Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sami Sherifi: Nëntë legjenda lindi nëna

| E hene, 25.05.2015, 01:20 PM |


Sami Sherifi

 

NËNTË LEGJENDA LINDI NËNA

 

Atdhe
Toka ime hyjnore
Nga dje, nga sot e përjetë
Lavdia qoftë për dëshmorët!
Mallkimi i shitoftë tradhëtarët!
Ngushëllimi i qetësoftë familjarët!

Shqipëri
Nëna ime më e dashur
Sot
Nëntë trima
E nëntë shqiponja
Nëntë legjenda
E nëntë lapidarë po ngrihen për Ty!

 

(24.05. 2015)

 

HEJ ZGJOHU

 

Dallgë të mëdha
U ngritën
Rebesh e rrëmujë
Atdheun e shqipeve e kaploi
Shekuj
E themele kullash
Rrugëve të shpresës u bartën
Shpëtimtarë
Në emër të demokracisë
Dorën na e shtrijnë
Fytyrën
Me shallin e hipokrizisë duke pështjellë
Në emër të drejtësisë
E lirisë
Ditë e natë na folën
Atdheun duke e vjedhur
Tradhëtuar
E mjelë
Njerëz
Me kostume te zeza e kollare
Veshur
Kriminelë të maskuar
Që rrugëve të Shqipërisë
Edhe sot i sheh
E zotëri ju thua!


(20.05.2015)

 

KËMISHA E PËRGJAKUR

 

Daullet po gjëmojnë
E dasmorët
Grykës së Rekës së Keqe
Zdirgjen
Vallen e shqipes duke e dridhur
Papritmas në pritë
Krisma pushkësh dëgjohen
Gishti i tradhëtisë e përgjak
Heshtjen e përlotur të hënës
E këmishën e bardhë të nuses.

(19.05.2015)

 

KALI I TROJËS NË KUMANOVË

 

Kalin e Trojës
Në Lagjen e Trimave
Të kamufluar
Mes errësirës e fshehën
Fëmijtë e lagjes
Në gjumë t’i trishtojnë
Ëndrrat t'ua vrasin
Dritën e syrit
E Diellin
Me shami të zezë t'ua pështjellin
Liridashësit
Në shpatullat e përgjakura
Plumbin e tradhëtisë
Ta ndjejnë.

 

(16.05.2015)

 

KËTU KU KRISNIN ARMËT

(Inspiruar nga skica e studentes,Anesa Aliti)

Nuk besojë që ka ndonjë poet
Në këtë botë
Që vargun e fundit do ta shkruajë
Krismat e rafalet
Duke i dëgjuar
Vdekjen
Si shpëtim duke e parë
Kështu
Siç na e përshkruan
Në fletoren e kujtimeve
Vasha e trishtuar
Nga Mëhalla e Trimave
Krismat
E vdekjen duke e ndjerë
Derisa bandat e krimit
Me urrejtje
E tradhëti
Pëllumbat e bardhë të lirisë
Në gjumë të thellë
Deshtën ti vrasin
Që nënat shqiptare
Djemëve
Kufomat me lotë t'ua lajnë.

 

(15.05.2015)

 

D?SHPRIMI I KËTIJ AGU

 

T? shkuarës
I kthehem
Thikat e tradhëtisë t'ia nxjerri nga palca
Po thika tjera
Në shpatulla më nguliten
E plagët më shtohen
Gjaku më rrjedhë
E dhimbjet shekujt m’i rëndojnë
Tradhëtia
Pas maskave më fshihet
Në terrin e këtij agu.


(Mëngjes, 14.05.2015)

 

SKENAR FILMI E KRIMI

 

Lagje e Trimave
Kumanovë
Data 11.05.2015
Lagje
Me shtèpi të djegura
E skena trishtuese krimi
Ku inskenime filmash
Luajtën
Artistë kriminelë
E regjisorë
Me kamera të fshehta
E me fytyra të maskuara
Inçizimin e filmit holivudian
Përfunduan
E për çmimin Oskar
Propozuan skena
Ku fëmija vritet
LIVE
Dhe ku gjaku i njomë kullonë
E skena përgjaket...


(11.05.2015)

LOTI I GJYSHIT

 

Pika loti
Faqeve të rrudhura të gjyshit
Rrëshqasin
Si pika shiu
Në pëllëmbën e çarë të stinëve
Treten
Syri i gjyshit edhe në gjumë vajton
M lotë fëmije
Në rrjetën e merimangës dridhet
E si peri i leshtë
Në qylymin e gjyshes
Tjerret
Edhe kur gjyshi gjumë të qetë bën
Ai lindë e vdes mes ëndrrave
Si në legjendë qiellit
Ngjitet
E si shqiponjë lartësive
Ndjehet
Derisa shpirti
Nga ëndërrat ta ndajë.

 

(21.05.2015)

 

NOSTALGJIA


Ja shtëpia e fëmijërisë sime

Në fshatin e lindjes!

Vite e vite
Mallëngjimi
Nëna i kaloi
Ulur
Aty ke shkallët dhe dera e shtëpisë
E mërzitur
Djalin nga mërgimi duke e pritur
Dhe nga malli
Vdiq e shkoi
Shtetin e gurbetin
Duke e mallkuar!


(10.05.2015)

NË KUMANOVË

 

Mëngjesi
I Nëntë Majit
Ditë e ngadhënjimit mbi krimin
Për Europën
Ditë kur
Në Lagjen e Trimave
Në Kumanovë
Dora e fshehtë e krimit
Fëmijë të pafajshëm
Vretë
Fytyrën
Pas maskës duke fshehë.


(9.5.2015)

 

SI VALË LUMI TË NDJEJ

 

Si i dënuar i pafajshëm
Në udhëkryqe stinësh
Me duar të lidhura
Po pres
Zinxjirët e shekujve të përgjakur
T’i këpus
E me rrjedhën e Vardarit
Robërinë
Dhe shekujt e përkuljes
Drejtë Egjeut ti nisë
Lirinë
Si rrjedhë magme
E si valë Mesdheu ta ndjejë.

 

(07.5.2015)

 

FTESË

 

Sot
Të gjithë juve miq
E mikesha
Nga një ftesë po ua nisë
Ejani
Që ëndrrat
Dhimbjen e shpresën
Si varg të përlotur
Epokës së krenarisë
T'ia falim
Përçarjen dhe urrejtjen
Si testament
Në Akt akuze ta ngremë
Vetëvehten të akuzojmë
E krenarë të ndjehemi
Si poetë
Të lirë
E të bashkuar të frymojmë .


(26.04.2015)

 

GUSHINCA

E TREKËNDËSHIT KUFITARË

 

Gushinca
Kullë e ngritur
Në trekëndëshin i hartës së vjetër
Të coptuar
Ku gjarpërinjtë helmues nxjerin kokë
E trungut
Të mollës së kuqe
Kacaviren
Legjendën e tre vëllezërve
Me tre piramida kufinjësh
E ndajnë
Dhe pasi hënën të kafshojnë
Të vetëhelmuar
Ke trekëndëshi kufitarë
Ngordhin nën gur .


(21.04.2015)

 

LULËZON LULJA BUZË VARDARI

 

Sot
Ke Uji i Thartë
Në Grykën e Vardarit
Një lule më buzëqeshi
E shumë më gëzoi
Kur buzë lumi
Lulja
Me petale të sapoçelura
Të bardha si bora
Me plotë freski Sharri
E aromë Zhedeni
Vargun tim më mbushi
E kujtesa
Si rrjetë merimange
Në qylymin e gjyshes
Mes blerimit më endi
Pranverën e vonshme
Buzë Bardharit më shtroi .


(11.04.2015)

 

KËTU KU KRISNIN ARMËT*

 

Nuk besojë se ka ndonjë poet
Në këtë botë
Që para se të vritet
Vargun e fundit do të shkruaj
Krismat e rafalet
Duke i dëgjuar
E vdekjen si shpëtim
Duke e parë
Kështu
Siqë na e përshkruan
Në fletoren e kujtimeve
Vasha e trishtuar
Nga Mëhalla e Trimave
Krismat
E vdekjen duke e ndjerë
Derisa bandat e krimit
Me urrejtje
E tradhëti
Pëllumbat e bardhë të lirisë
Në gjumë të thellë
Deshtën ti vrasin
Që nënat shqiptare
Djemëve
Kufomat me lotë t'ua lajnë .


(15.05.2015)
*Titulli i huazuar nga skica e Anesa Alitit

 

SI VALË LUMI TË NDJEJË

 

Si i dënuar i pafajshëm
Në udhëkryqe stinësh
Me duar të lidhura
Po pres
Zingjirët e shekujve të përgjakur
Ti këpus
E me rrjedhën e Vardarit
Robërinë
Dhe shekujt e përkuljes
Drejtë Egjeut ti nisë
Lirinë
Si rrjedhë magme
E si valë Mesdheu ta ndjejë .


(7.5.2015)