E premte, 29.03.2024, 09:32 AM (GMT)

Kulturë

Resmi Osmani: Bisedë vajzash

E shtune, 09.05.2015, 04:44 PM


BISEDË VAJZASH

Tregim nga Resmi Osmani

Orën e fundit, ne të klasës së tretë B të maturës të “Petro Ninit”, e patëm bosh. Mungonte mësuesi i historisë. Nuk u ngutëm të iknim në shtëpi. Shtëpitë aty janë e pak liri për biseda e hoka të çfardoshme dhe shijimi i një akulloreje apo lëngu frutash, na bënte mirë. Pranë gjimnazit tonë, në krye të rrugës, te kryqëzimi është një lokal i mirë, i paqtë, plot dritë e i zhytur mes gjelbërimit të shelgjeve lotues, ku ne shpesh shkojmë kur kemi kohë. U bëm një grup shoqesh. Dita ishte e bukur, e ndritur dhe e ngrohtë. U  ulëm në një tryezë përjashta, larg grupit të djemve, që nuk rrinin dot pa hedhur romuze, nën çadrën e madhe që reklamonte koka-kolën. Porositëm sipas dëshirës. Për vete mora akullore me çokollatë. Vajzat ishin në humor dhe në tryezë u vijua biseda sa intriguese dhe eksituese që kishim nisur  rrugës. Nuk e di ç’u kishte shkrepur që të bisedonin për virgjërinë  dhe seksin. Sikush jipte opinionin e saj të lirë, me apo pa paragjykime, por pa përvjën e duhur, e bindur se nga sa dinte, kishte të drejtë në atë që thoshte.

Djali i shërbimit pruri porositë. Ne grryem astarët e portofoleve apo çantave për të gjetur qindarkat dhe paguam secila të vetën.

Ela me një gjest ngasës, nisi të lëpinte akulloren me gjuhën e saj të vogël e të trandafiltë:

-E dini, -tha ajo,- që ka edhe ca gjëra të tjera që lëepihen dhe merren në gojë? dhe perëndoi sytë gjithë lezet si të shijonte më shumë atë që tha sesa akulloren.

-Boll se na e shpife!

-Pse bën gjasme s’ta kënda?

-Se shijet janë të ndryshme. Ajo që të pëlqen ty, s’është e thënë të më pëlqejë dhe mua. Përkundrazi.

Dielli ishte ngjitur lart në kupë të qiellit.Rrezet që depërtonin nëpër degët e shelgjeve, thërmoheshi dhe binin si ca pllanga të ndritura mbi kokat tona si të kishin kërsheri të dinin përse flitej aty. Puhiza shpërndante në ajër  aromën e mjaltët të  unapit që ishte në lulëzim të plotë. Në postatet e luleve, kishin çelur petuniat dhe mullagat shumëngjyrëshe. Ndryshe nga ky kënd i paqtë e plot dritë, në rrugë derdheshin si dallgë makinat me uturimën monotone të paprerë.

- E kishim fjalën te virgjëria, apo jo? E pra, është një kurth që s’dihet pse natyra ia ka ngritur femrës. Një cipëz e hollë, që mbyll portën e parajsës, që të mos hyjë demoni, është qeni roje i saj.  Në mjekësi e quajnë hymen. Idiotësia mentale mashkullore e konsideron atë si thesar që u dhurohet atyre natën e parë të martesës, si simbol i papërlyerjes dhe pastërtisë morale. Dikur, çarçafi i përgajkur, ishte flamuri i virgjërisë dhe pastërtisë femërore e morale të nuses. Lumturonte dhëndrrin , familjarët dhe ndrikullat, e u mbyllte gojën ngjelkave. E kundërta ishte mjerim. Nusja kthehej që të nesërmen në derë të tet. Ishte si vdekja, një tmerr, damkë turpi, një njollë që s’kishte ujë ta lante. Shpesh ajo vetvritej ose e vrisnin të vetët për të shlyer njollën e turpit. Dihen edhe raste të tilla. Më dridhet mishi kur i kujtoj.

Por kjo tani, fatmirësisht, u takon përrallave me “na ishte mos na ishte”. Jemi të shpëtuara.

-Je e sigurtë? e pyeta. Beson se nuk ka ende ca zonja të fisme, të mençura e buzëholla, nëna zakoni    presin të bëhen vjerra dhe që  i duan nuset  e djemve të jenë, si ta them, ashtu si i ka lindur e ëma? Që një e tillë mund të bjerë   edhe ty në pjesë ?

-Edhe mund të ketë, por fatmirësisht djemtë e sotëm s’ua varin më këtyre lloj nënave. Nuk presin  deri  natën e parë të martesës që të shijojnë hiret e nuses.

-A e dini se ç’farë kam dëgjuar?. Ka vajza, që shkojnë te kirurgu dhe e qepin cipën! Kësisoj, u hedhin hi syve, atyre leshkove prapanikë që marin për burra, që të vetkënaqen e lumturohen me nusen e virgjër!

-Po , kam dëgjuar. Jo më kot thonë se zakoni është ligj më i fortë se çdo ligj!

-O goca, dëgjomëni edhe mua,-tha Meri bukuroshja zeshkane. Keni dëgjuar sesi  thonë njerëzia per një vajzë që i kanë dalë fjalë se ka shkuar me ndonjë djalë? Është e prishur, ka humbur virgjërinë, sikur virgjëria të ishte pasuri, që humbet apo prishet dhe s’gjendet më. Përbuzja për të ishte një opinion i përgjithshm. Për të thoshin: ajo shkërdhata, e shpuara, si të ishte një enë me vrimë, një poçe e thyer nga ku kishte rrjedhur apo derdhur vera e çmuar dhe kishin mbetur bosh, një zbrazëtirë e zymtë! Gjyshja ime thoshte: ”Turpi i djalit lahet me një lugë ujë, i vajzës as me një det të tërë” .  Nuk thonë kot: më keq të të dalë nami sesa syri. Ato askush nuk i kërkonte për martesë,  por familja  me shkesët, gjente  ndonjë lolo, vejan apo shtrigan të moshuar që ta hiqte barrën e turpit. Vajza e vuante këtë  gjithë jetën.

Tmerr ta mendosh. Zakone dhe mendësi primitive, barbare!

Vera, që bënte hartimet më të mira në klasën tonë dhe që kishte nisur të shkruante edhe poezitë e para lirike, disi e menduar dhe shikim ëndëerrues, tha se dashuria është një ndjenjë e përjetshme,  e lindur brenda nesh. Dashuria është mirësi. E kundërta e saj është urrejtja. Kur gjykojmë për lidhje të ndersjellta femër-mashkull, kemi të bëjmë me një ndjenjë sublime, që veçohet nga format e tjera të dashurisë. Dashurojmë dhe na dashurojnë shpesh, por dashuri të vërtetë, të thellë e të plotë, ka vetëm një herë në jetë dhe ajo mbetet e paharruar, që përjetohet thellë, kujtoni Zhulietën, Ofelinë, Beatriçen, Desdemonën, kurse të tjerat janë ca stacione erotike episodike e rastësore. Do të thoni: ç’hyn këtu virgjeria? Hyn që çke me të. Dashuria është ndjenjë e thellë shpirtërore, një përkim e bashkim shpirtërash, por që të bëhet e plotë dhe e ndjeshme, kërkon edhe bashkimin trupor, ndjesinë dhe ngrohtësinë e ndërsjelltë të mishit dhe vlimit të gjakut, atë dalldi dhe trallisje gati hyjnore që e realizon seksi. Ruajtja e virgjërisë bëhet pengesë. Ndrydhja e ndjenjave midis dëshirës dhe mosdëshirës , është depresive dhe mungesë e lirisë së ndjenjave. E bën qënien të paplotë. Çlirimi nga virgjëria i hap udhë dlirësisë, shijimit të rinisë me plotërinë e ndjenjave. Çkuptim do të kishte stina e rinisë pa shijuar frytet e saj?

Ligjërata e Verës u duartrokit. “Bravo vera!” Meri pati një vrejtje:

-Dashuria dhe seksi nuk duhen njësuar. Dashuria është një ndjenjë thellësisht shpirtërore, që rri e tulatur e në pritje të përhershme që të zgjohet. Depërton nga sytë si pamje e të dashurit, përcillet nga veshët me timbrin e zërit të tij, drithëron trupin me një prekje gishtash trazon dhe pështjellon dhe ngazëllen   mendjen  dhe ngre folenë në zemër. Është diçka ideale, ndjesore, thuajse hyjnore, per të cilën nga poetët janë thurur e thuren mijëra vargje. Seksi është diçka materiale, një ngasje e detyruar natyrore për të shtuar llojin. Kaqë  gjë e kemi mësuar nga dituria e natyrës. Por njeriu si qenie superiore e inteligjencë të zhvilluar, me ndjenja të rafinuara, ndryshe nga mamiferët dhe llojet e tjerë, e ka kthyer atë në subjekt kënaqësie, me apo pa adhurim, me apo pa dashuri të vërtetë. Tashmë dihet që ka një industri seksi dhe prostitucioni dhe trafik femrash, ajo që në mediat quhet tregëtia e “Mishit të bardhë”. Ato mjeranet përfundojnë në trotuaret e metropoleve apo shtëpitë publike. Prostitutat, me hir apo pahir, detyrohen të bëjnë seks, janë punëtoret e seksit. Për to kthehet  në rutinë, si një punë për të nxjerë të ardhura. Në atë treg ato shesin trupin. E kuptoni që  këtu s’bëehet fjalë për dashuri. Prandaj them që dashuria ideale s’duhet të ngatërrohet me seksin që eshtë  dukuri natyrore vulgare.

-Edhe këtë kishim mangut, - tha vera. Ky është darvinizën i pastër trazuar me sociologji. I denjë për tu deklamuar në takimet e shoqatave feministe.

Të gjitha ishin gjallëruar dhe deshën të merrnin pjesë në bisedë, përveç Kleas, që rrinte e heshtur dhe e zymtë. Ajo dallohej nga ne për ekstravagancën e saj. Kokën e kishte rruar në tëmthat dhe prapa, në çaçkë kishte lënë një tufë flokësh, të ngrira me llak e të krehura përpjetë si kreshtë. I kishte ngjyer me të kuqe.  Nën refleksin e dritës dukej sikur koka I kishte marrë flakë. Në buzën e poshtme dhe në flegrën e hundës kishte vënë pirsing. Në veshë I vareshin vathë të mëdhenj rrethorë. Buzët të lyera lehtë me ngjyrë vjollcë të çelur. Syzet e zeza xhammëdhaja, që si hiqte asnjëherë, thuajse i mbulonin gjysmën e fytyrës. Vargje të gjata rruazamëdha i vareshin në qafë dhe kyçet e duarve të ngarkuar  me byzylikë. Që nga supi deri te bërryli i majtë kishte një tatuazh me lule dhe një sirenë. Çdo gjë te ajo ishte e panatyrshme dhe dukej si e tjetërsuar, pa freskinë e moshës. Midis nesh që ishim të nisura thjesht  por hijshëm, dukej si dhia në mes të dhenve. Por ishte e drejta e saj të përdorte lirinë vetiake, ashtu siç i pëlqente. Kaq gjë ne tashmë e dinim. Jemi apo s’jemi shoqëri e hapur, e lirë e demokratike? Nxori nga çanta një cigare të dredhur, i dha zjarr me çakmak. E thithi me ashk disa herë, pastaj ua kaloi vajzave:

-Tymosni bar goca, që tu duket bota më e bukur,më e qeshur, zemra më e gëzuar, dielli më i ndritur dhe djemtë më të dashur! Natyra eshtë rrëfyer bujare që na ka dhuruar mjete të tilla, që s’duhen refuzuar.

Disa prej tyre e provuan dhe shfrynë nga një fjollë tymi që mbante erë të rëndë. Kur më erdhi radha e refuzova, nuk desha ta provoja. Pas kësaj, pa kaluar shumë,  ato befas u bënë llafazane, thanë se ndjeheshin më mirë e të gëzuara dhe se ne të tjerat, do të pendoheshim që s’e provuam, të paktën një herë të vetme.

Pas këtyre opinioneve që u shprehën, u duk se biseda bezdisëse për virgjërinë shteroi, por jo. Alesia, që po përgatitej për të vazhduar studimet në gazetari, vendosi atypëraty, të bënte një anketë. Një lloj ushtrimi profesional paraprak. Çdo njëra nga ne duhej t’i përgjigjej  pyetjes së saj, mundësisht sa më shkurt.

Të parën pyeti Verën:

-Zonjushë, në ç’moshë, me cilin dhe ku u çliruat nga prangat e urryera të virgjërisë?

Vera po mëdyshej.

-Nëse s’dëshiron, dhe e konsideron të sikletshme, për të mos thënë të turpshme, mund edhe të mos përgjigjesh.

-Jo. Po kërkoj fjalët. Sapo kisha hyrë në të gjashtëmbëdhjetat. Ishte mesgushti. Një natë e kthiellët, e freskët, hënëplotë dhe qiell të pikëzuar nga mirjadat e  yjeve. Dukej sikur gjithë universi ishte yni. Grupi  i alpinistëve të rinj, ku bëja pjesë, e kishte ngritur kampingun në një lëndinë të vogël, që ndodhej midis rrëzës dhe majës së malit të Dajtit. Atë natë ndodhi. Me drejtuesin e grupit, pas një simpatie të ndërsjelltë. Në natyrë, mbi barin dhe lulet kundërmuese, nën dritën e hënës dhe vesimit të yjeve…… Vera dukej si e përmalluar që po sillte ndër ment atë çast.

Dukej që i kishte shijuar dhe se ishte një kujtim për tu mbajtur mend gjatë.

-Shumë romantike,- tha Alesia: Majë malit, në lëndinë , nën dritën e yjeve dhe syrin e hënës. Si në përralla!

Pastaj ajo e hodhi vështrimin nga Ela.

-Zonjushë, ju lutem, pyetjen e dëgjuat, a mund të kemi mirësinë të jepni përgjigjen per anketën tonë? Kujt ja falët zogun tuaj për herë të parë? Kush qe ai fatlum që ta lypi?

-Zog ka vetëm Tuna! Pastaj nuk lypet, si të ishte një copë bukë!

-Mos ja fut kot, e kemi të githa ne, ndryshe fëmijët nuk do të na quanin teta, por xhaxhi! Është njëra nga gjërat për të cilën edhe  na lakmojnë.

-Ndodhi vitin e shkuar, në plazh. Me një moshatar të vilës ngjitur me tonën. U miqësuam shpejt dhe u pëlqyem. U puqëm në det, në ujë, si peshqit duke u pllaquritur mes valëve shkumëbardha. I hodha duart në qafë dhe u shtrëngova fort pas tij. Ai mi ngriti këmbët deri në lartësi të belit, hapi pak bikinit dhe Eureka . Dallgët na lëkundnin si të kërcenim tango. Besoj se edhe ai e kishte për herë të parë. Na shijoj si mjalti i hojeve. Virgjërinë ja blatuam detit, si sirenat. E përsritëm edhe ditët e tjera. Kur mbaruan pushimet, ai iku në Korçë dhe më nuk jemi parë. I telefonova por nuk mu përgjegj. Kishte marrë atë që kishte dashur dhe aq!

Më vonë mësova se kishte emigruar në Greqi.

Sido qoftë ishte një përjetim i bukur.

Radha i erdhi Merit.

-Alesia, pash Zotin, ç’tu shkrep të na bësh këtë anketim të sikletshëm, që është shumë intim, një përjetim vetiak i ndodhur apo që pritet të ndodhë?

-Aha, e dashur. Gjithnjë ka një herë të parë, që hap shtegun e udhës për herët e tjera, që më pas vijon  gjatë jetës herë si relaks, herë si dramë e herë si komedi e detyrim familjar pasmartesor, aq sa kthehet në rutinë. Por kjo herë e parë nuk harrohet, është e veçantë për secilën, bëhet pjesë e pandarë e unit, e  kujtesës dhe sipas rastit nëpërmendet ose jo me përmallim e drithërim shpirtëror. Këtu jemi midis shoqesh, dhe këtë përjetim tuajin, që po bisedojmë midis nesh,  nuk e nxjerim në tregun mediatik.

Është pjesë e kësaj tryeze shoqesh, si shkëmbim mendimesh e mbresash, si të ishte vijim i një ore të edukatës seksuale.

-Atëhere rrinim në Fier. Sa kisha festuar pesëmbëdhjetë vjetorin e lindjes. Isha zhvilluar shpejt, me këtë gjatësi që kam edhe tani,  gjokset më ishin hedhur si dy kodërza, të fortë e gjithë zhëng. Se ç’më kishte hipur. Ndjeja përbrenda një zjarrmi dhe dalldi që se dija nga më vinte. Gjumin e bëja të shqetësuar. E kisha të nevojshme të më donin dhe të doja, të më ledhatonin e miklonin. Besoj se i ndodh secilës në atë moshë, por gjithkush e përjeton në mënyrën e saj.

Mësuesi i fiskulturës, i ri i sapoardhur nga studimet, tip sportiv dhe i hijshëm, s’mi shqiste sytë. Vështrimi i tij fliste shumë dhe diç kërkonte prej meje. Nuk rezistova dot. Iu dhashë një ditë në palestër. Ndjeva dhimbje dhe u pergjaka. Ndryshe nga sa prisja , më la një shije të hidhur, të pështjelluar , një ndjenjë faji dhe mu neverit. Vetiu më shpërthyen lot dhe më mbytën dënesat. Ai s’deshi të më shihte duke qarë dhe më braktisi. Gjakrrjedhja vazhdoi disa ditë, si të më kishin ardhur të përmuajshmet.

-Po më tej?

-S’pati  më tej. Aq qe. Nuk desha t’i shihja më fytyrën. Më vinte të pështirë dhe mallkoja veten. S’më ndahej ndjenja e fajit.

-Ja, vajzat e mia, një rast i veçantë, - tha intervistuesja si të fliste para kameras televizive- Ky është përjashtim nga rregulli, që i ka ndodhur shoqes sonë Meri. Por ai palloshi duhet të ketë qënë trap, apo maniak pedofil, që e bëri të vuajë shoqen tonë, me një përjetim të pakëndshëm dhe të mos shijojë ëmbëlsinë e asaj  që ndodh vetëm një herë në jetë!.

Me ne ishte dhe Fatma, një rome me sy të zez, e vetulla të harkuara e zeshket dhe e kolme. Një bukuri e racës së saj. I ati ishte pasuruar me atë që e quanin tregëti e “gabit” , e rrobeve të përdorura dhe kishin zënë veten mirë ekonomikisht. Kishin ndërtuar dhe jetonin në një vilë në periferi.  Por sido qoftë ajo ndjehej jashtë vëmendjes, si e mënjanuar dhe ishte e drojtur, ngaqë i tkonte një race tjetër, prandaj edhe e paragjykuar. Ishte e vetmja rome në maturë dhe  mësonte shumë. Ishte nga më të mirat e klasës. Thoshte se do të studjonte për juriste. Sillej kujdesshëm që të mos linte shkak që ti hidhnin ndonjë thumb. Kur iu bë pyetja e zkonshme, ajo u skuq, rrudhi supat dhe tha:

-Jo. Asgjë e tillë me mua nuk ka ndodhur dhe s’ka për të ndodhur para martese. Mos prisni të dëgjoni gjë prej meje. Dua ta ruaj veten dhe t’ia bëj dhuratë natën e martesës romit tim.

Përgjigja e Fatmës shkaktoi habi, ngaqë ato kishin mendim te gabuar për romët, se gjoja ata i martonin vajzat që trembëdhjetë vjeçe dhe as që donin t’ia dinin për brooçkulla të tilla si puna e virgjërisë!

I njihnin pak.

-Pse beson që do të jetë rom? Yt atë, me gjithë atë pasuri, mund të të gjejë një të bardhë, i cili mund të mos ketë paragjykime.

-Jo. As që e mendoj, e dua të jetë i dorës sonë, një djalë rom. Pa paragjykime. Ta dua e të më dojë, të ndërtojmë familjen tonë e të bëjmë jetë të qetë e në harmoni.

-Dhe të pillni një qerre me rom të vegjël- ja plasi Klea, që fjalët i nxori tok me shtëllungën e tymit të cigares.-Lumë si ju!

-Pa shih! Kisha menduar se kishte racizëm vetëm tek të bardhët, por paska edhe  te ata me ngjyrë, ndaj të bardhëve!- U çudit Alesia- Racizmi qenka si reaksion kimik reversibël, vendkëmbyes! E dini? Nje femër e bardhë, nga romet quhet me përbuzje Gaxhie!

Nuk më pëlqeu që biseda mori atë kthesë, e çfaj na kishte Fatma? Ua thashë këtë.

Pas pak, Sytë  ngjyrë lajthie të  Alesias shigjetuan Klean.

-Epo, Klea, presim  të dëgjojmë.

-Mu bëtë si këshilli i ndrikullave! Pse pyet kot? S’më kujtohet. Unë jam prishur që në vezë, që në bark të nënës. Kam bërë si kam dashur e sa kam dashur, kam harbuar, jam dalldisur e përfshirë në orgji, i kam ndrruar të dashurit sipas muajve e stinëve. Seksit i kam nxjerrë ujë të zi, aq sa më është bajatosur e neveritur, djemtë më duken si idiotë që s’dinë çfarë kërkojnë dhe burrat si ca maniakë që veç aty u rri mendja. Por desh e mira, tani gjeta ngushëllim te bari. E çmë shihni ashtu si jashtëtokësore? Keni para vetes një plakë lëneshë tetëmbëdhjetë vjeçe!

Ne u nemitëm. E rëndë ajo që dëgjuam. Mendonim, dhe ashtu ishte, që jetën e kishim para.

-Po pres me padurim të marr maturën dhe të çaj ferrën. Këtë jetë këtu, që është si çorbë e qelbur se gëlltis dot më. Më pështjellon të brendshmet. Ku do shkoj? Po bota është e madhe moj goca, nga sytë këmbët, mjafton të guxosh. A nuk bënin kështu kurbetçinjtë e hershëm që me një shkop e një trastë merrnin udhën e niseshin në kërkim të fatit? Diku do të gjej mikpritje dhe prehje.

Në këtë lloj rrëfimi që ishte si një valle që vendin ja lije atij që vinte pas teje, më takonte mua të rrëfeja. Ato po prisnin me kërshëri zbulesën time. E kishin kot. U thashë se deri tani, asgjë s’kishte ndodhur, që kisha ruajtur vyrtytet vajzërore, paprekshmërinë  e vetvetes. Që nuk kisha rënë pre e ngashnjimeve apo tundimit nga djemtë.  Për më pas, nuk e dija se çfarë do të ndodhte, se çfarë do të sillte fati apo rasti.

Ato nuk deshën të besonin, por kur u bindën që u thosha të vërtetën, mu turrën me të shara e qortime: më thanë se po e çoja jetën dhe rininë dëm, pa shijuar eliksirin e dashurisë. Më quajtën bibë, humbameno, tyryfile, të shkalafitur, shalavriqe, të kohës së Babaqemos, mendjemykur dhe të tjera, që ato dinin me shumicë si të nxjerra nga fjalorët e të sharave. Unë kisha humbur pikë në sytë e tyre.

-Dëgjo motrën tate, Eva. Po qe se ti pret të të shfaqet si duke rënw nga qielli princi i kaltër, apo burri ideal i ëndërrave të tua, e ke kot.Në kohën tonë ata janë shdërruar në ca personazhe komikë e qesharakë, prandaj hiq dorë prej tyre. Ne e shohim sesi te vardisen e të lakmojnë disa nga djemtë e klasës, se çështë e drejta,  je bukuroshe, por ti s’ua var, andaj ata tërhiqen duke i hedhur sytë te të tjera, që s’jamë refuzuese, përkundrazi. Zgjidh njerin prej tyre.

Zere se nuk ma thanë se u vinte keq që më kishin shoqe!

Nuk i kundërshtova dhe nuk ua vura veshin. Ishte e kotë.

U ngritëm dhe u nisëm sikush për në shtëpi, duke ia hequr Alesias kënaqësinë që të na kumtonte rezultatet e shifruara të anketës, ç’ka asaj si gazetare e ardhshme, i pëlqente ta bënte.

Ora e fundit e munguar, e kësaj ditëshkolle, për mua s’kishte si mbyllej më keq.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora