E premte, 03.12.2021, 09:37 AM (GMT)

Kulturë

Dibran Demaku: Dasma

E diele, 24.05.2015, 10:48 AM


Dibran Demaku

D A S M A

Tregim nga jeta

Vera e vitit ‚92 në Kosovë ishte e nxehtë.Edhe më të nxehtë dhe përvëluese e bënte okupimi.Okupatori serb ishte i vendosur që të zhbënte, të nxirrte me rrënjë gjithçka shqiptare.Ai kishte vendosur që shqiptarëve në Kosovë të ua bënte jetën të pamundur.Kishte vendosur që t‚i zhbënte ata, t ‚i zhbënte traditat e tyre kombëtare.Kishte rifilluar të përdhoste krenarinë e tyre, besen e tyre, nderin e tyre.Edhe zakonin e bukur të dasmës shqiptare kishte vendosur që ta zhdukte nga faqja e dheut.Me ato veprime të tij synonte që shqiptarët tash e tutje të mos bënin dasma, të mos lindnin fëmijë,të mos kishin ardhmëri!Policia e saj barbare do të sulej mbi dasmorë shqiptarë, do t‚i rrihte ata, do t‚ua përdhoste veshjet e tyre kombëtare, do t‚ua merrte e do t‚ua përdhoste flamurin kombëtar!...

Në atë verë të nxehtë një Dasmë e madhe do të bëhej në katundin Gllanasellë(Shkabë) të Gllogovcit(Drenasit).Beqir Kurumeli do të martonte djalin e tij të parë.Meqë Beqiri punonte përkohësisht në Gjermani dhe si të thuash ishte i kamur, në dasmën e djalit kishte ftuar shumë dasmorë.Kishin ardhur në dasmë miq e dashamirë  nga të gjitha anët e Drenicës dhe më larg! Që dasma të ishte edhe më madhështore,Beqiri apo( Beqa) kishte ftuar edhe këngëtarët e njohur në tërë Kosovën e më larg, Vëllezërit Gashi,apo siç njihen në popull Bijtë e Sefë Mleqanit.Zëri i Ymer, Osman , Ibrahim e Beqir (tash dëshmor i kombit) Gashit kishte jehuar me krenari derisa ata kishin kënduar këngë për trimat e historisë sonë kombëtare!Kur kishin pushuar këngëtarët, kishin ushtuar Tupanat(lodrat) dhe dasmorët ishin ngritur të vallëzonin vallet e njohura kombëtare!...

Plaku,më i nderuar dhe i respektuar i fshatit,kishte qëndruar në ballë të oxhakut,dhe qëndrimi i tij të kujtonte diçka nga epika shqiptare!Ai ishte kush tjetër pos Tahir Topillës, apo Tahir Plakut, i cili me qëndrimin e tij burrëror i jepte hijeshi adës se burrave dhe vetë dasmës!

Veqëse në atë qëndrim të tij burrëror, një sy i stërvitur do të vërente se Plakun e mundonte diçka në brendësinë e tij!Në atë shikim të tij vërehej se ai dëshironte që atë që e ndiente në brendësi ta nxirrte jashtë, por e shtyente edhe për ndonjë çast më shumë,në mënyrë që në atë gëzim të mos krijonte shqetësim!...

Në një moment kur tashmë kishin pushuar këngët dhe vallet, Tahir Topilla apo Tahir Plaku,me një zë të qetë, siç i kishte hije vetëm atij, e kishte thyer heshtjen:

-Burra , edhe pak kohë ka mbetur e ne do të nisemi në rrugë për të marrë nusen!...Si po shkojmë dhe kush po shkon?!...

I zoti i dasmës, Beqiri, pasi kishte marrë leje nga Tahir Plaku nëse mund të fliste do të shtonte:-Do të shkojmë sipas traditave dhe zakoneve tona, baci Tahir!- dhe gëzimi i shpërthente në fytyrë.

-Vazhdoje fjalën, baci Tahir, e mos e lë përgjysmë!-do të dëgjohej zëri i njërit nga të pranishmit.

-Lehtë është të themi se do të shkojmë sipas traditave dhe zakoneve tona, por?!...

-Nëse shkojmë të gjithë kaq sa jemi, a mos po e rëndojmë mikun?!-do të fliste sërish Tahir Plaku.

-Miku më ka dhënë leje që të shkojmë të gjithë sa jemi!-do të përgjigjej i zoti i dasmës, Beqiri.

-Miku, po, por pushteti dhe policia, jo!-do të shtonte Tahir Plaku.

-E kur e kemi pyetur ne pushtetin se si duhet t‘i bëjmë ne dasmat tona?!-do të dëgjohej një zë burri.

-Nuk e kemi pyetur asnjë pushtet, por ky i Serbisë po na i prishë dasmat tona, po i rrahë  dasmorët, e po na e shkel me këmbë edhe flamurin tone kombëtar!-ia kishte kthyer Tahir Plaku.Dhe pas fjalës së tij kishte rënë heshtja.Kishte rënë një heshtje e rëndë!Asnjëri prej të pranishmëve nuk po bëzante.Duke e pare se asnjëri nga të pranishmit nuk po fliste, Tahir Plaku e kishte kuptuar se i takonte atij që të vazhdonte fillin e bisedës! Fillin e bisedës që kishte filluar të sillte tension dhe frikë…

-Për këtë ju pyeta burra, si të ia bëjmë?! Apo të shkojmë e ta marrim nusen pa flamur?!...

-Punë që nuk bëhet!-kishte kundërshtuar njëri nga të pranishmit.

-Punë që nuk bëhet!-kishte shtuar edhe i zoti i dasmës!...

-Atëherë, flisni burra, si të ia bëjmë e mos të koritemi?!-kishte insistuar Tahir Plaku.

-Unë e kam caktuar edhe flamurtarin, atë që do ta bartë flamurin!-kishte shtuar i zoti i dasmës, Beqiri.Dhe pasi kishte pushuar pak dhe ishte ngirë me frymë, në fytin që i digjte , kishte vazhduar:-Nuk mund ta  lë tash atë djalë pa flamur!...Ai është veshur e është bërë gati si është më së miri!...

-Cilin e ke caktuar për flamurtar?-kishte pyetur Tahir Plaku.

-E kam caktuar djalin e kushëririt tim të parë!-ishte përgjigjur i zoti i dasmës.

-Domethënë e paske caktuar për flamurtar djalin e Xhemajlit! Djalë të mirë paske zgjedhur! Por?!...Por…lind pyetja a është i zoti ai djalë ta mbrojë flamurin, po na doli në rrugë policia serbe?!...

-Nëse nuk është ai i zoti, jam unë!-kishte ngritur zërin Xhemajl Kurumeli.Dhe kur të gjithë të pranishmit kishin kthyer shikimin nga ai për të vërejtur vendosmërinë e tij, ai kishte shtuar:

-Flamurin që do ta bartë im bir, nëse është nevoja do ta mbroj me gjakun tim!...Atë, pra, Flamurin mund ta  marri policia okupatore vetëm pasi të kem vdekur unë! Për të gjallë timin ajo nuk do ta marri flamurin!...

-Mos ma prish dasmën dhe gëzimin!- kishte ndërhyrë me një zë lutes i zoti i dasmës-Beqiri.

-     Jo, kushëriri im, unë nuk ta prishi dasmën! Përkundrazi.Duke mbrojtur flamurin dhe nderin tonë kombëtar unë do ta hijeshoj dasmën! Dhe gëzimin!...Jemi në tokën tonë dhe traditat dhe zakonet tona duhet t`i mbrojmë edhe me gjak!-kishte përfunduar Xhemajli.

Vendosmëria e tij do të vërehej në shikimin e tij prej shkabe, në sytë e tij, në të gjithë shtatin e tij prej dragoi!Disa nga të pranishmit e kishin tumirë mendimin e tij,ndërkaq një pjesë më e vogël kishin shprehur mendimin se ata do të duhej të silleshin në mëmyrë më racionale përballë situatës.Në fund kishte fituar vendosmëria e Xhemajlit.Dasmorët kishin marrshuar drejt shtëpisë së nuses me flamurin kombëtar në ballë.Nën rrezet e diellit të gushtit Shqipja dykrenare në  fushën e kuqe do të shkëlqente edhe më krenare, edhe më bukur!...

Kur dasmorët kishin kaluar afër stacionit policor të Gllogovcit(Drenasit), sepse andej kalonte rruga,policia okupatore kishte vërejtur se në mesin e dasmorëve, ishte njëri që në atë të nxehtë bartte me vete një pallto të gjatë!Ai ecte fill pas djaloshit që mbante në duar flamurin kombëtar.Ai thuajse ishte ngjitur me djaloshin me flamur.Në hapat e tij vërehej vendosmëria e tij se ai ishte i gatshëm për gjithçka!Kush e di se çfarë bartte ai nën atë pallto të gjatë, nën atë vapë përcëlluese të gushtit?! Dhe kishin mbetur si të ngrirë duke shikuar njeriun e çuditshëm me pallto të gjatë!...Ndërkaq dasmorët kishin kaluar para hundës së tyre dhe kishin vazhduar rrugën drejtë shtëpisë së nuses!...

Në oda të Gllanasellës(Shkabës) të Xhevë e Fehmi Lladrovcit, por edhe në oda të Drenicës e më larg tash flitet për vendosmërinë e Xhemajl Kurumelit në mbrojtje të traditave kombëtare.Nëpër ato biseda thuhet se ai ishte fjalëpak, por shumë i vendosur në vendimet dhe veprimet e tij!...

(Në luftën e fundit çlirimtare, Xhemajl Kurumeli u pushkatua nga ushtria okupatore serbe në  „Shavarinat“ e Çikatovës së vjetër të Drenasit.Së bashku me të u pushkatua edhe Tahir Topilla, Tahir Plaku dhe shumë burra të tjerë. Thuhet se Tahiri dhe Xhemajli, para pushkatimit i kishin gjakosur disa ushtarë të armikut, me shkopijtë e tyre në të cilët mbaheshin,sepse ata të dy   ishin  tashmë  të shtyer  në moshë…)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora