E marte, 11.08.2020, 08:18 PM (GMT+1)

Editorial » Radovani

Fritz Radovani: Prof. Gjon Sinishta

E shtune, 09.05.2015, 06:32 PM


PROF.  GJON  SINISHTA

(8 Prill 1929 – 9 Maji 1995)

“Mos të lejohet ma që Shqipnia të lahet me lot gjaku!

Përsëritja e lotëve për Shqipninë, së pari do të jetë faj i intelektualëve!..” - Prof. Gjon SINISHTA

Nga Fritz RADOVANI

Fisnik i nderuem!

Ndër ata male të nalta, maje degëve të një lisi shekullor asht edhe një çerdhe e bame me krande e baltë, ku Nana, vështron e rritë zogjtë e sajë tue i mëkue...

Njëditë ata fluturojnë, ... ikin...

Në muzg, pa ra dielli, Ajo me sy vështron se, mos po këthejnë të vegjlit prej detit a rrugëve të pafund të pyllit... Dikur, kotët, e kështu, fillon vetmia...

Herët në mëngjez, një pupul që sjell era ia këputë shpirtin, një copë skjep i thyem e disa njolla të kuqe, që tokën tonë vaditën për kaq shumë vite, janë aty...

Tue fluturue mbi një gêm, mendon me vete: “Po tjerët, a thue, kanë shpëtue?”....

Dhimbje, dashni, ankth e trishtim, tue pritë njëditë me i pa...

Vajza e zbathun me velin e bardhë si bora me vija të holla bojë qielli që valvitë era, morrlani i vorfnisë pashoqe, mjedis jetëshkurtëve, ringjallë jetën, besimin e shpnesën, vetëm, tue i prekë me duert e Saja të bekueme, e ata, në dhimbje të pakundshoqe thërrasin:

“Ooo... Nanë!...”

Djali me dru Krygjet  në dorë, i zgaçun, me post të ngjeshun krah e qafë... nisët drejt rrugëve të largëta ku, dielli atje përëndon herët prej shtëpijave të nalta. Nëpër shkëlqimet e vezullimet e vetrinave që të marrin sytë, sheh edhe shamia kuq e zi, ashtusi i “pëlqenin” Nanës...

Asaj çdo natë, kur kapaktë e territ i bashkojnë çerpiktë, mendja tek ti i fluturonte edhe pse ti kishe humbë.

I dukej e zhdukej hija yte por, gjumi e kotollonte e aty kah e vona e merrte me të mirë me andrra të gjata. As dy gisht letër nuk gjejnë plasë me hi tek perdja që lak ka ba. Nuk asht thanë me u gëzue zemra e Saj e djegun në mall. Vetëm rrin në vetmi...tue të pritë ty!

Fe e Atdhé, për ty Fatos i dijës, ishin arma e yte vërbuese për t’ patënzonë...

E... njëditë Fitove!

Atëditë, të pashë dhe unë së parit më 25 prill 1993. Papa Gjon Pali II-të, na njohu: “Jemi vëllazën” na tha, na i shtërnguem dorën fort njeni tjetrit si burrat, e kryet për krye zatetëm si dikur motit ndeshte Shqiptari. Mbi kokat tona valvitëshin flamujt nga flladi i Lirisë së dishrueme...

Kur ike s’parit, Fëtyra e yte ishte si maza e tamlit që milte Lokja. Kur erdhe në krahët e Sajë, Ajo nuk të njohu atëditë edhe pse shtëpia mori dritë. Çerdhja ishte çartë e krandët shkapërda. Ajo ndjeu erën tande, e era Yte i mbushi gjoksin me gëzim e hare, ku i rrahte e bardha zemër edhe pse ka 50 vjetë që asht qorre biro! Ajo nuk i sheh thinjat e mjekrrën tande të zbardhun si biluri, veç buzët e shkrumueme të Sajat për ballin tand të vizatun ngjëshi sidikur, kur të kishte në prehën e frigohëj nga zjermia. Ajo ngrohtësi e ytja ishte prap ndër buzët e Saja të plasarituna e të bame shkrum...

Rozafa sot për parzëm të ka shtërngue, për atë gji, në të cilin, ti thithe mjaltën që nxjerr pa da goja yte.

Ndër ata mure të asaj Kështjellë, tash sa vjet veç kullonte tamth ‘e Sh’Njon në Sh’Njon... për të gjatë Bunës rrëkajë derdhëj në det, me lot përzi... e porsi tallaz përplasej për brigjët e asaj toke të bekueme, ku ishe Ti, o Gjon Shqiptari!

Ti sot, jé këtu, tek Nana! Fé e Atdhé, ishin dashtnia e vepra yte, e qé, ku janë!..

Ashtu si i mblodhe me Dritë, Dije e Përparim, Ti Rinisë Shqiptare ia solle pasuninë ma të madhe të Tandën; Virtytin, mundin e djersën, veprën e përjetëshme...

Të pastë Nana Yte...Shqipni, me shumë djelm’ e Fatosa si Ti!

Në Muzeun Historik të Shkodrës, më 16 tetor 1994.

Botohet me rasen e 20 vjetorit vdekjes Prof. Gj. Sinishtes.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora