Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: Ruajtja e sigurisë së internetit

| E marte, 19.05.2015, 07:20 PM |


RUAJTJA E LIRISË DHE E SIGURISË SË INTERNETIT

Nga Frank Shkreli

Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry gjatë një vizite në Seul të Koresës së Jugut të hënën, mbajti një fjalim të rëndësishëm mbi lirinë dhe mbi sigurinë e  përdorimit të Internetit, duke theksuar nevojën për bashkpunimin ndërkombëtar në këtë fushë.  Në fjalimin e tij në Universitetin e Koresë, Z. Kerry foli mbi aspekte të ndryshme të kësaj teknologjie si dhe mbi dobitë që vijnë nga përdorimi i Internetit, duke dhënë shembuj të shumtë nga dobitë e kësaj teknologjie në shumë vende të botës, përfshirë sidomos vendet e botës në zhvillim e sipër.   Kryediplomati amerikan vuri në dukje gjithashtu mundësitë e shumta që ofron Interneti për përforcimin e  lirisë së të shprehurit  në shoqëritë ku liria e fjalës shtypet nga regjimet diktatoriale.   Në lidhje me këtë, ai theksoi se kontrolli i Internetit nga qeveritë e ndryshme është një mallëkim ndaj lirisë në përgjithësi, ndërkohë që regjimet shtypëse, tha ai, përdorin kontrolle të tilla ndaj përdorimit të internetit për të shuar zërin e disidentëve dhe të kundërshtarëve të tyre.

Në fjalimin e tij, të cilin media të ndryshme e konsideruan ndoshta si  hapin e  parë serioz drejtë një dialogu ndërkombëtar në lidhje me këtë çështje -- Sekretari Amerikan i Shtetit u bëri thirrje vendeve të botës që të bashkohen me Shtetet e Bashkuara në mbështetje të politikës së Washingtonit për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin e Internetit dhe për të bashkpunuar me këtë industri me qëllim për të siguruar që Interneti të mbetet i lirë dhe në dispozicion të të gjithëve, pa dallim.   “Është e një rëndësie të veçantë për ne”, tha ai, “se si kjo teknologji përdoret dhe si administrohet.  Kjo, shtoi Z. Kerry, është ekzaktërisht arsyeja sepse, "Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë promovimin e internetit të sigurtë, të hapët dhe të lire për të gjithë, si një element kyç i politikës sonë të jashtme."  Ai shprehu gatishmërinë e vendit të tij për të punuar me ortakët ndërkombëtarë për tu përballur me sfidat që paraqet kjo teknologji, por njëkohsisht edhe me mundësitë e mëdha që ofron Interneti për mbarë njerëzimin.

Në fjalimin e tij në Seul të Koresë së Jugut, John Kerry tha se rregullat dhe ligjet e tanishme kryesore ndërkombëtare duhet të zbatohen edhe në lidhje me përdorimin e Internetit dhe u bëri thirrje të gjitha shteteve që të veprojnë së bashku për të krijuar një kornizë për bashkpunim ndërkombëtar në hapësirën e Internetit.  Njëkohsisht, ai u bëri thirrje vendeve të cilat ende nuk bëjnë pjesë në Konventën e Budapestit mbi Krimet në Hapësirën e Internetit, t'a nënshkruajnë atë sa më parë. Kryediplomati amerikan paralajmëroi se cilido vend që përpiqet të ndërpresë veprimtarinë e lirë të Internetit ose të sulmojë të tjerët nepërmjet këtij medium, "Do të mbahen përgjegjës për veprën e tyre" duke shtuar se, "Shtetet e Bashkuara rezervojnë të drejtën të përdorin të gjitha mjetet e nevojshme, përfshirë ato ekonomike, diplomatike, tregëtare sipas rastit e nevojës, me qëllim për të mbrojtur vendin tonë, ortakët, miqët dhe aleatët tonë", ndaj atyre që përdorin Internetin për sulme të tilla.   Përkundrazi, ai tha se Interneti mund të jetë një  mjet që duhet të përdoret për ruajtjen e stabilitetit në botë si dhe për zhvillimin ekonomik, por dhe si një mundësi e re për të promovuar transparencën e punës së qeverive dhe për të mbajtur qeveritë përgjegjëse për veprimtaritë e tyre.   Ai e cilësoi Internetin si, "formën shoqërore më demokratike të shprehjes së lirë që mund të jetë shpikur ndonjëherë."

Kryediplomati amerikan, në fjalimin e tij në Seul, theksoi se Interneti sim jet komunikimi, është i lidhur ngushtë me lirinë e individit.  "Shtetet e Bashkuara", nënvijoi ai, "besojnë fuqishëm në liri -- në lirinë e të shprehurit, në lirinë e shoqërimit dhe në lirinë dhe të drejtën e individit për të zgjedhur fatin dhe për të vendosur ato që dëshiron për veten.  Ne e duam të drejtën e lirisë për veten tone dhe e duam këtë të drejtë ta kenë edhe për të tjerët, madje edhe nëqoftse nuk jemi gjithmonë dakort me pikëpamjet e tyre", u shpreh kryediplomati amerikan.

Nuk është e rastit, shtoi ai, që shumica e vendeve të cilat shkelin lirinë e internetit, nuk janë të angazhuara seriozisht as ndaj të zbatimit dhe respektimin të të drejtave të njeriut në përgjithësi për qytetarët e vet.  Regjimet që zakonisht shkelin liritë dhe të drejtat e njeriut, tha Z. Kerry, pretendojnë se nuk kanë asnjë detyrim që të shpjegojnë se si ata veprojnë mbrenda kufijve të tyre, duke thekësuar se ky qëndrim i tyre është në kundërshtim të drejtë për drejtë me Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe me shumë deklarata dhe marrveshje të tjera  ndërkombëtare.  “Frymëzimi i një individi për të qenë i lirë mund të jetë forca më e fuqishme në këtë planet”, tha Z. Kerry. “Kjo është venë re gjatë gjithë historisë, përfshirë revolucionin amerikan të 1700-ave”, tha ai, “si dhe në veprimtarinë e disidentëve anti-komunistë gjatë Luftës së Ftoftë me radio programet dhe me fletushkat që shpërndanin ilegalisht -- e deri tek ditët tona kur rinia anë e mbanë botës po sfidon padrejtësitë në fusha të ndrysshme, të armatosur vetëm e vetëm me telefonat e tyre celularë”, theksoi Sekretari Amerikan i Shtetit.

Zoti Kerry e cilësoi Internetin si një instrument të lirisë.  Është një mjet, nënvijoi ai, të cilin njerëzit e përdorin në raste të dështimit në punë ose të abuzimeve nga ana e qeveritarëve, andaj disa qeveri kanë frikë nga Interneti ashtu siç kishin frikë   diktatorët e shkeullit të kaluar nga librat, nga gazetat dhe nga programet në radio.  Sekretari Amerikan i Shtetit përfundoi fjalimin e tij në Seul të Koresë së Jugut duke u  thënë të pranishmëve se, "Liria duhet të fitojë mbi cenzurën", duke shtuar se ky nuk është vetëm një parim i rëndësishëm por është njlkohësisht edhe një detyrim praktik.   "Nga fillimi i historisë e deri tani", shtoi Z. Kerry, "shtypjet ndaj kundërshtarve nuk kanë shpikur asgjë të re.  Liria është mënyra për të krijuar punë të reja, është mjeti për të shëruar sëmundjet, mënyra për të gjetur alternativa të reja energjie.  Ai vazhdoi duke thënë se liria mundëson gjetjen e mënyrave të reja për të ushqyer popullësinë botërore që është katërfishuar gjatë shekullit të kaluar dhe e cila pritet të rritet deri në 9 miliardë veta gjatë 40deri në 50-vitet e   ardhëshme.   Pa liri qytetërimi nuk mund të shkojë përpara", tha Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry duke shtuar se liria dhe siguria e Internetit në ditët e sotëme është , si e tillë është pjesë integrale e lirive të tjera bazë të njeriut.

Gjatë fjalimit të tij në kryeqytetin koreano-jugor, Kryediplomati amerikan i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të “bashkohet në mbështetje të këtyre parimeve duke krijuar një bazë solide të lirive tona – parimeve#, siç pohoi ai, “të cilat do të mbrojnë liritë bazë të individëve, privacinë e qytetarëve tanë dhe sigurinë e kombeve tona”, duke u lënë porosi të pranishëmve që të ngrejnë zërin në mbështetje të një hapësire Interneti të lirë, të haptë dhe të sigurt dhe që gjithmonë të mbrojnë të drejtën e fjalës së lirë për të gjithë e pa dallim.  Revolucioni i Internetit, tha më në fund John Kerry, “Do të përcaktojë të ardhmen për të cilën shpreson rinia e sotëme, një të ardhme në të cilën Interneti do të ndihmojë në përforcimin e qeverive, do të ndihmojë drejtë një të ardhme që do të ofrojë mundësi të shumëta pune, do të na bëjë të gjithëve më të sigurt, do të na bashkojë dhe në përgjithësi do të përcaktojë fatin e botës në shekullin 21” përfundoi ai.

Ekspertët e kësaj fushe, e cilësuan  fjalimin e Zotit Kerry në Seul, mbi lirinë dhe sigurinë e Internetit si shpresëdhënës për këtë fushë të re të medias dhe të komunkimit, një fjalim që sipas tyre mund të nxisë fillimin e një dialogu serioz në vendet përkatëse, por edhe midis vendeve të ndryshme, ashtuqë në nivel ndërkombëtar, të sigurohet liria dhe siguria e përdorimit të kësaj teknologjie, ndërkohë që venë në dukje se vet Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore kanë shumë për të bërë në këtë drejtim.  Megjithëkëtë, ekspertët thonë se shpresojnë që fjalimi i Sekretarit Amerikan të Shtetit të ketë shënuar fillimin e hapjes së një dialogu të përgjithshëm për një Internet të lirë dhe të sigurt për brezin e tanishëm dhe për brezat e ardhëshëm anë e mbanë botës.