Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Rrugët e Bardha, mrekullia e zbuluar prej Çezarit

| E hene, 21.07.2008, 11:55 PM |


Nga Anila Peçi

Udhëtim të plazhin e virgjër të Palasës, ku ia vlen të shkosh megjithë rrugën e keqe dhe të mundimshme

VLORË- Një ditë e planifikuar për në një plazh jo fort të zakonshëm. Kujdes.. atje ka vetëm det dhe zhavor të imtë, asgjë tjetër. Çdo gjë duhet marrë me vete. Nuk harrojmë të furnizohemi me ushqime, çadra, pije... dhe shumë ujë.Nisemi qysh pa gdhirë nga Vlora dhe i drejtohemi rrugës drejt Dhërmiut. Në Llogora pimë kafenë e mëngjesit dhe sërish për rrugë. Rrugët e Bardha na shfaqen sapo kalojmë qafën e Llogorasë. Pamja është mahnitëse e teksa zbresim kthesat përgjatë malit, çdo gjë qartësohet edhe më tepër. Lëmë asfaltin e kthehemi djathtas. Rruga gati në përzjerje të së bardhës kalon nëpër bimësi të dendur shkurresh. Përmes saj do të ecim. Rruga vijon të dredhojë nëpër kthesa, udhëtimi drejt të cilave jo vetëm nuk është i rehatshëm, por të mban nën tension. Gropa që përpiqesh t’i shmangësh dhe makina tundet në mënyrë të vazhdueshme. Janë më tepër se katër kilometra rrugë e tillë. Makina zbret përgjatë kodrës dhe në shumë pjesë të udhëtimit shfaqet deti. Zbresim drejt tij dhe parkojmë kujdesshëm, pasi në çdo moment mund të ngecësh në vend

***

Një pjesë e bregut është e ndarë si një brezare. Pas brezit të parë, ku duken gurë të bardhë e të mëdhenj, vijon një pjesë zhavori i imtë. Më tutje, sërish gurë. Deti është një mrekulli. Kristal në gjithë hapësirën e tij. Madje, është një kaltërsi që vijon gjatë gjithë orëve të ditës. Në pjesën tjetër duket mali , i cili thyhet mprehtë në det.Është ora 08.00 e mëngjesit. Në plazh gjejmë një çift të vetëm, nudo, që sapo shohin njerëz, mbështjellin menjëherë peshqirët. As në orët e mëpasme nuk jemi shumë në plazh. Janë tre çadra në krahun e majtë dhe vetëm në fund të plazhit, atje ku syri mezi kap, është një çift të huajsh. Kuptojmë që janë të tillë, dy orë më pas, kur bëjnë një xhiro të gjatë dhe teksa afrohen drejt bregut, pranë nesh, dëgjojmë që flasin anglisht dhe tentojmë t’iu afrohemi. Fakti që jemi gazetarë, përcillet me ngurim dhe drejtpërsëdrejti na drejtohen: “duam qetësi, asnjë prononcim. Për qetësi kemi ardhur këtu”-dhe kthehen nga çadra e tyre “origjinale” në stil.

***

Është një çadër e improvizuar plazhi, rreth së cilës kanë vendosur disa shkopinj dhe mbi to hedhur një sërë copash, ndoshta të blera në tregun tonë. Nuk duket asnjë mjet detar. Vetëm gjatë orëve të drekës, një anije me vela çan thellësitë. Është shumë larg për ta dalluar qartë. Në orët e pasdites, nga plazhi i Palasës shfaqetnjë motor i fuqishëm uji me dy vetë, të cilët bëjnë një xhiro mjaft të shkurtër dhe kthehen sërish në drejtimin nga erdhën. Temperaturat janë mjaft të larta dhe uji na ndihmon të freskohemi herë pas here. Edhe në kushte të tjera atmosferike, është e pamundur t’i rezistosh një deti të tillë. Vetëm kur dielli duket se do të bjerë mbi det, ngrihemi për të ikur. Në këtë orë të mbrëmjes, është një tjetër panoramë, edhe më e bukur. Rruga në kthim është edhe më e vështirë. Makina mezi ngjit maloren në rrugën me shumë gurë.Në Llogora qëndrojmë sërish, për të vazhduar më pas drejt Vlorës, paksa të lodhur, por me ndjesinë e një dite mjaft të veçantë.

VIZITORËT

“Turistët e huaj ia ndjejnë lezetin”

Dy peshkatarë që ndodhen në skajin më të largët, në anën e majtë të plazhit të njohur si “Rrugët e Bardha” pohojnë se këtij plazhi më shumë po ia ndjejnë lezetin të huajt. Ata pohojnë se plazhi frekuentohet shumë pak vetëm fundjavave, madje ka raste kur mund të gjesh vetëm një apo dy çadra, por edhe kur mund të ketë më shumë, pjesa më e mirë janë të huaj."Për gati 10 ditë ka qenë një çift me moshë të mesme që vinin përditë. Vinin dhe iknin përditë me një makinë të lartë",-thotë njëri prej peshkatarëve. Në këtë zonë shikon vetëm një ndërtesë në pjesën e kodrës, gati të mbuluar nga pemët, e vetmja që të kujton elemente të qytetërimit në zonë.

Zhytësi Kapllani

“Masivet shkëmbore nënujore, të rralla”

Genci Kapllani, i apasionuar pas zhytjeve e njeh zonën me pëllëmbë. “Këtu dallohet delta dhe plazhi.Dikur njihej me emrin Përroi i Palasës, pasi e gjitha aty është karakteristikë e gërryerjes së lumit që ka qenë dikur. Edhe një pjesë e zhavorrit janë depozitimet e lumit. Është një kanion aty, vendi ku ka qenë lumi, i cili zbret në det dhe sot është shtrat i tharë. Ky shtrat vijon në formën e një delte nën ujë me gjatësi duke u nisur nga bregu rreth 300 metra dhe gjerësi rreth 500 metra, duke krijuar masive shkëmbore nën ujë. Është e pasur me poseidone, tip barishte dhe pasi kalon thellësinë 30 metra fillon rëra dhe bie në thellësi më pas 40 apo 50 metra. Duke u kthyer sërish te delta këtu natyra ka krijuar një ekosistem të shkëlqyer. Janë gurë karakteristikë të mëdhenj dhe forma të rrumbullakosura si rezultat i gërryerjes që këta shkëmbinj kanë patur nga vërshimi i lumit. Në fillim të plazhit ndodhen dhe disa gurë që quhen “tre gurët e Jul Çezarit”. Në plazhin e Rrugëve të Bardha ka shumë lloje peshqish. Pasi peshku këto ambjente do, gurë, barishte janë një zonë e preferuar për ta”-thotë Genci Kapllani. Genci tregon se mund të jetë zhytur me dhjetëra herë në këto zona. Kanë qenë zhytje për pasion apo edhe për turizmin, në ndihmë të politikave të peshkimit dhe turizmit. U bë dhe një raport që mund t’i interesonte edhe gjeologëve për vetë formacionin që është krijuar nën ujë. Është një formacion sikur të ishte ndërtuar me dorë njeriu. A.Peçi

Pak histori…

Vendi ku zbarkoi Cezari

Dikur Cezari zgjodhi pikërisht “Strade Bianche” për zbarkimin e tij në Iliri. Detarët thonë se pasi ai studioi zona të tjera të bregdetit, të cilat ishin të mbrojtura, zgjodhipikërisht këtë pikë. Një plazh rëre me gjatësi rreth 1800 metra, por edhe gjerësi të mjaftueshme për zbarkim. Ushtarët nuk mbyteshin, nuk lageshin dhe zbarkonin në kohën më të shpejtë. Ai gjithashtu ishte plazh i papërdorur nga flotat ushtarake, vend i mbyllur, i rrethuar me male të larta e masive shkëmbore të thepisura. E të tëra këto u shfrytëuan për të marshuar më pas drejt Orikumit.

Nëpër vendstrehimet e hershme të anijeve mund të shkohet vetëm nga deti

Guidë ujore, mes gjireve të pazbuluar

Deti është rruga më e mirë për të shkuar në këtë plazh të mrekullueshëm, por moratoriumi, ashtu si edhe mungesa e rrugëve i pengon turistët të shijojnë “Rrugët e Bardha”. Nëse nisemi nga porti i Zvërnecit ose nga triporti, do të lundrojmë përreth 10 milje në kep të Gjuhëzës, të përshkruajmë dhe më pas rreth 15- 16 milje për të mbërritur në plazhin e Palasës. Rreth 25 milje është e gjitha për të shkuar deri atje gjatë bregdetit, ndërsa panorama që të ofrohet është e rrallë për nga bukuria. Ajo që bie në sy është bregdeti i thyer shkëmbor. 7 deri në 8 milje nga kepi i Gjuhëzës në drejtim të Dhërmiut, fillon gjiri i parë i Dafinës, është një gji me zhavor, i cili është i mbrojtur nga era e veriut. Ai është një gji mjaft piktoresk për pushuesit e zhytësit.Më pas vijon me gjirin e Bristanit, ose gjiri i Arushës,i cili është një gji më i madh se i pari, ëhstë i mbrojtur nga era e jugut, që mund të strehohen anijet. Është një gji që ka histori nënuji. Në thellësinë rreth 18 metra ndodhet skeleti i një anije ilire, e cila është studiuar nga arkeologë shqiptarë në ekspedita të ndryshme para viteve ‘90. Karakterstikë e këtij gjiri është se përballë tij, në zonën e Italisë, në të njëjtin drejtim është i njëjti toponim, gjiri i Ariut. Bota nënujore ofron ende shumë për t’u studiuar. Ka spiranca të vjetra të anijeve të humbura në kohë. Më pas vijon gjiri i Gramës, i cili është edhe gjiri më i bukur në bregdetin e Karaburunit. E veçanta e këtij gjiri është se është i mbrojtur nga deti dhe erërat, i cili ka shërbyer dhe shërben për strehimin e anijeve. Në pjesën e bregut ngrihen disa kava të larta guri të cilat janë prerë nga skllevrit në kohën e ilirëve. Në pika të tilla shkohet vetëm nga deti. Më pas, gjiri i Shën Andreut, edhe ky është karakteristik pasi ka të njëjtin toponim në Itali, të dy gjiret në një vijë të drejtë.

Shekulli