E shtune, 20.04.2024, 11:37 AM (GMT+1)

Kulturë

Kadri Tarelli: Një misionar i shqipes

E shtune, 23.05.2015, 04:14 PM


PËRMENDORE PËR NJË MISIONAR TË SHQIPES

Monografi kushtuar Sadulla Zendeli-Daja.

Nga Kadri Tarelli

E lexova në dorëshkrim librin “Ju dua më shumë se veten”, të shkrimtarit të njohur Viron Kona. Është një mongrafi kushtuar atdhetarit, mësuesit, publicistit, gjuhtarit, poetit, dijetarit e shkencëtarit Sadulla Zendeli-Daja, shqiptar i fshatit Sërmnovë në komunën e Gostivarit në Maqedoni, i cili që prej 50 vjetësh banon në Suedi.

Të shkruash poezi apo prozë, duhet të kesh dell artistik, fantazi dhe kulturë letrare. Të shkruash histori të skuqen e të mufaten sytë dhe me kohë  del kurrizi, duke u ngujuar për vite të tëra nëpër arkiva e mbi dokumente e dosje. Të shkruash monografi është një përpjekje dhe përgjegjësi disi ndryshe, pasi duhet të jesh edhe letrar, edhe historian edhe gazetar tereni, e në fund do të përplasesh edhe me opinionin e publikut, jo për cilësinë e librit që s`bëhet fjalë, por për qëndrime e vlerësime individuale, shpesh herë edhe për qejfmbetjet banale. Të shkruash monogarfi kërkon edhe diçka më shumë, të ndjesh dashuri e nderim për yllin e librit tënd, ta bësh shok e mik, të qeshësh, të gëzohesh e të vuash bashkë me të.

Nuk dalldisem e po zgjatem nga frymëzimi, pasi përvoja më ka mësuar se, që kur nis e mendon të shkruash, heroi yt të merr për dore e të shëtit nëpër të gjitha vendet ku ka shkelur e kaluar, nëpër lëndina me vesë e shkrepa mali, ku ka fjetur, ku është rrëzuar e përsëri është ngritur, ku ka lozur e mësuar, ku ka parë sythet e pranverës dhe ka ndjerë shikimin nën vetull të vajzës, duke i vjedhur puthjen e parë. Të çon aty ku është përballur me të keqen e përplasur me të keqin, e përsëri ka mbijetuar dhe, pasi ka kapërcyer vështirësi, ka gjetur forca të bëjë vepra të mëdha në shërbim të vetes, familjes dhe kombit. Më tej heroi që jeton brenda teje, të njeh me miq e shokë, të ul edhe në tavolinë për kafe apo muhabet, madje të ve përpara një vandak me letra e një mal me gazeta e libra të botuara nga ai vetë, apo nga të tjerët, e të thotë serbes-serbes, ke edhe këto se të hyjnë në punë. Kjo është rruga nëpër të cilën ka ecur e gjezdisur edhe Viron Kona për të nisur, ujdisur e bitisur librin “Ju dua më shumë se veten”. Këtë përshtypje e ndjen gjatë gjithë leximit, që nga fillimi e deri sa e mbyll edhe faqen e fundit.

Kam përshtypjen se cilido që e e merr në dorë, apo e sheh në vitrinë këtë libër, pyetja e parë që i vjen në mendje është: Kush është Sadulla Zendeli-Daja? Më pas vijon tjetra: Ç`ka bërë që i është kushtuar ky libër, si nderimi më i lartë, por pa ferman presidenti? Të gjitha i mëson gjatë leximit, veç kini durim. Sa për gjuhën e pasur dhe stilin e shtruar, mos u bëni merak, pasi Vironi është shkrimtar i njohur, e gjen, e qendis, e gdhend dhe ledhaton fjalën. Ndërsa për t`u njohur me jetën dhe veprimtarinë e madhështinë e “Dajës”, libri ka një strukturë disi ndryshe nga forma klasike.

E veçanta që bie në sy është se, autori, “si padashje”, i është shmangur kronollogjisë, datave e vijimësisë së ngjarjeve. Ndodhitë dhe rrëfimet vinë qetë-qetëtë si bisedë pranë oxhakut, paçka se të shpërndara në kohë dhe ashtu si vakt pa vakt, ndërthuren njëra me tjetrën. Është një gjetje interesante që të tërheq e nuk të lodh, të argëton e të mëson se jeta vërtet është një e tërë dhe mjafton që rrëfimet t`i bashkosh si gurët në një mozaik të lashtësisë. S`e ke të vështirë, sepse çdo copëz e shkruar ka metaforën, shakanë, të vërtetën dhe filozofinë e urtësisë së jetës dhe të frymëzon. Më e pakta të shtyn të gjykosh e të mbash qëndrim, e më pas të shkruash. Unë thjesht sapo ngacmoj vetëm disa copëza të thyera nga jeta e mërgimtarit tonë të vuajtur e të ndritur:

Pse të gjithë e thërrasin “Daja”? Është një pyetje që shpreh kërshërinë e çastit. Unë për vete, në fillim kujtova se Sadulla Zendeli, mbase ishte vëlla me shumë motra të martuara në fshat të tij, kështu vetiu shumë nipa e mbesa e thërrisnin “Daja”. Në fakt është një pseudonim serioz, i përdorur si “me shaka” shumë vite më parë, nga ata që dëgjonin radio “Kukësin”. Çdo kush do të qeshi për emrin e “gjetur”, po nuk zgjat, sepse të ngrin buzëqeshja nga dhimbja e trishtimi për shqiptarët të mbetur nën sundimin serbo-maqedon, që dënoheshin aq ashpër, sa nuk gjenin mënyrë mbijetese veç rrugën e aratisjes, siç bëri edhe “Daja” jonë.

Lexues i nderuar, pa kërkuar përgjigje, po ju drejtohem me një pyetje: Ç`ndjesi u krijohet në mendje e shpirt, kur të njheni me zemërimin, peripecitë, mençurinë, guximin dhe timërinë e “Dajës”, për sqarimin e zyrtarëve suedez, se shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë nuk janë serb, megjithse mbanin pasaportë Jugosllave (bëhet fjalë për vitet 1965 e më pas), ndaj edhe mësimi i fëmijëve të tyre duhet të bëhej në gjuhën shqipe. Janë ndodhi të vogla në dukje, por me vlera të mëdha atdhetarie, sidomos kur njihemi  me hilet e serbit mësues, i cili kishte “Vjedhur” fëmijët shqiptar, për t`i mbajtur në klasën ku mësimi jepej në gjuhën serbo-kroate. Për këtë, e më pas për krijimin e shoqatës atdhetare “Ilirida”, Daja e pësoi, sepse shteti Jugosllav e dënoi që mos shkelte në vendlindje për 20 vjet. Heronjtë nuk shquhen vetëm për shpatë e dyfek, ndaj nuk çuditemi që këto raste, e bënë Dajën të njohur, misionar e simbol qëndrese në mesin e shqiptarëve që jetojnë në Suedi.

Diku, shkrimtari Kona përshkruan një bisedë telefoni. Në ato pak sekonda dallojmë Dajën njeri e burrë të mençur. Ai me urtësi dhe përvojë plaku, jep plot këshilla të dobishme, duke radhitur një sërë fjalësh të urta: “Të mos i zmadhojmë gjërat, nisur nga qëndrime e zemërime përsonale, “Shumë lëvdata na çojnë poshtë”, “E mira duhet kërkuar, e keqja vjen edhe pa e ftuar”…. E kush nga ne nuk do ta donte një mik të tillë, kaq të njerëzishëm e bujar, për t`u këshilluar në të mirë e në të keq, sidomos kur je në mërgim e hallet janë mal.

Ndoshta e teproj me pyetje, po s`kam si bëj ndryshe. Ja mendojeni vetë kur të lexoni një pjes ku përshkruhet mënyra se si vepron Daja për të mëusar gjuhën suedeze. “Kur makina ndalonte për disa caste, unë ngjisja në murin përballë copa letrash me fjalë e fjali suedisht. I lexoja disa herë për t`i mbjtur mend. Kështu veproja çdo ditë, deri sa rashë në sy të drejtorit i cili më thirri në zyrë. E sqarova. Ai më përgëzoi dhe më urdhëroi: Ja ku e ke dhomën dhe të studjosh çdo ditë nga dy orë”… Cili gjysh, prind apo mësues nuk do ta merrte këtë rast, si model për të këshilluar niprat dhe mbesat, fëmijët, nxënësit dhe të rinjtë, që të rriten me dashuri e vullnet për të mësuar. Këtu gjen vend të nënvizohet edhe shpirti human i suedezëve, që pa asnjë paragjjykim, apo xhelozi, të nxisin dhe të ndihmojnë të përparosh në jetë. A nuk është ky një tregues i nderimit dhe shpirtmadhësisë së tyre për njeriun e punës e sakrificës. Ky veprim e vlen të futet në pjesët e leximit për ciklin e ulët. Le që kot e shkruajta këtë fjali, pasi autorët tanë të teksteve mësimore, hallakaten në librat e botës dhe “harrojnë” përvojën shqiptare.

Një kujdes e vend të veçantë, autori i kushton komentit të poezive të Dajës, ku me frymëzim djaloshi e nota të zjarrta atdhedashurie, shkruhet për vendlindjen, Sërmnovën dhe Kosovën, për flamurin, deshmorët dhe luftëtarët e lirisë. Është një lloj thirrje e lehtësim për shpirtin e zhuritur të mërgimtarit.

E lashë për në fund punën e madhe që ka bërë Daja për hartimin dhe botimin e katër fjalorëve shqip-suedisht e suedisht-shqip. Është një punë shumë vjeçare, për ta pasur zili edhe një akademi, sepse vetëm i fjalori i fundit ka rreth 35.000 fjalë. E përfytyroni një çast të vetëm, se ç`mundim ka, e ç`njohje gjuhësore do punimi i kësaj vepre? Autori Viron Kona përshkruan ndjesitë, veprimet, tubimet dhe fjalimet, pasi fjalorët nuk preken e as komentohen. Ato janë vepra të mirëfillta shkencore që do u shërbejnë shqiptarëve në breza. Në vetvete janë stoli të çmuara në gjerdanin e kulturës shqiptare.

Viktor Hygo diku thotë: “Njerëzit e mëdhenj e bëjnë vetë piedestalin, e ardhmja u ngre statujën”. Ndërsa unë do të shtoj, se Sadulla Zendeli-Daja, e ka ngritur vetë edhe piedestalin edhe përmendoren, ndërsa Viron Kona me këtë libër, vetëm sa e ka gdhendur dhe e vendos në mes të sheshit.

Lexues i dashur! Pasi ta lexosh, gjykoje librin dhe fjalën time, megjithse jam i bindur se më mbështet dhe je në një mendje me mua e me shkrimtarin. 

Me mirëkuptim!

Kadri Tarelli



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora