E marte, 19.03.2024, 10:49 AM (GMT)

Mendime » Fetahu

Adil Fetahu: Z. ministër, kërkoju falje pensionistëve!

E hene, 18.05.2015, 06:50 PM


ZOTËRI MINISTËR ABRASHI, KËRKOJU FALJE PENSIONISTËVE!

Lidhja e Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës e Kosovës, më 15 maj të këtij viti mbajti Kuvendin e rregullt vjetor. Unë mora pjesë në mbledhjen e Kuvendit, në cilësi të mysafirit të ftuar, për shkak se aty u promovua dhe iu dha të gjithë pjesëmarrësve  libri im: “Në mbrojtje të të drejtave të pensionistëve”, dhe mu dorëzua një Mirënjohje, të cilën ai organ ma kishte ndarë qysh nga Kuvendi i vitit 2013, për kontributin dhe angazhimet e mia në sensibilizimin e problemit të pensionistëve.

I ftuar nga udhëheqësia e Lidhjes së Pensionistëve, në mbledhje erdhi edhe ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, zotëri Arben Abrashi. Ardhja e tij u mirëprit me duartrokitje, madje delegatët e Kuvendit, që sipas moshës që kishin shumica e tyre mund të ishin gjyshër të ministrit, në shenjë nderimi për ministrin e ri, u ngritën në këmbë kur ministri hyri në sallë. Dhe natyrisht, ata kanë pritur se ministri do të dëgjojë diskutimet për hallet e tyre, dhe do të jep shpjegime e ndonjë fije shprese për përmirësimin e gjendjes në të cilën janë katandisur pensionistët.

Por, jo! Ministri nuk kishte kohë për t’i dëgjuar hallet e pensionistëve. E kishte “agjendën  e ngjeshur”, prandaj para se të miratohej rendi i ditës e të fillonte mbledhja sipas rregullit, ai e mori fjalën, përshëndeti mbledhjen e Kuvendit, u foli pensionistëve dy-tri fjali, të cilave nuk mund t’ua gjeje kryefjalën as kallëzuesin, dhe ua “lëshoi një grusht grajzi”, duke u thënë: “Ju keni kontribuar për një kohë tjetër, e një shteti tjetër, ndërsa tash është kohë e re dhe shteti i ri”!!!

Me qenë se ministri “nuk kishte kohë” ta përcillte mbledhjen e të dëgjonte hallet e pensionistëve, mbeti edhe pa përgjigjen  apo sqarimin, nëse atë fjali e tha pa ndonjë qëllim të keq, nga naiviteti, apo e kishte me gjithë mend, për t’i shpotitur pensionistët, sikur po ua bëjnë shumica e udhëheqësve “demokratë”, se këta pensionistë i takojnë kohës së komunizmit dhe “mjaft e kanë shfrytëzuar atë sistem”! Po të kishte pak kohë për t’i dëgjuar pensionistët, sigurisht se do ta dëgjonte reagimin e tyre, ndaj asaj fjalie me të cilën  u fyen pensionistët.

Cilido të ketë qenë shkaku a qëllimi i shqiptimit të asaj fjalie, kjo më së paku është pritur t’ua thotë pensionistëve njeriu më kompetent për këtë kategori sociale. Nëse ka menduar se këta pensionistë kanë punuar e kontribuar për ish-shtetin e  Jugosllavisë, e ka gabim. Sepse, këta kanë punuar e kontribuar për vetën dhe  familjet e tyre, dhe për Kosovën e atëhershme e të sotme. Kanë punuar e kontribuar për atë kohë, dhe për këtë kohë, që të sigurojnë një jetë më të begatshme e të dinjitetshme për të gjithë dhe për vetveten në moshën që kanë sot. Kanë punuar e kontribuar në zhvillimin e ekonomisë, infrastrukturës e të superstrukturës shoqërore të Kosovës në të gjitha segmentet, të cilën “demokratët modernë, reformatorët, tranzicionistët” e shkatërruan, e zhvatën e denigruan, e qitën fund pusi. Jo Ti personalisht, sepse ishe i ri dhe deri dje i pa njohur, por  sot je bërë pjesë e kësaj garniture, e cila po mendon se gjithçka, madje edhe historia e Kosovës ka filluar vetëm prej tyre!

Pse nuk e zbatoni Ligjin për pensionistët?

Ishte rendi, vendi dhe rasti që si ministër kompetent, t’ua shpjegoni pensionistëve, përse nuk ka filluar të zbatohet Ligji për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, të cilin Kuvendi i Kosovës e ka miratuar para një viti (6 maj 2014), me obligim që për kategoritë e pensioneve invalidore të punës dhe atyre familjare,  zbatimi  të fillojë prej 1 janarit 2015 (neni 30), kurse për të tjerët është dashur të zbatohet prej ditës kur ka hyrë në fuqi, dmth. prej 20 qershor 2014 (neni 31). Po ai ligj akoma nuk ka filluar të zbatohet as për kategorinë tjetër të pensionistëve kontributpagues, për shkak se nuk janë miratuar në afatin ligjor kushtet dhe kriteret  e kategorizimit, që parasheh ligji (neni 8 paragrafi 2). Ka ecuri dhe gjasa që ende pa filluar zbatimi i Ligjit, të bëhen ndryshime e plotësime, ashtu që zbatimi i tij,  i ndryshuar e plotësuar,  për efekte financiare të fillojë më vonë, e jo siç ishte paraparë prej 1 janarit 2015, respektivisht nga 20 qershori i vitit 2014. Natyrisht, ku do të manipulohej me zbatimin e ligjit më lehtë e “pa zhurmë” se sa te pensionistët, të cilët nuk mund t’i bëjnë grevë vetvetes as protesta radikale apo të dhunshme. Pushteti ka  gjetur mënyrën dhe “ka vendosur” që problemin e pensionistëve ta zgjidhë në “mënyrë biologjike”, duke pritur që për shkak të moshës dhe shëndetit që kanë, të “transferohen” sa më shpejtë në botën tjetër!

Natyrisht, për gjendjen e tashme të pensionistëve, Ju zotëri ministër Abrashi nuk keni faj, veçse për moszbatimin e Ligjit në afatin e caktuar, keni një pjesë të fajit. Dhe, në vend se në atë Kuvend t’u garantonit dhe t’u jepni shpresë pensionistëve se do të angazhoheni për zbatimin e ligjit ashtu siç ishte paraparë, ju i ofenduat se ata i përkisnin dhe i kishin kontribuar një kohe e një shteti të tjetër, dhe se tash është kohë e re dhe shtet i ri, thuase këta pensionistë nuk paskan punuar e kontribuar për këtë kohë e këtë shtet!

E marr me mend,  se do të porositni, apo të urdhëroni diken të shkruaj një reagim ndaj këtij shkrimi, por ju këshilloj se ma mirë dhe më e njerëzishme do të ishte t’u kërkoni falje pensionistëve për  moszbatimin e ligjit dhe për fjalinë ofenduese të thënë në atë Kuvend, se sa “të replikoni me mua”.

Me respekt,

Adil FETAHU



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora