Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Vataj: Viktor Hygoi, shuarja e një zemre

| E premte, 22.05.2015, 06:59 PM |


Viktor Hygoi, shuarja e një zemre që ndezi një diell

Nga Albert Vataj

Plot 130 vite më parë, më 22 maj 1885 ndali trokun e vet të drobitur nga vitet dhe dhimbjet, zemra 83-vjeçare, e Viktor Hygoit, babait të romantizmit dhe atit të kombit francez, dalëzotësit të paepur të të nëpërkëmburve, të të varfërve, të gjithë atyre që i kishte ndëshkuar më shumë se fati, koha.

Karroca e përmortshme mbi të cilën dergjej trupi i pajetë i humanistit të madh u bë një mal kurorash dhe lulesh. Karroca e të varfërve me kurmin e tretur së gjalli të Hygoi u vendos për një natë nën Harkun e Triumfit dhe u shoqërua nga 12 poetë. Dy milion persona asistuan në ceremoninë e lamtumirës. Franca dhe bota mbarë do të ishte dëshmitare e një prej akteve më solemne të mirënjohjes, e denjë për zotër dhe etër. Ai ishte ati i shpirtrave të shëlbyer prej njerëzores. Nga çdo cep i Francës kishin ardhur atë ditë për tu ndarë me zërin e zemrave të tyre. Ajo ishte dhe mbeti për shumë kohë një nga ceremonitë e lamtumirës më madhështorja që njerzimi kishte parë.Viktor Hygoi iku për të mbetur jo vetëm në bibliotekë, në mëndje dhe në përjetime, por edhe në të tashmen, si i gjithkohëshëm.

Të 50.000 frangat që kishte kapital ai e la me amanet për të varfërit.

I tillë ishte ai. E tillë, pikëlluese dhe e pazevëndësueshme ishte humbja e tij. Me ikjen ai la kryeveprën monumentale, la personazhet, Zhan Valzhanin, Anzholrasin, Gavroshin, Mirielin, Guinplenin, Kazimodon, Esmeraldën, të cilët gjallojnë në frymimin e përgjithmonshëm të penës së tij humaniste, shpirtit të tij të madh, zemrës që troket atëditë e sot në kalldrëmet e fateve të krisura, që zvarget hekakeqe edhe tash mbas 130 vitesh në baltën që përlyen ndërgjegjen e kohërave, për të qenë përherë një zë denoncues, një ndëshkim, një fshikull, një akuzë.