E merkure, 24.04.2024, 01:28 AM (GMT+1)

Kulturë

Rexhepi: Dinjiteti arsimor mes mohimit, pohimit e...

E enjte, 14.05.2015, 07:22 PM


Dinjiteti arsimor mes mohimit, pohimit e ngadhënjimit

Tefik Selimi - Gjimnazi “Zenel Hajdini” i Gjilanit, Gjilan, 2015

Nga Mehmetali Rexhepi

Përderisa varianti i parë i botimit të vitit 2013, ngërthente moton ”68 vjet ecje drejt dritës”, botimi i tashëm i përmirësuar ngërthehet në sublimin “70 vjet ecje drejt rrugës së dijes e diturisë”... Është një nënvizim iluminist mjaft domethënës, sikurse janë domethënëse pamjet e hershme të Gjimnazit të dy periudhave, të brezave që jetuan dhe ende vijojnë t`i përjetojnë vistrat e shëmbëlltyrave, të atyre që kishin formësuar modelin e edukatorit e, për edukatorët dhe arsimuesit pasues... Por ballinës dhe përfundimit i mungon dukja e gjimnazit të së ardhmes, ndoshta dhe parashikimi për periudhën e tretë të rrjedhave të mësimdhënies e të mësim-nxënies: kahet, kriteret, përmbajtjet, mënyrat, metodologjia e zbatimit të tyre, qasjet, risitë, ritmet teorike dhe zgjerimi i gamës praktike i përmasave të atilla: sa, si e çfarë do të lypte jeta, mjedisi njerëzor e biologjik, gjetja e burimeve të reja, gjithnjë më të zvogëluara, riciklimi i tjerave për kapjen e ekzistencës, të mirëqenies, të lumturisë, për mbarëvajtje e ruajtje të ”homo sapiens-it”, dhe të botës tjetër të ndërvarur, bimore e shtazore.

Në këtë rast solemn të shënimit të 70 (shtatëdhjetë) vjetorit të Gjimnazit të Gjilanit, dhe përurimit të së parës monografi për Gjimnazin, e çmoj vullnetin dhe guximin e Tefik Selimit, që i hyri grumbullimit e hulumtimit disa vjeçar, renditjes, përpjekjes për të mbarështuar këtë lëndë të pleksur, të shkapërderdhur, të shtatë dekadave të funksionimit, herë si gjimnaz edukate të imponuar nga hegjemonia asimiluese, herë si shkollë e drejtuar nga ideologjia e njëmendësisë...Duke kurdisur shartime për tjetërsime të huaja, hibridizime të pa shartuara për brezat, që kishin trup e rrënjë mijëravjeçare të përtrollitur, por që spërkateshin me helmin e shovinizmit për t`ua tharë degët.

Nismën e autorit, për t`i përfshirë ngjarjet, nyjëtimet e dhjetëvjeçarëve arsimore, të rrjedhave edukative-mësimore të Gjimnazit të Gjilanit, e kam mirëpritur prore, duke ia theksuar drojën për një këso projekti të rrëshqitshëm, në kuptimin e shmangies nga dokumentimi relevant, i lëshimeve për çështje thelbësore, të asaj që quhet kujtesë arsimore, mbetja eventuale e përmasës madhore jashtë kopertinave, të kënd-shikimeve të  ngushta nga ndërfutja e subjektivizmit ose të ndonjë prapashtese tjetër.

E kam ditur për mësymjen e autorit të kësaj monografie, ndaj e theksoja dendur shprehjen e thjeshtë thirrmore: kujdes! Dhe, natyrisht togfjalëshin e parimit të çdo shkrim-ëndërruesi ”ngutu ngadalë”. Në këtë pikëpamje Selimi nuk e përfillte ngurrimin për t`i hyrë, qoftë i vetëm, mbledhjes, si bleta, i dëshmive të mbetura, të shkruara për hartimin e tyre, të një vistre portretesh, arsimtarësh me nam, nxënësish cilësorë, të dhënash dhe kronologjisë së dëshmuar, dokumentimit me ngjyrime letrare, stisje kronike, denduri kujtimesh të moshës nga pak të rrjedhur, nëpërmes stilesh të përziera dhe, gjithsesi brenda sinorëve të shqiptimit publicistik të monografisë.

Autori i librit për Gjimnazin “Zenel Hajdini”, që kap 389 faqe të formatit të librit monografi, është i vetëdijshëm për lëshimet tjera të mundshme, edhe pas ribotimit, me gjithë korrigjimet e hetuara, sërish i janë përvjedhur të tilla, ndonëse më të pakta, për ndonjë qasje më të përqendruar në çështje jo parësore, dhe qasje më pak të përqendruara në çështje parësore; por ai shfaq mirëkuptimin dhe modestinë e tij. Le ta kuptojmë modestinë si përligjje sinqeriteti, le t`ia bekojmë qëllimin si krejtësisht të çiltër, ngase tashmë në dorë, pa u lodhur fare, e kemi librin e parë për Gjimnazin e Gjilanit, si vatër e edukimit, e arsimimit dhe e qytetërimit të shumë brezave, me ndikim këtu dhe jashtë trevës së rajonit, me përmasa kombëtare.

Në mjediset e kulturës ekipore të bërjes së librit, përgjegjësinë për bërjen e një libri të këtillë e marrin grup autorësh, specialistësh, secili nga këndvështrimet e veta të specializuara... Për projekte të tilla madhore: nuk duam a nuk dimë të bëjmë qasje studiuese ekipore?! Si duket te ne mungon vullneti ekipor, atë ende e ngufatin vullnetet vetjake; suma sumurum dija e kujtesa jonë mbetet e shkapërderdhur, e shpërqendruar në individualitete... Ose shtjellohet sipas urtisë latine: Is fecit qui prodest, që do të thotë: Kujt i vyejti ai e bëri...

Pikërisht këtu reflektoi droja ime për ndonjë rrëshqitje të mundshme...

Si përmasë zotëruese e vistrës së karaktereve të edukatorëve, të cilët parakalojnë nga faqja në faqe është spikatur vetëm syprina pozitive e tyre, asnjë dobësi, as të metat e ndonjërit sish nuk preken. Çfarë t`i themi ndërgjegjes? Mos vallë të gjithë arsimtarët tanë kanë qenë të praruar? Askush nuk ka diferencuar? Këtë rol nuk e mori autori i monografisë për Gjimnazin e Gjilanit, Tefik Selimi. Pjesa e padukshme e ajsbergut në këtë monografi, ndoshta do t`iu lihet studiuesve në të ardhmen, të një të ardhmeje shteruese, jashtë klisheve e hatëreve të së sotmes.

Gjimnazi i Gjilanit me arsimtarët, nxënësit, prindërit, qytetarët u sprovuan që nga zanafilla e funksionimit të kësaj vatre arsimore, me trajta të ndryshme të trysnive shtetërore, përmes formave finoke të imponimit, deri te shfaqja e hapur e diskriminimit ndaj nxënësve e arsimtarëve shqiptarë, nën gërshërët e censurimit politik, eksperimentimeve të pa dobishme, kaheve për efekte politike të dijes, të përmbajtjeve mësimore asimiluese, diferencimi ideopolitik si gjuhë e përçarjes, helmimet e tmerrshme mbi rininë shqiptare, si njëra nga shfaqjet më të shëmtuara të urrejtjes serbe, ndrydhja e veçorive kombëtare, kultivimi i një edukimi nënshtrues, dhe dalja në sipërfaqe e qëndresës së heshtur, mandej gjithnjë më hapur, e kundërshtisë së personelit shqiptar, mbyllja e shkollës shqipe nga masat policore të hegjemonistëve serbë.

Rrjedhës kronologjike të këtyre sprovave, po kultivohej njëkohësisht sedra e mosnënshtrimit, e kërkimit të barabarësisë, e forcimit të krenarisë njerëzore e kombëtare, e ngritjes së vlerave dhe unitetit veprues, moral e profesional, sjellja e një etike dhe estetike të paluhatshme, vetëmohuese, rikthimi i besimit te vetvetja, te energjitë e brendshme mobilizuese, të cilat u dëshmuan në gjirin e popullit dhe për popullin në “shtëpitë-shkolla”.

Gjatë ecejakeve, autori spikati aty-këtu edhe shpirtin flijues të akëcilës shëmbëlltyrë të arsimdashësve shqiptarë, nxënës, mësimdhënës, prindër, donatorë, gjithnjë pa sharruar në urrejtje patologjike që e kultivonin serbët. Këto dëshmi i preku autori i monografisë, sepse u dëshmua se kombi ynë i përkiste një qytetërimi të lashtë, i kishte shpëtuar zhbërjes, dhe duhej t`i rikthehej vlerave qytetëruese euroatlantike.

Jetëshkrimet e personaliteteve që lanë kapitalin e tyre kulturor në Gjimnazin “Zenel Hajdini” të Gjilanit dhe jashtë tij, kush më shumë e kush më pak, kush më shkurt e kush më gjatë, nuk janë të një dore, përkatësisht të dorës së autorit... Edhe në këtë ribotim, hapësirën për t`i portretizuar portretet e secilit veçmas, autori ua ka lënë në ndërgjegjen e tyre, pa vendosur kriterin e portretizimit të standardizuar.

Sidoqoftë, tashmë kemi tërësinë e monografisë së parë për Gjimnazin e Gjilanit, dhe kjo na bëri nder të gjithëve pa dallim moshash, brezave të shkollarëve e të arsimdashësve të kësaj vatre edukative, formësimi kulturor, artistik, shkencor dhe të drejtpeshimit trupor e mendor.

Tefik Selimi i bëri nder të veçantë diskursit e vokacionit publicistik, durimit të një kronisti, përkujdesjes shumëvjeçare për kërkime, për gjetje, ruajtje shënimesh, dëshmish, fotografish, pamjesh ilustruese, faksimile gazetash, 442 sosh.

Një falënderim i çiltër i takon autorit, Komunës së Gjilanit si donatore, përpjekjes për të na bashkuar në një vëllim libri, për të evokuar bashkërisht të djeshmen, për të vlerësuar e çmuar të sotmen dhe, për t`i zënë ritmet e të përparuarve të shkollës bashkëkohore.

Autorit shëndet e fryte më të pjekura në relievin e shkrimit!

Gjimnazit ngritje në lartësi e gjerësi të reja!



(Vota: 2 . Mesatare: 1/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora