E enjte, 25.04.2024, 03:15 AM (GMT+1)

Faleminderit

Salihu: Kujtimi për dëshmorin Zejnullah Zejna

E diele, 10.05.2015, 04:53 PM


Një shenjë kujtimi për dëshmorin Zejnullah Zejna

(Fjalë e mbajtur në akademinë përkujtimore organizuar në shoqatën „Kosova“në Bielefeld, më 9 maj 2015)

Nga Sylejman Salihu, Gjermani

Verës, teksa isha nisur me një mikun tim për në Berat, kaluam autostradës andej rreth shpatijeve kodrinore të Gorozhubit dhe përnjëherë në imagjinatë m’u hapën fletët e librit të historisë , në të cilin libër nga kolona e gjatë e luftëtarëve dhe dëshmorëve të Kosovës, njoha Zejnullah Zejnën me shokët e tij.Më dolën përpara bashkë me Zejnullah Zejnën në kolonë edhe: Bafti Haxhiu, Florim Rushiti, Salih Zenuni, Astrit Suli, Alirizan Selmani, Beron Gashi, Ejup Kasumi, Gani Saramati, Safet Peci, Sali Saramati, Selver Maçkaj, Shpend Berisha, Xhelal Sopi,  dhe Abdurrahman Gërdellaj. Të gjithë m’u shfaqën së bashku,  herë rreshtuar pranë njërin-tjetrit, teksa marshonin me marshin e UÇK-së në gojë, herë tek zinin pozicionet e tyre duke marrë  në shënjestër pikat  dhe pozicionet e armikut.Ishin nga krejt gjeografia shqiptare dhe si një trup i vetëm kishin zënë pozicionet dhe po çlironin  pjesë të robëruara të atdheut.

Të gjithë ata dora-dorës kishin shkuar në panteonin e lirisë, e ca të tjerë kishin vazhduar ta çonin më tutje amanetin e tyre në vend apo edhe kishin vazhduar me “rrnue për me tregue” siç do të thoshte At Zef Pllumi.Prandaj edhe personazhi ynë Zejnullah Zejna ishte aty brenda dhe kishte zënë vendin e tij meritor në librin e madh të historisë.Në përfytyrimin tim më doli Zejnua përpara me tërë bukurinë dhe hijeshinë e djaloshit të ri, që sapo kishte hyrë në gjerdekun martesor, por që e kishte këmbyer shpejt me luftën dhe llogoret e Kosovës, e cila po bëhej toka premtuese e një jete të re që po rilindte nën tingujt e ri të marshit luftarak.

Kush ishte Zejnullah Zejna?  Ç’mund të thuhet për të dhe ç’mund të thuhet për portretin e tij luftarak? Ç’mund të mësojmë ne nga ai dhe nga akti i tij heroik? Ç’mesazhe lirije dhe atdhedashurie na dërgon ai nga relievi kodrinor e shkëmbor  i Gorozhubit, atje ku ai i vuri pikë udhëtimit të tij jetësor me pushkën e luftëtarit për lirinë e Kosovës.Ç’përfitojmë ne nga njohja me të, nga njohja me veprën e tij? Ç’na sjell ai sonte midis nesh, ç’ndjesi, ç’porosi, ç’kumt? Sa e sa pyetje retorike na sillen vërdallë,  teksa e kujtojmë dhe ai na del gjithnjë aty ku e ka zënë vendin, nga i cili nuk lëkundet dot.Ai është aty ku kolona e gjatë e ushtarëve dhe luftëtarëve ecën, ecën, ecën drejt cakut të lirisë, të cilën ne e prekim sot, e ndjejmë, e shijojmë, e përjetojmë.Janë shumë arsye për të folur për Zejnullah Zejnën, sepse ai la një gjurmë, ai la një shenjë, me të cilën gjurmë dhe me të cilën shenjë ai na tundon teksa marrim frymë, jetojmë, veprojmë,

flasim dhe meditojmë për të. Zejnua, pra ishte djalë, për të cilin rrëfimi do të vazhdojë.Ai është personazhi për të cilin do të thurren krijime artistike, memoaristike, publicistike, epike në artin e pikturës, skulpturës, muzikës, letërsisë, filmit.Ai është një metaforë lirie, që komunikon me ne.Ai komunikon me ne nga pozita që ka zënë, nga një altar i shenjtë, nga një altar lirie.E ç’i duhet më shumë një njeriu përveç pavdekësisë, të cilën ne vdekatarët detyrohemi t’ua ruajmë të pacënuar dhe të mos ua prishim qetësinë atje tek rrinë në fronin e madh të lirisë?

Kush ishte Zejno luftëtari? A nuk mjafton epiteti Zejno luftëtari për ta shënuar figurën e tij? Mbase për të nuk duhet të flitet shumë , se ka folur vetë ai me veprën e tij, me luftën e tij, me amanetin e tij.Zejnullah Zejna ishte një djalë nga Sojeva e Ferizajt , që kishte një familje të madhe me tradita atdhetarie dhe e cila tek ai mbruajti dhe thadroi ndjenjën e lirisë, me të cilën ndjenjë ai jetoi derisa erdhi në Gorozhub, i cili u bë stacioni i fundit i jetës së tij.Zejnullahu provoi kurbetin në Kroaci, Zvicër e Gjermani, provoi dhe ndjeu mallin për nënën që priste te dera djalin e saj kur do të shfaqet në një mëngjes të hershëm apo në një dite të bukur me diell, ta marrë në përqafim dhe të ulen bashkë e të tregojnë se sa i kishte djegur malli i ndarjes, ai mallë, që vetëm shqiptarët e kanë ndjerë ndër vite.Ai u dërgoi para familjes së madhe që t’ua lehtësonte skamjen sadopak, sepse jetët tona përgjithësisht ishin të rënda dhe edhe më të rënda i bënte robëria.Sonte na del përpara Zejnullahu, teksa e kemi parë dhe e kemi takuar dhe mbase kemi bërë edhe ca fjalë me të nëpër rrugët e Bielefeldit ashtu të heshtur, por herë-herë edhe hokatar, herë të brengosur e të pagjumë tek thurrë ëndrra lirije në imagjinatën e tij dhe tek krijon  hartën e udhëtimit të tij drejt atdheut.Sonte na del përpara Zejnullahu sportist, i cili në fanellë sportive plot elan mbron portën e skuadrës së vet “Kastrioiti”në Shtukenbrok(Stukenbrock), siç do ta mbrojë më vonë atdheun duke dhënë mesazhe lirije e dashurije.Sonte na del përpara nesh Zejnullahu bashkëshort, i cili me zonjën e tij Suzana Schmidt thurrë ëndrra jete për një tufë kalamajsh, të cilët kur do të vinte lirija, do të niseshin bashkë për ta përqafuar gjyshen e tyre, e cila do t’i priste te dera nipërit e mbesat e saj.Por kjo mbeti vetëm një ëndërr e bukur, mbeti vetëm një dëshirë.Pse mbeti e tillë? Mbeti e tillë sepse Zejnullahu nxitoi,  se vetë koha dhe jeta e vuri në nxitim.Po nxitonte edhe Kosova të hiqte tash me flakën e luftës shaminë e zezë të robërisë.E në mesin e atyre, që me dorën e vet do t’ia largonin shaminë e zezë Kosovës,  ishte edhe dora e Zejnullah Zejnës, dora e djalit , që përkëdhelë nënën Kosovë dhe shkon ta takojë me fjalët e luftëtarit, ja ku më ke nënë:në gropa, në male, në shkëmbinjë, në llogore.Pra ka ca djemë që këndojnë një këngë:këngën e kurajës për nënën e mbetur në hallin e madh të jetës gati sikur në vargjet e Nolit, të cilat koha i riaktualizoi:”Mbahu nëno, mos ulë kokë, se ke djemtë e tu n’Evropë.”E këta djemë atje i

priste Kosharja, Gorozhubi, Jezerci, Pashtriku, Karadaku, Dukagjini, Nerodimja, Loxha, që të rreshtoheshin nëpër çeta, divizione, togje me detyrën e ushtarakut, të komandantit, të artilierit, të topxhiut, të vëzhguesit.Ata i shkonin Kosovës dhe i binin në gjunjë edhe nga Amerika, edhe nga Australia dhe gjithandej nga gjithë globi.Mbusheshin autobusët dhe  çanin rrugëve të Europës , mbusheshin avionët, të cilët çanin qiellin, mbusheshin vaporët, të cilët çanin detin.Pra dyndje e madhe luftëtarësh, gjithandej vullnetarë drejt frontit të luftës për çlirimin e atdheut nga toka, nga qielli, nga deti me flamurin e lirisë në ballë.Pastaj me peshën e rëndë të armëve nëpër Kalimash, Kolsh, Burrel, niseshin drejt Kukësit dhe kështu më tutje me disiplinë ushtarake sistemoheshin, futeshin dhe zinin një vend pranë një shkëmbi,  brenda një istikami dhe kërkonin kokat dhe uniformat armike. Zejnullah Zejna mori përsipër detyrën e rëndë të topxhiut, arma e tij e pëlqyer, në rolin e shenjëtarit e zëvendëskomandantit.Topi i togut të tij TF2, me të cilën ai do të hedhë predha që gjëmojnë fuqishëm,  ishte një kumt i madh lirije për popullin e Kosovës, të cilit vdekja po i rrinte mbi kokë.Por përderisa kishte luftëtarë si Zejnullah Zejna e mijëra të tjerë, populli i Kosovës kishte edhe një shpresë se një ditë,  dita e lirisë do të vinte edhe për ta.Po, ajo  do të vinte , por ajo kërkonte edhe një çmim, lirija e Kosovës kërkonte haraçin e saj.E ç’mund të kërkonte më shumë se jetën e tyre, të cilën jetë Kosovës ia dhuruan duke kënduar marshin luftarak “Oj Kosovë o djep lirije”.Sa më shumë luftime që zhvilloheshin, aq më shumë rritej shpresa vegimtare se dielli po lindte edhe për ta,  prandaj edhe për ne, që jetonim në ankth dhe pritje.Por një ditë një ditë do të vinte edhe kumti i zi.Pas gjëmimesh dhe hedhjesh të gjyleve , topi i Zejnullah Zejnës , pasi kishte nxjerrë krismat e fundit,  kishte pushuar , sepse Zejnullah Zejna kishte dhënë frymën e fundit me fjalët e luftëtarit të lirisë :Përpara!Topi kishte heshtur dhe e kishte pllakosur zia e madhe,  sepse i zoti i tij , Zejnullah Zejna i kishte dhënë lamtumirën tokës së Kosovës,  pasi më parë kishte ujitur tokën shkëmbore të Gorozhubit me gjakun e tij.Atë mëngjes të hershëm, derisa ushtarë të tjerë po hanin mëngjesin e tyre, buka u kishte mbetur në fyt.Tre qershori pra , ua kishte nxi fytyrat dhe me shpejtësinë e luftëtarit e kishin nisur për në Krumë, por trupi i tij nuk kishte frymë më.Ai kishte ikur në amshim, e pas tij i shkonte lirija me aromën e bukur të lulëkuqeve të gjakut të Kosovës dhe këngën që e ndjek pas:

“Si një fllad që vjen prej mali,

Po i vijnë nanës shokët e djalit,

Që u flijue n’altar të lirisë,

Tuj këputë prangat robërisë”.

Lavdi veprës heroike të Zejnullah Zejnës!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora