Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Engel dhe shqiptarët nderojnë shkrimtarin Kadare në Kongresin amerikan

| E merkure, 20.05.2015, 07:55 PM |


Engel dhe shqiptarët nderojnë shkrimtarin Kadare në Kongresin amerikan

Kongresisti Engel i dorëzon botuesit të gazetës “Illyria” flamurin që u ngrit mbi Kongresin Amerikan – Studjuesi dhe përkthyesi David Bellos flet për vlerat e shkrimtarit

Një veprimtari, kushtuar shkrimtarit të shquar shqiptar, Ismail Kadare, u zhvillua të martën mbasdite, në zyrat e Kongresit Amerikan në Washington DC.

E organizuar nga gazeta “Illyria” veprimtaria mblodhi shqiptaro-amerikanë, nga kryeqyteti amerikan, New York-u dhe qendra të tjera ku jetojnë shqiptarë.

Kongresisti Eliot Engel dhe Prof. David Bellos nga Princeton University folën për shkrimtarit. Merrnin pjesë, veç të tjerësh edhe dy ambasadorët shqiptarë në SHBA. Ambasadorja e Shqipërisë Floreta Faber dhe Ambasadori i Kosovës, Akan Ismaili.

Veprimtaria që u drejtua nga kryeredaktori i gazetës “Illyria”, Ruben Avxhiu, nisi me këndimin e himneve kombëtare të Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, nga këngëtari shqiptaro-amerikan, Gjon Krasniqi.

f6David Bellos, përkthyesi i njohur i shkrimtarit shqiptar, që ka fituar edhe ai si përkthyes bashkë me Kadarenë Çmimin prestigjioz “Man Booker International”, ka luajtur një rol të madh që vepra e Kadaresë të vijë te lexuesi anglishtfolës.

Profesori i Frëngjishtes dhe Letërsisë së Krahasuar në Princeton University, nuk është vetëm përkthyes, por edhe një njohës shumë i mirë i vizionit të shkrimtarit shqiptar për raportin e jashtëzakonshëm mes lirisë dhe diktaturës, për rolin e letërsisë klasike në veprën e Kadaresë, si dhe të botëkuptimit të tij, si pjesëtar i familjes së ngushtë të autorëve të letërsisë së madhe që nga Homeri, Dante e Servantes te emrat më modernë.

Ai solli nga kujtesa momente intime nga qëndrimi në Skoci për marrjen e çmimit “Man Booker International”, duke përfshirë vizitën mitike, në Kështjellën e Makbethit. Kadare, ndonëse e vizitonte për herë të parë, në jetën e tij, ishte endur si në një mjedis që e njihte mirë, pa ndihmën e ciceronit. Gati si një udhëtim në imagjinatën që i kishte ndezur leximi i tragjedisë së famshme të Shekspirit.

Të pranishmit e ndoqën me vëmendje fjalën e tij.

Aktiviteti kurorëzoi një numër veprimtarish për të nderuar shkrimtarin shqiptar në SHBA pasi ai mori këtë vit shpërblimin prestigjoz në Jerusalem.

U fillua me botimin e një urimi, një faqe në gazetën e njohur amerikane “New York Daily News”, nga botuesi Vehbi Bajrami.

Me propozimin e tij kongresisti i njohur Eliot Engel mbajti një fjalë në sallën e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan për të nderuar veprën dhe kontributin e shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare. Kjo u vijua, nga ngritja dhe valëvitja tradicionale e flamurit mbi “Kodrën e Kapitolit”, siç njihet selia e Kongresit Amerikan.

Një kopje e fjalës në Kongres dhe flamuri që u valëvit ishin paketuar për t’ia dërguar si kujtim shkrimtarit. Për t’i marrë nga kongresisti dhe për të promovuar edhe një herë shkrimtarin në kryeqytetin amerikan, u mbajt edhe ky aktivitet në Ndërtesën historike “Cannon” të Zyrave të Dhomës së Përfaqësuesve.

Kongresisti Eliot foli gjithashtu për shkrimtarin dhe rëndësinë e tij. Ai numëroi disa nga librat që i kishin pëlqyer më shumë dhe që kishin bërë histori në letërsinë botërore.

Ai foli për rëndësinë e promovimit të figurës së tij dhe falenderoi peronalisht Vehbi Bajramin për punën e madhe që kishte bërë në këtë drejtim. Ai e cilësoi botuesin e gazetës “Illyria”, si një mik personal prej vitesh dhe e falenderoi që kishte qenë “forca lëvizëze mbas këtyre nderimeve që i ishin bërë shkrimtarit shqiptar në SHBA”.

Ai ia dorëzoi me ceremoni flamurin dhe një kopje të deklaratës, ndërsa botuesi Bajrami i dhuroi në shkëmbim një kopje të “Tre Elegjive për Kosovën” në gjuhën angleze, të shkrimtarin Kadare.

Vehbi Bajrami tha se ndihej krenar që ishte miqësuar me shkrimtarin që e kishte frymëzuar që në moshë të re dhe vlerësoi rëndësinë e madhe që ka sot figura e tij edhe për imazhin dhe identitetin e shqiptarëve në botë.

Ai falenderoi pjesëmarrësit e takimit që u përcoll edhe nga “Zëri i Amerikës” dhe “TV Alba Life”. (Illyria)