E merkure, 08.02.2023, 04:50 PM (GMT)

Kulturë

Ilir Muharremi: Arti bashkëvepron me realitetin

E marte, 12.05.2015, 06:59 PM


Arti bashkëvepron me realitetin

Nga Dr. Ilir Muharremi

Romani si vepër artistike përpiqet të ndryshojë nga traktati filozofik ose sociologjik, ndonëse e vërteta e larmishme e cila sëpari konsumohet nga realja, qëllimshëm nga realja sepse forca e konkretizimit mund të identifikoj rregullin e së vërtetës, porse e vërteta e thellë në vetvete që kuptohet me nënkuptime kapërcen kufijtë e konkretes. Skulptura, ose busti skulptural, jeton në kufizimin e reales, skulptori përpiqet të kap shpirtin që është e pamundshme dhe formën që është e mundshme brenda sasisë së lejueshme të njohjes. Te skulptura më shumë veçohet stilizimi sesa imitimi. Qëllimi është te afshi i trupit dhe vërtitja e qëndrimeve. Këtu imagjinata kufizohet nga realja. Fjala është për të vërtetën individuale e cila arrin të kap disa njohje vetanake.  Kritikët dhe estetë gabojnë kur mendojnë se shumë anë të realitetit të natyrës dhe shoqërisë që kanë rëndësi për shkencën, s’paraqesin interes të drejtpërdrejtë për artin. Artisti nuk kulmon me tërë realitetin, por me  forcën e brendësisë e cila është e etur për njohjen identike të së jashtmes. Nëse vetëm estetika gjallëron pikturën, atëherë arti ngarend drejt imitimit, porse kjo lartësohet në të gjitha vepra me esencë të njëjtë. Unë do ta rreshtoja si forcë e kundërt pa abstenim nga e vërteta, vetëm se i referohet asaj brendësia që donë të shumëfishohet. Nëse në një pikturë paraqitet një vajzë e përvuajtur, kjo për estetë e artit është në rregull. Por, nëse asaj ja vendosim në fytyrë një grumbull puçrrash prej zgjebes, ajo nuk do funksiononte. Referimi i së bukurës këtu përpiqet të triumfoj. Nëse kjo vajzë sipas brendësisë reale të artistit posedon puçrra dhe nga e vërteta objektive nuk posedon e paraqitet në telajo që posedon,  atëherë çdo teori estetike bie. E vërteta e brendshme jeton pa kufizim. Arti nuk zbulon vetëm cilësi estetike të sendeve, por krijon harmoni ndërmjet të së vërtetës dhe brendësisë. Qëllimi është të shpërthejë, të arrihet përhumbja dhe të lind forma, e cila prapë nuk qe ajo në thellësi të brendësisë. Oqeanet shqyrtohen nga shkencat si masë e madhe uji, stinët e vitit studiohen nga astronomia dhe tregojnë zhvendosjen e tokës rreth diellit. Artisti i shikon nga një pikëpamje tjetër, nga cilësitë e brendshme estetike. Lulet reale në natyrë kanë funksion të heshtur, artisti krijon kombinim harmonik ngjyrash dhe formash. Ai ndërvepron përmes harmonisë së brendësisë së tij dhe imazheve të gjalla. Ose i bënë më të bukura ose i shëmton. Letërsia lozë me fjalën, muzika krijon vibrime dhe tinguj, piktura jetësohet me ngjyra etj. Asnjëra nuk ik nga realiteti, përveçse fokusohen në estetikë dhe figuracion, më parë udhëzohet nga shpirti i cili mbi bazën e këtyre bashkëvepron. Këtu artist ndjenë një lehtësim kur e kryen veprën. A përfundon vepra? Gjithnjë mbetet diç për të shtuar.

Rilindësit pikturonin botën klasike. Për artistët këto histori qenë frymëzime të mëdha. Nudot që i krijonin jepnim më shumë liri dhe guxim. Qartësinë ata e shndërronin në imagjinatë dhe revolucion. “Kupidi i ankohet Venusit” vepra e Luca Cranach pasqyron perëndinë e dashurisë që i ankohet të ëmës, Venusit se e kanë pickuar bletët ndërkohë që hante mjaltë. Qëllimi qëndron tek gjërat e ëmbla si mjalti apo dashuria dhe shpesh pasohen nga dhimbja. Të dy figurat janë nudo.  Sfondi ndryshon sipas imagjinatës së artistit, kurse paraqitja e njerëzve përpiqet t’i ngjaj kohës. Na bënë ta kuptojmë pasojën e dashurisë. Thelbi ka përvojën trashëguese të përjetshme, ndriçimi i brendshëm fokusohet pa u kufizuar. Ka mbingarkesë dhe tendencë për përjetësi. Në rastin e dytë kemi nënkuptimin kohor pa kapërcim. “Narcisi” i Da Vinçit është një karakter i përshkruar nga Ovidi. Ai ra në dashuri më pasqyrimin e tij dhe mbeti duke e vështruar atë, derisa vdiq.  Vepra lind nga mospranimi i mendjes më qëllim të arsyetoj konkreten. Këtu është ndrydhja. Triumfi i trupores veçohet nga koha, ndërsa thelbi nga përvoja filozofike ekzistenciale. Ndriçimi i brendshëm tenton të fokusohet pa kufizim, por kjo stagnon nën truporen. Atëherë, tërheqja bëhet nga të dyja vetëm se thelbësorja shtyn përjetësinë. “Pagëzimi i Krishtit” nga Piero della Franceska, është stërngarkuar nga detaje jetësore, fillon nga reflektimi në ujë, vazhdon deri te pëllumbi në perspektivë. Shën Gjoni pagëzon Krishtin. Sipas Biblës, kjo ka ndodhur në Lumin Jordan, në Lindjen e Mesme, por Piero e vë ngjarjen në një peizazh Italian. Ngjarja mundohet të ngjajë me atë të biblës, kurse peizazhi në liri të identikes. Këtu liria paralajmëron një rikrijim të botës sipas vetes. Nuk duhet të tregohen historira, por të krijohet një univers artistik mbi thelbin universal global.

Marrim Romancierët e mëdhenj, ata janë filozofë, domethënë e kundërta e shkrimtarëve, folklorik, historik dhe atyre me teza. Me këtë dua të them se ndriçimi i brendshëm ka më shumë vlerë se përshkrimi formal. Dashuria me dhimbje e Cranach- ut, dashuria në bazë të pasqyrimit vetanak e Narcisit nga Da Vinçi, më shumë ndërtojnë përjetësinë me nënkuptime filozofike sesa me kurorëzimin e veprës që ka fillim dhe fund. Mendimi i tyre qe i paftë ta ndryshoj realen, atëherë merret me imitimin e saj. A duhet të jetë arti filozofik në raport me botën? Platoni këtë e mënjanon duke e theksuar artin si mbështetës i përfytyrimeve imituese dhe sendeve shqisore. Filozofia sipas tij mëton të shprehë të përgjithshmen. Këtu kemi artistin mendimtar i cili tenton ta ndryshoj vetveten dhe veprën. Estetika mbjellë farën e vazhdimit. Aristoteli me plot të drejtë kundërshton Platonin kur thotë se poezia është më filozofike e më serioze edhe se historia. Vargu i përgjithshëm bëhet më i fuqishëm sepse tek thelbësorja njerëzore jeton e përgjithshmja dhe ngjashmëria. Ndoshta më thellë se ngjashmëria unikja vetëm se jeton në shkretëtira të larmishme. Kanti më duket më tërheqës kur pohon se arti njeriut nuk i jep dije përtej objektit, andaj kur një vepër artistike nuk i pëlqen, ai zë veshët dhe s’ka dëshirë të dëgjojë asnjë argument logjik. Gjykimi estetik ndahet nga njohja. Pasi e bukura nuk qenka e vërteta dhe e dobishmja, atëherë çdo shkencë dështon në përpjekjen e nënkuptimeve filozofike. Gjykimi ndodh vetëm nga shijet personale subjektive, por ndriçimi  nëse arrin thellësinë, shkëputet nga kufiri dhe  nuk ka ndarje më. Hegeli ka të drejtë kur e quan të bukurën formë konkrete shqisoret e realizmit të idesë. E vërteta bashkohet me të bukurën. “Bukuria dhe e vërteta janë e njëjta gjë” shkruante ai. Më e drejtë është se e bukura dallohet me të vërtetën. Kemi një dhimbje të vërtetë dhe jo të bukur. Unë më shumë do i jepja përparësi të vërtetës e cila arrin harmoninë me artin. Nga ky çiftëzim krijohet një baraspeshë mirëkuptimi drejtë përjetësisë.

Arti përpiqet të kuptoj arsyen e botës reale, kjo ndodh vetëm nëse e sjellë në përmasat e mendimit. Njeriu do ta pranonte gjithësinë vetëm nëse ajo është e gatshme të dashurojë dhe të vuajë. Piktorët kuadrojnë ashpërsinë e pemëve, plasojnë ujin duke pohuar se provojnë shijen e tij. Edhe aromën e barit, ditët, diellin , netët të gjitha i paraqesin në telajo. Ose shkrimtarët bëjnë përshkrim mbas mendimit për këto. Si mund t’i mohojnë, kur ata të gjitha këto i provojnë. Ata përhumbën në shijen e tyre, por nuk e njohin thellësisht mbas konkretes dhe mendimit qartësinë e gurëve, deteve... Përhumbja dëshmon uniken dhe ngjashmërinë e njeriut me botën. Kjo lidhje nxjerrë nostalgjinë e kuptimit brenda shkëlqimit të shpirtit i cili mund të njohë qartësinë. Nëse mendja tenton të plasoj dhe të flas për këto, mbetet vetëm hija dhe forma. E vërteta prapë jeton në heshtje të vetvetes, sikurse paqartësia e shpirtit brenda tek ne. Shekspiri ishte poet me përmbajtje të pasur: psikologjike, filozofike, historike dhe politike. Filozofi paraqet botën me silogjizma, poeti e ngritë me figura dhe tablo, piktori me ngjyra dhe figura, të tretë  thonë të njëjtën gjë. Filozofi argumenton logjikisht, poeti përpiqet të qëndroj mbi realitetin dhe mbi fantazinë e lexuesve, kurse piktori nxjerrë ndjenjën e përbashkët estetike duke u përpjekur të veçoj subjektin për të cilin është i sigurt që gjen ngjashmërinë. Të gjitha mendimet artistike ilustrohen në një univers të mbyllur nga mendimi vetanak: Kështjellat e Sade-it, Vetmia mbi majat e maleve të Nietzshes, uji, qielli dhe toka e impresionistëve, me pak ndryshim, por prapë mbi bazën e reales, ëndrrat e surrealistëve nga fiksioni i së vërtetës, kampet e përqendrimit, burgu dhe liria, ilustrojnë të njëjtën nevojë të esencës vetëm në forma të ndryshme të prezantimit. Nëse trajtojnë figurën e njeriut sikurse që gjejmë te Emil Zolai në librin “Urrejtjet e mia” në të cilin pohon:  “Në veprat e artit unë kërkoj dhe adhuroj njeriun-piktor” ndeshemi në qëndrim të drejtë me pëlqimin e piktorëve dhe njeriut. Nganjëherë prapa syve të njeriut nuk fshihet kurrfarë njeriu. Nëse e analizojmë te Rafaeli, gjejmë individualitet, edhe te Lerimi është e njëjta gjë. Gjithnjë do të ekzistojë bota e të krijuarit nën llogarinë e artistit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora