E merkure, 28.10.2020, 08:36 PM (GMT)

Personalitete

Gjekë Gjonaj: Zylfije Gjoni Duraku, mjekja e parë

E hene, 25.05.2015, 01:59 PM


DR. ZYLFIJE GJONI DURAKU, MJEKJA E PARË E ANËS SË MALIT

Nga Gjekë Gjonaj

Kushdo që e njeh punën dhe veprimtarinë e deritashme të dr. Zylfije Gjonit - Durakut arrin në përfundimin se është femra e parë mjeke nga Ana e Malit, e cila përveç ndjenjës humane në shpirt dhe në zemër, mban dashurinë e zjarrtë për kombin shqiptar, për gjuhën e bukur shqipe dhe për simbolet tona kombëtare.

Rrjedh nga një familje përpraimtare, e cila ka nxjerrë tre intelektualë të mirëfilltë: dy mjekë specialistë dhe një magjistër të shkencave të biokimisë, të diplomuar në Universitetin e Zagrebit dhe të Prishtinës, një arritje e jashtëzakonshme për atë kohë.

Kjo bijë e një fshatari fisnik, human, të ndershëm, vizionar e pleqnar, i rritur jetim pa nënë, u lind në fshatin Selitë para 59 vjetësh. Si e vogël ka qenë shumë e zhdërvjellët dhe energjike. Më shumë shfaqte interesim për lojën e futbollit me djem sesa për lojërat me shoqe, aq sa shumëkush e thërriste djali i vogël i Shaqirit.

Rruga e gjatë e dijes

Rrugën e vështirë të dijes e nisi pa i mbushur shtatë vjet. Asgjë nuk e pengoi të jetë nxënëse e rregullt dhe e dalluar. As punët e shtëpisë, as udhëtimi njëorësh deri në shkollën e Katërkollës, as shiu, as bora e as të ftohtit.

Shkollimin e mesëm e mbaroi në Ulqin me sukses të shkëlqyeshëm. Në vitin e dytë të gjimnazit  përfaqësoi shkollën në ceremoninë madhështore të kremtimit të 25 Majit - ditëlindjes së Josip Broz Titos, në Beograd, kryeqytetin e Jugosllavisë.

Zylfija për profesion zgjodhi mjekësinë, ëndrrën e saj të fëmijërisë, duke ndjekur udhën e vëllait të saj, Dautit, tashmë emër i njohur i mjekësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Dita më e lumtur e jetës sime ka qenë kur prof. dr. Simë Dobreci përmes telegramit më njoftoi se jam pranuar në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Sepse këtë profesion e adhurova shumë herët, kur aktorja e shquar e Teatrit Kombëtar në Tiranë Roza Anagnosti, në ekranin e Televizionit të Shqipërisë luante rolin e mjekes kirurge”, thotë Zylfija.

Gjithçka i shkoi mirë e mbarë. Në vitin 1981 u diplomua në mjekësi. Gëzim i madh për të dhe familjen e saj. Pse jo, ngjarje e madhe edhe për trevën e Anës së Malit, e cila nxori femrën e parë mjeke. Në Shtëpinë e Shëndetit të Ulqinit për herë të parë vesh mantelin e bardhë një mjeke shqiptare.

Përgjegjësi dhe sfidë

Doktoreshës së re të sapo diplomuar i buzëqeshi fati. Menjëherë u punësua në Shtëpinë e Shëndetit në Ulqin. E veshur me mantel të bardhë, punoi me dr. Gjuriqin, dr. Arangjelloviqin, dr. Aleksiqin e kolegë të tjerë. Me pacientë ishte e afërt. Me kolegë, gjithashtu. Kënaqej kur u ndihmonte të sëmurëve. Asnjeherë nuk ndjente lodhje. Puna e mjekut për të ishte përgjegjësi dhe sfidë.

Në jetën e saj të përditshme si mjeke mban mend shumë çaste të mira e të këqija, shumë raste të vështira e tronditëse, por edhe padrejtësi. U përball me shumë sprova, të cilat arriti t’i përballojë.     Veçantia dhe natyra e saj bujare është të shërojë edhe me fjalë.

“Aq ishte e afërt me ne”, thonë pacientët, “saqë shpeshherë harronim pse kemi shkuar te doktoresha Zylfije, me u kontrolluar apo me i harruar dhimbjet pa barna”.

Doktoresha me zemër bujare dhe sjellje prej gruaje fisnike, u lehtësonte dhimbjen të sëmurëve dhe u ngjallte shpresën e jetës. Një mjeke dhe bashkëqytetare e dashur për të gjithë. Kjo tregon  për mirësinë, humanizmin dhe profesionalizimin e saj. Një intelektuale dhe bashkëqytetare e dashur për të gjithë.

Specializimi, një  rrugë me ferra

Doktoresha Zylfije nuk u kënaq të jetë vetëm mjeke, por synoi realizimin e arsimimit të mëtejshëm dhe një kontribut më të madh shoqëror për vendin e vet. Dhe ashtu veproi. Kërkoi specializimin. Por, drejtori i atëhershëm i Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin, dr. Pavle Ban, e refuzoi disa herë kërkesën e saj, siç thotë ajo, “për motive politke, ngase isha e kyçur në parti politike  nacionale shqiptare”.

Me vdekjen e hershme të gjinekologut të mirënjohur ulqinak dr. Shuajb Resulbegut, Ulqini mbeti pa gjinekolog. Kjo e nxiti doktoreshën Zylfije të braktisë punën në Ulqin dhe të regjistrojë gjinekologjinë në Novi Sad, me vetëfinancim. Ishte ky një hap i guximshëm dhe një sakrificë e madhe familjare, për të çarë rrugën me ferra që ia kishte shtruar askush tjetër përveçse drejtori i saj, dr. Bani.

Shqetësimet e saj nuk përfundojnë me kaq. Vetëm dy muaj pasi filloi specializimin, e njofton për ndërprerjen e tij. Lajm shokues për doktoreshën Zylfije, e cila derdhi  shumë lot nga hidhërimi se mbeti pa specializim e pa punë. Mirëpo, përkrah saj në këto momente tepër të vështira u gjet bashkëshorti Rexhepi, i cili e nxiti dhe ia mundësoi shkuarjen në Novi Sad, në vitin 1994, të cilin e përfundoi katër vjet më vonë me dhjetëshe.

Rikthimi në shtëpinë e shëndetit si gjinekologe

Për habi e çudi, ministri i atëhershëm i Shëndetësisë dr. Miomir Mugosha, i cili ia kishte ndërprerë specializimin doktoreshës Zylfije, pendohet dhe e pranon në punë, tashmë si gjinekologe, në repartin e grave, ku punonin dr. Rolloviqi dhe dr. Gjukiqi.

Që nga viti 2005 punon në maternitetin e parë në Ulqin, bashkë me dr. Milan Rolloviq, dr. Sadije Hollaj dhe dr. Teuta Hoxha.

“Gjashtë shkurti i vitit 2005 ishte dita më e gëzuar jo vetëm për ne, por edhe për të gjithë banorët e Ulqinit, sepse atë ditë lindi foshnja e parë në Maternitetin e këtij qyteti”, shprehet me krenari doktoresha Zylfije.

Nga viti 2008 është shefe e këtij materniteti. Ka kryer shkollën për Kolposkopi, Ultratingull dhe Gjinekologjinë adoleshente. Ka marrë pjesë në disa kongrese nga fusha e mjekësisë, brenda dhe jashtë shtetit, ku i ka publikuar dhjetë punime shkencore.

Si rastin më të vështirë në karrierën e saj të deritashmne si gjinekologe veçon një nuse të re me eklamsi, e cila pasi e dërguan në spitalin e Podgoricës shpëtoi së bashku me foshnjen e saj.

(S) prova   politike

Krahas punës humane si mjeke, doktoresha Zylfije që në fillimet e demokracisë u angazhua në politikë, duke u rreshtuar në radhët e partive politike shqiptare. Jo nga dëshira për të bërë karrierë, por nga vullneti dhe obligimi moral e kombëtar si intelektuale, për të luftuar për të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi.

Politikanja e re, pa përvojë, e brumosur me ideale kombëtare, mendonte se përmes subjekteve nacionale shqiptare mund të arrihen të drejtat tona. Mirëpo, kur e kuptoi se liderët politikë shqiptarë më shumë filluan të priren nga interesat personale sesa ato kombëtare, shpesh nuk është pajtuar me veprimet e tyre të gabuara. Kjo kundërshti i ka kushtuar mjaft, duke e konsideruar si person të papërshtatshëm. Por, thotë ajo, “ndjehet krenare që nuk lejoi të bëhet servile e askujt”.

Puna vullnetare humanitare

Doktoresha Zylfije i kthehet punës vullnetare humanitare. Në vitin 1994 themeloi Shoqatën e  Gruas “Anima”, në kohën e trazirave në Kosovë. Përmes saj, si asnjëherë më parë u ndie zëri i gruas shqiptare në gjithë Malin e Zi dhe në trojet shqiptare, me pjesëmarrjen e saj në Kongresin e Amerikës, në Londër, Bruksel e gjetkë, ku paraqiti problemet e gruas shqiptare në trojet e tyre etnike në këtë shtet.

Gjatë periudhës së luftës në Kosovë, kjo shoqatë shpërndau shumë ndihma për refugjatët kosovarë dhe bëri strehimin e tyre. Në këtë periudhë, dr. Zylfija ka qenë mjeke vullnetare pranë Shtabit të Emergjencës së Komunës së Ulqinit.

Kjo humaniste për pesë vite radhazi solli fëmijët jetimë nga Kosova në pushime në Ulqin. Organizoi disa seminare për të kërkuar të drejtat e gruas.

Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë solli në Ulqin 100 fëmijë jetimë nga Kosova dhe artistet e shquara shqiptare, ikonat e kinematografisë shqiptare, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Roza Anagnosti, Drita Pelingu, Violeta Manushi dhe shumë figura të tjera nga fusha e artit dhe medias, si gazetarja “rebele” Zenepe Luka, Tefta Radi etj.

Doktoresha Zylfije Gjoni - Duraku është kryetare e Degës së Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, në kuadër të së cilës veprojnë artiste, këngëtare, prezentuese dhe gra të shquara nga të gjitha trevat shqiptare, me qëllim për të promovuar vlerat e gruas shqiptare dhe për të shpalosur vlerat dhe kontributet e saj.

Familja, suksesi më i madh në jetë

Gjëja më e rëndësishme për të është familja dhe puna. Ajo sot ndjehet e plotësuar shpirtërisht dhe emocionalisht sepse ka një familje të shëndetshme intelektuale. Vajza Vlora ështe mjeke – pediatre, Rrezarta magjistre e telekomunikacionit, Linda magjistre e farmacisë, kurse djali   Artani është në përfundim të Fakultetit Juridik në Vjenë.

Ky është suksesi më i madh i jetës së saj. Kjo e bën atë të lumtur dhe krenare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora