E premte, 19.04.2024, 01:02 AM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Forcohen hallkat e Malësisë së Gjakovës

E premte, 22.05.2015, 07:22 PM


PO FORCOHEN HALLKAT E MALËSISË SË GJAKOVËS...!

(Me rastin e shpalljes “Qytetare Nderi” të Bashkisë Bajram Curri të Kryetares së Gjakovës, znj. Mimoza Kusari-Lila)

Nga Sejdi BERISHA

Dita e hënë në qytetin Bajram Curri por edhe në tërë Tropojë ishte festë e vërtetë. Qytetarët e kësaj ane me respektin më të madh e prisnin momentin që të takohen me një bijë të Malësisë së Gjakovë, me një zonjë e cila me vendosmëri, me vullnet, dituri dhe profesionalizëm i është përkushtuar punës për ta bërë jetën e lumtur të qytetarëve komunës së Gjakovës, por tani e tutje edhe të Tropojës, të Malësisë së Gjakovës.

Që në orët e hershme të kësaj dite, tropojanët kishin vërshuar rrugët e qytetit Bajram Curri, ndërsa afër Muzeut Historik të qytetit anëtarë e trupës kulturore të këtushme të veshur me rroba kombëtare, madhështonin pritjen e mysafires së nderuar dhe të respektuar. Këtu, tani ishin pothuaj të gjitha strukturat e udhëheqjes lokale të Bajram Currit por edhe të komunave përreth. Por, për të madhështuar këtë manifestim të rrallë me mesazh, kuptim e peshë shumëdimensionale, kishin ardhur mysafirë dhe krijues edhe nga Tirana, Shkupi, Prishtina, Peja, Gjakova dhe nga qytete të tjera.

Dhe kur njeriu respekton ndijimin e vetë shpirtëror, mendja të shkon tek historia e Tropojës, historia e Malësisë së Gjakovës, tek trakullimat e periudhave kohore dhe të historisë së kombit e të tokës shqiptare. Por për këtë, me siguri se secili pjesëmarrës në vetvete ka mbërthyer mendjen në historinë dhe begatinë shpirtërore të popullit të kësaj treve me karakteristika dhe madhështi të veçantë, që edhe fëmijën në djep e bën të gëzuar, krenar por edhe kureshtar.

Nderim pranë shtatores së Bajram Currit

Pranë dhe përreth Pallatit të Kulturës, çdo gjë frymonte lirshëm në të cilin këtu e tridhjetë e pesë vjet më parë, me Ansamblin e Folklorit Autokton “Rugova” nga komuna e Pejës kishim shfaqur një program, i cili edhe sot e kësaj dite nuk harrohet. E theksova këtë jo pa qëllim, sepse, një rrugëtim afro katër decenie, këtu dhe në të gjitha trevat shqiptare dhe atë në çdo cep toke, prej atëherë lumi i dashurisë dhe i punës së përbashkët për një veprim e për një trung kurrë nuk pushoi së vepruari.

Me padurim duke pritur mysafiren e lartë nga Gjakova, kryetaren znj. Mimoza Kusari-Lila

Nuk vonon, dhe në Bajram Curri arrin kryetarja e Gjakovës, znj. Mimoza Kusari-Lila së bashku më shumë bashkëpunëtorë dhe asamblistë të kësaj komune. Ashtu e thjeshtë por madhështore që është, u përshëndet me udhëheqjen e Bashkisë Bajram Curri, por edhe me shumë qytetarë që kishin dalë për t’i dëshiruar mirëseardhje, tani Qytetares se Nderit, Mimoza Kusari-Lila.

Së pari mysafirët dhe mikpritësit u drejtuan për në Muzeun Historik të këtij qyteti, aty ku është vula dhe historia e ruajtur e Tropojës mbase edhe e Malësisë së Gjakovës. Pas vizitës dhe një njoftimi të shkurtër për historinë dhe rëndësinë e kësaj vizite, znj. Kusari-Lila vën tufë lulesh te lapidari madhështor i heroit të kombit dhe trimit legjendar, Bajram Curri. Edhe ky akt, ma detyron komentin për historinë e kësaj ane, për luftën që u zhvillua për liri dhe pavarësi, por edhe periudhat tjera që i vuan lak në fyt apo kurth lirisë së plotë të Malësisë së Gjakovës. Por, edhe për këtë, tani nuk do të flasë, sepse, as nuk është rendi për një gjë të tillë.

 Ceremonia fillon në ambientet e Muzeut Historik “Bajram Curri”

Kryetarja e Gjakovës, znj. Mimoza Kusari-Lila duke vënë buqetë lulesh te shtatorja e Bajram Currit

Tani, të gjithë drejtohemi kah Pallati i Kulturës, aty ku do të zhvillohet ceremonia kryesore e festës së sotme, shpallja “Qytetare Nderi” të qytetares së parë të Gjakovës, znj. Mimoza Kusari-Lila. Salla pothuaj se ishe përplot mysafirë dhe qytetarë, dhe nuk vonon e të gjithë, lirshëm, me krenari dhe madhështi ngrihemi në këmbë për të respektuar e nderuar këndimin e himnit kombëtar, të cilin secili nga ne e përjetonim në mënyrën e vetë.

Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Tropojës, Lulzim Logu duke folur për veprën dhe punën e znj. Mimoza Kusari-Lila

Pas kësaj, në skenë ngjitet, Lulzim Logu, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Tropojës, i cili do t’i thotë disa fjalë madhështie për mysafiren, sepse, kjo shoqatë krijuesish ishte nismëtare për një Çmim të tillë, e të cilën gjë unanimisht e kishte përqafuar dhe miratuar Këshilli i Bashkisë Bajram Curri.

Ai prezantoi punën dhe veprën e Mimoza Kusarit-Lila, duke spikatur të gjitha të arriturat dhe shkollimin e punën e saj të përkushtuar e profesionale në të gjitha fushat që kishte punuar e vepruar deri me tani. Vuri në dukje edhe angazhimin e saj për forcimin e hallkave të jetës dhe veprimit të Malësisë së Gjakovës duke i bërë realitet shumë objektiva madhore si në infrastrukturë ashtu edhe në ekonomi dhe në forcimin e vlerave shpirtërore dhe kulturore.

Pastaj, për ta mbështetur dhe përforcuar edhe më shumë shpalljen e zonjës Kusari “Qytetare Nderi”, fjalën e mori ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi, i cili në mes tjerash vuri në dukje se kjo ngjarje e sotme ka rëndësi shumëdimensionale për këtë pjesë të Shqipërisë, por edhe për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, gjë kjo e cila mishëron bashkimin e punës dhe të mendjes së kombit dhe të zhvillimit të përbashkët. E, për këto dhe shumë nisjativa tjera ka qenë shtytëse znj. Mimoza Kusari-Lila, theksoi ambasadori Minxhozi, i cili është një figurë e spikatur e vlerave e zhvillimit të mirëfilltë të kombit e shtetit.

 

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi

Në skenë rreshtojnë me fjalët e tyre edhe Zëvendëskryetari i Qarkut Kukës, Sherif Hasandoçi, i cili pos tjerash vuri në spikamë rëndësinë në realizimin e integrimeve në të gjitha fushat, në ç’drejtim, znj. Mimoza Kusari-Lila është angazhuar në të gjithë mënyrat e mundshme për të shkurtuar edhe etapat e punës, sepse, tani është koha kur duhet vepruar më me përkushtim për bashkimin e veprimeve dhe të punës.

Me fjalën e tij, edhe Nënprefekti, Mustafë Tahiri, u përqendrua në kthimin dhe forcimin e rolit të Malësisë së Gjakovës në zhvillimin kombëtar, por edhe në përshpejtimin e zhvillimit më të shpejt të kësaj ane të vendit.

Ndërsa, krijuesi nga Gjakova, Tahir Bezhani, i cili edhe ai është “Qytetar Nderi” i Bajram Currit, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe të vënies së urave të njëmendta të bashkëpunimit, të cilat kanë filluar tani e sa vite, veçmas përmes fjalës së shkruar. Gjithashtu, ai përgëzoi edhe znj. Kusari-Lila për titullin “Qytetare Nderi”.

Kryetari i Bashkisë Bajram Curri, Xhemë Neza, në mënyrë solemne ia dorëzon Titullin “Qytetare Nderi” kryetares së Gjakovës, znj. Mimoza Kusari-Lila

Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së Intelektualëve “Jakova” të Gjakovës, Masar Rizvanolli, theksoi rolin e historisë së kësaj ane dhe të dëshmorëve që siguruan identitetin kombëtar por edhe rolin e Malësisë së Gjakovës që ka pasur e që duhet ta ketë.

Më pas, kryetari i Këshillit të Bashkisë Bajram Curri, Xhemë Neza, në mënyrë solemne ia dorëzoi titullin e lartë “Qytetare Nderi”, kryetares së Gjakovës, znj. Mimoza Kusari-Lila.

Pas këtij momenti shumë me peshë, znj. Kusari, ashtu siç është plotë jetë e elan, falënderoi Bashkinë Bajram Curri dhe Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Tropojës, e cila tha se kjo mirënjohje nuk e nderon vetëm atë, por edhe Gjakovën, e cila ka dhënë shumë për çlirimin e Kosovës...

Ajo tha se forca e Alpeve, kthjelltësia e Valbonës, trimëria e Bajram Currit do të janë si udhërrëfyes për punën e saj!

Kryetarja e Gjakovës, znj. Mimoza Kusari-Lila duke u falënderuar për titullin “Qytetare Nderi” e Bashkisë Bajram Curri

Pas kësaj ngjarje historike, të gjithë së bashku, si Malësi e Gjakovës, u nisën për në Shkollën nëntëvjeçare “Ali Podrimja”, që edhe emri i këtij institucioni tregon e dëshmon për punën, veprimin dhe mendjen e përbashkët, të bashkuar...

Ky veprim historik përmbyllet me një drekë dhe program artistik në ambientet e Restorantit “Sylbica”, ku u njëjësuan dhe u bashkuan mesazhet se Malësia e Gjakovës ka qenë dhe do të mbetët pjesë e atdheut e cila i bashkon dhe i forcon hallkat e bashkimit të mendjes dhe punës së kombit dhe të atdheut.

Këtë e begatoi edhe numri i parë e solemn i revistës periodike, “Urat”, të cilën e boton Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve të Tropojës.

Numri i parë i revistës kulturore “Urat”

Ky ishte rrëfimi im shpirtëror me rastin e shpalljes “Qytetare Nderi” të Bashkisë Bajram Curri, të Kryetares së Gjakovës, znj. Mimoza Kusari-Lila. Pra, hallkat e Malësisë së Gjakovës po forcohen...!



(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora