E enjte, 25.04.2024, 11:18 PM (GMT+1)

Kulturë

Murat Gecaj: Nderim e kujtim për miken tonë Qamilen

E premte, 15.05.2015, 08:01 PM


NDERIM E KUJTIM PËR MIKEN TONË TË MIRË, QAMILEN …

Nga Murat Gecaj

1.

Këto ditë, përmes rrjeteve të ndryshme sociale, por dhe telefonatave, ne një grup kolegësh gazetarë, që vite më parë punuam në redaksinë e gazetës ditore “Bashkimi”, patëm një shqetësim jo të zakonshëm. Një lajm i papritur nga Tirana, i cili shkoi deri në Amerikë e Kanada, hidhëroi e tronditi jo vetëm familjarët këtu, por dhe bashkëpunëtorët e njërës nga miket tona më ta mira dhe të respektuara, Qamile Dervishi-Kalo.

Ajo u nda përgjithnjë nga jeta, duke lënë në pikëllim  gjithë familjarët, miqtë.e dashamirët e saj të shumtë. Këtë gjë e shprehën, me mesazhet dhe telefonatat e tyre: Fiqiri Shahinllari, me banim familjarisht në Virxhinia të Amerikës dhe Albana Mëlyshi, me banim në Nju Jork, por dhe Llazar Vero, në Filadelfia e Petro Dhimitri, nga Toronto e Kanadasë, pa përmendur këtu dhe disa kolegë e miq të tjerë.

Për t’u ndodhur pranë bashkëshortit të Qamiles së paharruar, Azmiut, djalit  Bujar e së bijës Vali, me gazetarët Sefedin Çela e Llazar Parangoni, shkuam ta shihnim dhe ta nderonim, për herë të fundit, trupin e pajetë të saj.

Në ato çaste shumë prekëse e të dhimbshme, kur pranë Qamiles ishin mbledhur jo vetëm familjarë, por dhe miq tjerë të shumtë, ne sollëm në kujtesë vitet e bukura, që kemi kaluar së bashku, në redaksinë e asaj gazete. Por edhe në periudhën vazhduese, kudo që u ndodhën “djemtë e vajzat e Bashkimit”, ajo mbajti lidhje të pashkëputura me ta.

Ja, çfarë tregon njëri nga ish-gazetarët më të rinj të asaj kohe, kolegu ynë, Ll.Parangoni: “Në atë gazetë, Qamile Dervishi ose siç e thërrësnim shumë nga ne, “Çeçua”, na priti e përcolli , na rriti e mësoi pa u lodhur, na u bë si motër, si nënë e dytë; na u bë mike e familjeve tona dhe e gjendshme, si në gazime e shqetësime. Kësisoj, u soll ajo edhe kur doli në pension. Nuk la “qoka” pa bërë, me këmbë e me telefon, në festa e ditëlindje, duke e kujtuar me mall e nostalgji “familjen” e dytë të saj, gazetën “Bashkimi”. I kujtonte me dashamirësi “djemtë” gazetarë, siç i quante ajo, të cilët shkonin ose ktheheshin nga shërbimet nëpër rrethe të ndryshme të Shqipërisë. Shkrimet, që i jepnin ata me telefon, ajo  i merrte me kufjet në veshë dhe pastaj i hidhte në makinën “Olivetti”, me dhjetë gishtat e saj aq të shpejtë. Ndërsa i ngjante se i kishte gjithnjë pranë dhe me dashamirësi i priste dhe i përqafonte, kur ata arrinin në Tiranë…”.

2.

Qamile Dervishi ishte njeri me zemër të madhe,  bijë nga Luzati i Tepelenës. Sepse nuk mund të ishte ndryshe, kur të tilla i kishte “rrënjët” nga gjyshërit e prindërit e saj. Ajo bënte pjesë në njërën nga 6 rrënjët e atij “trungu” lisi, që me të drejtë e bëri të krenohej me atdhetarizmin, me bujarinë e trimërinë, me mençurinë dhe tradita të tjera, nga më të shquarat. Nuk ishte aq e lehtë të hyje në zemrën e Qamiles, ndërsa kur ti bëheshe “çeço” me atë, gjithnjë të mbante aty me kënaqësi dhe përgjegjësi prindërore.

Secili nga ne, “djemtë” ose miket e “Bashkimit”, sidomos këto ditë, sjellim në kujtësë vitet e kaluar në punët e përbashkëta në shtyp. Por rifreskojmë dhe takimet e vizitat tona të ndërsjellta familjare. Ashtu siç e ruajmë me kujdes këtë gjë, të fiksuar edhe në fotografi të ndryshme. Ja, për shembull, një nga këto fotografi dëshmon njërën nga vizitat, që i kemi bërë Qamiles, në shtëpinë e saj, në afërsi të ish-Stadiumit “Dinamo”. Aty ndodhej vetë ajo, me bashkëshortin Azmiun, por dhe të ardhur nga Amerika, Fiqiri Shahinllari me bashkëshorten, si dhe unë me bashkëshorten time. Atë ditë biseduam gjatë, bëmë shaka dhe të gjithë kaluam çaste të këndshme e të paharruara…

Me atë pamjen e buzëqeshur dhe mirësinë e dallueshme, në tërë qenien e vet, ne do ta rauajmë gjithnjë në kujtesë, kolegen dhe miken tonë të mirë, Qamile Dervishi. Me këtë rast, u shprehim bashkëshortit, djalit e vajzës, vëllait dhe gjithë familjarëve të saj, ngushëshllimet tona më të sinqerta. Atyre ju urojmë, me zemër, që të rrojnë sa më gjatë dhe ta kujtojnë përherë, me nderim e dashuri atë, siç e meritoi, gjatë tërë jetës dhe veprimtarisë së saj, në punë dhe në vitet e pensionit, deri më 13 maj 2015, kur i mbylli sytë përgjithnjë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora