Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Murat Gecaj: Dy libra nga Hysë Hasa

| E merkure, 13.05.2015, 05:44 PM |


PËRUROHEN DY LIBRA TË AUTORIT HYSË HASA,

ME TEMATIKË ATDHETARE E KULTURORE

Nga: Murat Gecaj

Nga e majta: M.Gecaj, H.Hasa e Isa Halilaj (Tiranë, 10 maj 2015)

1.

Nuk është hera e parë, që autori Hysë Xhemali Hasa vjen në Atdhe “duarplot”, nga vendbanimi i tij i tanishëm, pra Filadelfia e Amerikës. Kur kemi biseduar lirshëm, në ndonjë lokal të kryeqytetit, ai na ka thënë, me sinqeritet e dashamirësi, se është rikthyer “me pushime”, në vendlindje, në Tiranë a diku tjetër. Ndërsa, në fakt, nuk është plotësisht i saktë ky pohim. Pra, këtë mik tonin të përbashkët e shohim çdo ditë, sa në Tiranën tonë, ku takon e pi kafe dhe çmallet me të afërm, kolegë, miq e dashamirë të shumtë, por dhe në vendlindjen e tij, pra në Vilaë a  Kukës, si dhe deri në Vlorë. Me suiguri, ndër të tjera, ai ka qëmtuar për dëshmi e të dhëna tjera, të cilat nesër do t’i shërbejnë, në shkrimet e botimet e reja.

Vite më parë, Hysë Hasa ka shkruar, në Filadelfia dhe i ka përuruar pikërisht në mjediset e Muzeut tonë Historik Kombëtar, katër libra: “Vila, pjesë e krenarisë lumjane”(2008), “Mes emigrantëve shqiptarë, në Amerikë”(2009), “Nga Filadelfia, në Tiranë” (2011) dhe “Mes shokësh, në shërbim të Atdheut”(2011).

Shumëkush e qi që ky autor ka shërbyer ushtarak (veç ka studiuar dhe për letërsi). Por kjo gjë nuk e ka “penguar”, bile e ka ndihmuar, që të shkruajë dhe publikojë libra me vlera të veçanta. Sigurisht, ndonjëri edhe ka tematikë të tillë, nga vitet e shërbimit në Ushtrinë tonë. Përsëri sot ai  erdhi duarplot, në sallën e tejmbushur “Unesco”, të Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit. Aty u bë tubimi përurues i 2 librave të tij, të cilët ishin si “simite të ngrohtë”, që sapo kanë dalë nga shtypshkronja. Ja, pra, për këta librat të tij u fol dhe u diskutua sot, me respekt e dashamirësi.

Pamje nga salla, ku u zhvillua veprimtaria…

Që në pamjen e parë, librat e rinj të Hysë Hasës të tërheqin, si për tëmatikën, përmbajtjen e pajisjen me mjaft fotografi, por dhe me sasinë e faqeve. I pari, e ka titullin “Dritare kohe, në mençurinë kuksiane”, me 545 faqe. Ndërsa i dyti, me 483 faqe, mban titullin “Kontribute atdhetarie-I” (Portrete ushtarakësh kuksianë). Pra, nënkuptojmë që libri i dytë do të ketë dhe pjesë të tjera, në të ardhmen.

Para syve tanë, në këta dy libra, sikur “parakalojnë” ngjarje e dukuri, atdhetarë e burra të shumtë e të mençur kuksianë, por dhe sa e sa miq e të njohur të tij, me të cilët ka qenë, në vite pune e shërbimi, për mbrojtjen e Atdheut.

Në librin e parë, “Dritare kohe, në mençurinë kuksiane”, shpalosen të dhëna me interes për figura të mendimit intrelektual fetar dhe në atë të fushës së arsimit, po dhe për të tjerë, që dhanë ndihmesën e tyre për zhvillimin ekonomik e kulturor, për ata lumjanë që iu përkushtuan kërkimeve e studimeve shkencore dhe, së fundi, për autorët e veprave të ndyshme me tematikë historike, artistike e kulturoree, në Lumën e Kukësit.

Në librin e dytë, “Kontribute atdhetarie-I: Portrete ushtarakësh kuksianë”, në gjashtë pjesë të librit të tij, autori shpalosë para lexuesit vlerat e  shumanshme të ushtarakëve të vendlindjes,  që nga vitet e luftës për çlirim dhe, në vazhdimësi, në armë të ndryshme të Ushtrisë sonë.

2.

Në tubimin e sotëm, kishin  ardhur të ftuar të shumtë, si nga Tirana, Durrësi e Kukësi, studiues e botues të ndryshëm, përfaqësues të medias së shkruar dhe asaj elektronike, familjarë të autorit etj. Ashtu siç ndodhë zakonisht në ngjarje të tilla, pata kënaqësinë që aty takova mjaft të njohur dhe nga krahina të ndryshme. Ndër  ata, po përmendi që ishin të pranishëm: autori i disa librave Isa Halilaj-“Mësues i merituar” (Lumë-Kukës); Fran Nikolli-ushtarak (Rrëshen-Mirditë); mjekja poete, Eli Kanina (Devoll-Korçë); ekonomistja Aurora Ferhat Cakaj (Salari-Tepelenë), me vajzën dhe bashkëshortin, Alban Ndreu (Geghysen-Tropojë)  e të tjerë.

Përurimin e çeli moderatori dhe publicisti Izet Duraku. Ai u ndal shkurtimisht në punën e përkushtuar, krijuese e botuese, të Hysë Hasës, birit të përkushtuar të Vilës, në rrethin e Kukësit. Në vazhdimësi, për vlerat atdhetare e kulturore të dy librave të rinj të këtij autori, folën: Prof. Murat Gecaj; gjenerali (në pension) Kudusi Lame; dr.Fajzulla Gjabri; general-leitnant (në pension) Rrahman Parllaku-“Hero i Popullit” e “Nderi i Kombit”; veprimtari i arsimit Beqir Shehu; autori i disa librave, Fatos Daci; prof.Dritan Spahiu-kryetar i Shoqatës “Luma”; krijuesi e publicisti Rexhep Shahu dhe prof.Shefqet Hoxha-“Mësues i Popullit”.

 

Ballinat e dy librave të rinj, nga autori Hysë Xhemali Hasa

U duartrokit ngrohtësisht përshëndetja e dërguar për pjesëmarrësit në këtë tubim përurues dhe autorin Hysë Hasa, nga Shoqata emërmirë “Bijtë e Shqipes”, e cila vepron në Filadelfia të Amerikës. Ajo ishte nënshkruar nga kryetari Tajar Domi, por brenda saj kishte dhe dashamirësinë e shprehur nga kolegë e miq të tij, si Llazar Vero, Vlashi Fili, Sadik Elsahani etj. Ndërsa prof.Hektor Veshi i dhuroi H.Hasës librin e tij të ri, kushtuar dukurisë së gjakmarrjes në Shqipëri, e cila duhet të ndërpritet sa më parëqë të jetë e mundur. Tematika e këtij libri sikur i bënte jehonë mësazhit, që ka shkruar Hysë Hasa, në mbyllje të njërit nga librat e tij: “Dashuri, dashuri e respekt për prindërit, për familjen, për fëmijët tuaj, për vëllezër e motra, për njërëzit e gjakut, për mikun e shokun, për bashatdhetarin, për vendlindjen, Atdheun, gjuhën e Flamurin Shqiptar, për simbolet e shqiptarizmës, për Kombin Shqiptar!”

Falënderim e mirënjohje, si për folësit dhe tërë pjesëmarrësit, shprehu në mbyllje të gjithë veprimtarisë, autori Hysë Hasa. Ndër të tjera, ai premtoi se nuk do të rreshtë së shkruari e botuari, për traditat kaq të çmuara të krahinës së tij e të Atdheut tonë, në përgjithësi.

Pastaj, të ftuarit në përurim tërhoqën libra me nënshkrimin e autorit, bënë fotografi të përbashkëta dhe morën pjesë në koktejin e shtruar, me këtë rast.

Tiranë, 10 maj 2015