa u mbushur një muaj pas qëndresës heroike të dy bijve të Shqipërisë Natyrale, Rexhep Malës e Nuhi Berishës, gjatë një përballje luftarake me hordhitë gjakpirëse serbo-çetnike, serish po rezistohej. ( Foto: Rexhep Mala e Nuhi Berisha )

Me 08 shkurt 1984, veriu i kësaj lagjeje të Kryeqendrës së Kosovës, ende me plagë të freskëta që mori në natën e 11 dhe orët e hershme të 12 janarit dhe ato që iu shkaktuan nga sjelljet vandale të njësive të specializuara të milicisë serbe gjatë valës së arrestimeve të djemve dhe vashave të saj, u trondit serish nga uturima e automjeteve të blinduara, breshëritë e armëve dhe shpërthimet e bombave kimike.

Për këtë Vatër të qëndresës shqiptare, nuk ishte ndonjë risi, sepse ajo ishte mësuar me sjellje të tilla vandale të milicisë serbo-çetnike dhe të këlyshëve të saj shqipfolës. Shpejt u morr vesh, se në pjesën veriore të kësaj lagjeje ishte bllokuar lëvizja e qytetarëve. Arsyeja: gjatë tentimit për arrestimin edhe të një veprimtari të çështjes kombëtare, milicia serbo-çetnike kishte hasur në rezistencë të armatosur.

Epilogu edhe i këtij vandalizmi serbo-çetnik dihej. Ishte kjo edhe një betejë e dështuar e kriminelëve, për ta mposhtur edhe një luftëtar të vendosur për çlirimin dhe ribashkimin e Shqipërisë Natyrale. U dëshmua katërçipërisht, se ashtu dhe doli!

Ngjarja ndodhi kështu:

Pasi që e kishin vënë nën një rrethim shtëpinë e Bacë Hajrush Bahtirit, sigurimsat e pushtuesit kishin tentuar të futeshin brenda ( siç e kishin bërë shprehi) për ta kapur dhe arrestuar Bajramin, vëllain dhe bashkëluftëtarin më të ri të atëmemëdhetarit të dëshmuar Rahman Bahtirit, i cili gjendej i burgosur dhe po u qëndronte me stoicizëm persekutimeve, të cilat ushtroheshin ndaj tij nga, bishat e sigurimit serb. Por, edhe kësaj radhe, këto bisha i kishin bërë hesapet pa hanxhiun. Falë shkathtësisë së tij prej luftëtarit të lirisë, Bajrami, në vend se të hutohej ai ndërmori veprimet përkatëse për rrethanat e krijuara.

Me shpejtësi të rrufeshme ai hidhet në kundërveprim për ta qarë rrethimin.

Që në hapin e parë, me Staier-in e tij të vjetër, trashëgim nga babagjyshi, e palosi për tokë survejuesin shqipfolës të armikut dhe çau rrethin e parë me forcën e armës së tij. Tërhiqet drejt vendit të quajtur Majdeni i Sali Bullakut, që gjendet jo larg shtëpisë së tij. Por, aty përballet me rrethin e dytë të forcave armike, të cilat pa paralajmërim hapen breshëri zjarri të kryqëzuar drejt pozicionimit të tij. Në pamundësi për ta ndërruar vendin e pozicionimit, Bajrami kishte vendosur për të rezistuar, deri në fishekun e fundit.

Kriminelët, të bindur se nuk mund të përparojnë në drejtim të tij, pa e paguar me jetët e tyre, përnjëherë e ndërpresin zjarrin dhe i referohen taktikës tjetër. Ata nëpërmjet megafonave i kërkojnë Bajramit që të dorëzohej. Kohëzgjatja e kësaj taktike ishte parallogaritur, që të jetë e mjaftueshme për të pozicionuar snajperët e tyre të etshëm për gjak shqiptari, të ardhur nga qendra e tyre në Hajvali. Ashtu, sikur e Rexhepit dhe e Nuhiut, ishte përgjigja e Bajramit!

Predhat e Staier-it të shoqëruara me tingujt e këngës “Ja vdekje ja liri”, drejt pozicioneve armike, deri në momentin kur predhat e snajperëve e goditën për vdekje, ishin përgjigja e Yllit të Pashuar! Trupin e Bajramit e varrosi familja e tij e ngushtë, nën rrethimin e hekurt të forcave të shumta të sigurimit të pushtuesit.

Në ballë të kortezhit të përmortshëm qëndruan me stoicizëm Babë Hajrushi dhe Lokemadhja Nailja.

Para se t’ia dorëzonin Tokës nënë, birin e saj besnik, Lokemadhja e puthi në ballë djalin dhe iu drejtua me këto fjalë:

“Biro, Nëna ka pritur që të përcjell dhëndër, por tani po të përcjellë për në Përjetësi. Bajram bir, nëna nuk po derdh lot, sepse Ti e nderove veten, familjen, shokët e idealit dhe kombin që aq shumë e deshe. Hallall të qoftë gjiri që të dhashë!”

Ishim nëpër qelitë e kazamateve dhe, me vonesë e morëm lajmin e hidhur për rënien e Bajram Bahtirit-Besnikut, njeriut të shtrenjtë të zemrave tona, bashkëluftëtarit tonë të dashur, pjesëtarit besnik të Frontit Nacional-Çlirimtar të Kosovës.

E shkurtër ishte jeta fizike e Bajram Bahtirit, por veprimtaria e tij e pasur patriotike, deri në sakrificën më të lartë, do të mbetën shembull i ndritur, jo vetëm për bashkëluftëtarët e tij, por edhe për të gjithë njerëzit tanë. Bajrami për nga mosha ishte i ri, por ai dinte të mendonte dhe vepronte si burrë i pjekur, sepse Ai ishte i edukuar drejt dhe mirë, në frymën e shëndoshë, atë kombëtare.

Bajrami ishte nga ata nxënës të shkollës së mesme, që në ditët e para të Pranverës 81, u bashkua me rininë studentore dhe punëtorët shqiptar, të cilët nëpër sheshet dhe rrugët e qyteteve të Kosovës, me grushte të ngritur lart brohorisnin parullat “Republikë, Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”, “Trepça është jona”, “Ne jemi shqiptar, jo jugosllav”..., pa u trembur fare nga policia e Herleviqit dhe zagarët e tij shqipfolës.

Bajramin e burgosi dy herë armiku, e torturoi rënd. Trupin e tij të njomë e lanë me gjak, por ai qëndroi i pathyer. Sapo dilte nga burgu ende me plagë në trup e vazhdonte punën patriotike. Për Bajramin, jeta pa luftë, pa përpjekje për t’u çliruar dhe pa rreziqe, përderisa populli shqiptar ishte i robëruar nuk kishte kuptim.

Lufta e Bajramit dhe përpjekjet e tij, brenda radhëve të organizuara u bënë model edhe për brezat që erdhën e që do të vijnë pas tij.

Nëpër shtigjet që hapi Bajrami me shokë, duke e shkrirë jetën e tyre të re, marshojnë një rini e terë, një rini e shëndoshë dhe e pastër, për të arritur në cakun e ëndërruar shekullor të popullit që i lindi.

Kur u dha kushtrimi nga Famëmadhja Ushtria Çlirimtare e Kosovës, shëmbëlltyra e Dëshmorëve të Kombit ishte shtizë e Flamurit tonë kombëtar, për të valuar krenar nëpër beteja!

Kujtimi për Bajramin dhe yjet tjerë të pashuar, do të jetë i pavdekshëm. Do t’u jap forcë, vullnet dhe zemër të gjithë atyre të cilët janë të vendosur për t’i mbajtur të papërlyera frytet e luftës çlirimtare. Ai mbetet obligim i atyre të cilët, jo vetëm për asnjë çmim nuk do të shkelin mbi gjakun e shokëve të rënë, por që janë të vendosur për të sakrifikuar ç’është e domosdoshme që amanetin e Bajramit dhe të yjeve tjerë të pashuar, ta përmbushin plotësisht.

Vetëm atëherë kur do ta bëjmë Atëmemëdheun tonë, ashtu siç e deshën yjet e pashuar të kombit, të lirë, të ribashkuar dhe demokratik, mund të themi se e kemi përmbushë këtë Amanet, plotësisht dhe me besnikëri!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora