E premte, 19.04.2024, 10:53 PM (GMT+1)

Kulturë

Zonja e Ballkanit

E merkure, 23.07.2008, 06:43 PM


Mary Edith Durham nje zonje e madhe per Shqiperine, Autor Kastriot Frasheri
Mary Edith Durham nje zonje e madhe per Shqiperine. Një bibliografi për Edit Durham. Historiani Kastriot Frashëri sjell një hulumtim në arkiva për të zbuluar gjithçka nga gruaja që kontribuoi aq shumë për Shqipërinë.
 
Çfarë e shtyu gruan me sytë e ujtë, me flokët e kaftë mbledhur pas qafës, të udhëtonte drejt Shqipërisë në vitin 1901? Të linte shtëpinë e saj në Angli, dhomën e madhe ku në makinën e shkrimit kishte hedhur rrëfimet e saj të para si shkrimtare dhe të endej sekreteve të historisë?

A ishte ky vend nga larg i ashpër, vendi i duhur për gruan që ëndërronte të shkruante romanca? Edit Durham nuk deshi të rrëfente gjatë për jetën dhe ëndrrat e saj para udhëtimit drejt Shqipërisë. Gjithçka për të ndaloi aty, në vitin 1901, kur për herë të parë shkeli në tokën shqiptare. Ajo u mundua të harronte sallonet ku flitej për art në Londër, fustanet prej mëndafshi, çajet e mbrëmjes, dhe nisi të hulumtonte këtë tokë gati të panjohur për Evropën.

Kaq vite më pas mund të gjesh shumë rrëfime mbi jetën e saj.

Arkivat shqiptare disponojnë informacion të mjaftueshëm për zonjën angleze që e deshi aq shumë këtë vend. Letra që ajo ua ka dërguar personaliteteve më të njohur të kohës, që tregojnë shqetësimin e saj të vazhdueshëm për Shqipërinë. Një mori librash të shkruar nga ajo për Shqipërinë kanë mundur të ndriçojnë atë pikë të errët që Evropa, pse jo dhe Ballkani, kishin për shqiptarët. Ajo shkroi me të njëjtin pasion siç dëshironte dikur të shkruante romane, jetën e shqiptarëve. Tregoi përpjekjet e tyre ndër shekuj për të qenë të pavarur dhe dëshirën për të qenë një popull i integruar.

Askush si kjo zonjë nuk ka shkruar kaq shumë letra drejtuar personaliteteve më të rëndësishme të kohës, me aq dashuri për Shqipërinë.

Kastriot Frashëri, historian prej vitesh, ka hulumtuar në gjurmët e zonjës Durham. Në Arkivin Qendror të Shtetit, Bibliotekën Kombëtare, ai ka gjetur gjithçka ku shënohet dhe emri i saj. Korrespodenca, vlerësime, shkrime në shtypin tonë dhe të huaj, të cilat nxjerrin në pah një portret të plotë të kësaj zonje. "Mary Edit Durham, një zonjë e madhe për Shqipërinë" është e vetmja bibliografi për anglezen Durham.

Përmes atyre fjalive të shkurtra shihet gjithë pasionin i saj për këtë vend. Nga Londra, më 25 qershor 1943 ajo i shkruante Fan Nolit, ku e informonte për aktivitetin e dobët të "Miqve të Shqipërisë" në Angli, përfshin dhe ata që drejtohen nga Kastrati, mbi gjendjen e refugjatëve në Zvicër, të cilët kërkojnë një qeveri "demokratike" për Shqipërinë.

Në të njëjtin vit, më 14 korrik, ajo i shkruan sërish Fan Nolit ku e falënderon për një dhuratë që ai i ka dërguar, duke shprehur optimizmin për të ardhmen e Shqipërisë.

Letrat e saj drejtuar Nolit janë të pafundme. Më 27 korrik të vitit 1943 ajo i shkruan se ka lexuar nga gazetat për luftimet që zhvillohen në Shqipëri si dhe i shpreh simpatinë dhe besimin e saj në luftën nacionalçlirimtare që zhvillohet në vend dhe për formën e qeverisjes që do të vendoset në vend nga Këshilli Nacional Çlirimtar. Ndërsa në tetor të 1943 ajo i shkruan Nolit se ka bindje që forcat anglo-amerikane do t‘i bindin udhëheqësit e guerrilasve e partizanëve të krijojnë një qeveri provizore të cilën duhet ta zgjedhë lirisht populli dhe i thotë për respektimin e kufijve të vitit 1913.

Emri i zonjës Durham shfaqet në çdo iniciativë që ka të bëjë me ndonjë ndryshim të rëndësishëm historik për Shqipërinë.

Nga Londra, në vitin 1914, ajo i shkruan Kol Baçit në Shkodër mbi rrezikun që i kanoset Hotit dhe Grudës nga Mali i Zi, mbi librin që ajo po përfundon (për të drejtat e shqiptarëve), si dhe mbi masakrat greke në territoret jugore të Shqipërisë.

Më 18 mars 1920, Luigj Gurakuqi merr një letër nga Zef Bumçi, ku ndër të tjera i shkruan se në mbledhjen e organizuar në Parlament ndodhej dhe miss Durhami.

Më 23 maj të vitit 1920, ajo i shkruan Mithat Frashërit, dhe i tregon mbi gjendjen e rëndë në Shqipëri, mbi rrezikun e copëtimit të saj nga Greqia dhe Serbia dhe propagandën antishqiptare që bëjnë këto të fundit, shpreh keqardhjen e saj se, përderisa shqiptarët nuk janë të bashkuar, gjendja do të jetë e vështirë.

Emri i Durhamit është dhe në dokumentet për Konferencën e Paqes.

Aubrey Herbert i shkruan Mithat Frashërit se Lord Larington, Miss, E. Durham dhe ai kanë shkruar një letër ku theksohet se Shqipëria duhet t‘i ketë dyert të hapura në Konferencën e Paqes. Në maj të 1913, ajo i shkruan sërish Mithat Frashërit, ku i tregon përpjekjet e saj për Shqipërinë dhe i shpreh keqardhje se vetëm gjysma e letrave që dërgon në gazeta botohen, gjithashtu i shkruan se ka marrë lajme shumë të këqija nga Shkodra për Gucinë dhe se në Pejë janë djegur të gjitha shtëpitë shqiptare nga malazezët.

Më 30 dhjetor 1919 ajo i shkruan sërish Frashërit, ku i shpreh pikëpamjen e saj pro italiane në lidhje me mbrojtjen e çështjes shqiptare para Fuqive të Mëdha.

Më 7 mars 1913 ajo i shkruan Kristo Dakos, ku i rrëfen për gjendjen e keqe politike dhe ekonomike të Shqipërisë, për sjelljen e keqe të malazezëve dhe serbëve ndaj Shqipërisë.

Më 7 tetor 1917 ajo i shkruan Sevasti Qiriazit, ku i thotë se është kundër Ismail Qemalit, të cilin e bën përgjegjës për dështimin e kryengritjes së Malësisë më 1911. Ajo thotë se plaku Bibë Doda kishte të drejtë kur tha: "Po të doni të bashkonin vendin, varni Esad Pashë, Ismail Qemalin dhe mua". Të gjithë diplomatët mendojnë se këta të tre blihen nga ata që paguajnë më shumë. Ajo i thotë se Anglia nuk ka interesa në Ballkan. E vë në dijeni mbi disa artikuj të "Contemporary Review" mbi Shqipërinë, si dhe i thotë se priftërinjtë dhe hoxhallarët duhet të paguhen nga shteti dhe nuk duhet të jenë shërbëtorë të Fuqive të huaja, etj.

Një muaj më vonë ajo i shkruan sërish Sevasti Qiriazit, ku i tregon për veriun e Shqipërisë, për vendimin e Komisionit Ndërkombëtar për Vlorën dhe dorëheqjen e Ismail Qemalit. Ajo është e trishtuar nga artikulli i një antishqiptari të tërbuar në gazetë, i cili i shkruan gazetës angleze "Quartery Review" dhe ribotuar nga "Ylli i Mëngjesit". Jep mbështetje për Fan Nolin.

Bibliografia e hartuar nga Kastriot Frashëri përmban gjithë përpjekjen e kësaj gruaje që kërkonte të luftonte nëpërmjet fjalëve dhe strategjive të një anglezeje, në zemër të Ballkanit.

Dhe pse një bibliografi nuk të lejon të hysh në detaje, ajo është e mjaftueshme për të kuptuar se Shqipëria ishte më shumë se një pasion për zonjën Durham.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora