E premte, 29.03.2024, 06:40 AM (GMT)

Kulturë

Përparim Hysi: Dhjetëshja e kuqe

E diele, 24.05.2015, 09:07 AM


Dhjetëshja e kuqe

(dy rrëfenja në një)

Nga Përparim Hysi

Rrallë kalohet më andej.  Autostrada e ka nxjerr, pothuajëse, jashtë vëmendjes, po se po, por dhe nga sytë e njerëzve. Unë jam vendali atyre anëve dhe, si i  moshuar, kërkoj rrugë ku nuk ka rrugë, vetëm e vetëm të kujtoj jo vetëm fëmijërinë time, por dhe  ca më shumë. Nuk kam lënë asnjë pëllëmbë vend pa shkelur dhe, tek shoh tjetërsimin të të gjithë  imazheve  të së shkuarës, zë e ndaloj si për t'i bërë fresk kujtesës dhe është për t'u çuditur: mallngjehem. Jam i ndërgjegjshëm se "nxjerrja jashtë loje"  e xhadesë së vjetër, është bërë për mirë, por, sidoqoftë, unë zë e shkel rrugën me këmbë dhe, nëse kish mundësi të më lexoje "teskeretë e shpirtit", jo vetëm nuk do shihje këndellje, por, përkundrazi, pa e zbutur fare, dhëmbje. Epo ndjej dhëmbje jo pa shkak: mu  këtu mbi xhadenë e vjetër (jam në fshatin Vajkan të Fierit), ka qenë një pyll shekullor ( i gjelbër në të katër stinët), që dhe emrin kështu e kish: pylli i Vajkanit dhe me një sipërfaqe dhjetra e dhjetra hektarësh, që është zhdukur pa nam e nishan, sikur e ka përpirë dheu. Dhe si mos ndjej dhëmbje se kjo "përpirje" ndodhi, për fat të keq, në  vitet e demokracisë. Nuk  gjen qoftë dhe një shkop për t'i rënë një qeni. E shkulën se pylli nuk qe "demokrat" apo pse kishim me vete genet e shkatërrimit. E njihja mirë atë pyll ku jo vetëm duhet të çaja përmjet tij, për të vajtur tek shtëpia ime, në  Petovë të re të Fierit, por në këtë pyll gjuaja me moshatarët dhe "frirarçe" xhëku prisnim ndonjë dru për t'u ngrohur. Natyrshëm, më lindi pyetja:po pse e prenë pyllin apo dhe atë do na "rimbursonin" përmjet atij "Çekut të bardhë?!".

Më ka marrë fëmijëria prej dore dhe nuk më lëshon. Zbres atë kodrën dominuese ku kisha shtëpinë ( jam në vitin 1953) dhe, pasi ngjit një  malore që nuk është aspak e"butë" mbrrij mu tek kodra ku fillon pylli, çaj mes  drurëve ku vetëm qiell shikon (përmes pyllit bëj një km rrugë) dhe dal në xhade. Xhadeja Fier-Lushnje. Unë zbres mu tek çesma e Vajkanit (për fat të mirë, është dhe sot). Çezma është me portik, me një culinë që hedh ujë goxha dhe zor se ka udhëtar që mos  lag buzët atje. Rreth pesëdhjetë metro nga çezma është Kisha që jo vetëm është kujdesur, të ngrejë një portë të madhe apo një portik me çimento dhe mbi portikun ka vendosur një arkë me kyç. Secili që dëshëron, hedh në arkë ndonjë lek. Dhjaku apo kujdestari i kishës kontrollojnë arkën çdo mbrëmje dhe "vergjia" shkon për kishën.

Jam mu mbi platformën e portikut dhe, tek hedh sytë atje tek qe arka, vjen dhe më bëhet si tani një "dhjetëshe" e kuqe. Pra, jemi  vjete para se të ndërroheshin lekët.

***

Çezma qe si  stacion ku ndalonin makinat (ato qenë të rralla fare), po për të qenë më i saktë: ndalonin karrocat që vinin nga Fieri. Unë po shkoja në Lushnje dhe, meqë karroca i zbriti udhëtarët aty tek çezma, u bëra dëshmitar i kësaj "dhjetëshes" së kuqe. Një udhëtar zbriti, nxori nga xhepi një dhjetëshe të kuqe dhe po e fuste në arkë.

Tjetri u afrua dhe i tha:

-Ç'po bën ashtu?

-Po hedh një dhjetëshe për kishën.

-Nëma mua ta ble simite në Lushnje.

-Unë po e fus këtu, ty, po ta mbajti, merre.

Këtij, tjetrit, duket ia "mbajti". Në sy të gjithëve, me pak marifet ( me ndihmën e një shkarpe), e tërhoqi dhejtëshen nga arka dhe, pa u skuqur fare,e futi në xhep. Si  pinë ujë ata që donin, karrocieri na bëri thirrje që të hipnim në karrocë. Zura vend dhe unë.

Rruga na shkoi mirë, po, sa arritëm tek  ka qenë fabrika e letrës dikur, nuk di pse kuajët u trembën dhe, nga të gjithë sa qemë, ra nga karroca ai i "dhjetëshes" së kuqe. U lëndua ca dhe, tek ankohej nga dhimbjet, i zoti i dhjetëshes, i tha:- Të të bëjë mirë simitja! Ndërsa ne qeshëm me batutën e mikut, pamë  që tjetrit sikur i pushuan dhimbjet.

***

Shtatori i vitit 1955, mua më gjeti në Elbasan. Qeshë nxënës konviktor në vitin e parë të shkollës së mesme pedagogjike. Për herë të parë, larg shtëpisë dhe, gati më i vogëli nga bashkëshokët e mi . Kisha hyrë, vullnetarisht, 5-vjeç në shkollë dhe tani po paguaja "doganën". Këtë"doganë" nuk e paguaja nga mësimet (as i kam patur problem), por po paguaja "doganën" e mallit që qe  e papërballueshme. Aq isha i malluar, sa, shpesh, më bëhej që të rrëmbeja valixhen time   prej druri dhe frymën atje, në fshat. E vuaja këtë mall, por, tek tentoja të ikja "firarçe", tak më ravijzohej fytyra e timeti, që jo vetëm do rebelohej nga kjo sjellje, por do më kthente, pothuaj, prej veshësh përsëri në shkollë e konvikt. Kështu që i vija  zemrës një gur dhe, tek dilja në qytet, me sy përpija gjithë rrugët,se mos shihja qoftë dhe një të njohur nga  ana ime. Po aq sa mund të gjeje një gjëlpërë në kashtë, aq qe dhe mundësia ime për të  gjetur ndonjë nga ana ime.

Gjumin në konvikt ( sa kishim vajtur), të gjithë me ëndrra, Dhe të gjitha ëndrrat me Petovën. Se aq i dalë isha unë. Mbaronim ato  6-orë mësim dhe, sa  hanim drekë, fillonim studimin. Kjo ishte jeta në konvikt. Me një disiplinë të tillë që nga "ari", bëheshe njeri. E, ndërsa ditët e muajët kalonin, malli rritej dhe, shpesh, më kujtohej Balua, qeni i shtëpisë, qëkur  e lëshoja nga zinxhiri, bëhej plumb me vrap. Dhe unë me mend, kështu si Balua, doja të zija vrapin për në fshat.

I mbytur nga ky mall (epo, pse mos e them: kam qarë nga malli), kur një mbasdite roja i konviktit më lajmëron se dikush më kish ardhur. Shkallët e katit të tretë i zbrita nga dy njëherësh. Pa tjetër, imatë,sekush tjetër. Plumb për tek dikushi. Dhe kush qe? O Perëndi! Po si mos befasoshesha. Ishte  xha Zeqoja. Sa e pashë, i kërceva në qafë sikur atë mezi e kisha pritur. Por dhe ai, zemërmadh si qe, më përfshsiu në krahët e tij prej plaku dhe më puthi  në të dy faqet.

Xha Zequa i mirë! Qe nga arixhinjtë (tani u thonë rom) e fshatit tonë. Kish qenë në llixha dhe më tha:

-Aha, nuk kisha faqe t'i dilja  Hazizit( im atë) përpara,  pa të takuar. Dhe ashtu, buzëqeshur dhe babaxhan siç qe, nxori nga portofoli i tij, një dhjetëshe të kuqe. E ke nga Xha Zeqo, të keqen,- tha. Dhe mua m'u duk, sikur më fali gjithë Elbasanin. Xha Zeqoja qe gërnetaxhi me emër në Myzeqe dhe shpesh më kujtonte atë Makar Çudrën e Gorkit.

Ja, këto qenë rrëfenjat e mia për "dhejtëshet" e kuqe.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora