| E marte, 26.05.2015, 07:22 PM |
Ramiz Lushaj
DUKA I LUFTËS
1.
Beg Rizaj i Dukagjinit
Duka i Luftës
Gjinia e Trimit.
2.
Linde në trollin e barutit
Jetove në folenë e pushkës
Djep i Paqes.
Kullë e Luftës.
3.
-Ku je nisë...? – po të dvetin malet.
Ky Beg Rizaj kurrë nuk ndalet.
Nga Dukagjini në Karadak.
Tokë e qiell u ndezën flakë.
Nga një luftë shko në tjetrën
Në Kumanovë e dha jetën...
Nga qielli bombat,
Nga malet topat,
Nga toka tankset,
Kumanova ndez nga flakët...
“Lagjja e Trimave” se ka kot emnin.
Në shekuj kanë me dvet brezat
Nga dita në ditë e nga pragu në prag:
-Kumanovë etnike shqiptare,
Për Ty, shqiptarët kanë derdh gjak...!
Beg Rizaj me plagë në trup po lufton me shkijet.
E mori Toka e çoi tek Yjet...
4.
Beg Rizaj në qytetin e Bac Bajramit,
Bash aty në kodër të qytetit
E pijnë bashkë kafen e mëngjezit.
Nuk po ka kohë me ndejt’ gjatë ky trim
I merr me shokë të vet makinat me armatim...
Hapi i tij sa një pushkë,
E presin trimat,
E pret Kosova,
UÇK është në Luftë...
Luftë e madhe në Koshare,
Betejë legjendare.
Luftojnë trimat me krajlët e rinj të Serbisë,
Me e thye kufinin mes Kosovës e Shqipërisë.
Me i pasë jeta ditët e Lirisë
Me i pasë Koha ditët e lavdisë...
-A i kie dy alltia?- i pat’ thanë baba im:
- Një mbaje aty në Deçan,
-Tjetra të duhet për Shqipërinë.
Beg Rizaj si një Isa Boletin,
Dy alltia i mban dhe sot...
Një në Deçan,
Një në Kumanovë...
Ato duhen jetë e mot.
5.
- Nuk kam lind me u plak, veç me krye mision e me ikë!
E ka thanë Beg Rizaj i UÇK-së.
Pak ditë para Luftës së Kumanovës,
Sy e faqe botës.
Në dritë të Diellit.
Në besë të Tokës.
Në amanet të votrës...
Ai ishte e mbetet bashkudhëtar me Lirinë
Nga Deçani në Kumanovë.
Me moshën e Luftës e të Paqes.
Në rradhët e historisë tonë.
Ai e dha jetën për Shqipërinë e Vërtetë,
Natyrale. Etnike.
Ai iu la kohënave këtë thanie biblike.
6.
-Beg Rizaj, sa vet të ka ushtria?!
-Aq sa luftëtarë ka Trimnia.
Aq sa të mbahet në dorë alltia.
Aq sa t’na lypin Liria...
7.
-Ku rri Beg Rizaj, komandanti i “Njësisë së Shqipeve...”?
- Në Deçanin e Sylejman Vokshit e të Isa Boletinit,
Në Deçanin e Ramush Hajradinit...
8.
Komandant Beg Rizaj,
Trimin e Koshares e të “Lagjes së Trimave”
Prapë, po e thirri Kumanova, Presheva, Nishi, Mitrovica,
Ulqini, Sanxhaku, Rrozhaja, Plavë-Gucia.
Dorën e ka në dy alltia,
Hapin tek Liria...
Vjen si yll i qiellit shqiptar,
Vjen si valë e Drinit të Bardhë,
Vjen si mal i ri i Deçanit,
Me i dhanë prapë jetën vatanit.
9.
Beg:
me tri germa emni yt genetik
me tri germa emni yt si komandant ,
në tri luftna - në tri shtete:
Në Kosovë, në Preshevë, në Kumanovë...
Në tre mijë vjet luftna
Dardan epik e modern mbete.
Beg Rizajt çojani tek varri:
Tre gurë të bardhë Deçani
Tre pisha të gjelbra nga majemali.
Shqipëria i don dhe tre mijë vjet
Me këta Plisa e Lisa të saj,
Shqiponja në fluturim,
Si komandanti luftëtar - Beg Rizaj.