E premte, 29.03.2024, 02:16 PM (GMT)

Editorial

Engjëll Koliqi: Në të njëjtën udhë

E hene, 21.07.2008, 07:00 PM


Në të njëjtën udhë

Shkruan: Engjëll KOLIQI

Që në shekujt e antikës, të parët tanë, si me venom, kanë marrë udhën e dashurisë, udhë kjo që ka depërtuar kudo në histori e i ka dërguar ata në frone mbretërore dhe shenjtërore. Historia njerëzore, aq bukur i ka regjistruar udhët e të parëve tanë, saqë shpesh më duket se duke ecur nëpër histori, i shoh të gjallë- Shën Konstantinin e Madh, Shën Florin e Shën Laurin, Shën Prokopin e Shën Maksimilianin, Shën Jeronimin, Shën Niketë Dardanin, Aleksandrin e Madh – Lekën, Millosh Kopiliqin, Lekë Dukagjinin, Gjergj Kastriotin - Skënderbe, Ali Pashë Tepelenën,  Naum Veqilharxhin, Papa Kristo Negovanin, Jeronim De Radën, Jul Varibobën, Zef Seremben, Vëllezërit Frashëri, Gjergj Stefën, Ymer Prizrenin, Mic Sokolin, Haxi Zekën, Idriz (Nikollë) Seferin me Isë Boletinin, Dedë Gjo' Lulin, Oso Kukën, Ismail Qemalin me Dom Nikollë Kaçorrin e me Luigj Gurakuqin, At Gjergj Fishtën me Faik Konicën e me Ernest Koliqin, Azem Bejtën me Shotë Galicën, Shaban Polluzhën, Engjëll Zefin me vëllezër e me shokë, Tahir Mehën, Jusuf e Bardhosh Gërvallën me Kadri Zekën, Zahir Pajazitin me shokë, Komandant Ademin me Bablok Shabanin, vëlla Hamzën dhe mbarë Familjen e Madhe Jashari, Agim Ramadanin me Sali Çekun dhe shumë heronj e dëshmorë të tjerë të kombit, Shenjtëreshën e Dashurisë Gonxhe Bojaxhiun – Nënë Terezën, Ibrahim Rugovën dhe shumë personalitete të tjera të kombit.

Herë nëpër ëndërrbardhat e mia, herë zhgëndërr më dalin të gjithë, duke ecur krenarë n-udhët e historisë. Gjithëherë, me kënaqësi të veçantë u këndoj hymne, psalme e këngë lavdie. Që të gjithë i mbaj në zemrën time, me fuqi bese e me krenari. Ndjehem gjithmonë krenar, që jam pasardhës i tyre dhe gjithmonë mundohem ta ndjek të njëjtën udhë që ata na e trasuan në histori, pa devijuar kurrë nga traditat e shenjta arbërore, që të mbushura me besë kanuni e me krenari, edhe sot mbajnë të gjallë e të fortë shpirtin e arbërit.

Jemi të gjithë ne – fara arbërore – gjithëherë krenarë n'udhën historike, që e kanë filluar dhe trasuar të parët tanë. Nuk devijojmë fare. Gjithnjë e më të sigurtë marshojmë me zhurmën festive të kënaqësisë, që buron nga traditat tona të shenjta. Në këtë udhë, me melodi dashurie këndojmë fuqishëm e kurrë pandalur. Në këtë udhë, të palodhshëm, dijmë edhe të vallëzojmë. Në këtë udhë, me ngjyra ylberi, përshkohemi me rreze të mrekullueshme, me rrezet që me fuqi mrekullie na mbushin plot me dashuri. Jemi të pandalshëm e të palodhshëm në ecjen tonë, n'udhëtimin tonë nëpër histori. Gjithmonë mbajmë udhën  e krenarisë, pa u shmangur kurrë nga traditat tona kombëtare, që janë shembull i krenarisë së civilizimit të kësaj bote me frymë dashurie.

N'udhën e dashurisë, që na e kanë trasuar të parët tanë që i përmendëm dhe miliona të tjerë që nuk i kemi përmendur, ne kemi mësuar shumë tradita, shumë doke e zakone dashurie, shumë këngë krenarie, shumë vlera bese. I kemi mësuar, i praktikojmë dhe i mbajmë gjithmonë si të shenjta. Të njëjtat, besnikërisht, ua përcjellim pasardhësve tanë. Këto përcjellje trashëgimtare do t'i vazhdojmë gjeneratë mbas gjenerate, shekull mbas shekulli – deri në amshim, me frymë të fortë të shpirtit arbëror. Me frymëzim të fortë të shpirtit arbëror dhe me fuqi mrekullie që e kemi të garantuar nga Zoti, kudo në këtë botë do të shpërndajmë rreze dashurie. Me rrezet tona do të ndryshojë bota. Njerëzia nuk do e njohin më urrejtjen. Që të gjithë njerëzit e kësaj bote do ta marrin të njëjtën udhë – udhën tonë të dashurisë. N'udhën e dashurisë, gjithnjë sipas mësimeve e porosive të të parëve tanë, vazhdojmë të palodhshëm – gjithmonë me fuqi mrekullie. Të gjithë njerëzit vullnetmirë që marrin këtë udhë do të jenë plot me fuqi mrekullie, plot me besë nga ne të trashëguar, plot me këngë krenarie, plot me rreze dashurie. Me këto veti e dukuri, ndryshimi i botës me dashuri është i pashmangshëm. Këto janë garanci të pashme të sukseseve tona.

Duke u bazuar në të gjitha këto veti e dukuri, që udhës së dashurisë përcjellin një proces të gjithëmbarshëm dhe shumë të rëndësishëm, që ndërron botën me dashuri, mund të themi se përfundimisht, në të njëjtën udhë do të radhiten të gjithë – shekull mbas shekulli e gjeneratë mbas gjenerate – deri në amshim. Nipër e stërnipër, mbesa e stërmbesa... përfundimisht, të gjithë do të ndjekin të njëjtën udhë – udhën e garantuar të dashurisë. Tashmë, me fuqi mrekullie, kemi edhe garancitë se të njëjtën udhë do e ndjek njerëzia mbarë – kudo në botën tonë dhe në mbarë gjithësinë. Për të gjithë do të jetë vetëm një qendër vendosëse, vetëm një pikë komanduese, vetëm një fron mbretëror – kudo Perandoria e Dashurisë!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora