E premte, 29.03.2024, 02:31 AM (GMT)

Kulturë

Elina, xhaz sy për sy

E hene, 21.07.2008, 11:09 PM


Elina Duni
Elsa Demo

Elina Duni prezanton në një intervistë albumin “Baresha”. Këngëtarja që la Shqipërinë 11 vjeç po i vjel origjinës më të bukurat këngë folk që këndohen nga një zë unik xhazi. Duni: “Në një shoqëri të mbushur deri në grykë me “paraqitjen perfekte” më pëlqen të mbart një imazh i cili i përket më shumë realitetit”

“Kur pata një lule t’bukur, thashë se do ta kem përherë/ iku fluturoi si flutur edhe s’mujta me marrë erë.” Kush dëgjon këtë këngë, “Lule” quhet, me zërin e Elina Dunit ka për t’i kursyer vetes shpresë në gavetë për shkretinë e ditëve të ardhshme. Është përfshirë në albumin “Baresha” të cilin këngëtarja shqiptare me banim në Zvicër po e prezanton në festivalet e jazzit dhe në koncertet në Evropë. Nuk është tepër ta përsërisim atë që thuhet sot për 28-vjeçaren: “surpriza më e bukur muzikore e shekullit të 21-të në Zvicër”.

E prezantuar pesë vite të shkuara në Tiranë si këngëtare e muzikës jazz para se t’iu hynte studimeve, Elina ka arritur të ketë sot një kuartet që mban emrin e saj dhe me të cilin ka realizuar albumin “Baresha”. I regjistruar për 2 orë në studio ai është produkti i çmuar, i lindur ashtu njëlloj si disqet e “epokës së artë të jazzit”.

Trioja që shoqëron këngëtaren përbëhet nga pianisti Colin Vallon, basisti Bänz Oester dhe bateristi Norbert Pfammatter.

Mjafton zgjedhja e repertorit që të mendosh se Elina nuk prezanton me “Bareshën” vetëm një shije individuale, por një inteligjencë profesionale që e konsideron muzikën e vendit të origjinës, muzikë që i takon botës dhe bota është shtëpia e shpirtit, po aq saç mund të hyjë aty muzika e kulturës që e priti në moshën 11-vjeçare.

“Kjo këngëtare e re, me një pjekuri mahnitëse dhe me një temperament të zjarrtë, është një ndër zërat e xhazit nga më shpresëdhënësit për momentin. Me origjinë shqiptare, ajo joshet nga folklori i pasur i vendit të saj, nga këngë që të mbërthejnë me trallisjen sensuale. Ajo interpreton Serge Gainsbourg-un dhe Léo Ferré-në sikur ata të kishin shkruar për të dhe, për të mos moduluar asgjë, ofron një përrua ritmik me të cilin magjia funksionon menjëherë”,- shkruan Tom Gsteiger, kritik xhazi, për gazetën zvicerane “Der Bund”.

Për gazetën “Shekulli” ajo dha intervistën e mëposhtme ku prezanton albumin e parë dhe artisten e vetëdijshme për shtegun që ka zgjedhur.

Çfarë ka ndodhur në jetën tënde që nga dita kur të kemi parë në Tiranë për “Dasmën” e Çehovit dhe për një recital të improvizuar jazzi bashkë me Genti Rushin.

Është e vështirë të formulosh me dy fjalë 6 vitet që kanë kaluar që nga “Dasma” e Çehovit dhe nga koncerti bashkë me Gentin i cili nuk ka qenë hiç fare i improvizuar në oganizimin dhe repertorin e tij, por fruti i një pune 3-mujore.

Në 2002 kam qenë disa muaj në NYC më pas jam kthyer në Zvicër ku jam marrë me teatër, dhe me projektin elektro akustik “Extrangers in the Noise”, bashkë me Jose Luis Asaresi. Në 2004 kam bërë diskun “Lakuriq” bashkë me grupin prishtinas “Retrovizorja”, ku me videon e këngës “Rokstar” e realizuar nga Dorian Ahmeti kemi fituar çmimin special të jurisë në “Festivalin e IV Kombëtar të Videoklipit Shqiptar2005”.

Në 2004 gjithashtu, kam filluar shkollën e lartë të muzikës për jazz në Bernë. Në të njëjtën kohë ka lindur ideja e përpunimeve në jazz të këngëve ballkanase. Kjo është një ide që buroi nga Colin Vallon, pianisti i grupit. Projekti filloi me një duo me Colin dhe më pas pata fatin që basisti Bänz Oester dhe bateristi Norbert Pfammatter të cilët bëjnë pjesë në “ajkën e jazzit në Zvicër”, t’ju bashkohen duos. Përveç kuartetit kam pasur dhe disa projekte të tjera si këngëtare dhe në lidhje me shkollën jam marrë gjithashtu me arranxhim dhe kompozim. Në këtë moment, jam duke shkruar diplomën e cila mund të përshkruhet si një lloj “operete jazzi” për një formacion që përbëhet nga 8 muzikantë, ku vihet në skenë legjenda e Konstandinit dhe Doruntinës.

Si u përgatit albumi “Baresha”? Përse dy këngë me të njëjtin motiv shqiptar, për bareshën dhe për “çobankat që shkojnë malit”.

“Baresha” ishte “vënia në një disk” të një pjese të repertorit që ne kemi luajtur “live”gjatë 2 vjetësh. Incizimi i diskut ishte një moment magjik sepse gjithë disku është bërë për 2 orë, njëra këngë pas tjetrës. Dhe pse ne kaluam 2 ditë në studio, gjithçka që u incizua jashtë atyre 2 orëve nuk u përdor. Prandaj besoj se ky disk ka sukses në botën e jazzit, sepse ndihet fryma e momentit dhe nuk ka asnjë “editing”. Në këtë mënyrë janë regjistruar gjithë disqet e “epokës së artë të xhazit”, gjatë viteve 40, 50 dhe 60.

Zakonisht, zgjedh këngët që më pëlqejnë, që më prekin nga teksti dhe muzika dhe më pas mundohem t’i bëj të miat, t’i mbledh tek vetja imazhet që më sjellin këngët.

Kënga “çobankat”, nuk është në disk, por është një këngë e re që ne e kemi futur në repertorin “live”. Jam çuditur dhe vete kur e kam vënë re që dhe veriu dhe jugu i Shqipërisë i ka ngritur këngë këtyre figurave femërore. Mendoj se ato përfaqësonin një imazh lirie në ato kohë. Ky element i përbashkët më ka prekur shumë tek të dyja këngët.

Dhe përveç kësaj, për mendimin tim “çobankat” vë në dukje sensualitetin dhe “Baresha” lirinë dhe vitalitetin e tyre. Gjithashtu pa e kuptuar kam theksin e jugut kur këndoj “çobankat” dhe atë të veriut kur këndoj “Bareshën”, dhe ky eklektizëm më pëlqen shumë.

Duke parë në you tube pjesë nga ndonjë koncert i fundit yti mund të thuash se Elina është duke kënduar “sy për sy”: Instrumenta, vokal, mundësisht edhe zbathur. Çfarë e bën individualitet një artist jazzi kur bota është e mbushur me muzikantë që provojnë pafundësisht dhe duan të dalin në sipërfaqe. Ti ku kërkon të shkosh?

Komunikimi me publikun, është shumë i rëndësishëm për mua. Në skenë dua të jap një imazh të vërtetë, të sinqertë, pa truk dhe ornamente.

Në një shoqëri të mbushur deri në grykë me “paraqitjen perfekte” më pëlqen të mbart: një imazh i cili i përket më shumë realitetit, ku shihet jo vetëm një performancë, por një individ që e bën atë, dhe individi ka forcë por edhe brishtësi, bindje por edhe lëkundje. Me faktin që unë këndoj këmbëzbathur dhe e veshur shumë thjesht, kam përshtypjen se jam deri diku më humane, më e prekshme dhe ndoshta përfaqësuese e një lloj “të vërtete njerëzore” e cila për mendimin tim është totalisht në kundrarryme me imazhet që vehikulon media sot.

Është i papritur takimi që u bën këngëve “Lule” apo “Qiparisi” me muzikën evropiane si tek kënga “Ces petits riens”.

Mund të themi që gjithë disku është një takim, dhe ky takim ndodh tek kryqëzimi i biografisë time: fëmijëria në Shqipëri, rritja në një kulturë franceze në Zvicër dhe dashuria për jazzin. Eklektizmi më përfaqëson deri diku, dhe është gjithashtu reflektimi i një bote globalizuese. Por besoj se ka qenë gjithmonë kështu, njerëzit dhe kulturat janë përzier pa mbarim dhe kjo nuk do të ndryshojë.

Cilët artistë (muzikë, letërsi, kinema) kanë influencuar më shumë tek ty?

Po e nis me muzikantët: Debussy, Mahler, Schubert, Miles Davis, Ella Fitzgerald, Billie Holiday, Sheila Jordan, Sidsel Endresen, Colin Vallon, Parashqevi Simaku, Serge Gainsbourg, Tom Waits.

Shkrimtarë: Dostoievsky, Tolstoi, Kafka, Arber Ahmetaj, Migjeni, Ismail Kadare, Kundera.

Kinema : Jim Jarmusch, Milos Forman, Alejandro González Iñárritu, David Lynch, Kusturica.

Cilët tinguj (përtej instrumentaleve) të jetës së përditshme ju duken më tërheqësit?

Zogjte, sidomos në agim ka disa prej tyre që vërtet improvizojnë melodi të ndryshme. Trenat, zhurmat e makinerive te ndryshme, pemët me gjethet që dridhen.

Kush është njeriu që ke habitur më pak me këtë album?

Në këtë rast ka disa njerëz dhe jo vetëm një. Mamaja ime, shoqja ime e ngushtë, i dashuri im dhe babai im. Pra pak a shumë njerëzit më të dashur që kam, bashkë me nënën dhe gjyshin tim.

Një ndër këngët që më ka pëlqyer është “Spice Island”. Çfarë mund të thuash për tendencën që shfaqet aty.

“Spice Island” është e kompozuar nga një muzikant australian, Toni Gorman. Për mua kjo këngë gjithashtu ndjek atë idenë e “të vërtetës njerëzore”, jo perfekten, jo të lëmuarën. Harmonikisht, kënga ka vende ku është vërtet disonante dhe pikërisht ajo që e bën interesante dhe të veçantë është ritmi i ngrohtë dhe i thjeshtë që të jep një imazh prej palmash dhe plazhi dhe melodia disonante që bashkohet me të.

Jeta është e bërë nga kontrastet dhe kjo e krijon atë kompleksitetin aq të dashur që gjindet edhe te “Spice Island”. Zërin jam munduar ta punoj sikur të ishte një instrument, një saksofon, dhe me anë të fjaleve të një gjuhe që nuk ekziston jam munduar të jap një imazh të kompleksitetit që na përfaqëson.

Jam kurioze të di për zgjedhjen e coverit të albumit. Ai kalë që tërheq një karrocë të lodhur duket një copë Shqipërie që kemi njohur dje dhe që shohim sot. E kujt është ideja?

I pari që e gjeti atë fotografi është Colin Vallon dhe më pas unë mendova që ta vija si cover. Me dukej kaq banale ta bëja coverin e diskut me një fotografi timen, sepse gjithandej ku hedh sytë, ka vetëm disqe me portrete femrash. Kali mu duk shumë më poetik dhe i veçantë sesa fytyra ime, në këtë rast. Në fakt karroca nuk është një karrocë e vërtetë por një makinë e vjetër e prerë në dysh.

Vërtet ajo karrocë dhe ai kalë përfaqësojnë Shqipërine time, ajo e atëhershmja ku kur kalonte një makinë, e përmendte gjithë lagjja.

Por në të njëtën kohë, ajo fotografi është bërë në 2002 dhe ai imazh është pjesë e Shqipërisë së sotme, të varfërisë dhe të halleve që ndodhin larg Bllokut dhe larmshmërisë së tij.

Si do të vijojë turneu yt, e parashikon Shqipërinë?

Do të më pëlqente sigurisht shumë të bëja një turne në Shqipëri. Kam ca plane për momentin por nuk mund të them akoma se sido të vijojnë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora