Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Deri kur do të vrasi shqiptarë ky palaço (Gruevski)?

| E diele, 10.05.2015, 10:00 AM |


Deri kur do të vrasi shqiptarë ky palaço (Gruevski)?

Nga Elvi Sidheri

Ngjarjet e sotme dramatike në IRJM (të ashtëquajturën Maqedoni); më duket se shqiptarët dhe tërë banorët e atij vendi, i kanë kthyer me kujtesë 14 vite më parë, në konfliktin e vitit 2001.

Dhe nuk është aspak e rastësishme kjo gjë; nuk ka sesi të jetë, kur në 2015-ën, sytë të shohin sesi autoblindat VMRO-iste të dërguara apostafat me urdhër nga selia e qeverisë së IRJM-së, mundësisht direkt nga zyra e kryepalaços së Shkupit, këmbështrembërit Grujo-vojvodës; i cili në shoqëri të miqve dha bashkëpunëtorëve të tij besnikë Mijallkov (shefi i kudondodhur dhe përfshirë i shërbimeve sekrete maqedonase), Jankullovska, Protugjer (shefi i tij i kabinetit) e ndoca të tjerë; kanë vendosur që tashmë, të përpiqen që në varr, përveç vetvetes, të fusin edhe një Maqedoni të tërë.

E kur them të tërë, nënkuptoj këtu, që Grujo këmbështrembëri (dhe mendjembrapshti)—bashkë me Mijallkov kryespiunin, dhe Jankullovskën kryepolice (një femër që në nëntë vjet majë pushtetit, akoma nuk ka ditur t’i depilojë mustaqet nga turiri i vet!)—, ka vendosur që të marri në qafë një vend të tërë, si dhe një popull të tërë, pa përjashtim nëse bëhet fjalë për maqedonisht-folësit bashkëkombas të vet, për shqiptarët të cilët i hanë duart t’i vrasë, turqit, vllehët, romët apo këdoqoftë!

Ky është pra thelbi i asaj çfarë pamë sot në Kumanovë.

As në 2001-in, lufta e armatosur nuk pati hyrë gjer brenda në qytete, pasiqë në Tetovë qe luftuar mes UÇK-së dhe ushtrisë së Shkupit, në rrethina, në Kumanovë po ashtu, dhe pranë Shkupit betejat patën përfshirë Haraçinën, që u shqua fort për një qëndresë historike ndaj sulmeve të pareshtura të ushtrisë së IRJM-së mbi këtë fshat.

Kurse ky 9 maj i 2015-ës, do të kujtohet si dita kur Grujo & CO—pra banda e tij vrastare, që ka vënë nën kontroll Maqedoninë prej nëntë vitesh, duke përçmuar e nënçmuar shqiptarët, dhe shtypur jo më pak edhe bashkëkombasit e tij maqedonas nën një regjim tipik putinist autokratik—, e prunë luftën brenda një lagjeje dendësisht të banuar në Kumanovë; ku gjithë ditën u zbrazën arsenale të pafundme armësh, u vranë civilë, policë e anëtarë të një grupi ende fantomatik të armatosurish shqiptarë, si të bëhej fjalë për ndonjë fushëbetejë të përgjakur të Irakut apo Donjeckut, dhe jo për një vend që ndodhet në mes të Europës.

Ky njeri dhe regjimi i tij autokratik, gjatë këtyre nëntë viteve i ka bërë gjëmën Maqedonisë dhe banorëve të saj të çdo komuniteti etnik (padyshim më tepër shqiptarëve në këtë aspekt), e tanimë që ditët e tij, sido që të shihet kjo çështje, janë gjithësesi të numëruara—numërim ky i pandalshëm mbrapsht, që tashmë ka nisur pakthyeshmërisht—pas 1000 të zezave, siç duket vendosi të bëjë edhe një të tillë.

E kështu u plotësua kuota e 1001 të zezave të Gruevskit!

Gruevski dhe VMRO-ja e tij, që veçanërisht shqiptarëve, por fundja edhe vetë Maqedonisë, dhe banorëve sllavë maqedonisht-folës së saj, vetëm të zeza i kanë sjellë; do të bjerë e gremiset së shpejti.

Thënë ndryshe, do ta këpusi qafën (ose zverkun, merreni si të doni), dhe do të përfundojë ashtu siç i mbyllin pa pikën e lavdisë ditët e tyre gjithë autokratët e marrosur, të zënë nga deliri i të ndjerit të vetvetes si Zot, të shkëputur totalisht nga çdo kontakt me realitetin e përditshëm të vendit mbi të cilin qeverisin me forcën e shtypjes policore, ekonomike dhe oligarkike; pra ose do të arratiset (si Janukoviçi së fundi në Ukrainë), ose do e nxjerrin me shkelma nga zyra vetë populli i tij.

Sekretari amerikan i shtetit Kerry, e pat thënë qartë kohë më parë, se rajoni ynë rrezikohej rëndë nga pushtetet oligarkike; të cilët jo rrallë prapa shpatullave, ndiejnë dorën “e ngrohtë” të mbështetjes ruse (nga Kremlini, aty ku perfeksionohet përditë arti i autokratizmit dhe oligarkizmit, në kërkim të depërtimit gjithnjë e më në thellësi të Europës, tashmë që përballja e re ruso-amerikane, për dominim, duket se ka nisur më e fortë se kurrë).

Gruevski, llogaritë e tij, marrëzinë dhe arrogancën e pashoqe, ashtu si edhe humbjen komplete të çdo nocioni realizmi që po tregon me reagimet qesharake, dhe së fundi më tepër “tragjike” (zhvillimet e Kumanovës e konfirmojnë këtë gjë kryekëput), sesa “komike”, në togfjalëshin përkatës “tragjikomike” që do i kisha mveshur para kasaphanës së Kumanovës, sjelljes së tij gjatë muajve të fundit; i ka bërë pikërisht duke u mbështetur tek etja ruse për të futur hundët dhe jo vetëm, gjer në brendësi të Ballkanit.

Shtypi proqeveritar në Shkup (që jo rrallë financohet direkt me fonde të Moskës), ka muaj, e në mos vite, që shkruan hapur përditë e përnatë, kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ambasadorit të saj në IRJM, politikave amerikanë në FYROM, Ballkan, e deri në Ukrainë; ndërsa prirjet si dhe humori i ithtarëve besnikë të kryeministrit Gruevski dhe partisë së tij (të cilët janë gjithnjë e më të pakët në numër faktikisht), sa vijnë e bëhen më antiamerikane dhe filoruse, ndërkohë që kriza politike dhe ekzistenciale e IRJM-së shkon drejt shpërthimit.

Por zbardhja graduale nga ana e opozitës maqedonase, e përgjimeve telefonike të Gruevskit, dhe bashkëpunëtorëve të tij më të afërt në qeveri dhe parti—ku tregohet haptazi dhe shumë qartë, sesi pushteti kontrollon, spiunon politikanë e gazetarë, manipulon zgjedhjet parlamentare e lokale, burgos të pafajshëm, dhe vret e keqtrajton gjithçka, gjithkënd, këdo dhe kurdo në Maqedoni—ka bërë që pakënaqësia popullore ndaj regjimit të Grujos, të arrijë nivele të papara ndonjëherë, duke u përhapur pandalur në të gjitha segementet e shoqërisë së këtij vendi, përfshirë maqedonas sllavë, shqiptarë e pjesëtarë të gjithë nacionaliteteve të tjera minore të IRJM-së.

Si asnjëherë më parë, në protestat e para pak ditëve në Shkup, pasi dolën në pah përgjimet ku tregohej sesi Gruevski urdhëronte që të fshiheshin dhe manipuloheshin faktet lidhur me vrasjen e një të riu maqedonas nga njëri ndër truprojat e tij personale, flamujt shqiptarë dhe maqedonas, u shfaqën së bashku, teksa pjesëtarë të të dy komuniteteve, shqiptarë e maqedonas sllavë, protestonin përpara godinës së qeverisë në Shkup.

Pritej dhe vijon të pritet, protesta e madhe, dhe ndoshta vendimtare (mbetet gjithësesi një pikëpyetje e fortë, duke parashikuar hapa të mëtejshëm destabilizues të regjimit të Gruevskit në ditët e ardhshme si kundërlëvizje përkatëse) e 17 majit e opozitës maqedonase dhe shoqërisë civile, e parashikuar si fillimi i fundit për pushtetin e kryeministrit dhe klikën e tij autokratike.

Pikërisht për këtë shkak madhor, dhe për t’i dalë para zbardhjes së pritshme nga opozita, të përgjimeve telefonike që do të tregojnë skenaret dhe implikimet e regjimit të Gruevskit, në lidhje me rastin e ashtëquajtur “Monstra”, të para 3 viteve—ku u vranë pesë qytetarë maqedonas, dhe u plasën burgjeve qindra shqiptarë, duke u njollosur si terroristë ekstremistë masivisht—qeveria e Shkupit, nisi projektin e destabilizimit të Maqedonisë, me luftimet në Kumanovë.

Në këtë mënyrë tinëzare, Gruevski synon që të arrijë disa qëllime: mundësisht të ngrejë në nivele të pahasura qysh nga konflikti i armatosur i vitit 2001, tensionet ndëretnike midis shqiptarëve dhe maqedonasve; ta forcojë imazhin e tij të rrënuar përballë komunitetit etnik maqedonas sllav brenda vendit, dhe sidomos të tregohet sërish si udhëheqës e komandant i fortë shqiptarë-vrasës para ithtarëve dhe mbështetësve të tij VMRO-istë; ta devijojë vëmendjen nga skandalet e jashtëzakonshme të qeverisë dhe të pushtetit të tij që bëhen publike falë të dëshmive audio të publikuara nga opozita maqedonase.

Gruevski këtë lojë sidoqoftë, dëshiron që ta zgjerojë edhe më tej: ai do që të shantazhojë paralelisht shqiptarët duke i vrarë dhe u shpënë autoblindat dhe helikopterët ushtarakë në mes të lagjeve të tyre të banimit; por edhe maqedonasit e vet, duke u treguar atyre gogolin e luftës civile, si dhe duke i kërcënuar se do t’i shpalli ata maqedonas që janë kundër regjimit të tij, bashkëpunëtorë të shërbimeve të huaja (që sipas Gruevskit, i kanë dhënë LSDM-së opozitare provat audio që po demaskojnë përditë qeverisjen autokratike të VMRO-së) si dhe të armiqve të urryer shqiptarë.

Kurse në fund, Gruevski është duke u përçapur që lojën e tij të çmendur ta çojë gjer në limit të çmendurisë megallomane, duke synuar që të shantazhojë edhe komunitetin ndërkombëtar, sidomos partnerët euroatlantikë, Bashkimin Europian, NATO-n dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës; duke u thënë sfidueshëm atyre haptas se “E di që ju po tentoni të më hiqni nga pushteti, dhe po mbështesni opozitën kundër meje; por unë ndërkohë i vë zjarrin vendit, bëj të shpërthejë lufta civile, dhe e laj këtë vend në gjak, para se të iki, duke përfshirë mundësisht në këtë lëmsh të përgjakur, edhe ndonjë fqinj po të më vijë mundësia!”

Këtë përshtypje, nuk ka sesi të mos na e përforcojë edhe vetë fakti se dordoleci debil që Gruevski ka vënë për të luajtur rolin e presidentit kukull të IRJM-së (të cilin nuk e njeh si legjitim në këtë post, as BDI shqiptare qeverisëse, e as opozita maqedonase); pra zoti Gjorge Ivanov, në ditën që Kumanova u vu në flakë, si pasojë e skenarit destabilizues, “vetë-bythë-shpëtues” të Gruevskit, ishte në Moskë, ku pati gjetur të udhës që të parin lidhur me “suksesin” e operacionit luftarak policor antishqiptar të forcave speciale maqedono-sllave, të informonte pikërisht Vladimir Putinin!

Por, për ta mbyllur, nëse kjo ditë mund të rezultojë me ndonjë grimë fitoreje për Gruevskin, ajo gjithësesi nuk do të jetë asgjë më tepër sesa një “Fitore e Pirros” (duke i kërkuar thellësisht falje kujtesës së mbretit të nderuar epirot-ilir; që po ia ndyej emrin duke e përdorur për të cilësuar diçka që ka të bëjë me një personazh kaq amorf dhe vulgar si Gruevski).

Mënjanë dyshimeve të forta që shumëkush mund të ketë lidhur me shfaqjen e një lëvizjeje kryengritëse shqiptare, pikërisht në këtë moment kaq kritik për IRJM-në, kur pushtetit të Gruevskit dhe partisë së tij antishqiptare, për disa ditë do t’i vijë fundi i pashmangshëm, si pasojë e revoltës së vetë bashkëkombasve të tij maqedonas-sllavë; janë disa arsye që të bindin se këtij njeriu dhe shpurës së vet i kanë mbaruar ditët.

1)IRJ Maqedonia, nuk përfshihet në zonën ruse të influencës, por ndodhet në një rajon që Perëndimi i qytetëruar, ka bërë të pamundurën që ta largojë nga kthetrat e Moskës, ta paqëtojë, dhe ta integrojë në NATO dhe Bashkimin Europian, prandaj Gruevski, mënjanë broçkullitjeve mbështetëse nga Moska, asgjë tjetër s’do të marri si ndihmë konkrete nga Rusia (ndërkohë që edhe në Ukrainë, që ishte efektivisht nën sferën ruse të ndikimit gjer vjet; Rusia nuk e mbajti dot në pushtet dordolecin e vet oligark, dhe më pastaj, megjithëse vuri në punë tërë arsenalin e vet ushtarak dhe propagandistik, sërish nuk i detyroi dot ukrainasit që të pranonin diktatin e Moskës, dhe nuk ia doli dot që të pushtonte as 1/10 e territorit ukrainas si hakmarrje; gjë që tregon, se mbështetja amerikane dhe europiane për Ukrainën, ish aq e fuqishme, saqë e frenoi dukshëm agresionin rus, ndonëse Ukraina konsiderohej si kopshti i shtëpisë për Rusinë).

2)IRJ Maqedonia, është e rrethuar nga 3 vende e gjysëm anëtare të NATO-s (Shqipëria, Greqia dhe Bullgaria, si dhe nga Kosova, që NATO-n megjithë Bondsteel, i ka në shtëpi); ndaj dhe, çdo flirtim i mëtejmë i Gruevskit me Moskën, për të ruajtur pushtetin dhe prapanicën e vet rusofile, do të përbëjë gurin e varrit mbi qeverisjen e tij.

3)Në IRJ Maqedoni Gruevski është armiqësuar përfundimisht me shumicën e qytetarëve të këtij vendi, pa përjashtim kombësie, si dhe ka hyrë në konflikt të pakthyeshëm me SHBA, BE dhe NATO-n; kështu që siç thotë edhe ajo fjala e urtë: “Kur luan me zjarrin (këto janë shumë zjarre njëherësh në fakt), atëherë digjesh”!

Ky njeri është tashmë thjesht një “Dead leader (prime minister) walking”, një personazh ende i pushtetshëm që po përjeton fazën prej “Zombie” të ekzistencës së tij tashmë të vdekur politike, kur figura e tij mishërohet më së miri tek një lugat që endet lart e poshtë, pa e kuptuar dot se ka vdekur politikisht ai dhe pushteti e filozofia e tij dhe e regjimit të vet!

Dhe prej së vdekuri s’e ngjallin dot as autoblindat që dërgon të mitralojnë lagjet dhe shtëpitë e shqiptarëve, as kërcënimet, as shantazhet, as turi-urithi i Kremlinit, e askush!

Grujo ia bëre vetes!

09.05.2015