E enjte, 25.04.2024, 10:28 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Bush takon Sejdiun dhe Thaçin

E marte, 22.07.2008, 07:19 PM


Thaci - Sejdiu - Bush
Presidenti i SHBA ripërsërit edhe një herë mbështetjen për Kosovën si shtet i pavarur

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe Kryeministri Hashim Thaçi, u takuan dje në mbrëmje me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush, në Shtëpinë e Bardhë.

Kjo është vizita e tyre e parë në Shtetet e Bashkuara që kur Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në muajin shkurt. Ai hap u mbështet nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian, por u kundërshtua me forcë nga Serbia dhe aleatja e saj, Rusia. Në takimin historik, të filluar në orën 19:00 sipas orës tonë, Presidenti Bush shprehu edhe një herë mbështetjen e tij të plotë për qeverinë e re të Kosovës. "Ne do të jemi gjithmonë një partner strategjik për Kosovën", ka theksuar Presidenti Bush.

Sipas televizioneve kombëtare të Kosovës, Presidenti i SHBA-së kishte pritur në Shtëpinë e Bardhë, në një takim të një rëndësie historike, udhëheqësit më të lartë të Kosovës, Presidentin Fatmir Sejdiu dhe Kryeministrin Hashim Thaçi. Televizionet dhanë një emision special të drejtpërdrejtë nga Uashingtoni, në të cilin folën Sejdiu e Thaçi.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, takimi i delegacionit kosovar krijoi mundësi që Presidenti amerikan të shprehë mbështetjen e tij të thellë për përpjekjet e qeverisë kosovare për ndërtimin e një shteti demokratik dhe një shoqërie multietnike në Kosovë.

SHBA ishte vendi i parë që e njohu shtetin e ri të Kosovës në muajin shkurt.

Uashingtoni ka dhënë deri tani një ndihmë financiare të llogaritur në 1 miliard dollarë për Kosovën dhe ka njoftuar se do të japë edhe 400 milionë dollarë të tjerë për shtetin e ri.

Më parë, drejtuesit e lartë të Kosovës ishin takuar me Sekretaren Rajs, e cila shprehu angazhimin dhe mbështetjen amerikane për shtetin e ri. "Kosova ka një të ardhme të ndritur dhe pavarësinë e saj do ta njohin edhe shtete të tjera", ka deklaruar ajo.

Me takimin me Sekretaren Rajs liderët kosovarë kanë filluar vizitën e parë zyrtare në shtetin që ka përkrahur më shumë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Por vizita e tyre në SHBA do të kulmojë me takimin në Shtëpinë e Bardhë, me Presidentin amerikan, Xhorxh Bush. Gjatë së premtes, Sejdiu dhe Thaçi janë pritur edhe në Departamentin amerikan të Mbrojtjes.

Para takimit të Bush me Sejdiun dhe Thaçin, Grupi i të Drejtave të Njeriut, "Human Rights Watch", ka thënë se Presidenti amerikan duhet t‘i shfrytëzojë këto bisedime për t‘u bërë thirrje udhëheqësve të Kosovës të marrin masa për përmirësimin e gjendjes së të drejtave të njeriut në vend. "Human Rights Watch" tha se Kosova ka një sistem të dobët drejtësie që shpesh le pa ndëshkuar dhunën politike dhe etnike.

Takimin mes Presidentit Bush dhe udhëheqësve kosovarë e përshëndetën dje edhe drejtuesit e shtetit shqiptar dhe të partive politike.

Pas takimit, Kryeministri Thaçi u shpreh i kënaqur, duke theksuar se "ndërtimi i një shteti demokratik mbetet vizioni ynë për të ardhmen". Sipas tij, ky takim historik tregon marrëdhëniet e mira të shtetit të Kosovës. Ndërsa Presidenti Sejdiu tha se "jemi gjithnjë e më shumë të angazhuar për të përmbushur planin ‘Ahtisari‘". Sipas tij, SHBA e ka mbështetur gjithmonë Kosovën në rrugën e saj drejt pavarësisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora