Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Vataj: Serafin Fanku - ikona e teatrit Migjeni

| E diele, 24.05.2015, 12:41 PM |


Tash 78 vite më parë, më 24 maj 1937, datëlindi në Shkodër, Serafin Fanku, aktor, regjisor, skenograf dhe kostumograf, një prej ikonave të teatrit “Migjeni”, kësaj magje ku u gatuan përvoja dhe personazhe, tipa dhe karaktere, ku erdhën në jetë kryevepra të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Serafin Fanku ishte padyshim një personalitet i rëndësishëm, pjesë e pashlyer e memories artistike të skenës së teatrit dhe kinematografisë gjithashtu. Me ç’nuk i mbushi 70 vitet e tij të jetës, të përplota me vitalitet dhe larmi, deri më 29 shtator 2007, kur zemra e tij do të ndalte, duke mos mundur ta ndalë vërshimin dhe shkëlqimin e famës që e ngjizi me pasion dhe përkushtim në galerinë e pasur që la, me 13 filma, personazh i parë dhe i dytë, me 46 interpretime në teatër dhe 150 premiera si regjisor, në të gjitha zhanret, si dramë, teatri poetik, opera, komedi, operetë, estradë.

Në panteonin e mirënjohjes, padyshim një vend i rëndësishëm dedikohet për Serafin Fankun, një prej ngadhënjimtarëve të teatrit shqip, atij që kontribuoi që prej fillesave deri në të mbramë të frymës për traditën tonë të vyer dhe pasunare në tematikë dhe lëndë, vlerës me të cilën duhet të mburremi, atribute me të cilat nderohemi. Rrugëtimin e tij 44-vjeçar në shumëplanin si kontributor, e çel me “Fisheku në pajë” një nga kryeveprat e Fadil Krajës, për ta sosur me “Babai” të Ruzhdi Pulahës, në vitin 2006, një vit para se të ndahej nga jeta.

Albert Vataj